More
    KreuOpinionVaso Tole: Kadare, akademik i hershëm e i përhershëm

    Vaso Tole: Kadare, akademik i hershëm e i përhershëm

    Në hollin e Universitetit të Arteve, përmes një aktiviteti të veçantë i organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Akademia e Shkencave, pata rastin e mbarë ti shprehja z. KADARE, konsideratat dhe urimet e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të mbarë bashkësisë akademike shqiptare.

    Të nderuar pjesëmarrës, artistë e studiues;

    I dashur zoti Kadare, e dashur Helena;

    Jam shumë i nderuar që në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të bashkësisë akademike shqiptare të bëj një urim dhe një përshëndetje të shkurtër, në këtë ditë të shënuar njerëzore dhe kulturore për ne të gjithë.

    Eshtë fakt tashmë që ditëlindjet e shkrimtarit dhe akademikut tonë Ismail Kadare janë shndërruar prej vitesh, ashtu si vetvetiu, si ato ditët e shenjta, ku të duket sikur koha ndalon për të nderuar, vlerësuar, reflektuar e krahasuar. Po, disa gjëra mund të përsëriten si në një ritual, por gjithnjë ato mbeten të mirëpritura e të gëzuara, të mbushura plot jetë, me pak fjalë të pamërzitshme, përkundrazi, të dashura e të dëshiruara.

    Zoti Kadare është akademik i hershëm e i përhershëm, në kryeqendër të fuqive krijuese shqiptare për sot e ngamot. Në tekstet e shenjta thuhet se: “Një pemë njihet nga fruti i saj; një njeri njihet nga veprat e tij dhe se një vepër e mirë nuk humbet kurrë”. Kemi bindjen se letërsia shqipe priti plot pesë shekuj për të arritur atë që arriti me veprën që mban emrin Tuaj, e që bëri njëkohësisht që letërsia jonë të jetë letërsi europiane dhe fenomen botëror.

    Vepra Juaj është krijuar me ispirim magjiplotë dhe ka brenda saj shkëndija kozmogonike, si ato që ishin në nisje të makrokozmosit tonë dhe si e tillë do të rrojë dhe nuk do të humbasë  kurrë. E gjithë karriera Juaj ka qenë në shërbim të promovimit të identitetit historik dhe kulturor të shqiptarëve, për të cilën brezat e shqiptarëve janë dhe duhet t’Ju jenë dhe do të jenë përjetë mirënjohës.

    Ne vitin e kaluar festuam 50-vjetorin e shqipes së njësuar. Qe një rast për të konfirmuar se folësi, shkruesi, përdoruesi me fjalorin maksimal numerikisht e cilësisht të gjuhës sonë, skaji dhe caku i mundësive të saj të shprehjes, është Kadare, duke provuar më së miri se standardi dhe pasuria e gjuhës shqipe ishte e aftë të mbante dhe përballonte një letërsi të përmasave të tilla. Në anglisht këtë rekord e ka mbajtur dhe e mban fjalori i Shekspirit, në frëngjisht i Balzakut.

    Kadare është yni dhe i botës, shqiptar dhe europian, europian dhe botëror.

    Fuqia e tij krijuese është aq e madhe sa të krijojë një disiplinë brenda disiplinës. Siç ka homerologë e shekspirologë, ashtu ka kadareologë e kadareologji.

    Letërsia e Kadaresë, për ne që u formuam në një kohë tjetër, ishte një botë alternative, ku mund të arratiseshe pa frikën se mos të ndëshkonin. Ishte maksimumi i lirisë. Kadareja është shkrimtari që na ka dhënë liri për dekada me radhë në një kohë kontrolli të përgjithshëm. Krijimtaria Juaj ishte dhe mbetet “buka” jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale, dhe me universalitetin e saj është letërsi për çdo qenie njerëzore anembanë botës. Çfarë mund të kërkosh më shumë prej saj!

    Ismail Kadare shkroi një vepër unike me të cilën krijoi një Shqipëri europiane.

    Më të bukur se ajo që ishte dhe kjo që është.

    Një Shqipëri aristokratike, një Shqipëri zonjë siç e quanin rilindasit e mëdhenj. 

    Gëzuar ditëlindjen, edhe 100 zoti Kadare, kryeakademik e mik i lartë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË