More
    KreuLetërsiBotime të reja"Sëmundja e ëndrrave" nga Mehmet Kraja (parathënie e botimit të dytë)

    “Sëmundja e ëndrrave” nga Mehmet Kraja (parathënie e botimit të dytë)

    Në vitin 1984, në vitin e Oruellit, pata shkruar romanin “Sëmundja e ëndrrave” dhe, kur e mora ta lexoja tani së fundi, vërejta një gjë: sot letërsia nuk shkruhet siç ishte shkruar në atë kohë, veçmas jo romani dhe, ndonëse bëhet fjalë për një kohë jo aq të largët, metoda e shkrimit të romanit ka pësuar ndryshime aq të mëdha, sa të bëhet sikur janë ndërruar epokat, ndërkohë. Për bindjen time, ndryshimi i mënyrës së shkrimit të romanit konsiston në tri pika themelore: e para, krejt shekulli XX kaloi në modelet e shkrimit që i instaluan dhe i promovuan Prusti, Fokneri, Xhojsi dhe pastaj i ndoqi një armatë e tërë shkrimtarësh, duke e stolisur frazën dhe duke e bërë atë sa më shumëkuptimore dhe tekstin sa më shumështresor; e dyta, deri nga fundi i shekullit XX letërsia dhe veçmas romani iu krijoi shumë hapësirë rrëfimeve mitike dhe legjendave, duke marrë një materie të gjerë letrare nga kjo trashëgimi, herë duke e rikrijuar atë dhe më shpesh duke ndërtuar një realitet të pavarur, disi supersticioz, që ishte i pabesueshëm, i pashpjegueshëm, por artistikisht i qëndrueshëm dhe i përdorshëm; dhe, e treta, romani bëri një shkapërcim të madh, tashmë duke ndjekur rrjedhën e ndërdijes dhe duke e hulumtuar vetë një rrjedhë të tillë, ndonjëherë në caqe më të largëta se vetë psikanaliza.

    As letërsia shqipe, në veçanti kjo e Kosovës e dy-tre dhjetëvjetësheve të gjysmës së dytë të shekullit XX (dhe më vonë letërsia e Shqipërisë, pas rënies së diktaturës), e cila ishte më e ekspozuar ndaj ndikimeve bashkëkohore, nuk mund të ishte imune ndaj këtij trendi, porse ndikimet, njësoj si manifestimet e tjera shkrimore, për shkak të mungesës së individualiteve, ndonjëherë u shfaqen mjaft konfuze, të paasimiluara, kurse herë të tjera tepër të ekzagjeruara. Ndërkohë, në studimet dhe kritikën letrare të Kosovës, nën ndikimin e madh të strukturalistëve francezë, iu bë shumë jehonë zhvillimeve moderne, moderniste dhe postmoderne, duke i çuar studimet në ekstremin e pashembullt të humbjes ose mënjanimit gati të plotë të objektit të trajtimit letrar, pra duke bërë studime pa asnjë funksion dhe duke lënë anash zërat autentikë të letërsisë, që përpiqeshin të sintetizonin të gjitha rrjedhat dhe ndikimet, për aq sa kjo ishte e mundur në një letërsi me trysni të mëdha ideologjike dhe me kërkesa të pareshtura për funksionin e saj utilitar.

    Mbi këto rrjedha, në gjysmën e dytë të shekullit XX, kërkimet dhe eksperimentet shkuan shumë larg, aq sa u duk sikur letërsia po i kundërvihej vetes dhe për një periudhë disa dekadash studimet letrare, qasja e tyre favorizuese për disa mënyra të shkrimit filluan të diktonin edhe prosedeun, përfshirë edhe eksperimentin. Ta zëmë, u lavdërua shumë anti-romani dhe anti-drama nga strukturalistët dhe me përqafimin e kësaj metode të shkrimit u arrit të krijohej një realitet i ri letrar. Ose u krijuan mite mbi autorët që kultivuan të ashtuquajturin “realizëm magjik” dhe veprat që u shkruan në këtë trend. Kjo rrethanë, megjithatë, bëri që rrëfimi në roman të pësonte ndryshime, të transformohej, të bëhej polivalent, kompleks, i tillë që lejohej të përfshinte gjithçka dhe asgjë, madje duke marrë edhe disa atribute të kodifikimit teorik, si letërsi postmoderne, roman postmodern etj.

    Duke qenë i lirë në përzgjedhjen e metodës letrare, të subjektit dhe të mënyrës së rrëfimit, ndërsa më anë tjetër të gjithë në një mënyrë jetonim “vitet e Oruellit”, në këtë roman unë qenkësh pozicionuar në mes: rrëfeva për vendlindjen dhe hartova një triptik, në fillim duke u nisur mbi rrëfimet mitike dhe legjendat dhe, gradualisht, duke e përafruar rrëfimin në kohë, arrita te grotesku, një ecje disi e natyrshme nga koha mitike tek ajo historike, duke hulumtuar dhe duke parë brenda vetë strukturës rrëfimore sesi miti transformohet në histori, ndërsa historia, për të qenë e vështruar me sy kritik, disi vetvetishëm merr atributet e të pandodhurës së mundshme, por duke u bërë lëndë letrare pikërisht për arsyet e saj të pabesueshme. Kjo “ikje” në mite dhe legjenda dhe pastaj në “parodinë historike” për mua mund të ishte përgjigja e vetme artistike e “viteve të Oruellit” që po i jetonim në atë kohë: një diferencim i frikshëm ideopolitik, një vërsulje e egër e shtetit represiv pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Përgjigja ime nuk ishte e drejtpërdrejtë, por letrarisht e qëndrueshme: metaforë dhe alegori mitike dhe historike, ku e shkuara funksiononte si memorie kolektive e qëndresës, si dhe një bazë historike e dyshimtë e realitetit të atëhershëm ideologjik.

    Me këtë “ngarkesë” jashtëletrare, por me nxitje të padiskutueshme artistike, në vitin 1984 i shkrova këto tre rrëfime për vendlindjen, një triptik ose një trilogji e vogël, ku ishin përfshirë tri kohë, të cilat lidheshin mes veti përmes një ambienti me përthyerje të mëdha mitike, historike dhe bashkëkohore. Dhe derisa koha mitike, koha që kishte prodhuar legjendat kalorësiake për mua dhe vendlindjen time ishte kohë e mrekullive të paarritshme, koha historike ishte një zhgënjim i madh, sepse kishte lënë pasoja të pariparueshme në jetën e njerëzve, duke i tjetërsuar ata, madje duke i bërë që të jetonin si somnabuj në një realitet të paqenë, i cili vazhdonte të hijezohej nga memoria mitike, e kthyer në një realitet të dytë, duke marrë njëkohësisht atributet e refuzimit të realitetit aktual tërësisht të pamundshëm. Gjithnjë kam pasur përshtypjen se paraardhësit e mi, siç ndodh zakonisht, jetonin më mirë në një botë mitesh dhe legjendash, sesa në një botë reale, ose, që afërsisht mund të jetë e njëjta gjë: i krijonin mitet dhe legjendat për të kompensuar mungesat e mëdha të një realiteti refuzues.

    Pra, edhe pse subjekte të palidhura me një vazhdimësi rrëfimore, tri njësitë e triptikut lidheshin mes vete përmes idesë së përvijuar qartë të kuptimsimit të kontekstit rrëfimor: secila pjesë qëndronte e pavarur, por bëhej më e plotë nëse vihej në relacion asocimi me tjetrën njësi. Me anë tjetër, mënyra e shkrimit sikur m’u imponua vetvetiu, madje më dukej e pashmangshme për një subjekt të tillë: vendi ku e kisha kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme kishte një histori dhe një memorie kolektive të jashtëzakonshme, e cila vinte nga thellësitë e kohës, si kompensim dhe kundërpeshë e kësaj bote që nuk i donte, por edhe si narracion i afërt me mënyrën e rrëfimet legjendar. Të parët e mi jetonin në një vend të ashpër, pranë një kufiri që i kishte ndarë dhunshëm nga çdo mundësi jetësore, nga çdo ëndërr, nga çdo histori bëmash heroike; pranë një liqeni që nuk shërbente për asgjë dhe nën hijen e maleve që kërcënueshëm iu rrinin mbi kokë.

    Edhe subjekti duhej t’i përshtatej kësaj rrethane: në pjesën e parë një rrëfim legjendar-historik, i përbërë nga trileri baladik për Mrikalemin dhe Dardhojmelin dhe i gërshetuar me elemente historike: nga shekulli XIII daton një dokument, një dekret i princeshës Helenë të Anzhunëve, me të cilën një pararendës i Junkajve të Ljares ishte shpallur kont, për mikpritjen që i kishte ofruar gjatë udhëtimit nëpër atë zonë; si dhe një rrëfim tjetër mitik që lidhet po me këtë rrethanë, se në këtë fshat me mungesa të mëdha të ujit, ende ekziston ubla e ndërtuar nga kjo princeshë, por e mbyllur për shkak të besës, vendin e së cilës e di vetëm një trashëgimtar në një brez i kësaj familjeje, të cilët nuk e kanë dekonspiruar që afro tetëqind vjet. Në pjesën e dytë subjekti rrëfimor i afrohet historisë, kur luftërat midis mbretërive bëjnë që në atë zonë kufiri të zhvendoset aq shpesh, saqë njëri nga pararendësit e mi, i mërzitur nga loja me kufij dhe nga pasojat e saj, vendos ta bëjë katundin tonë “më vete”, duke ndërtuar istikame dhe karakollë gjithandej përqark tij. Ndërkaq, rrëfimi i tretë lidhet me kohën e Luftës së Dytë Botërore, me dy pjesëtarë të “xhandarmerisë së krajlit”, të ngjashëm me Don Kishotin dhe Sanço Pançon, të cilët nuk dinë nga t’ia mbajnë, pasi mbesin pa asnjë pikë orientimi në horizontin e tyre politik. Në fund të rrëfimit, njëri nga këta xhandarë, që kishte një arë pranë kufirit, pandeh se bota mori fund, se shtetet nuk bëjnë më për asgjë dhe e pëson, ndërsa shkulte hunj nga gardhi i kufirit dhe i vendoste në megjen e tij. Në pikëpamje të prosedeut, ndërkaq, të tre rrëfimet përshkohen nga një “sfond magjik”, sepse për bindjen time, nuk gjendet një vend tjetër në botë, ku legjendat bashkëjetojnë aq intensivisht dhe aq natyrshëm me njerëzit realë, përfshirë edhe kohën e sotme.

    Idenë e botuesit për t’ia ofruar lexuesit të sotëm këtë libër, unë e mbështeta për dy arsye: se shkrimtarët duan t’i shohin të botuara dhe të ribotuara veprat e tyre, shpesh duke ushqyer iluzionin se ndonjë lexuesi hipotetik mund t’i shërbejë një botim i tillë; dhe e dyta, një studiues gjithashtu hipotetik mund të bëjë një krahasim, për të parë zhvillimet jotipike nëpër të cilat ka kaluar letërsia shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Për ta bërë më të përshtatshëm për lexim, romanit i bëra një rishikim, duke mënjanuar, për aq sa ishte e mundur, mungesat ortografike, ndonjëherë edhe të natyrës së frazës dhe rrëfimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË