Nga Balasz Takac
Pavarësisht lindjes së modernizmit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, nuk ndodhi deri në dekadën e parë të shekullit XX që gratë të fillonin të emancipoheshin dhe të bëheshin më aktive në sferën publike. Pavarësisht mbizotërimit të dominancës mashkullore, prapë ishte më e thjeshtë për gratë që të zhvillonin karrierë në arte sesa në çdo fushë tjetër aktiviteti njerëzor, madje dhe praktikat artistike ishin të kushtëzuara nga klasat. Sidoqoftë, ka vetëm pak prej tyre në këtë periudhë të përmendur të cilat arritën të formojnë një karrierë solide apo madje të bëheshin tepër ndikuese. Ky ishte rasti me shkrimtaren dhe koleksionisten amerikane të artit, Gertrude Stein.
Pra, kjo grua e fortë ishte një pioniere letrare moderniste dhe një figurë udhëheqëse e qarqeve të artit të para Luftës së Parë Botërore në Paris. Stein themeloi një sallon, ku mblidheshin disa prej ithtarëve kryesorë të modernizmit si në letërsi dhe artet vizuale, si Ernest Hemingway, Pablo Picasso, F. Scott Fitzgerald, Sinclair Lewis dhe Henri Matisse. Moderniteti i saj ishte mishëruar jo vetëm prej angazhimit të saj me kohë të plotë në organizimin e sallonit dhe promovimit dhe koleksionimit të veprave të artit, por shprehej gjithashtu përmes shkrimit të saj radikalisht queer bazuar në orientimin e saj seksual.
Kundër patriarkatit
Nga viti 1893 deri më 1897 ikona moderniste Gertrude Stein fillimisht ndoqi Radcliffe College (aneks i mëparshëm i Harvard University) dhe ishte studente e psikologut William James. Përgjatë këtyre studimeve, ishte angazhuar në eksperimente rastesh studimore të cilat e bënë të themelonte një stil letrar kaq specifik i cili më vonë u përshkrua si rrjedha e ndërgjegjes, lidhur gjithashtu me autorët modernistë Virginia Woolf dhe James Joyce. Pavarësisht faktit se Stein nuk ishte fort e interesuar as në teorinë as në praktikimin e mjekësisë, në vitin 1897 filloi të ndiqte Johns Hopkins School of Medicine. Sidoqoftë, në vitin e saj të katërt, e irrituar nga hegjemonia mashkullore e gjithëpranishme, humbi interesin dhe braktisi studimet.
Stein ishte shumë e afërt me vëllain e saj Leo, dhe kështu vendosi ta ndiqte në Londër më 1902 dhe pastaj në Paris më 1903, meqenëse Leo shpresonte të ndiqte një karrierë në art. Të dy jetuan në një apartament me dy kate në 27 Rue de Fleurus pranë Kopshtit të Luksemburgut në Bregun e Majtë të Parisit deri më 1914, dhe këtu themeluan sallonin që vizitohej nga artistë dhe shkrimtarë të ndryshëm të rëndësishëm të asaj kohe. Kështu Gertrude dhe Leo filluan të koleksiononin vepra arti dhe madje inkurajuan vëllain e tyre Michael dhe gruan e tij Sarah, të cilët gjithashtu jetonin në Paris atëherë, që të bënin të njëjtën gjë.
Formimi i koleksionit të artit
Mbledhjet në shtëpinë Stein ndodhnin të shtunave, kështu që Gertrude mund të shkruante pa u ndërprerë nga vizitorët. Ishte partnerja e saj Alice B. Toklas e cila u bë mikpritësja për gratë apo dashnoret e artistëve që vizitonin, pasi Gertrude i takonte burrat në një dhomë të veçantë. Pra, më 1907, Stein u takua dhe ra në dashuri me Alice-n dhe tre vjet më vonë ajo u shpërngul në shtëpinë e Stein në 27 Rue de Fleurus; Toklas sillej si dashnorja e Stein-it, kuzhinierja, sekretarja, muza, redaktorja, kritikja, dhe organizatorja e përgjithshme.
Gertrude deklaroi se sallonet e të shtunave mbrëma filluan falë Matisse, pasi njerëzit vinin te shtëpia për të parë pikturat e tij dhe të Cézanne-it. Ernest Hemingway ishte shpesh pjesëmarrës në sallonin e Stein-it, dhe megjithëse e shihte Stein si mentore, me kalimin e kohës u ndanë.
Dhoma e përdorur si galeri ishte arreduar me mobilie të periudhës së Rilindjes dhe pikturat ishin pozicionuar në radhë përgjatë mureve; hapësira fillimisht ishte ndriçuar me flakë gazi dhe pak pas Luftës së Parë Botërore kaluan në ndriçim elektrik. Leo Stein ishte ai që vizitonte shpesh ekspozitat, takonte artistët dhe fliste me kritikët, dhe kështu u rritën pronat e Stein-ëve. Shumë shpesh, koleksionuesi i ri konsultohej me historianin e famshëm dhe vetë koleksionuesin e artit Bernard Berenson dhe ai i prezantoi Stein-ët me Paul Cézanne dhe tregtarin Ambroise Vollard më 1902.
Gertrude dhe Leo Stein filluan të koleksiononin më 1904 pasi vëllai i tyre Michael Stein deklaroi se fondi i tyre vlente 8000 franga – mes pikturave të para që blenë ishin Bathers të Cézanne-it, Sunflowers dhe Three Tahitians të Gauguin-it dhe dy vepra të Renoir-it. Deri më 1906 Stein-ët zotëronin piktura të shumta nga Henri de Toulouse-Lautrec, Pierre Bonnard, Paul Cézanne, Pierre-Auguste Renoir, Honoré Daumier, Henri Matisse, Pablo Picasso dhe Henri Manguinand.
Nga ana tjetër, vëllai i madh Michael dhe kunata Sarah blenë një numër të madh pikturash të Henri Matisse, ndërkohë që Claribel dhe Etta Cone, miqtë e Gertrude-s nga Baltimore koleksionin gjithashtu, dhe rrjedhimisht ia dhuruan koleksionin Baltimore Museum of Art.
Në mes të Luftës së Parë Botërore, Leo u shpërngul në Settignano, pranë Firences në Itali, dhe koleksioni i artit u nda; ai mori gjashtëmbëdhjetë piktura të Renoir-it dhe skicën e portretit të tij nga Picasso, dhe i la motrës së tij pikturat e Picasso-s dhe shumicën e pikturave të Matisse-it. Megjithëse Leo pëlqente Cézanne-in, mori vetëm pikturën e Cézanne-it me 5 mollë. Motra e vëllai u ndanë me grindje dhe të dy u takuan shkurtimisht në rrugë në Paris pas Luftës së Parë Botërore dhe nuk i folën më kurrë njëri-tjetrit. Gjithsesi, pas ndarjes së madhe, Gertrude vazhdoi të koleksiononte artin e Picasso-s, i cili ishte shndërruar në kubist, një stil të cilin Leo nuk e kishte qejf. Pasi ajo ndërroi jetë, koleksioni i mbetur përmbante më së shumti piktura të Juan Gris dhe Pablo Picasso-s.
Trashëgimia e Gertrude Stein
Përveçse ishte koleksionuese e zjarrtë dhe mbështetëse e arteve, Gerture Stein i përkiste gjeneratës së parë të individëve të cilët jetonin haptazi homoseksualë. Shkrimtarja eksploroi temën e seksualitetit përmes shkrimeve të saj; për shembull, eseja e Stein-it Miss Furr and Miss Skene ishte ndër të parat histori me zbulime homoseksuale që botohej, ndërkohë që vepra Quod Erat Demonstrandum ishte historia e daljes hapur bazuar në përfshirjen në rritje të Stein-it me komunitetin homoseksual, megjithëse bazohet në partneritetin lezbik mes Maud Hunt Squire dhe Ethel Mars.
Në mes të viteve 1930, Stein mbërriti në Amerikë pas tri dekadash mungesë dhe u mirëprit si personazh i famshëm. U shfaq në kopertina revistash dhe shkoi në një tur gjashtëmujor nëpër Amerikë; Stein u soll si një oratore efektive me aftësi për të mbajtur një nivel të lartë vëmendjeje nga dëgjuesit. Gjatë asaj periudhe, pinte çaj me Zonjën e Parë Eleanor Roosevelt dhe ishte takuar me aktorin dhe regjisorin Charlie Chaplin.
Sidoqoftë, pavarësisht faktit se e vlerësonte haptazi të qenët queer, dhe kështu individualiteti i saj publik solli emancipim në njëfarë niveli, Stein përkrahu disa ide të diskutueshme të cilat mund të lidhen me krahun e djathtë, dhe e bënë një figurë paksa problematike. Domethënë, përgjatë viteve 1930 ishte kundër ligjeve të emigrimit në Amerikë, madje dhe përshëndeti gjeneralin Francisco Franco gjatë Luftës Civile në Spanjë, dhe admironte udhëheqësin e Vichy-t mareshal Philippe Pétain. Qëndrimet e saj politike u bënë dhe më të dyzuara pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se praktikisht mbështeste qeverinë Vichy dhe jetonte në Parisin e pushtuar pavarësisht se ishte hebreje dhe queer. Përshtypja ishte se ishte bërë qëllimisht kolaboracioniste për shkak të mbrojtjes që i ofrohej nga zyrtari i fuqishëm i qeverisë Vichy, Bernard Faÿ. Stein e kishte takuar Faÿ-n më 1926, dhe u bën miq të ngushtë; Faÿ ishte përthyesi kryesor i veprës së saj në frëngjisht dhe e ndihmoi më 1933-1934 të organizonte turin amerikan të librit The Autobiography of Alice B. Toklas. Kjo do të thotë se Faÿ bënte më të mirën që ta mbronte Stein-in, Toklas-in si dhe koleksionin e rëndësishëm historik e thelbësor të veprave të artit. Megjithëse Stein e dënoi publikisht sulmin ndaj japonezëve në Pearl Harbor, nuk e ndau kurrë opinionin e saj për faktin se Hiteli ishte pushtuesi i Europës.
Përgjatë dekadave, figura historike e Gertrude Stein u përfaqësua në disa vepra artistike. Për shembull, melodia e famshme e Bosom Buddies nga muzikali i Broadway MAME më 1966 bazuar në dramën Auntie Mame ishte frymëzuar nga Stein dhe Toklas. Stein i shtohet listës së artistëve në muzikalin e famshëm të Broadway Rent me këngën La Vie Boheme.
Skenaristi/aktori Jade Esteban Estrada e portretizoi Stein-in në muzikalin solo ICONS: The Lesbian and Gay History of the World, Vol. 1 në Princeton University më 2005, ndërsa vitin e ardhshëm regjisori/aktori i teatrit Luiz Pwetow gjithashtu krijoi solon e tij, Plays, duke portretizuar leksionin homonim të Stein-it më 1934. Vitet e fundit Stein u portretizua në filmin e Woody Allen Midnight in Paris më 2011, dhe individualiteti i saj u paraqit në sezonin e vitit 2018 të serialit Genius i cili fokusohej në jetën dhe karrierën e Pablo Picasso-s. Më 2014, kompozitori Ricky Ian Gordon dhe libretisti Royce Varvrek shfaqën një opera të quajtur 27 për Stein-in dhe Toklas-in, ndërkohë më 2017 drama e Edward Einhorn The Marriage of Alice B. Toklas by Gertrude Stein u shfaq te HERE Arts Center në Nju-Jork.
Marrë nga revista WideWalls
Përktheu Enxhi Hudhri