More
    KreuLetërsiBibliotekë"1 shtator 1939", poezi nga W. H. Auden

    “1 shtator 1939”, poezi nga W. H. Auden

    Poezia u botua së pari në numrin e The New Republic, të datës 18 tetor 1939 në Nju Jork dhe pastaj është përfshirë në përmbledhjen e Auden “Another time” (Njëherë tjetër), 1940. Kritikët kanë theksuar se autori mbështetet në modelin e strofave të poezisë “Easter 1916” (Pashkët 1916) të W.B. Yeats. e cila evokon Luftën I Botërore.

    Përktheu Kujtim Morina

    Kjo poezi është shkruar për fillimin e Luftës II Botërore që shënohet më 1 shtator 1939, me pushtimin e Polonisë nga Gjermania.


    I ulur në një nga baret
    e Rrugës Pesëdhjetë e Dy
    I pasigurtë dhe i frikësuar
    Ndërsa shpresat e pritshme shuhen,
    Të një dekade të ulët dhe të pandershme
    Valë zemërimi dhe frike
    qarkullojnë mbi vende të kthjellëta
    dhe të errësuara të globit
    duke pushtuar jetët tona private;
    kundërmimi i paemër i vdekjes
    shkel mbi natën e shtatorit.

    Dijet e sakta mund të nxjerrin
    në dritë të gjithë keqbërjen
    nga Luteri deri në ditët tona
    çfarë e ka bërë një popull të çmendet,
    gjej çfarë ndodhi në Linz
    Një megaloman i shndërruar
    Në një zot psikopat.
    Unë dhe publiku e dimë
    Ashtu si edhe fëmijët e shkollës
    Atyre që ju është bërë e keqja
    Me të keq do të ta kthejnë.

    Tukiditi i mërguar e dinte
    Ç’do të thotë një fjalim populist
    për demokracinë
    Dhe çfarë bëjnë diktatorët.
    Gjepurat e vjetra që flasin
    Për një varr apatik,
    I gjithi i analizuar në librin e tij.
    Iluminizmi i hedhur tutje,
    zakonet që krijon dhimbja,
    keqqeverisja dhe brenga
    duhet t’i vuajmë të gjitha përsëri.

    Në këtë vend asnjanës
    Ku grataçelat e verbëra përdorin
    Të gjithë lartësinë për të shpallur
    Forcën e Njeriut Kolektiv
    Secila gjuhë derdh shfajësimin
    e saj të ethshëm, të kotë
    Po kush mund të jetojë gjatë
    në një ëndërr euforike
    Nga pasqyra ata sodisin
    Fytyrën e imperializmit
    dhe të së keqes së botës.

    Fytyrat e njerëzve në bar
    Kapen në ditët e tyre të zakonshme
    Dritat kurrë nuk duhet të fiken
    Dhe muzika kurrë të mos pushojë.
    Të gjitha zakonet synojnë
    Ta bëjnë këtë gjendje të duket
    Sikur asgjë s’ka ndryshuar.
    Që të mos shohim ku jemi
    Të humbur në një pyll të fanitur
    Fëmijët që kanë frikë kur vjen nata,
    që s’kanë qenë kurrë të lumtur apo të mirë.

    Plehrat militantë, më dredharakët,
    Personat e Rëndësishëm gërthasin
    Nuk është aq e pastër sa dëshira jonë
    Çfarë shkroi Njinsky i acaruar
    për Diaghilev,
    është e vërtetë për zemrën normale.
    Sepse gabimi i mbrujtur në kockë
    i çdo gruaje dhe çdo burri
    Digjet për atë që s’mund ta ketë,
    Jo për dashurinë universale
    Por vetëm për t’u dashur vetë.

    Nga errësira konservatore
    Në jetën e moralshme
    Kalimtarët e ngjeshur përsërisin
    zotimin e tyre të mëngjesit
    “Do të jem i sinqertë me gruan
    Do të përqendrohem më shumë në punë”
    Dhe guvernatorët e pakrahë të provincave zgjohen
    Për të rifilluar lojën e tyre të detyrueshme;
    Kush mund t’i lirojë ata tani;
    Kush mund t’i kuptojë të shurdhërit
    Kush mund të flasë me memecët?

    E gjitha çfarë kam është një zë
    Për të zhbërë gënjeshtrën e palosur
    Gënjeshtrën romantike në trurin
    E një njeriu të ndjeshëm në rrugë
    Dhe gënjeshtrën e Autoritetit
    Ndërtesat e të cilit prekin qiellin
    Nuk ka ekzistuar diçka e tillë si Shteti
    Dhe askush nuk ekziston më vete.
    Uria nuk të jep zgjedhje
    Për qytetarët apo policinë
    Duhet të duam njëri-tjetrin ose të vdesim.

    I pambrojtur në këtë natë
    Bota jonë në gënjeshtra të trullosura,
    Megjithatë, shquhen gjithandej
    Pikëla drite ironike,
    Vetëtijnë kurdo që të Drejtit
    Shkëmbejnë mesazhe
    A mundem unë, i krijuar si ata
    Nga Erosi dhe pluhuri
    I dërmuar nga i njëjti
    Mohim dhe dëshpërim
    Të tregoj një flakë afirmuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË