More
    KreuLetërsiBotime të rejaRomani i ri i Mira Meksit, "Kutia e Agatha Christie-t"

    Romani i ri i Mira Meksit, “Kutia e Agatha Christie-t”

    Nga Shpëtim Doda

    Tashmë është kthyer në diçka proverbiale që, përpara se të hapë kopertinën e një libri të Mira Meksit, qoftë ky roman apo tregim, lexuesit i duhet të përgatitet për një rrugëtim – jo për një udhëtim turistik – në kohë, në ngjarje historike e mnemotike, dhe në hapësirë, në treva gjeografike dhe në viset jetësore e botët psikike të personazheve, një pjesë e të cilëve janë tashmë të mirëngulitur në kujtesën e lexuesit.

    Kjo veçori e rrëfimtarisë së Mira Meksit ndeshet lehtë dhe qartë edhe te Kutia e Agatha Christie-t, në qendër të të cilit është Mid’hat bej Frashëri, një ndër personalitetet më të arrira të Shqipërisë së viteve ’30, portreti i të cilit në roman jepet i gdhendur në reliev në tërë poliedricitetin që rrezatonte dhe në të tëra dimensionet, nga ai politik, kulturor e letrar, te dimensionet e tij të brendshme, te ndjenjat dhe përjetimet, ëndrrat dhe idealet, si dhe historitë e tij dashurore.

    Përpos kësaj, ndryshe nga sa më parë, personazhi mbartet në faqet e romanit deri edhe me ideolektin e tij, i cili në fushën e dialektologjisë (një degë e gjuhësisë) shenjon përdorimin e gjuhës sipas intuitës së lindur të njeriut; shprehimisht, gjuhës “bio”, për shkak të pranisë të së cilës lexuesi e ka të vështirë të dallojë nëse është Mid’hat bej Frashëri ai që është ngjitur deri në kohën tonë, apo është lexuesi ai i cili ka zbritur nëpër shkallaren e kohës deri në kohën e tij; apo, parë në një vështrim më të gjerë, nëse është Mid’hat bej Frashëri, jeta e tij dhe mozaiku i ngjarjeve të kohës së ndërmbartur në faqet e romanit, apo janë faqet e romanit që janë ndërmbartur tek ai, te jeta e tij dhe te ngjarjet e kohës së tij, kombëtare dhe më gjerë. Në të dyja rastet, dilema mbetet jo vështirësisht, por pamundësisht e zbërthyeshme. Madje, personalisht jemi të mendimit se kjo dilemë mbetet e tillë, pamundësisht e zbërthyeshme, edhe për vetë Mira Meksin, e cila është e ndryshme nga Mira Meksi që gjendet herë pranë e herë brenda lëkurës dhe psikës së personazhit, herë si një vëzhguese e ftohtë dhe herë si njeri i përfshirë drejtpërdrejt në jetën, dilemat, përjetimet dhe ndjeshmërinë e tij apo në ngjarjet, intrigat politike, rreziqet dhe përpjekjet e shovinistëve grekë e sllavë kundër trojeve shqiptare, qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, të cilat formësojnë jo thjesht mozaikun historik, por edhe temperaturën dhe pulsin e atyre kohëve.

    Krahas sa më sipër, ky roman shfaq një tjetër element, i cili e dallon nga romanet e tjera. Fjala është për një zgjerim të rrugëtimit që përmendëm në krye. Ndryshe nga romanet e tjera, këtu lexuesi ftohet edhe në një rrugëtim ndërtekstor, apo në një rrugëtim “babelik”, siç mund ta kishte përkufizuar Jorge Luis Borges-i, i shprehur që në titull, i cili kryen mirëfilli funksionin që lipset të kryejë sine qua një paratekst. Paraqitja që në titull e Agatha Christie-t, autores së njohur të të ashtuquajturit zhanër policesk, krahas funksionit magnetizues, shenjon edhe hapin e parë në rrugëtimin ndërtekstor, i cili pasohet nga fjalia hapëse, e cila është pothuajse e njëjtë me fjalinë hapëse të Njëqind vjet vetmi të Gabriel García Márquez-it, sikundërse ishte fjalia hapëse e Dashuria në kohërat e kolerës një lloj parafrazimi i një fjalie nga Cianur shkumues e Agatha Christie-t, prej nga lexuesi vihet që në fillim përballë një ekuacioni letrar grishës. Dhe ky rrugëtim vijon herë me qokëzime të dukshme, të drejtpërdrejta, e herë përmes copëza citimesh e parafrazash, të cilat lexuesit do t’i duhet t’i peshkojë vetë. Dhe jo vetëm kaq; në këtë rrugëtim, përpos zërit, lexuesi ndeshet edhe me disa prej autorëve të veprave letrare të përfshira në stofin e romanit dhe, mbi të gjitha, një pjesë e tyre përfshihen në traumën e tij, siç është rasti i Agatha Christie-t dhe personazhit të saj më të njohur, Hercule Poirot, i cili te Kutia e Agatha Christie-t, nga personazh fiksional, përfton një ekzistencë të mirëfilltë fizike, reale, apo rasti i Conan Doyle-it, krijuesit të Sherlock Holmes-it. Kjo ndërtekstorësi kaq e dendur e largon paq të vështruarit e Kutia e Agatha Christie-t si roman i zhanrit policesk. Pavarësisht ndjenjës së aventurës dhe thriller-it të garantuar, Kutia e Agatha Christie-t është, më së pari dhe mbi të gjitha, roman mbi dashurinë, mbi sakrifikimin në emër të saj dhe mbi faljen në emër të saj. Tekefundit, si tërë romanet e deritanishme të Mira Meksit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË