NGŨGĨ WA THIONG’O (1938) është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm kenian dhe prej tri vitesh kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi. Ai është profesor i Letërsisë së Krahasuar në Universitetin e Kalifornisë dhe ka shkruar romane, jetëshkrime, tregime dhe drama. Ndër romanet e tjera më të njohura të tij janë “Petale gjaku” dhe “Magjistari i korbave”, ky i fundit i botuar më 2006 dhe i cilësuar si kryevepra që ka kurorëzuar gjithë jetën e tij shkrimore. Librat e Ngũgĩ Wa Thiong’o-s janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.
“Me lumin midis” (romani i dytë i autorit) është një histori dashurie e vendosur në periudhën koloniale, njëfarë Romeo dhe Zhuljeta afrikane, ku rrëfehet dashuria midis dy të rinjve të fiseve kundërshtare Gikuju të kreshtave, si dhe përpjekja e tyre për të shuar mërinë e lashtë midis fiseve të tyre. Romani rrëfen Kenian para-koloniale dhe atë koloniale, ardhjen e “një populli të veshur me flutura” të cilët ishin britanikët, sjelljen e kulturës së tyre, fetare dhe administrative. Ndërkohë, popullsia jeton ende me zakonet e vjetra që janë shtylla e mbijetesës së tyre, të forcës, besimit dhe pastërtisë. Përplasja midis dy fiseve është gjithashtu ballafaqimi me kolonizatorët, po aq sa dhe vendimi për t’iu nënshtruar atyre apo të qëndruarit të paepur në besimin e lashtë që i ka udhëhequr.
kapitulli një
Dy kreshtat shtriheshin pranë e pranë. Njëra ishte Kameno, tjetra ishte Makuju. Mes tyre ndodhej një luginë. E quanin Lugina e Jetës. Mbrapa Kamenos dhe Makujut kishte shumë lugina e kreshta të tjera, të cilat shtriheshin pa ndonjë përvijim të qartë. Ato përngjanin me luanë të shumtë e të fjetur që nuk zgjoheshin kurrë. Thjesht bënin gjumin e madh e të thellë të Krijuesit të tyre.
Përmes Luginës së Jetës rridhte një lumë. Po të mos ishin shkurret dhe pemët pyjore që mbulonin shpatet, lumin mund ta shihje kur rrije majë Kamenos apo Makujut. Por ashtu siç ishte, duhej të zbrisje poshtë. Madje edhe atëherë nuk e shihje dot gjithë gjatësinë e lumit, tek spërdridhej nëpër luginë me hijeshi e pa ndonjë ngut të dukshëm, si një gjarpër. Lumi quhej Honia, që do të thoshte shërim apo kthim në jetë. Lumi Honia nuk thahej kurrë, ai dukej se zotëronte një vullnet të fortë për të jetuar, duke përçmuar thatësirat dhe ndryshimet e motit. Ai rridhte po njësoj, pa nxituar, pa nguruar. Njerëzit e shihnin këtë dhe ishin të lumtur.
Honia ishte shpirti i Kamenos dhe Makujut. Ai i bashkonte ato. Edhe njerëzia, bagëtitë, kafshët e egra dhe pemët, të gjithë bashkoheshin nga kjo rrjedhë jete.
Kur rrije në luginë, dy kreshtat, të bashkuara nga burimi i tyre i përbashkët i jetës, nuk ishin më si luanë të fjetur. Ato bëheshin kundërshtare. Këtë e kuptoje jo nga ndonjë gjë e prekshme, por nga mënyra sesi përballeshin me njëra-tjetrën, si dy rivale gati për t’u kapur me grushte në një ndeshje për jetë a vdekjeje për udhëheqjen e asaj krahine të veçuar.
***
Kishte nisur shumë kohë më parë. Një njeri u ngrit në Makuju. Ai mëtonte se Gikuju dhe Mumbi ishin ndalur aty me Murungun, rrugës për në Mukuruve va Gatanga. Si rrjedhojë e atij qëndrimi, thoshte ai, udhëheqja i ishte lënë Makujut. Nuk e besuan të gjithë. Ngase a nuk ishte pëshpëritur e përfolur gjithnjë se Gikuju dhe Mumbi ishin ndalur në Kameno? Dhe a nuk kishte mbirë një kodër e vogël nga trualli mbi të cilin kishin qëndruar, në jug të Kamenos? Dhe Murungu u kishte thënë: “Këtë tokë po ua jap juve, o burrë dhe grua. Është juaja që ta sundoni dhe ta lëroni, ju dhe pasardhësit tuaj”.
Toka ishte pjellore. Ishte mbarë krahina Gikuju, nga njëri horizont që përqafonte qiejt deri te tjetri i fshehur ndër re. Kështu rrëfehej historia në Kameno. Që atëbotë epërsia shpirtërore dhe udhëheqja kishin mbetur aty.
Kamenoja kishte një dëshmi të mirë që e vërtetonte këtë histori. Një zabel i shenjtë kishte mbirë në vendin ku kishin qëndruar Gikuju dhe Mumbi; njerëzit ende e përnderonin. Po ashtu, kushdo që merrte mundimin të numëronte, mund ta shihte se Kamenoja kishte nxjerrë më shumë heronj dhe udhëheqës se çdo kreshtë tjetër. Mugo va Kibiro, profeti i madh gikuju i njëherë e një kohe, kishte lindur aty. Ai ishte rritur duke parë vizione të së ardhmes dhe ua kishte treguar ato njerëzve të shumtë që vinin ta shihnin e ta dëgjonin. Por disa, më cinikë se fqinjët e tyre, nuk pranonin të shkonin tek ai. Ata e quanin mashtrues. Pastaj, një natë, kur njerëzit ishin në gjumë, ai u zhduk prej kodrave. Shpejt erdhën lajme për të nga viset e përtejme: Nieri, Kiambu, Muranga; nga mbarë krahina Gikuju, në të vërtetë. Ai vazhdonte ta thoshte me zë të lartë mesazhin e tij dhe thërriste: “Do të vijë një popull me rrobat si flutura”.
Këta ishin të bardhët.
Por ishte edhe magjistari i madh Kamiri, shtrigëritë e të cilit kishin lënë gojëhapur edhe të bardhët në Muranga. Shtrigëritë dhe magjitë e tij, para se të bardhët ta vinin poshtë me buzëqeshje dhe dhurata, i kishin dhënë famë të madhe. Thuhej se edhe ai kishte lindur në Kameno. Ashtu si Mugoja para tij, edhe ai ishte zhdukur nga kodrat drejt viseve të përtejme. Jeta e ngushtë e kreshtave nuk e mbante dot.
Një tjetër ishte Vaçiori, një luftëtar i madh që kishte udhëhequr gjithë fisin kundër masajve. Në rini kishte vrarë një luan krejt i vetëm. Kur vdiq, në duart e një të bardhi endacak, la një emër të madh, idhull i shumë luftëtarëve të rinj.
***
Kreshtat ishin të izoluara. Njerëzit atje bënin jetën e tyre, pa u trazuar nga çka ndodhte rreth e rrotull. Burrat dhe gratë nuk i trembeshin asgjëje. Ukabit nuk shkonin dot kurrë atje. Do të humbnin nëpër kodra, kreshta e lugina. Madje edhe gikujut e tjerë, nga Nieri apo Kiambu, e kishin të vështirë ta gjenin udhën nëpër kodra. Kështu pra, vendi i kreshtave të shumta qe lënë vetëm, pa u ndikuar nga forcat e turbullta atje jashtë. Ato kodra e kreshta të lashta ishin zemra dhe shpirti i tokës. Ato i ruanin të dëlira dhe të paprekura magjitë dhe ritualet e fiseve. Njerëzit aty gëzonin së bashku, duke i dhënë njëri-tjetrit gjakun dhe ngrohtësinë e të qeshurës së tyre. Ndonjëherë ndesheshin. Po kjo ndodhte mes tyre dhe asnjë i jashtëm nuk duhej ta dinte. Për të huajt ata ishin memecë, nuk nxirrnin asnjë nga të fshehtat, roja të të cilave ishin. Kagutui ka Mucii gatihakagwo Ageni; hesapi i shtëpisë nuk del në pazar.
Andej kishin dalë udhëheqësit e vendit. Sepse, ndonëse kreshtat qenë të izoluara, disa njerëz largoheshin. Këta, që kishin guximin të shikonin përtej së tashmes, drejt një jete dhe visesh të përtejme, ishin të përzgjedhurit e paktë që dërgoheshin nga Murungu për të shpëtuar popullin në orën e nevojës: Mugo, profeti i madh; Vaçiori, luftëtari i lavdishëm; Kamiri, magjistari i fuqishëm.
Ata u bënë të huaj për kodrat. Tek e fundit, hesapi i shtëpisë nuk ishte për ta. Ishte për ata që jetonin brenda. Këta ishin njerëzit, gjaku dhe kockat e të cilëve flisnin gjuhën e kodrave. Pemët mbanin vesh, ofshanin me erën dhe heshtnin. Zogjtë dhe bishat dëgjonin e mbanin vesh qetësisht. Vetëm herë pas here jepnin ndonjë kundërpërgjigje, brohoritje gazmore apo ndonjë hungërimë të zemëruar.