More
    KreuLetërsiBotime të reja“Ti je gjuha që flet”

    “Ti je gjuha që flet”

    Nga Ledi Shamku

    “Ti je gjuha që flet” është ndër botimet e rralla teorike në shqip mbi tipologjinë gjuhësore. Afërmendsh që koncepti “tipologji” gjendet në rravgimet gjuhësore albanologjike, por vetëm si term i gjuhësisë historiko-krahasuese apo asaj të arealeve. Kësisoj, studiuesi deri më tash do ta ketë hasur këtë term në gjenealogjinë gjuhësore kur ka ndeshur, bie fjala, në tipologjitë e përbashkëta të familjes së gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu mund ta ketë hasur edhe në gjuhësinë e arealeve, te paradigma e gjuhëve të Ballkanit të cilat, sa pa u studiuar mirë kontaktet gjuhësore, qenë përmbledhur disi me pahir në të ashtuquajturën Lidhje Gjuhësore Ballkanike. Thënë shkurt, deri më tash në studimet tona albanologjike nuk janë kapërcyer kolonat e Herkulit sa i takon tipologjisë, pasi janë marrë në shqyrtim vetëm tiparet e gjuhëve të farefisnuara ose ato fqinje. Madje, edhe këtu është ndalur në studime krahasuese mes tiparesh konkrete, pa abstraguar një model të supozuar teorik. Ndryshe nga shprehitë tona, qysh në çelje ky libër na e bën ta qartë se “te qasja tipologjike interesi i studiuesit rrok thuajse vetëm impiantin strukturor të gjuhëve: gjuhët klasifikohen mbi bazë afrish (o dallimesh) sistematiko-strukturore, pa marrë në konsideratë as familjen gjuhësore së cilës i përkasin, as daljen dhe dëshmimin e tyre në histori, madje as proceset evolutive që mund të kenë përshkuar afritë a dallimet mes tyre”.

    Do thënë se kjo disiplinë lindi fillimisht për t’i ardhur në ndihmë vetë gjuhësisë historiko-krahasuese, si mbrojë nga spekulimet që po merrnin hov; fjala vjen përpjekjet e Schlegel-it për të skicuar një tipologji bazë për hetimin e gjenealogjisë indoeuropiane apo profilet tipologjike të hartuara nga Nikolaj Marr që i konceptonte tipat morfologjikë kryesisht si stade të evolucionit në një gjuhë imagjinare të përbashkët (učenie o stadial’nosti). Sakaq, Rrethi Gjuhësor i Pragës e kishte shpërndarë gjithkund strukturalizmin e Saussure-it dhe duke u përqendruar te struktura, Sapir shkruante se “mund të themi që të gjitha gjuhët dallojnë njëra nga tjetra, por disa dallojnë mes tyre më shumë se disa të tjera. Ky vëzhgim do të thotë se mund t’i grupojmë në tipa morfologjikë, por edhe në tipa fonologjikë e sintaksorë. […] Është krejt e kotë të ngulmojmë se meqë një gjuhë ka një histori të veçantë, ka doemos edhe një strukturë po kaq të veçantë”. Pas këtij vëzhgimi merret me mend se baza e tipologjisë, e cila mëkëmbet aty nga vitet ’50, nuk do të jetë më inventarizimi i rrëmujshëm i të dhënave, por vetë struktura e secilës gjuhë, përfshirë ato që nuk kanë “biseduar” ndonjëherë me sho-shoqen. Kjo premisë studimore jepet bukur qartë qysh në faqet e para të këtij libri, ku autori shkruan se “për tipologjinë gjuhësore karakteristikat individuale nuk janë relevante në vetvete, – në këtë rast, në fakt, jemi ende në një nivel thjesht deskriptiv – por e qenësishme mbetet ratio e thellë që shpjegon ballafaqimin mes tyre”.
    Ç’është kjo ratio e thellë që kërkon të zbulojë tipologjia? Ç’ka gjuhësore e jashtëgjuhësore në të? Afërmendsh, struktura sistemike e një gjuhe ka mjetet e veta morfologjike, sintaksore e fonologjike, dhe të gjitha këto i përdor kryesisht për të komunikuar, jo thjesht për të informuar. Shtysa komunikuese, si shtysë parësore e gjuhëve historiko-natyrore, u përcakton strukturave dhe rendeve ligjërimore një funksion të qartë semantik. Kjo do të thotë se tipologjia si disiplinë u përmbahet parimeve të funksionalizmit, përpos atyre të strukturalizmit, përndryshe studimi i strukturës do ta bjerrte kuptimin. Ka gjasa që kjo ratio e thellë që ndërmend autori i këtij libri të jetë pikërisht funksioni. Mirëpo funksioni është një shtysë sa gjuhësore aq edhe jashtëgjuhësore, e më tej akoma, shtysa gjuhësore, veç të tjerash, është sa konjitive aq edhe sociale. Stadi i sotëm i gjuhësisë, me disiplinat kapërcyellore që i përkasin, ka rishikuar edhe konceptin e funksionit të gjuhës. Lidhur me këtë të fundit, siç vëren edhe Schleiermacher, “çdo njeri është nën pushtetin e gjuhës që flet. Ai vetë dhe gjithë mendimi i tij janë produkt i kësaj të fundit”. Nëse deri dje është besuar se gjuha duhet për të shprehur mendimin, sot ky pohim po rezulton i mangët. Pa i hyrë garës kohore “në fillim gjuha apo mendimi?”, sot është e qartë se shumëkush mendon në një gjuhë të caktuar, madje i ruan pjesërisht skemat e arketipit gjuhësor edhe kur kërkon të shprehet në një tjetër gjuhë. Me fjalë të thjeshta, funksioni i gjuhës nuk zë fill te shprehja e mendimit, por te vetë mendimi. Del se duhet gjuha për të menduar, mandej edhe për t’i komunikuar mendimet e ndjesitë tona.
    Gjithë sa thamë mbi funksionin e gjuhës dhe lidhjen e saj me mendimin na afron me hipotezën e relativizmit gjuhësor të Sapir-Whorf e cila, e përmbledhur me fjalë të thjeshta, do të tingëllonte pak a shumë si titulli i këtij botimi: çdokush është gjuha që flet. Lidhur me këtë fuqi të gjuhës, Whorf shkruan: “Bota përshfaqet si një shtjellë kaleidoskopike mbresash, të cilat duhet të organizohen nga mendjet tona, madje, për ta thënë më saktë, nga sistemet gjuhësore që kanë mendjet tona. Ne e ndajmë në copëza natyrën, mandej copëzat i shndërrojmë në koncepte, e sakaq u veshim edhe kuptimësì; gjithë kjo ndodh ngaqë jemi pjesë e një marrëveshjeje për ta organizuar botën në këtë mënyrë; një marrëveshje fuqiplotë brenda bashkësisë sonë gjuhësore, të cilën e kanë kodifikuar skemat e gjuhës sonë.”
    Kush rrëmon te ky citim, në dukje i thjeshtë, i Whorf-it, ka gjasa të gjejë jo vetëm tri nocionet bazë të tipologjisë si disiplinë gjuhësore, por edhe tharmin e rifuqizimit të saj për kohërat që e presin. Tri nocionet tipologjike bazë që gjenden te ky citim janë: sistem gjuhësor, organizim strukturor dhe bashkësi gjuhësore.
    Le të përqendrohemi një hop te kjo e fundit, pra te bashkësia gjuhësore si një koncept i debatuar për më se një shekull, duke u shtyrë gjithnjë drejt përimtimit të elementeve që e plazmojnë. Përcaktimi i Labov-it (1972) se bashkësia gjuhësore përftohet nga përfshirja e përdoruesve në një tërësi rregullash të përbashkëta, të cilat formojnë tipa të qartë në “njëtrajtësinë e skemave abstrakte të variacionit”, sot rezulton i pamjaftë dhe disi i ngurtë për t’iu përgjigjur larmisë së varianteve të përshkruara ndër vite.
    Për gjuhësinë e cila shkon gjithnjë e më në detaj, një koncept tashmë gjeneralizues i bashkësisë gjuhësore të Labov-it konkurrohet sot nga koncepti i bashkësisë së përdorimit (community of practice) i përcaktuar nga Eckert. Sipas Eckert-it, ne bëhemi pjesë e një bashkësie sa herë përdorim një variant të caktuar nga repertori i një gjuhe (në bazë të situatës, marrësit, kumtit etj.). Me fjalë të thjeshta, në një shoqëri gjithnjë e më të arsimuar, kompetenca komunikuese (jo ajo gjuhësore) krijon bashkësitë e përdorimit, të cilat mund të jenë me miliarda, por që sigurisht kanë qendrat e tyre fokale a të konvergjimit. Te këto qendra vlen të studiohen karakteristikat e qenësishme të tipave variacionalë. E pikërisht koncepti i bashkësisë së përdorimit mund t’i kërkojë tipologjisë gjuhësore të zgjerojë objektin e saj të studimit. Nicola Grandi na bën me dije këtu se “tipologjia gjuhësore merret kryesisht me studimin e variacionit ndërgjuhësor (interlinguistik)”, por nebuloza e varianteve që riprodhohen vazhdimisht prej bashkësive të përdorimit i sugjeron tipologjisë edhe variacionin brendagjuhësor (intralinguistik) duke ndërtuar më pas modele përshkruese teorike të tipave variacionalë.
    Zgjerimi i objektit të tipologjisë drejt variacionit brendagjuhësor, veç të tjerash, do ta përshkruante më saktë jo vetëm sinkroninë, por edhe diakroninë e secilës gjuhë të shqyrtuar. Kjo pasi krahasimi i një gjuhe me një tjetër, për vetë dimensionin që gjuhët kanë, nxjerr në pah strukturën përfaqësuese të secilës gjuhë, por nuk arrin të vërejë tiparet variabël të saj, jo dhe aq të dukshme, por po aq të rëndësishme sa ato përfaqësuese. Në vijim të metaforës së syzeve që Grandi përdor në libër kur vëren se “tipat janë syzet përmes të cilave gjuhëtarët zhbirilojnë gjuhët”, mund të pohojmë se krahasimi brendagjuhësor ofron syze më të fuqishme për detaje më të imëta që dalin nga përshkrimi i stadeve brenda një gjuhe të vetme e cila, në fakt, nuk është kurrë e vetmuar, si rezultat historik i një komunikimi ndërgjuhësor e brendagjuhësor.
    Për kohën kur hodhi shtat tipologjia, shtegu ndërgjuhësor, përveçse i nevojshëm, ishte edhe i kushtëzuar; disiplinat përshkruese që studionin dhe dokumentonin pa paragjykim faktet gjuhësore në repertor të një gjuhe, sapo kishin nisur të seliteshin. Sikundër vëren Grandi, “të paktën në fazën e parë të hulumtimit tipologjik zgjidhen pothuajse gjithnjë ato gjuhë për të cilat ekziston dokumentimi (studime shkencore, gramatika, fjalorë etj.)… Deri disa dekada më parë kjo ishte, në fakt, një zgjedhje e detyruar”. Për syrin e një sociolinguisti kjo “zgjedhje e detyruar”, e ofruar nga gramatika e fjalorë, parakupton se korpusi i krahasuar nuk është në fakt gjuha, por thjesht varieteti i normuar i saj. Ndikimet a përkimet gjuhësore, për vëzhgimin e të cilave tipologjia na shtyn ta lëmë mënjanë leksikun e të kërkojmë në sferën e morfologjisë e të sintaksës, vështirë se hasen te një varietet standard tipologjikisht i pashënjuar (neutër); mirëpo analiza tipologjike e këtyre ndikimeve a përkimeve do të ishte, në fakt, “legjenda” që ndihmon leximin e hartës së popujve e të kulturave. Ne jemi gjuha ose gjuhët që flasim.
    Le të vërejmë kësodore shqipen. Studiuesit e historisë shqiptare dhe të zhvillimeve tona pohojnë se pozicioni ynë i përhershëm ka qenë ai mes Perëndimit e Lindjes, herë si limer i paqtë takimesh dhe herë si arenë e zjarrtë ndeshjesh. A e dëshmon gjuha këtë pozitë kufitare?
    Para se të formulohej tipologjia e mirëfilltë gjuhësore, pararendësja e saj, tipologjia e arealeve, e pati bërë shqipen kryekëput pjesë të një modeli teorik të sforcuar, të quajtur Lidhja Gjuhësore Ballkanike. Dihen pak a shumë tiparet kryesore të kësaj Lidhjeje, shumica me trajta lindore. Mirëpo shqipja, nëse këqyret në repertorin e saj të përdorimeve dhe jo thjesht në një varietet të vetëm, atë standard, dëshmon modele sa lindore aq edhe perëndimore. Kësisoj, është me interes të vërehet paradigma e saj e kohës së ardhme (futuri). Modeli latin popullor i së ardhmes perifrastike “amare habeo” i cili i ra ndesh futurit sintetik klasik “amabo”, dha më pas italishten “amerò” dhe u zhduk. Në të folmet gege të shqipes e gjejmë këtë model si ndikim prej latinishtes së vonë, në konstrukte, si: kam me shkue, kam me thanë, të cilat kanë funksion gramatikor ardhmor. Po të rrëmojmë tek arbëreshët, do të vërejmë se zbehja e fortë e paskajores si model lindor solli në të folmet e tyre (por edhe në malësitë e Labërisë së sotme) një model hibrid perëndimor + lindor, ku ruhet konstrukti perëndimor, por brenda tij paskajorja zëvendësohet me lidhore (model lindor), duke dhënë një tip hibrid futuri kam të shkoj, kam të them.
    Duke u shtyrë më tej në hapësirë dhe në kohë, shfaqet një tip i tretë futuri, krejtësisht lindor, sot gjithkund i përhapur: do të shkoj, do të them (do + lidhore). Modeli perëndimor i llojit kam me dalë, sot është aktiv – porse jo neutër për nga pikëpamja sociolinguistike – kështu që del vetëm pas një vëzhgimi brendagjuhësor nga mendje të mësuara me vëzhgime ndërgjuhësore, sikundër janë tipologët.
    Në këtë hulli shqipja ka shumë për të përfituar. Metafizika e objektit të studimit nuk i shkon për shtat dinamikës së zhvillimeve ligjërimore, aq më tepër sot me këtë shpërthim komunikimesh virtuale.
    Vështrimet tipologjike brendagjuhësore mund të jenë një jetë e re për tipologjinë. Saussure kishte të drejtë: gjuhësia ka si objekt të vërtetë e të vetëm gjuhën, të studiuar në vetvete dhe për vetveten. Një shekull pas tij, kushdo që u qaset punëve të ligjërimit njerëzor, ka vetëdijen se asnjë gjuhë nuk është e vetmuar, edhe kur studiohet në vetvete e për vetveten, mjaft të lexohen qartë trajtat origjinale të tipave.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË