More
    KreuLetërsiBotime të rejaTao te Ching: Rruga drejt virtytit (botim i ri nga Ombra GVG)

    Tao te Ching: Rruga drejt virtytit (botim i ri nga Ombra GVG)

    “Tao Te Ching”, i quajtuar ndryshe edhe si “Laozi” është vepra e pare filozofike e plotë në historinë e  Kinës antike, si  dhe  burimi kryesor i mendimit flozofik të Taoizmit. Megjithatë ajo është  konsideruar gjithashtu edhe si një “Poezi filozofike” ose “Filozofi poetike”, e cila është përmirësur vanzhdimisht ndër vite dhe që pasqyron mendimin e periudhës së Pranverë-Vjeshtës (770-476 para Krishtit). 

    Pavarësisht debateve dhe paqartësive lidhur me autorin e kësaj vepre, është pranuar tashmë se ajo është shkruar nga Li Er, i cili sipas legjendës, ka pasur mjekër dhe vetulla të bardha qysh në lindje, prandaj nga pasardhësit u quajt Laozi (Plaku-Plaku i urtë).  Laozi ka lindur në fund të periudhës së Pranverë-Vjeshtës, pra rreth 2500 vjet përpara dhe konsiderohet si filozof, mendimtar e historian i Madh i Kinës antike, si themelues dhe përfaqësuesi kryesor i shkollës së Taoizmit. Po kështu Laozi është cilësuar si një ndër njerëzit më famshëm të kultures botërore si dhe renditet ndër 100 historianët më të famëshëm të botës. Doktrina e tij ka luajtur rol të rëndësishëm për gjithë zhvillimin e filozofisë kineze.

    “Tao Te Ching” përbëhet nga dy pjesë kryesore, “Tao Ching” dhe “De Ching”, ka gjithsej 81 kapituj, nga të cilët 37 kapitujt e pare flsin për Tao-n, ndërsa 44 kapitujt tjerë për Te-në.  Tao është koncepti thelbësor  dhe kategoria më e lartë filozofike e këtij libri, baza mbi të cilën është ngritur dhe formësuar  i gjithë mendimi filozofik i Laozi. Tao, si fjalë unike, është përdorur edhe para Laozi-s, që i referohej kryesisht “rrugës”, ose “arsyes” dhe kuptimve te tjera. Ndërsa Laozi për here të pare parashtroi temën e burimit të botës, duke u shprehur se “Tao” është madje më thelbësore edhe se “Qielli”, dhe se “Qielli” lind nga Tao. Tao nuk është vetëm rruga e universit dhe e natyrës, por edhe rruga e kultivimit të individit me Tao-n.  Ndërkohë “Tao” e aplikuar në botën reale dhe aspektin e jetës njerëzore, quhet “Te”, pra “Te” është rezultat i aplikimit të Tao-s.  Kurse Te nuk i referohet thjesht kuptimit të saj fillestar, moralit ose virtytit, por një botëkuptimi dhe metodologjie te veçantë për tu marrë me kultivimin e njeriut. Sipas Laozi, morali është themeli dhe Tao është lartësimi i moralit. Nëse nuk mbështeten në këtë themel, ka shumë të ngjarë që njerëzit të dështojnë në trajtimin e çështjeve botërore, në admnistrimin e familjes dhe qeverisjen e vendit, pra nuk do të jenë në gjendje të “kultivojnë moralin”.  Pikërisht sepse “Tao” dhe “Te” janë dy konceptet kryesorë që Laozi trajton në këtë vepër, prandaj edhe  libri është titulluar “Tao Te Ching”.

    Ideja, subjekti kryesor i “Tao Te Ching” është se “Tao ndjek Natyrën”. Duke qenë koncepti më abstrakt i këtij libri, “Tao” konsiderohet si burimi i forces lëvizëse të gjithësendeve në Tokë dhe Qiell, ndërsa “Te” si zhvillim dhe shprehje e Tao-s në fushën etike. Nga aspekti filozofik, “Tao” është mëma, zanafilla e gjithësendeve, e kundërta dhe uniteti i Yin dhe Yang është thelbi i gjithësendeve, ndërsa  ligji i evolucionit të gjithësendeve  nënkupton kthimin e gjërave në të kundërtën e vet, kur ato arrijnë në ekstrem.

    “Tao ndjek natyrën” e shpallur nga Laozi, është i ndryshëm nga Ligji Natyrës në perëndim. Ky i fundit e ka origjinën nga tradita e liberalizmit dhe racionalizmit në Greqinë dhe Romën antike. Baza të tij janë konceptet e drejtësisë, mirësisë dhe demokracisë, të cilat janë baza natyrore për vlerësimin e ligjit pozitiv ose ligjit njerëzot. Ndërkohë mendimi i Laozi “Tao ndjek natyrën” bazohet në origjinën e gjithësendeve, që do të thotë se “Tao” synon zotërimin  përfundimtar të natyrës dhe shoqërisë njerëzore, permes njohjes dhe pranimit të “Tao-s”. Kjo lloj “Tao-je” nuk nënkupton konceptet apo standartet e vërësimit të lirisë, arsyes, demokracisë dhe drejtësisë, por nënkpton diçka speciale që nuk mund të emërtohet, një ligj të përjetshëm. 

    Mendimi filozofik i Laozi, si burim i Taoizmit, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm ndaj kulturës tradicionale kineze, por edhe ndaj formimit psiko-kulturor të vetë kinezëve. Ndikimi i tij shtrihet jo vetëm në shkencat filozofike, politike, sociale, e aspekte të tjera, por edhe në fushën e edukimit, politkës, ekonomisë, psikologjisë, ligjëshmërisë, etj. Po kështu mendimi i tij filozofik ka ndikuar jo vetëm në formimin e mentalitetit te kinezëve, por gjithashtu ka pasur ndikim të konsiderueshëm edhe ndaj Japonisë dhe Perëndimit.

    Duke filluar nga shekulli i 19-të e deri më sot, në Perëndim janë botuar disa variante përkthimi të “Tao Te Ching”. I pari që e ka përkthyer këtë vepër në anglisht ka qenë misionari protestat nga Skocia, John Chalmers në vitin 1868. Në gjuhët e perëndimit është përkthyer rreth 250 herë, kryesisht në anlgisht, frëngjisht dhe gjermanisht, nga sinologë, studiues e përtkthyesit më të shquar. Mendohet se “Tao Te Ching” është libri me karakter kulturor më i përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja pas Biblës. 

    “Tao Te Ching” vjen për herë të parë në gjuhen shqipe me përkthim të drejtpërdrejtë nga origjinali. Në fakt përkthimi nga gjuha kineze ka qenë një vendim i vështirë i përtkhyesit dhe botuesit, kjo edhe për shkak të vështirësive që ai paraqet si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në aspektin e interpretimit. Është synuar ti qëndrohet besnik në maksimum tekstit në variantin origjinal në kinezisht, por sigurisht duke u ballafaquar dhe orientuar nga interpretmet e studiuesve kineze të këtij teksti. Ndërsa për titullin e librit gjithashtu është menduar të përdoret varianti i përkthimit anglisht, “Tao Te Ching”, kjo për faktin se përkon më shumë edhe me shqiptimin në gjuhën shqipe të titullit të origjinalit te transkiptuar , si dhe me termin Taoizëm, tashmë të njohur dhe të pranuar në gjuhën shqipe. Titulli i këtij libri në origjinal është “道德经” – e transkiptuar me pingyin lexohet Dao De Jing ose Daodejing, ku Dao (道) – ka kuptim e rrugës, arsyes, etj, kurse De (德) ka kuptimin e virtytit, karakterit personal ose integritetit personal. Ndërsa sëbashku këto dy karaktere Daode (道德) kanë kuptimin e moralit, etikës morale, principeve morale. Ndërsa Jing (经) ka kuptimin e Kodit, Veprës klasike, etj. Kjo është arsyeja që titulli i veprës është përkthyer në disa variante në gjuhë të huaja, ku mund të përmendim “ Rruga drejt Virtytit”, “Kodi Moral”, “Libri i Tao-s dhe Virtyti i Tij”, “Kodi arsyes dhe Virtytit”, “Libri klasik i integritetit  dhe rruga drejt tij”, e një sërë titujsh të tjerë. Megjithatë aktualisht titulli më i pranuar është ai i përzgjedhur nga ana jonë, “Tao Te Ching” ose “Daodejing”.

    Mendimi filozofik i Laozi, si burim i Taoizmit, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm ndaj kulturës tradicionale kineze, por edhe ndaj formimit psiko-kulturor të vetë kinezëve. Ndikimi i tij shtrihet jo vetëm në shkencat filozofike, politike, sociale, e aspekte të tjera, por edhe në fushën e edukimit, politkës, ekonomisë, psikologjisë, ligjëshmërisë, etj. Po kështu mendimi i tij filozofik ka ndikuar jo vetëm në formimin e mentalitetit te kinezëve, por gjithashtu ka pasur ndikim të konsiderueshëm edhe ndaj Japonisë dhe Perëndimit, duke u shdërruar një mendim të rëndësishëm me përmasa ndërkombëtare. Në kohën e sotme të konsumizmit dhe dixhitalizimit global, mendimi filozofik i Laozi është një sinjal i rëndësishëm për ruajtjen e ekuilibreve të domosdoshëm natyrorë si dhe iu tregon njerëzve sit ë shohin dhe trajtojnë me mençuri rrugën e jetës, rrugën sociale dhe rrugën e universit.  Ashtu siç ka mbijetuar për mbi 2500 vjet, mendimi i tij filozofik nuk do të shuhet me kalimin e gjeneratave, por do të vazhdojë të ndikojë njerëzimin edhe në shekujt pasardhës.

    Përgatiti : Iljaz  Spahiu (Sinolog)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË