More
    KreuHistoriYll Rugova: Një Gjon Buzuk nga Friuli, doktorant në Padovë në vitin...

    Yll Rugova: Një Gjon Buzuk nga Friuli, doktorant në Padovë në vitin 1567

    Në regjistrat e botuar të Universitetit të Padovës me shënimet e shekullit XVI, është një listim “1567… Ioannes Busichio de Civitali Fori Iulii.” Në këtë vit, më 6 prill, do të ketë bërë kërkesën për mbrotje të doktoraturës njëfarë Ioannes Busichio në Padovë. Mbi këtë temë dhe ca çështje të tjera që lidhen me Mesharin do të ndajmë për lexuesin e ExLibris një fragment nga libri Tipografia shqiptare 1555–1912 që rishtazi është promovuar në Prishtinë e Tiranë. Kërkimi që trajton kryesisht problematikën e shtypshkronjave, tipshkronjave dhe alfabeteve shqiptare një pjesë të mirë të vëmendjes ia kushton edhe Mesharit të Gjon Buzukut. Më poshtë fragmenti për Buzukun:

    Në gjurmë të Gjon Buzukut

    Çështja e vendit ku është shtypur Meshari është trajtuar që në fillet e buzukologjisë. Që në nismë qe ngritur hipoteza — me shumë bazë — se Meshari duhet të jetë shtypur në të njëjtin vend ku Buzuku kishte qenë duke vepruar si prift. Dhe kjo bazohej në atë që gjendet e shkruar në kolofonin e mbijetuar të librit,

    Ata që e shtamponin kishin vështirësi të mëdha dhe nuk mund të dështonin në bërje të gabimeve, sepse unë s’kisha mundësi të jem mes tyre gjatë gjithë kohës. Duke udhëhequr me kishën, më duhej të ndihmoja në dyja vendet. (Pasthënia e Mesharit)

    Ky bisk i tekstit është i rëndësishëm për të paktën dy arsye, e para sepse tregon se Buzuku shërbente në një kishë, duke na zbuluar kështu pak nga jeta e tij, dhe e dyta sepse dëshmonte se ajo kishë ndodhej diku jo shumë larg shtypshkronjës. Pra, vendi ku është shtypur Meshari, duhet të ketë qenë, në të njejtin rajon me një kishë ku ka mundur të shërbente një prift shqiptar. Shënimet arkivore heshtin për Gjon Buzukun. Krej çka dihet për të vjen nga kolofoni ku vjen edhe fragmenti i mësipërm. Kishte punuar në libër nga 20 marsi 1554 deri më 5 janar 1555. Ishte bir i një Bdek Buzuku. Kaq dihet për të. Megjithëse studiuesit e parë kishin identifikuar ndikimi venecian te libri i Buzukut, ishte lënë e hapur mundësia që ky libër të jetë shtypur diku në Ballkanin Perëndimor, mbase diku në Shqipërinë e Veriut. Rrota, bazuar nga gegërishtja e librit, fillimisht kishte propozuar Shkodrën ose Obotin, por gjithsesi e shihte si çështje që duhej studiuar më tutje,

    Mund të jet kenë shtypë edhe njeti [Shkodër]; por kësi shtegu po e lam me kaq, tue shpresue, se për së shpejti do t’a rmojm edhe ma këthelltë çashtjen e shtypshkrojavet, qi mund të gjindeshin aso here në veprim në kët rrethin t’onë. (Rrota 1930: 39)

    Por, më pas, nga studimi i Filip Fishtës (shih kapitujt paraprak) në konsultim të ngushtë edhe me Justin Rrotën, kishte dalur sheshit se në këto dy vende s’ka pasur në këtë periudhë shtypshkronjë (Fishta 1934: 565–71). Fishta kishte ngritur hipotezën se vend i shtypit të Mesharit ishte Durrësi (1935: 80–85). Propozim që nuk është ndjekur nga studies të tjerë. Jokli e mendonte veriun e Shqipërisë si vend shtypi, duke e lënë gjithashtu të hapur mundësinë te Shkodra, por përtej supozimeve konkludonte se “do të jetë me randësi dase për çashtjen e vendit se ku në XVI shekull kemi një shtypshkroje shqipe…” (Jokl 1930: 153). Jokli, përmes ekspertizës nga paleografi Hans Hirsch e kishte gjetur se germat e Mesharit ishin gotike të Italisë së Veriut, dhe kishte vënë re edhe ndikimin venecian në gjuhën e përdorur nga Buzuku (1930:  152–3). Roques, në anën tjetër, për Venedikun si vendit të shtypit ishte mjaft i prerë, megjithëse ai më sigurt i referohej Venedikut si zonë ndikimi sesa qytet i shtypit. Roques që kishte identifikuar edhe ndikimin kroat te gjuha e Mesharit, hipotezë që gjerësisht trajtohet e pranuar sot, veçanërisht pas studimeve të mëpasme nga Çabej e Camaj (cf. Ismajli 1995: 115–128). Edhe Jovan Tomić qysh në vitin 1930 te Hylli i Dritës kishte dhënë argumentet kundër shtypit të Mesharit diku në Shqipëri, apo edhe Ballkan dhe ishte i mendimit se Meshari mund të jetë shtypur diku në Napoli (Tomić 1930: 143–144).

    Çështja është shoshitur shumë edhe nga gjuhëtarë e albanologë të tjerë në më shumë se një shekull prej se kanë nisur studimet mbi Buzukun. Mes tyre duhet veçuar Çabej në vitin 1955, në përvjetor 400 vjetorin e botimit të Mesharit, i cili me argumente shtesë ka përforcuar supozimet e Joklit dhe Roques, duke anuar kah Venediku si vend shtyp (Çabej 1955: 74–5). Për Çabejin Buzuku vinte nga rrethi i Tivarit e Ulqinit, kurse vetë vepra e tij ishte “fryt i një politike kishtare” që ishte zhvulluar në “një krahinë periferike, kufitare të kishës së Romës, me një popullësi katolike-shqiptare e ortodokse-sllave.” Sipas tij një mes i tillë mund të kishte qenë ai me arqipeshkvin e Tivarin Gjon Brunin (c. 1536–1571), i cili ishte “mbase bashkatdhetari i tij më i ngushtë” (Çabej 1988: 219). Edhe Camaj, bazuar në veçori gjuhësore, pajtohej se gjuha Buzukut duhej të vinte nga një zonë “visevet anë e kand përqark të Liqenit të Shkodrës” dhe se kishte “tipare gjuhësore venecjano-dalamtine” (Camaj 1959: 163). Duke aluduar për një influencë të Venedikut.

    Dëshmi shtesë në mbështetje të Venedikut, kishte qenë edhe lloji i letrës së përdorur në libër. Roques me përvojën e tij mbi shtypin mesjetar, përmes filigraneve të letrës kishte lokalizuar prejardhjen e saj italiane. Për këtë ai u referohej katalogut të bërë me mjaft detaje nga Charles-Moïse Briquet (1839–1918), një studiues i historisë së letrës (1932: 12–4). Mbi këtë çështje Roques e jep një paragraf të shkurtër, por të rëndësishëm,

    Letra ka filigrane të ndryshme. Unë nuk e kam marrë parasysh filigranin nga letra e faqes së mbëshjellësit (delja në rreth), e cila me siguri është shtuar më vonë; në brendi të vëllimit gjejmë një stemë (f. xlij, xlviij), e tjerakah mbase një fleur-de-lis [karanfil v.j.], por mbi të gjitha (f. 92, 95 etj) një sirenë, me bishtin e dyfishtë të përdredhur sipri, e gjitha në një rreth, e ngjashme me shembujt te Briquet. (Roques 1932: 12)

    Ky përshkrim na ka nxitur të gjejmë edhe katalogët e Briquetit, të cilët ishin në katër vëllime me rreth 14 mijë filigrane të ndryshme. Aty, duke ndjekur shtegun e Roques, kemi gjetur edhe disa variacione të fleur-de-lis (Briquet 1907: 381–3), dhe disa variacione të sirenës (f. 684–5). Kurse për stemën që përmendet, pa ndonjë përshkrim më të detajuar e kishim të pamundur të shikonim më tutje; në katalogun e Briquet janë disa mijëra stema krejt të ndryshme nga njëra-tjetra (Briquet 1907). Filigranet me përshkrimet e mësipërme te Briqueti çojnë drejt Italisë dhe Francës (cf. Roques 1932: 14). Letër me filigrane të tilla gjejmë edhe në Venedik, njësoj siç gjejmë edhe në Lion, prandaj pa i parë vetë filigranet e letrës së Mesharit, do ta kemi të vështirë të bëjmë krahasime të sakta. Por, vlen të theksohet se fleur-de-lis ishte edhe simboli i familjes Giunta, kurse sirena me dy bishta të përdredhur ishte simboli i shtypshkronjës së Rabanit. Me aq sa patëm mundësi të kërkonim, nuk gjetëm të dhëna nëse këto punëtori prodhonin edhe letrën e tyre, por, nëse po, kjo na përputhet shumë mirë edhe me gjetjet e kapitullit paraprak në lidhje me shtypshkronjën e Mesharit. Me çështjen e llojit të letrës është marrë edhe Martin Camaj, i cili kishte rënë në përfundim se ajo ishte prodhuar në rajonin e njohur për këtë industri, në Fabriano (Neziri 2008: 67). Kjo pjesë e Italisë është mes Venedikut dhe Romës, dhe mund të ketë furnizuar gjithë rajonin me letër.

    Puna e historianes italiane, Lucia Nadin, me Shqipëria e rigjetur, duke trajtuar çështjen e inicialeve, megjithëse mbase nuk vjen nga fusha imediate e studimeve të saj primare, ka sjellë rezultate konkrete në definimin më të saktë të vendit ku ka mundur të jetë shtypur Meshari. Por, Nadin ka dhënë edhe propozime me interes sa i përket emrit të Gjon Buzukut në regjistrat italiane të kohës. Te Rrota për shembull, në shënimin e tij nga viti 1930, jepet forma Busuchu për mbiemrin e Buzukut nga regjistri në arkivat e Vatikanit (Rrota 1930: 31). Së fundmi përmes Demirajt ka marrë vëmendje edhe shkrimi i Nikollë Ketës nga viti 1777 për Buzukun, ku përveç tjerash jep edhe disa variante të mundshme të këtij mbiemri “…nga ku edhe kompozita tjetër Busecco, Bosichia, Buzuku, ose të jetë “buzë ujku”, thënë ndryshe Bisulca” (Demiraj 2008a: 102–3). Nadin i propozon edhe format tjera si Busulchi, Busulchus, Busichio, Bosichio, Bosiçhio, Buxichio (Nadin 2012: 230–325).

    Duke dalë pak jashtë magisteries tonë që gjithsesi është më e fokusuar nga tipografia; kemi parë mundësinë e kërkimin përmes OCR-së në burime primare të kohës, siç kemi bërë më parë edhe për identifikimin e inicialeve. I kemi provuar këta emra në librat e periudhës 1500–1600 si pikënisje. Dhe rezultatet ishin interesante. Nga format Busuchu, Buzuchu, Busulchi, Busulchus, Busichio, Bosichio, Busichius, Busichi, Bosiçhio, Buxichio, kemi gjetur të dhëna vetëm për Busichio, Busichi ose Busichius. Dhe me këtë mbiemër kryesisht kemi gjetur të dhëna të stratiotëve dhe të epirotëve. Brenda këtyre kornizave kemi provuar emrin Giovanni, Ioanno, Ioannis, Ioannes, për Gjon dhe kemi gjetur të dhëna për vetëm njërin variant. Te Acta graduum academicorum Gymnasii Patavini ndër regjistrat e Univeristetit të Padovës me shënimet e shekullit XVI, është një listim “1567… Ioannes Busichio de Civitali Fori Iulii” (Forin 2006: 83). Në këtë vit, më 6 prill, do të ketë bërë kërkesën për mbrotje të doktoraturës njëfarë Ioannes Busichio në Padovë. Shënimi i plotë është kështu,

    149. [1567] apr. 6, die lune. Doctoratus d. Ioannis Busichi – Foroiuliensis. Fuit conventuatus ab eodem “d. Transalgardo” d. Ioannes Busichio de Civitali Fori Iulii. Insignivit Turilius, qui consultuit cum Monticulo. (Forin 2006: 83)

    Të nesërmen më 7 prill i njejti së bashku me një Gaspar Tisi ishin paraqitur fizikisht pranë Universitetit. Pak ditë më pas Busichio e kishte bërë mbrojtjen e doktoraturës me 10 prill në ora 12 pranë fakultetit juridik, i sponsoruar nga një Tiber Daciani (Thiberius Decianus) dhe me mbështetjen e një Dominik Bardhit(?) (Dominicum Blanchum). Viti 1567 është plot 12 vjet pas botimit të Mesharit; në këtë kohë Gjon Buzuku duhet të ketë qenë të paktën 36 vjeç (në vitin 1554 kur kishte nisur shkrimin e Mesharit, Buzuku kishte qenë tashmë i shuguruar prift — ergo, të paktën 24 vjeç). Prandaj kjo doktoraturë në juridik do të ishte e çuditshme edhe për shkak të moshës dhe pozitës që mbante, edhe pse jo krejt e padëgjuar. Për ilustrim, Andrea Bogdani studimet e tij të zakonshme në Romë i kish nisur në moshë 24 vjeçare (cf. Demiraj 2016: 13). Prandaj nuk është krejt e pamundur që Buzuku ta ketë nisur doktoratën ta zëmë në moshë 30 vjeçare. Por, është një shënim tjetër nga arkivat e Padovës që pamundëson Ioannis Busichio të jetë Gjon Buzuku. Në një vëllim tjetër të Acta graduum, ku ipen shënime të shkurta për gjithë studentët e kohës, e gjejmë këtë shënim për Busichio,

    Busichius (Busechius, Busichio, Busichus) Ioannes de Civitali Fori Iulli Foriuliensis f. d. Martini 127, doct. i. can. 149. doct. i. civ. 151.” (Forin 2006a: 2432).

    Vërejmë këtu “f. d. Martini” që është shkurtesë për “figlius d. Martini”. Pra, emri i të atit të Busichios ishte Martin dhe jo Benedictus, siq do të shënohej po të ishte fjala për Gjon Buzukun. Sa i përket Friulit (Civitali Fori Iulli) qytet banimi, kjo edhe mund të ketë qenë. Friuli kishte qenë një rajon ku shqiptarët e ikur nga Shqipëria ishin vendosur, dhe si duket atje në këtë kohë kishte egzistuar një komunitet mjaft i madh shqiptar (cf. Nadin 2008: 41–42, 163–164). Ja çka thotë Villi Kamsi,

    E shqiptarë të Veriut pati jo vetëm në mbastokën e Venedikut, por edhe më shumë në Friuli, ku u vendosën ata që ikën prej Shkodre më 1479. Kjo bashkësi katolike shqiptare e Friulit mund të jetë e të përbëjë atë famulli në të cilën qëndroi Buzuku dhe zhvilloi punën e vet baritore (Kamsi 1995, f. 383)

    Sidoqoftë, hullia e mësipërme duket se përfundoi në një rrugë qorre. Ioannes Martin Busuchio, mund të ketë qenë një shqiptar nga Friuli, por jo edhe autori i Mesharit të famshëm. Arkivat vazhdojnë të heshtin për Gjon Buzukun, sado që tash duket gati e sigurtë që kishte shërbyer dhe qëndruar në Venedik.

    Këtu mbaron fragmenti për Buzukun në librin Tipografia shqiptare 1555–1912. Në promovimin e librit në Tiranë, gjatë diskutimit edhe me studiues të tjerë u theksua fakti se te Meshari emri i autorit shënohet në këtë formë “Gjoni biri i bdek Buzukut” ku theksi është te fjala “bdek” me të vogël. Bdeku, rëndom konsiderohet emri i të atit, por kjo nuk dihet me siguri. Kuptimi këtu mund të jetë edhe thjeshtë i bekuar, duke qenë se bdek konsiderohet se vjen nga latinishtja benedictus. Së këndejmi, nuk është e pamundur që në fragmentin e mirënjohur të Buzukut nga Meshari të mos jetë fjala për emrin e të atit të tij, dhe kështu të shpjegohet emri Martin në shënimin e mësipërm të Padovës. Sado që mundësitë për një gjë të tillë janë të vogla, në rast se argumenti i fundit qëndron, atëhere mund ti kemi gjurmët e para të Gjon Buzukut nëpër shënimet arkivore.

    Bibliografia

    Briquet, C. M. Les Filigranes (Gjenevë: W. Kundig & Fils 1907) I–IV

    Camaj, Martin. Për vokalin nazal ke Buzuku. Në: “Shejzat,” 3 (1959) 5–6, Milano, f. 163–74

    Çabej, Eqrem. Gjon Buzuku. Në: “Buletin për Shkencat Shoqërore,” Tiranë (1955) 1–4

    —. Studime gjuhësore (Prishtinë: Rilindja 1988)

    Demiraj, Bardhyl. Në gjurmë të Mesharit të Gjon Buzukut të dhëna për një njohje të mëhershme të tij. Në: “Studime filologjike shqiptare,” konferencë shkencore, 21–22 nëntor 2007, Prishtinë ASHAK (2008a), f. 101–107

    —. Grimca biografike për autorët tanë të vjetër (II) – Andrea Bogdani (1607 – 1683). Në: “Hylli i Dritës,” 2 (2016) 7–20, Shkodër, f. 7–19

    Fishta, Filip. Çështja e dy Shtypëshkrojave të shekullit XVI në Skenderi (1563) e n’Epidamnos (1584). Në: “Hylli i Dritës” Shkodër X (1935) 12, f. 565

    —. Çështja e dy shtypshkrojeve të Shekullit XVI në Skenderi (1563) e n’Epidamnos (1584). Në: “Hylli i Dritës” Shkodër XI (1935) 2, f. 80–85

    Forin, Elda Martellozzo. Acta graduum academicorum Gymnasii Patavini, Vol 4, Pjesa 2 (Padovë: Università di Padova 2008)

    —. Acta graduum academicorum Gymnasii Patavini, Vol 5, Indici (Padovë: Università di Padova 2008a)

    Ismajli, Rexhep. Kontributi i Martin Camajt në studimet buzukiane, “Meshari” i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare (1555-1995) (Ulqin: 1995)

    . Tekste të vjetra (Pejë: Dukagjini 2000)

    —. Për historinë e gjuhës shqipe (Prishtinë: Ashak 2021)

    Jokl, Norbert. Për rreth librit të Buzukut. Në: “Hylli i Dritës,” Shkodër VI (1930) 3, f. 145–54

    Kamsi, Vili. Gjon Buzuku e Koncili i Trentit. Në: “Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare,” 16–31 gusht 1995. (Tiranë: Eurorilindja 1995), f. 381–38

    Nadin, Lucia. Shqipëria e rigjetur – zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI. (Tiranë: Onufri 2012)

    —. Venice and Albania. A history of encounters and secular ties (Venedik: Regione del Veneto 2013)

    —. Ku u shtyp “Meshari”. Në: “Gazeta Shqiptare,” Viti XXII, Nr. 6609, E diel, 1 shkurt 2015, Tiranë, f. 15–6

    —. Lucia Nadin: Shqipëria ishte toka e një kulture për t’u zbuluar. Intervistë nga Andreas Dushi. Në: “ExLibris,”  Nr. 145, Vit IV, 28 gusht 2021, Tiranë, f. 2–4

    Neziri, Zeqirja. Meshari i Buzukut (Shkup: Logos 2006)

    Roques, Mario. Deux livres d’heures du XVIe siècle en cyrillique bosniaque. Në: “Études Slaves” Paris 12 (1932a) 1-2  f. 49–69

    —. Recherces sur les anciens textes albanais (Paris: Champion 1932)

    Rrota, Justin. Monumenti ma i vjetri i gjuhës shqype (Buzuku — 1555). Në: “Hylli i Dritës” Shkodër, VI (1930) 1

    —. Për Historin e Alfabetit Shtyp. Në: “Hylli i Dritës”, Shkodër VIII (1932) 3

    Tomić, Jovan. Crnojevici i Crna Gora od 1479.–1528. god. Në: “Glas Srbske Kraljivske Akademije,” Beograd, LX (1901), f. 65–152

    —. Intervistë me Akad. Dr. Jovan Tomić nga Filip Fishta. Në: “Hylli i Dritës” Shkodër VI (1930) 3, f. 150–5

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË