Pyetësori “Librat e jetës sime”
Libri që po lexoj ndërkohë
– Në fakt, po rilexoj romanin “CING” të David Albaharit, një shkrimtar bashkëkohor me ndjeshmëri të pazakontë.
Libri që më ka ndryshuar jetën
– Ndoshta “Manastiri i Parmës”, roman të cilin e kam “lexuar” tinzash tim’ eti, kur sapo kisha mësuar shkrim e këndim, jo më shumë se pesë – gjashtë vjeç. Këtë përvojë dhe aventurë leximi e kam rrëfyer në librin “Në kërkim të fëmijës së humbur”. Ndoshta qysh atëherë, me naivitetin e pavetëdijen fëmijërore, kishte me lindë te unë ëndrra e shkrimtarit. Dy – tre vite më vonë, me t’i botuar vjershat e para, do ta quaja veten (me zë të lartë) shkrimtar. Kurse sot, pas pesëdhjetë vitesh dhe tridhjetë veprash të botuara, një pohim të tillë e bëj me zë të ulët.
Libri që do të doja të kisha lexuar
– Me siguri ndonjërin prej atyre librave të mrekullueshëm (ka gjithmonë të tillë), të shkruar bukur e ndershëm, që i ka shpëtuar vëmendjes së pavëmendshme të kritikës dhe bujës mediatike.
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia
– Janë tekstet e Kafkës dhe romani “Shkretëtira e tartarëve” i Buzzatit. Më mësuan se motivet për një Letërsi të vërtetë mund t’i gjesh edhe brenda vetes tënde, pa pasur nevojë të kërkosh jashtë e të bredhësh gjithandej.
Libri që më ndryshoi mendjen
– Nuk di ta përcaktoj një libër të tillë. Por janë disa libra, përgjatë viteve, që kanë tronditur bindjet dhe siguritë e mia.
Libri i fundit që më bëri të qaj
– Ndoshta romani “Ishulli i mundshëm” i shkrimtarit francez Michel Houellebecq. Pikërisht pjesa kur personazhit kryesor, me gjasë vetë autorit, ia vrasin qenin, mikun e tij më besnik.
Libri i fundit që më bëri të qesh
– Romani tragjik i një autori shqiptar, nderuar me çmim këto vitet e fundit.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende
– Janë dy – tre libra me poezi të botuar nga studentët e mi dhe që më janë dhuruar plot besim e mirënjohje. Kurse unë nuk kam gjetur kohën e duhur për t’i lexuar, ose i kam paragjykuar. Ky fakt më jep, herë – herë, një ndjesi të lehtë turpi e faji.
Librat që kam dhuruar
– Zakonisht nuk dhuroj libra. Por sugjeroj dhe jap. Domethënë, i jap librat me të drejtë kthimi. Studentëve dhe kolegëve të mi. Edhe pse kjo praktikë ka sjellë mungesën e jo pak titujve cilësorë në bibliotekën time. Porse tashmë jam vonë që të ndërroj mendje e sjellje.
Libri me të cilin dua të mbahem mend
– Ndoshta me romanin e fundit, “Gruaja që deshe”. Por druaj se në vëmendjen e lexuesit kanë për të mbetur libra të tillë, si: “Prostituta e virgjër”, “Nudo”, apo “Legjenda e vetmisë”.
Ku me e ditë?
Libri që me bën të ndihem mirë
– Nga librat e mi “Në kërkim të fëmijës së humbur”. Kurse nga Letërsia Botërore “Don Kishoti”, të cilin e rilexoj thuajse çdo verë.
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar
– Nuk di të veçoj një titull konkret. Por besoj se të tillë janë ata libra të mirë, që nuk e kanë aftësinë të bërtasin e të lypin vëmendje (si shumëçka bosh) por, në heshtje e me përunjtësi, presin fatin e tyre.