More
    KreuLetërsiBotime të rejaNjë libër enciklopedik nga Fatmir Toçi: Arbëreshët, shqiptarët e Italisë (Vendbanimet, historia,...

    Një libër enciklopedik nga Fatmir Toçi: Arbëreshët, shqiptarët e Italisë (Vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit)

    PRONONCIMI I AKADEMIKUT REXHEP QOSJA PAS BOTIMIT TË LIBRIT

    Arbëreshët.

    Sot kemi në Tiranë një Qendër të Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

    Sot kemi pjesëmarrje të Arbëreshëve gati në të gjitha veprimtaritë dhe manifestimet mbarëkombëtare në Shqipëri, kryesisht në Tiranë.

    Sot i kemi të botuara apo të ribotuara pjesën më të madhe të veprave letrare, shkencore e publicistike të autorëve më të shquarë arbëreshë.

    Sot i kemi të botuara një varg shkrimesh më të vëllimshme apo më modeste për të djeshmen e të përtashmen e Arbëreshëve.

    Sot i kemi të botuara për Arbëreshët dy vepra të mëdha, shumë të rëndësishme, të studiuesit shkencor, shkrimtarit, përkthyesit, botuesit Fatmir Toçit.

    Sot letërsia e arbëreshëve prej se krijohet nuk trajtohet më e veçuar si dikur, siç trajtohej edhe letërsia e Kosovës, por si përbërëse e asaj letërsie mbarëkombëtare që e quajmë Letërsia Shqipe.

    Sot Arbëreshët nuk janë vetëm Ata, por janë edhe Ne, Ne, Ne, Një popull, Një Komb Arbëror, Shqiptar.

    Për mendimet e këtilla më ka nxitur vepra e dytë e Fatmir Toçit me titullin Arbëreshët – shqiptarët e Italisë – vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit.

    Është kjo vepër e madhe, me vëllimin, 934 faqe të formatit të madh 16.5 x 24 cm dhe e madhërishme me përmbajtjen e saj. E me vlerën e saj. Nuk është kjo monografi e zakonshme e një çështje, por një monografi enciklopedike, që u kushtohet Arbëreshëve, domethënë Ne, Neve.

    Baza e gjithëjetshme e njerëzve, e popujve janë Gjeografia dhe Historia. Mbi këtë bazë të qenies, ekzistencës së Arbëreshëve, të Neve, shkurt këndej e në vazhdimësi andej detit e deri sot janë, ndodhin, trajtohen, shihen, të gjitha ato të veçanta e të përgjithshme që e përbëjnë Jetën e Arbëreshëve: shpërngulja e tyre prej Atdheut, vendosja e tyre në Vendin tjetër në 17 krahinat italiane, në 58 komuna, në 558 qendra banimi, në 65 provinca, kultura e tyre, qytetërimi i tyre, ritet e tyre, objektet e tyre të kultit, mitet dhe mendësitë e tyre, politikat dhe ideologjitë e tyre, mërgimet e mëvonshme të tyre, asimilimet e disave të tyre, gëzimet e dhembjet e tyre, Gjithësia e tyre me rinitë, pleqëritë e rilindjet.

    Lexues të dashur!

    Lexojeni enciklopedinë e titulluar Arbëreshët – shqiptarët e Italisë. Do të mësoni shumëçka s’keni ditur e s’dini për Arbëreshët, për Ne, për të Djeshmen, për të Sotmen e për të Ardhmen. Dhe do të pastroheni shpirtërisht, do të pasuroheni etikisht e do të lartësoheni gjithëkombëtarisht. Vëllazërisht.

    Prishtinë, 20.03.2024


    BOTA ARBËRESHE NË NJË LIBËR

    A i njohim ne mirë arbëreshët? A e dimë kalvarin e vuajtjeve dhe odisenë e shpërnguljes së tyre përtej brigjeve të Adriatikut e të Jonit, në një vend me gjuhë e zakone të ndryshme? A e dimë ç’ngulime krijuan dhe cilat syresh u mbijetuan furtunave të kohës? A e njohim gjendjen e tyre aktuale ekonomike, kulturore, arsimore etj.?

    Këto pyetje qëndrojnë në themel të këtij libri, i cili është një punim i zgjeruar monografik me karakter informues për historinë dhe vendndodhjen e ngulimeve arbëreshe, për kulturën e tyre shpirtërore dhe materiale, besimin, ritet, objektet e kultit, të trashëgimisë kulturore etj.

    Autori i kësaj vepre duhet të jetë nga të paktët që ka mundur të vizitojë e të shohë nga afër pothuaj të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali, jo vetëm ato që njihen sot edhe zyrtarisht si të tilla – rreth 50 komuna e fraksione të tyre – por 558 qendra banimi, që kanë qenë arbëreshe, një pjesë e tyre deri edhe një shekull më parë, të cilat janë përzier, asimiluar, ose larguar drejt qendrave të tjera për arsye nga më të ndryshmet, duke mbetur, gjithsesi, pjesë e historisë dhe e kulturës së vendit ku jetuan.

    Janë pikërisht këto 558 ngulime arbëreshe në Itali, të shtrira në 65 provinca të 17 krahinave (it. regioni), nga 20 të tilla që ka Italia, nga veriu në jug, për të cilat informohet në këtë libër, rreth 100 prej të cilave, me gjurmë më të dukshme shqiptare në ditët tona, trajtohen më gjerësisht e me hollësi.

    Në librin vëllimor prej gati 1000 faqesh trajtohen, në një vështrim përmbledhës, historia mbi 500-vjeçare e arbëreshëve në aspektet e saj më kryesore, duke nisur nga aventura tragjike e kalimit të tyre nga Arbëria drejt Italisë, kalvari i dhimbshëm i vuajtjeve të tyre për t’u integruar në atdheun e ri dhe gjendja politike, shoqërore, ekonomike e kulturore që nga koha kur u vendosën në Itali e deri në ditët e sotme.

    Për secilin nga vendbanimet që trajtohen në libër jepen shpjegimet më të nevojshme, duke ndjekur të njëjtën tematikë e strukturë: të dhëna për vendndodhjen dhe popullsinë, për historinë e vendbanimit, për besimin fetar dhe ritet, për objekte dhe vende për t’u vizituar, për festa, kremtime dhe takime tradicionale etj. Informacioni pasurohet me shumë kureshtì e ndërhyrje të shkurtra (okelio), tekste e ilustrime – që në dukje nuk janë pjesë integrale e rrëfimit, por në të vërtetë janë pjesë e rëndësishme informuese për të krijuar një njohje më të plotë të jetës së arbëreshëve – dokumente të kohës, pasuri shpirtërore e trashëgimi kulturore, personalitete të shquara sipas komuniteteve, folklor gojor e i shkruar, veshje tradicionale, gastronomia tipike dhe receta gatimesh arbëreshe etj.

    Një kapitull i veçantë i është kushtuar rolit të kishës së ritit bizantin për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe organizimit të kishave të ritit bizantin në dy dioqeza: të Ungrës (Lungro), në Kalabri, për kishat e ritit bizantin të Italisë kontinentale, dhe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), për Italinë ishullore.

    Për ta plotësuar informacionin, në fund të librit janë dhënë 4 tabela përmbledhëse: 1. Lista e plotë e vendbanimeve arbëreshe në Itali, ku jepen emrat në formën zyrtare italiane, arbërisht (aty ku ekzistojnë dhe sot), si dhe në formën e tyre në gjuhën shqipe; 2. Emigracioni shqiptar në Itali në shek. XII-XVIII sipas rendit kronologjik; 3. Famullitë dhe kishat e ritit bizantin në Eparkinë e Ungras (Lungro); 4. Famullitë dhe kishat e ritit bizantin në Eparkinë e Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi).

    VLERËSIME PËR LIBRIN:

    Vepra e Fatmir Toçit “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë (Vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit)” është vepër e veçantë historiografike. Me librin e tij jashtëzakonisht të rëndësishëm, më të madhin me përmbajtje, me të dhëna, me të reja, me mendime, me të vërteta, me vlerë për Arbëreshët deri sot, i ka pasuruar dijet tona për të shkuarën, të përtashmen, për fatin e tyre, kur të lavdishëm e kur tronditës gjatë shekujve të pasmërgimit, por edhe i ka shtuar, i ka pasuruar, i ka thelluar edhe ndjenjat tona ndaj vëllezërve tanë të lashtë – Arbëreshëve, italo-shqiptarëve të Italisë.

    Akademik Rexhep Qosja, Prishtinë

    Asnjëherë më parë nuk jam hasur me një vëllim që ka mundur të përmbledhë kaq mjeshtërisht tematikat dhe tiparet kryesore që karakterizojnë universin e identitetit të këtij minoriteti gjuhësor në Itali. Me një këndvështrim enciklopedik, libri i Fatmir Toçit vlerësohet si një vadamekum i shkëlqyer që gërsheton me mençuri shkencën dhe rrëfimin popullor, aftësinë e të treguarit dhe rigorozitetin metodologjik, duke arritur në këtë mënyrë plotësisht objektivin për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, kureshtja e të cilit jo vetëm nxitet prej tij, por gjithashtu ushqehet plotësisht.

    Prof. dr. Matteo Mandalà, Universiteti i Palermos

    Është historia e ribërjes së vështirë të jetës në vend të huaj nga ana e një populli të detyruar të braktisë vatrat e veta. Autori identifikon faktorët që sollën rrudhjen e faktorit arbëresh. Por ai nënvizon fort edhe faktorët e ruajtjes, ku rendit gjuhën, kulturën, institucionet tradicionale, kujtesën historike, besimin e krishterë të ritit bizantin. Studimi prosopografik mbi personalitete të shquara të botës arbëreshe e çimenton bindshëm idenë e autorit, se bota arbëreshe është një pjesë e pandashme e botës shqiptare, gjithashtu një faktor me rol të madh në proceset e zhvillimet historike e aktuale të Italisë fqinje, dhe si e tillë ajo duhet ruajtur e duhet zhvilluar.

    Prof. dr. Pëllumb Xhufi, Akademia e Shkencave, Tiranë

    Është padyshim libri më i plotë, më gjithëpërfshirës dhe më poliedrik mbi botën arbëreshe. I shkruar me erudicion, ky libër trajton me të njëjtin dimension historinë, gjuhën, kulturën, gjeografinë, duke përcjellë njëkohësisht ndjesitë dhe shqetësimet e një udhëtari të palodhur të katundeve arbëreshe. Është një enciklopedi e “gjakut të shprishur” të Arbërit, që nuk duhet të mungojë në asnjë bibliotekë.

    Prof. Neritan Ceka, ish-ambasador i Shqipërisë në Romë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË