KreuLetërsiShënime mbi libraSazan Goliku: Lojë cinike ose xhep i grisur (poezi)

Sazan Goliku: Lojë cinike ose xhep i grisur (poezi)

PA FUND

Lulëkuqja
që mbiu
u rrit
e çeli
mes pirgut
madhështor
të plehrave
ju siguroj
nuk ishte
plastike.
Në fundjavë ajo do të vdes
Farat në boçen e saj do t’i këndojnë rekuiemin
vdekjes.
 


KRIZË

Nuk mund të ulërij
sa të dridhet gjithë Shqipëria
Nuk mund të derdhë lot
se do të verbohesha nga helmi i tyre.
Ku arritëm kështu, ku?
(thërras nga fundi i fundit).
Pse arritëm këtu, pse?
(pyet e sotmja e turbullt e djeshmja e ngrirë).
Si do të dalim nga kjo vorbull, si?
(djalli me bisht për bishti ka kapur perëndinë).
Kur do të dalim në dritë, kur?
(kurrë?!)
Në kokë në sy në vesh më stomak na sulmon
luzma shigjetuese e pyetjeve fatale.
Të vdekurit vdiqën.
Përgjigjet do t’i japim
ne
të gjallët.


1 PRILL

Një majë gjilpëre dhe
plasi
tollombacja shumëngjyrshe
e fjalëve të ngopura
me tinguj të bukur
me tinguj të ngjyer
me tinguj fals.
Fjalë
që veten mashtronin
e flinin të lumtura me rrenën.
Plasi
antibota.
Përse u ble
përse u fry
kush paguan tash?
Populli-fëmijë.
Plasi
antibota.
Një ëndërr e pakuptueshme
një shfaqje e habitshme
një lojë cinike
me popullin-fëmijë.
Antibota
plasi.!
Njeriu i vogël qan e qesh
në tragjikomedi.


AKTUALITET

Mes kaosit pa fund e fillim
mes përzierjes së llumit e dritës
qelbit e gjakut, bërsive e ujit, hirit e zjarrit
mes të vdekurve të gjallë e të gjallëve të vdekur
mes jetës e vdekjes
njeriu i krusur galiç
me duart mbi krye
ruan në gji shpresën
për nesër.
Do të jetojmë nesër?
Do të dashurohemi nesër?
Do të vdesim nesër?
Se sot s’jemi të gjallë
as mbi tokë as mbi varr.
Sot.
Pse s’luftojmë dot sot
po anikme ndaj zotave ndaj tjetrit ndaj vetes?
Pa pushuar – lot si shi si breshër si borë…
Kot. Kot. Kot.


VETËMOHIM

Kur fus dorën në xhep,
nxjerr
portofolin
shaminë
çelësat
Botën?
Jo
veten.
Veten?
Po xhepi është i grisur.


BISEDË ME VETEN
 Tomas Manit

Deri tash iu jemi falur perëndive
deri tash nga lëkura jonë kemi dalë
deri tash jemi vetëhipnotizuar
deri tash veten në pasqyrë s’kemi parë.
Tash
le t’i falemi vetes për ta ndryshuar.


PËRBINDËSHI

Lakuriqi i natës
ditën
mos kujtoni se fle
Ai sheh ëndrrën e tij të madhe:
I kthyer në përbindësh gjigand
thith gjak thith gjak
me dhëmbët e ngulur
në zverkun e Botës.
Lakuriqi i natës
ditën
mos kujtoni se fle.
Ai thurr komplote gracka e kurthe
me zogj e minj bastardë e naivë
për t’i mbytur e shqyer pastaj
natën.
Lakuriqi i natës
ditën
mos kujtoni se fle.
Ai pjellë këlyshë me emra e fytyra njerëzish
që pijnë gjak njeriu.


RRËFIMI I ARTANIT

Pena ime e thyer është këmba e harabelit
që s’do ngjitet më kurrë.
Pena e zezë e flakur në plehra
s’do shkruaj më detyrat e aritmetikës
as hartimin për pushimet e verës.
Zogu i zi s’do mund të këndojë
i ngordhur brenda kanaçes së Coca-colas-s
Pena e re s’ka majë e s’di të shkruaj në P.C.
Zogjtë janë bërë buri makinash.
Pena ime e thyer është këmba e harabelit
që vdiq prej trishtimit mbi luadhin e plehrave.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË