More
    KreuHistoriZemërimi i Kristoforidhit

    Zemërimi i Kristoforidhit

    Hyrje nga Taulant Ceka

    Edhe engjëjt zemërohen. Kjo i ka ndodhur engjëllit të Rilindjes Kombëtare, babait të Gjuhës Shqipe, Kostandin Kristoforidhit.
    Pas 20 vjet rropatje ndër fshatrat e qytetet e Shqipërisë për hartimin e fjalorit të gjuhës shqipe, pasi arriti të mbledhë 400 napolona flori në emër të tij në kolonitë shqiptare të Vllahisë dhe të Misirit,”vëllezërit” shqiptarë të këtyre kolonive, ndërhyjnë në Bankën e Bukureshtit, i marrin 400 florinjtë e mbledhur në emër të tij për botimin e fjalorit në Rumani dhe i harxhojnë në gosti e gëzime me sebepin e themelimit të shoqërive atdhetare.
    Është një letër drejtuar mikut të tij Nikolla Naco, kryetar i shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ku derdh gjithë mllefin e grumbulluar për këtë grabitje, me pasojë për kryeveprën e tij, por edhe për trashëgiminë e gjuhës kombëtare. Ashtu si shprehet në letër, fjalori në dorëshkrim ishte një vepër, që do të përbënte themelet e gjuhës shqipe, që po rilindte nga thellësitë e shekujve. “Ishte 40 mijë fjalë, i tipit Larousse”, shkruan prof. Simon Shuteriqi, botuesi i letrës së tij në kapitullin për Kristoforidhin në historinë e letërsisë shqipe, përgatitur nga studiuesi Namik Resuli.
    Pas vdekjes së Kristoforidhit, dorëshkrimi i mbetur i pabotuar iu shit nga pasardhësit e Kristoforidhit një botuesi grek, i cili e botoi me 1/4 e vëllimit të tij, në vetëm 11 mijë fjalë në formën e një fjalori shqip – greqisht. Edhe aq, edhe i tillë, ishte i pari fjalor shkencor i gjuhës shqipe hartuar nga një shqiptar.
    Ky fjalor, më shumë se shqiptarëve u shërbeu autoriteteve të njohur të indoeuropianistikës Krecmer, Waigand, Jokli, Pedersen etj. Veç këtij fjalori, sipas dëshmisë së Simon Shuteriqit, Kristoforidhi kishte mbledhur lëndë leksikore, faqe të tëra me fjalë në gjuhët sanskrite, greke, latine, sllave, turke, që kanë hyrë në gjuhën tonë, me qëllim hartimin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe. Këto dorëshkrime, deri në vitin 1945 kanë qenë pjesë e trashëgimisë arkivore të Lef Nosit.

    Kostandin Kristoforidhi

    Drejtuem Nikolla Nacos, kryetarit të shoqënisë “Drita”, në Bukuresht.

    Zoti i nderçëmë Nikolla Naco, në Bukuresht!

    Kartën e Zotërisë sate shkruarë mbë 16 të vjeshtës së tretë e prita me gaz të madh; bashkë me atë mora edhe tetë kora (Ikona, harta T. C.) të Shqipërisë për t`i përndarë, po ato dhjet` abetare që më shkruan se po t`i dërgonj, s`më kanë rënë në dorë ngjer mbë sot, as kanë për të më rënë, sepse mirretë vesh se i ka ndaluarë gjymryku (dogana, turq. T. C.) i Stambollit, a gjymryku i Selanikut. Zotëria jote, kur do të më shkruajsh, a të më dërgosh ndonjë vivle (libër, T. C), a tjetërë gjë, të m`i dërgojsh me anë të Trieshtesë nga Austria me udhë të hekurit, që të dalenë në Durrës të Shqipërisë pas adresësë që po ta mbyll brenda në kartet t`ime.

    Sot shtatë tetë vjet, kur qeshë unë sëmurë në Stamboll, dërgova Jano Vretonë në Vllahit e në Misir për të kërkuarë ndihmë mb`emërit t`im, që të shtypetë leksikoja (fjalori, gr. T. C.) e gjuhësë shqipesë, që jam munduarë 20 vjet për atë punë edhe kam mbëledhurë 40 000 fjalë shqip; edhe u mbëlothnë katërëqind napoleona t`arte mb`emërit t`im; edhe u vunë në Bankët të Bukureshtit, sepse nuk dilin aqë para për të shtypurë leksikone; atëherë pa pyeturë mua, pa shkruarë mua, pa dhënë zë mua, vëllezërit` t`anë Shqipëtarëtë që gjendenë në Misir bashkë me vëllezëritë t`anë që gjendenë në Vllahi, ngrehnë shoqërin` e shqipesë në Bukuresht edhe bënë dasmë e gosti e gëzim të math, dhe thërritnë bij e bija, vëllezër e motëra, nipër e mbesa, kushërinj e kushërira, miq e miqësi, por kryet e punesë tanë, e gjuhësë shqipesë nuk e ftuanë, po ç`bënë ata? Muarnë ato para që qenë mbledhurë mb`emërit tim, për të shtypurë leksikone, edhe shtypnë ca vivlia shqip, ato që kanë shtypurë ngjer mbë sot; zunë të bëninë mur, pa vënë themeli më përpara. Nuk menduan` ata vëllezër të bekuarë, se muri pa themeli nukë qëndron, por rëzonet`e shembet e bie përdhe? Nuk` e zunë kalinë nga freri, po nga bishti, që shpëton e ikën.

    Shqipëria ka shumë njerës të diturë, që kanë kënduarë në Elladhë e në Evropë edhe duanë të shkruajnë vivlia Shqip, po nuk` e dinë Shqipenë mirë, sepse Shqipeja është më e gjerë edhe më e thellë së  Gërqishteja, që flitetë sot; këta njerës të diturë presënë të shtypëtë leksikoja e Shqipesë, që të mësojenë mirë gjuhën` e  Shqipesë, edhe të zen` e të shkruajnë gjithëçefarë vivliash Shqip, përandaj thashë përpara, se zunë të ngrehenë shtëpi pa vënë më përpara themeli’.

    Desha t`u flas juve shumë fjalë, edhe t`u shkruanj juve për shumë punëra, sepse unë jam i rrahur` e i djegur` e i pjekur` e fort i stërviturë  në punët të Shqipesë, edhe kam 20 vjet që po shkruanj gjithënjë gjuhën e Shqipesë, edhe kam shtypurë përmbi njëzet copë vivlia Shqip gegërisht e toskërisht, po s`janë fjalë që të shkruhenë të gjitha në kartë, ne paça fat të vinj në Bukuresht, atëherë dot`ua them  gojë më gojë.

    Përmbi gjithë këto, sido të jetë puna, ashtu qoftë, neve këtu në Shqipërit kemi dëgjuar`e kemi marrë vesh se Shoqëria e Shqipesë që që ngrehurë në Bukuresht, sot gjendet ndarë dyshe, edhe çe kanë gjajtur` e çe kanë koditur` e çe kanë bërë ndër vëllezërit, se si e se qysh, të tëra i kemi kupëtuar` e i kemi dëgjuar` e i kemi marë vesh, edhe e dimë se janë ngrehurë dy shoqëri në Bukuresht, njëra quhetë Dritë e tjetëra Dituri, edhe e dimë se njëra shoqëri vete kundër shoqërisë tjaterë, edhe e dimë se Dituria do të shkruhenë vivlia me Alfavitën e Jano Vretosë që janë gjysëmat` e shkronjavet Gërqisht e gjysëmate Llatinisht, edhe duanë që të hapenë skolira ndëpër gjithë Shqipërinë nga shqipëtarëtë vetëmë, e të mos përzihetë tjetërë komb mb`ato; po shoqëria e Dritësë do të shkruhenë vivlia shqip me Alfavitenë Llatinisht, edhe duanë që të hapenë skolira shqip në Shqipërit me anë të Rumunëvet e me ndihmë të Vllehëvet. Ndë më pyetshi mua, unë pëlqej më fort Alfavitenë llatinisht, sepse me atë Alfavitë mund të shtypenë vivlia shqip kudo, sepse gjendenë mbë çedo vent që të kërkojsh, edhe është një Alfavitë i kuptuar` e i njohurë nga të tërë kombet` e Evropësë, po ndë dashtë njeri të shtypë ndonjë vivle shqip me Alfaviten` e Jano Vretosë, nuk i gjen ato shkronja as mbe ndonjë vënt, po gjan të derthnjë shkronja të ra e të prishnje dy tre qind lira t`arta; edhe ajo që do Shoqëria e Dritësë të hapenë skolira në Shqipërit me anë të Rumunëvet e me ndihmë të Vllehëvet, nuk më duketë se është keq për Shqipëtarëtë, sepse Shqipëtaretë vetëmë s`mund të hapenë skolira, përveç kësaj Vllehetë s`kanë ndonjë sy të lik, a ndonjë mendje të keqe për Shqipëtarëtë, sikundër kanë Grekëtë që duan të pushtojn` e të urdhërojënë Shqipërinë, po edhe ndë pacinë Vllehetë një të tillë mendie s`mund ta nxjerrinë në krye, as s`mund ta bënjënë dot, sepse kanë ndë mest Bullgarin` e Maqedhoninë, që ndan Rumaninë nga Shqipëria, përandaj s`kam ndonjë frikë nga Rumunëtë, sa kam nga Grekëtë që janë fëqinjë me Shqipërinë, edhe po përpiqenë me nat` e me ditë qysh t`i bënjënë për vete.

    Po e mbyll brenda në kartët adresënë t`ime qysh të më shkruani, edhe të ma dërgoni kartënë me anë të Trieshtesë nga Austria me udhë të hekurit edhe m`u përgjigj pa menuarë kohënë që poqe për t`ardhurë ndë Bukuresht, të bënem gati e të vinj e ndë mos, të më shkruani shpejt, që të vështronj punën time.

    Të falem me shëndet e të përqafonj vëllazërisht. U falem me shëndet gjithë vëllezërët që gjendenë në Bukuresht

    Un` i dashuri miku juaj

    Kostandin Kristoforidhi

    Elbasanasi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË