More
    KreuLetërsiBotime të rejaTani në shqip romani "Një sëpatë në duart e tua" i shkrimtarit...

    Tani në shqip romani “Një sëpatë në duart e tua” i shkrimtarit qipriot Emilios Solomou

    Nga Jeta Hamzallari

    Vetëm pak ditë më parë Sh.B.DITURIA ka botuar romanin Një sëpatë në duart e tua të shkrimtarit qipriot Emilios Solomou. E. Solomou lindi në Nikosia, më 1971, dhe studio në Universitetin e Athinës për histori e arkeologji dhe më pas për gazetari në Qipro, me diplomë masteri në filologji.  Për disa vite punoi si gazetar në një të përditshme në Qipro dhe sot është mësues në një shkollë të mesme. Shumë nga tregimet e tij të shkurtra janë botuar në revista letrare dhe antologji në Qipro, Greqi, dhe vende të tjera. Është autor i dy librave artistikë për fëmijë: Dordoleci (2018 dhe 2000) dhe Lumi (2020), i përzgjedhur për Çmimin Kombëtar të Qipros, Çmimin Kombëtar të Greqisë dhe IBBY Greqi; dhe i katër romaneve për të rritur: Si një harabel, ike kaq shpejt (2003), botuar edhe në Bullgari; Një sëpatë në duart e tua (2007), Çmimi Kombëtar për Letërsinë në Qipro, botuar në Serbi, Bullgari, Shqipëri; Ditari i një pabesie (2012), fitues i Çmimit i Europian për Letërsinë më 2013, dhe i botuar në 11 vende europiane;  Urrejtja, gjysma e hakmarrjes (2015), botuar në Poloni, Shqipëri, Serbi.

    Tematika kryesore që spikat në krijimtarinë për të rritur e shkrimtarit Solomou është drama e njeriut bashkëkohor, vetmia e tij, megjithëse jeton në qytete dhe shoqëri që gëlojnë nga njerëzit. Dhe kjo vetmi, që sa vjen e thellohet me modernizimin e shoqërisë, bëhet gjithnjë e më shumë një faktor psikologjik stresues që ndikon në jetën e përditshme; njerëzit e kanë të vështirë të bashkëjetojnë me të tjerët.

    Solomou është po kaq i interesuar edhe për çështje që lidhen me pozitat e individit dhe pafuqinë përballë ngjarjeve historike, se si njerëzit e zakonshëm reagojnë dhe rrëzohen në këto rrethana shpesh kataklizmike. Edhe kujtesa është pjesë thelbësore e romaneve dhe tregimeve të tij të shkurtra. Sidomos kur kujtesa – si një metaforë, imazh a përvojë, traumë, fotografi apo fragment – shfaqet dhe i bën njerëzit të harrohen pas saj në të tashmen. Kështu pra, e shkuara dhe e tashmja ndërtojnë një lidhje interesante në krijimtarinë e tij; kujtesa dhe nostalgjia u japin më shumë thellësi strukturës dhe personazheve.

    Sipas Solomout, letërsia dhe bota reale kanë një raport fare të ngushtë dhe është pikërisht  vetëdija shoqërore një nga faktorët që i lidh; imagjinata është një pasqyrë e realitetit që e lejon lexuesin të shfrytëzojnë mënyra të ndryshme për të parë botën. Në rastin e Solomout, ngjan sikur imagjinata ka një rol jetik; ajo është faktor thelbësor për të mbajtur ekuilibrin me realitetin e padurueshëm. Dhe kjo fije e hollë që ndan imagjinatën nga realiteti, duket se i bën historitë e Solomout më interesante. Romani Një sëpatë në duart e tua (DITURIA, 2022) është shkruar pak a shumë në këtë mënyrë dhe në sytë e personazhit kryesor realiteti shfaqet i shtrembëruar si në një kaleidoskop. Dhe, ndërsa filli i historisë shpështillet ngadalë, kufiri mes realitetit dhe fantazisë bëhet më i paqartë, bota gjithnjë e më shumë mbështillet e ngatërrohet në labirintet e mendjes së personazhit kryesor, Odisesë, që u ngjan personazheve të Dostojevskit, Raskolnikovit e princit Myshkin, apo Leopold Blumit të James Joyce.

    Një sëpatë në duart e tua është një roman për të bukurën dhe të shëmtuarën, për iluzionet dhe ëndrrat e humbura, për gjurmimin zanafillor të lumturisë nga qenia njerëzore dhe pengesat për të mbërritur tek ajo në një botë armiqësore e të tjetërsuar.

    Me zotësi, E. Solomou e nxit lexuesin të identifikohet me personazhin kryesor, Odisenë, që në të vërtetë është Odiseja i Homerit, dhe të ecë me të nëpër shtegun drejt vetes, në një udhëtim të brendshëm. I shkruar në vetën e dytë njëjës dhe në kohën e tashme, romani ndikon drejtpërdrejt me dinamikën dhe imazhet tipike të kinemasë. Një ndikim që bëhet dhimbshëm i qartë, teksa autori hyn gjithnjë e më thellë në labirintet e ndërgjegjes së personazhit. E, ndonëse shkrimtari përdor teknikat rrëfimtare të romanit, lexuesve u ngjan sikur po shohin një luftë të brendshme kundër kufijve të ekzistencës njerëzore dhe shoqërisë, kundër shëmtisë së jetës dhe pashmangshmërisë së vdekjes…

    Romani Një sëpatë në duart e tua vjen i përkthyer mjeshtërisht në shqip nga zoti Romeo Çollaku, përkthyes i talentuar dhe i përkushtuar. Zoti Çollaku ka dhënë dhe vazhdon të japë për lexuesin shqiptar dhe botën letrare një kontribut të vyer, duke sjellë çdo vit në shqip vepra themelore të letërsisë greke e qipriote, si Të pamëkatët Sofronis Sofroniu (DITURIA 2021), Përmasa e katërt nga Janis Ricos (DITURIA 2021) etj. Përkthimet e tij spikasin për përkushtimin gjuhësor dhe saktësinë e ligjërimit artistik. Ndaj, për nga numri dhe për nga rëndësia letrare-estetike e veprave të përkthyera, Romeo mund të quhet me plotgojë një ndër përkthyesit tanë të dalluar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË