More
    KreuHistoriPanoramë e historisë së shqiptarëve midis Mesjetës dhe Kohës së...

    Panoramë e historisë së shqiptarëve midis Mesjetës dhe Kohës së Re

    Artan R. Hoxha, Ph.D. Qendra për Studimet dhe Publikimet për Arbëreshët

    Në mesin e shekullit XVII, diku rreth vitit 1657, Blez Paskal i kërkoi falje një mikut të tij për një letër të gjatë që i dërgoi, duke iu shfajësuar se nuk kishte kohë t’i shkruante shkurt. Ky citat i bujshëm, i cili tregon shkoqur se gjatësia e një vepre fare lehtësisht mund të dëshmojë paqartësinë e argumentit dhe pamundësinë e autorit për të sintetizuar gjetjet empirike mu kujtua teksa lexoja studimin “Árbërit e Jonit: Vlora, Delvina e Janina në shek. XV – XVIII” të profesor Pëllumb Xhufit. Në 1400 faqet e këtij punimi masiv shikon se përmasat e punimit, jo vetëm nuk janë në raport të zhdrejtë me qartësinë e argumentit, por në këtë testament të karrierës së tij akademike, profesor Xhufi ka arritur të hedhi poshtë vlefshmërinë e citatit të Paskalit. Argumenti, ashtu si filli i Arjanës udhëheq qartazi lexuesin nëpër faqet e shumta të këtij studimi monumental, përbën një arritje të rëndësishme të historiografisë post-komuniste shqiptare.

    Duke ndjekur traditën e Shkollës së Analeve, profesor Xhufi ka bërë përpjekjen e parë në historiografinë tonë për të shkruar një histori totale, e cila analizon njëherazi jetën ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore. Në këtë mënyrë, “Àrbërit e Jonit” rindërton në mënyrë të plotë panoramën e historisë së shqiptarëve në periudhën kalimtare midis Mesjetës dhe Kohës së Re. Ky studim vendos në lupën e tij atë pjesë të hapësirës arbërore që ndodhej në kryqëzimin midis botës osmane, greke dhe latine në shekujt XV – XVIII. Bëhet fjalë për krahinat e Labërisë dhe Çamërisë, të cilat, profesor Xhufi nuk i sheh si njësi të mbyllura dhe të vetëmjaftueshme, por thellësisht të integruara në botën mesdhetare të kohës. Ky përfundim, i mbështetur nga një lëndë e pasur arkivore dëshmon se sa i pavërtetë ishte pohimi i një udhëtari perëndimor në oborrin e Ali Pashës, i cili pasi pa dy luftëtarë dibranë arriti në përfundimin se kishte pjesë në Europë që ishin po aq të panjohura sa edhe viset e thella të Afrikës. Ashtu siç edhe dëshmon “Árbërit e Jonit”, pohime të tilla ishin thellësisht orientaliste dhe nuk i përgjigjeshin të vërtetës.

    Profesor Xhufi, argumenton se viset joniane të Arbërit, nuk ishin thjesht dhe vetëm një zonë tensionesh në një konflikt imagjinar midis Lindjes dhe Perëndimit. Duke e komplikuar ndjeshëm peizazhin historik, ai dëshmon se stereja shqiptare ishte një arenë rivaliteti ndërmjet fuqive perëndimore, të cilat haheshin për epërsi dhe kontroll të burimeve ekonomike, natyrore dhe njerëzore të këtyre trevave. Përpos kësaj, shqiptarët, nga ana e tyre, nuk ishin aktorë pasivë por pjesëmarrës aktivë në lojën e madhe të qendrave të ndryshme perandorake. Arbëria e poshtme nuk ishte një kufi problematik i mbarsur me konflikte, por ishte mbi të gjitha një urë e rëndësishme komunikimesh dhe shkëmbimesh të pandërprera ndërmjet popullsive vendase dhe e një morie agjentësh dhe forcash historike. Prej këtej, deti Jon nuk është një hendek ndarës, por një urë e fuqishme lidhëse, që vendos kontakte të dendura ndërmjet viseve arbërore dhe pjesëve të tjera të botës mesdhetare, sidomos hapësirën greke dhe atë italike.       

    Si zonë kufitare, viset arbërore të Jonit luanin, në kuptimin që i jep sociologu amerikan Imanuel Vallershtajni, rolin e periferisë për qendrat perandorake. Përpos krijimit të një historie totale, përdorimi i modelit të raporteve midis qendrës me periferinë si skemë shpjeguese për historinë e shqiptarëve në kohën e sundimit osman është në mendimin tim, kontributi tjetër mjaft i rëndësishëm i këtij studimi. Ndryshe nga Vallershtajni, i cili përdor teorinë marksiste si themel të modelit të tij analitik, profesor Xhufi nuk e mbështet argumentin e tij ekskluzivisht mbi faktorët ekonomikë, por merr në konsideratë edhe ndryshore të tjera materialë, sidomos ato gjeostrategjike, që lidhen ngushtësisht me imperativat e sigurisë. Prej këtej, “Árbërit e Jonit” shërben si një lakmus ku duke u përqendruar në një hapësirë të përkufizuar qartë, teston dhe ndreq teori të shpjegimit të dinamikave historike në shkallë makro. Në këtë mënyrë, ky studim integron analizën e historisë së shqiptarëve në fushën e debatit të sotëm teorik.

    Brenda koniunkturës së rivaliteteve dhe ndërshkëmbimeve midis qendrave të ndryshme perandorake të Mesdheut të fillimit të epokës moderne, trevat arbërore Lbërisë dhe Çamërisë luanin një rol specifik dhe mjaft të rëndësishëm. Ato shërbenin si furnizuesit kryesor me drithëra për Korfuzin venecian; krahinat e Arbërisë joniane ishin burim i rëndësishëm të ardhurash për Portën e Lartë, por njëkohësisht edhe një rezervuar jashtëzakonisht i rëndësishëm luftëtarësh për të gjitha shtetet që vepronin në arealin adriatiko-jonian. Profesor Xhufi tregon se shtetet që dominuan Mesdheun në shekujt XV – XVIII u caktuan shqiptarëve rolin e mbajtësve të shpatës. Shqiptarët do të merrnin pjesë në të gjitha fushëbetejat dhe konfliktet ku Perandoria Osmane, Republika e Venecias dhe Mbretëria e Napolit ishin të përfshira. Madje, profesor Xhufi argumenton se edhe kultura tejet luftarake e malësive shqiptare, qoftë në jug dhe veri të vendit u farkëtua brenda kontekstit historik të Mesjetës së Vonë dhe fazës së parë të erës moderne. Për rrjedhim, kultura marciale e malësive shqiptare nuk ishte rezultat i ndonjë tipari endogjen, por ishte rezultat i ndërlidhjes së popullsive arbërore me botën mesdhetare. Shqiptarëve, në njëfarë mënyrë, iu caktua shpata. Por argumenton profesor Xhufi, sa herë që kishin mundësi të zgjidhnin, shqiptarët thuajse gjithmonë parapëlqenin plugun. Mes punës dhe luftës, shqiptarët zgjidhnin të parën.

    Kjo hapje me botën dhe ndërlidhja me të, detyrimisht që i bënte shqiptarët të vetëdijshëm për identitetin e tyre. Këtu, vjen edhe kontributi i tretë kryesor i studimit “Árbërit e Jonit”, që ka të bëjë me zhvillimin e kombit. Profesor Xhufi e ka bërë të ditur botërisht pozicionin e tij ideologjik si ithtar i nacionalizmit shqiptar dhe ashtu siç e përmenda më sipër, ky punim është testament i një patriotizmi të ndjerë nga ana e tij. Shumëkush mund të ngrejë hije dyshimi mbi kufirin e padukshëm që ndan studiuesin nga ideologu, apo pozitën e neutralitetit nga ajo e partizanit të një kauze. Por zhvillimi i dijeve shoqërore nuk është edhe aq rezultat i neutralitetit, i cili mbetet një ideal i paarritshëm. Janë premisat ideologjike dhe vetëdija mbi pozicionimin në spektrin e fushës së ideve ato që në fund të ditës ndihmojnë debatin e përgjithshëm. Ndërsa nuk mohohet roli i racionalitetit dhe i objektivitetit, do të ishte absurde të mendohej sikur studiuesit veprojnë në një vakum ideologjik, që i mban ata neutral ndaj njëanshmërive. Në të vërtetë, nëse studiuesi do të vendosej në një boshllëk të tillë, larg ndikimeve të ideve të kohës, atëherë ai/ajo nuk do të ishte në gjendje që të prodhonte dije, e cila në vend që të jetë e shkëputur është në të vërtetë, rezultat i debateve të kohës ku jetojmë.

    Në këtë kuptim, edhe pse në mënyrë të tërthortë dhe mes rreshtash, profesor Xhufi ndërhyn në debatin mbi nacionalizmin. Përmes qëmtimit të dokumentacionit dhe perspektivës unike që jep historia e periferive, përvoja e të cilave jo gjithmonë përputhet me atë të qendrave politike, teknologjike, ekonomike dhe kulturore, libri “Árbërit e Jonit” ngre pikëpyetje mbi tezat dominuese, që e shohin kombin si produkt ekskluziv të modernitetit. E këtu, profesor Xhufi nuk është i pari studiues ballkanas që ngre dyshime mbi aplikueshmërinë e skemave të zhvillimit të nacionalizmit, të frymëzuara nga modeli europiano-veriperëndimor, në makrorajone të tjera të Europës. Pikëpyetje mbi kronologjinë e zhvillimit të nacionalizmit kanë ngritur vitet e fundit edhe historianet e mirënjohura bullgare Maria Todorova dhe Thedhora Dragustinova.

    Përmes një qasje jo dogmatike, profesor Xhufi nuk e sheh kombin si një bashkësi të përfytyruar e të krijuar nga alfabetizimi apo teknologjitë e komunikimit dhe transportit, apo një konstrukt ideologjik borgjez që i përgjigjet nevojës së krijimit të një tregu të unifikuar. Ballafaqimi me të “Tjerët” dhe hapja me botën, lidhur kjo edhe më pozicionin në një udhëkryq të rëndësishëm ku takoheshin Katolicizmi, Ortodoksia dhe Islami, ku popullsitë vendase hynin në kontakt të vazhdueshëm me njerëz të feve, gjuhëve dhe prejardhjeve të ndryshme sendërtoi idenë e një bashkësie e cila, përtej konflikteve të vazhdueshme të brendshme kishte të ngulitur edhe një identitet primordial zanafilla e të cilit nuk ishte thjesht dhe krejt moderne. Në fakt, profesor Xhufi flet për shumë Arbëri, një arkipelag Arbërish, të cilat formojnë një tërësi të përbërë nga lokalite me tipare të veçanta, të hapura në mënyra të ndryshme ndaj botës dhe me orientime kulturore specifike. Nga ana tjetër kjo larushi Arbërish nuk prish idenë e tërësisë, e cila, në kushtet e një shoqërie paramoderne nuk është e lidhur fort sipas formatit të kombit modern. Rëndësia e ndërhyrjes që sjell studimi voluminoz i profesor Xhufit qëndron pikërisht te ngritja e pikëpyetjeve dhe filtrimi i skemave teorike që përdorin studiuesit shqiptarë në punët e tyre. Akademia kërkon të vërtetën duke dyshuar dhe jo përmes zbatimit të verbër të modeleve analitike të krijuara mbi përvoja historike që nuk i përputhen asaj shqiptare. Është pikërisht këtu, në këtë pikë që dijetarët shqiptarë mund të kontribuojmë në debatin e përgjithshëm akademik dhe intelektual të kohës tonë: ne mund të testojmë vlefshmërinë e teorive, gjë që nuk bëhet në mënyrë doktrinore. E për këtë, vepra monumentale “Árbërit e Jonit” ofron shembullin më të mirë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË