More
    KreuLetërsiBotime të rejaOnur Caymaz: Të gjithë lexuesit e mi shqiptarë i kam kushërinj të...

    Onur Caymaz: Të gjithë lexuesit e mi shqiptarë i kam kushërinj të largët

    LETËR E AUTORIT ONUR CAYMAZ, DREJTUAR BOTUESIT TË TIJ XHEVAIR LLESHI (UEGEN):

    Si fëmijë, në shtëpi, veç turqishtes, herë pas here, gjyshja dhe nëndaja ime flisnin edhe një gjuhë tjetër. Ndonjë fshehtësi, thashetheme ose gjëra që me gjasë unë s’duhej t’i dëgjoja…Çuditesha, mundohesha të kuptoja. Tani asnjëra prej tyre nuk është gjallë. Çuditesha shumë! Midis fjalëve të tyre zgjateshin përtej pjergulla rrushi, piqeshin petulla, pastaj përgatitej kos me hudhra: Shqipja… Gjuha e vendit ku qenë lëruar rrënjët e mia, toka ime.
    Kthesat e bukura të shqipes, pjerrinat e mrekullueshme, vajzat e bukura faqekuqe, burrat e pashëm me duar gjigante, i pata ndjerë përsëri, shumë më vonë, në Durrës, me rastin e festivalit poetik Festivali Poeteka, të organizuar nga Arian Leka, me miqtë poetë në Berat, ose në një bar në Tiranë me Albana Kozeli, përkthyesen e poezive të mia, dhe gjithë duke e shtrydhur fort kujtesën, e pata vënë re, se në fakt e kuptoja pak a shumë këtë gjuhë të lashtë të Evropës, madje edhe mund ta flisja qoftë edhe një grimë.
    Kur iu vura kërkimit të origjinës, pemës familjare, e kuptova se jo vetëm im atë, por edhe ime më kishte prejardhje nga Shqiperia, nga Leksoviku. Edhe poetët më të mëdhenj të turqishtes time kanë qenë bashkëvendasit e mi: Memet Akif Ersoji, i cili shkroi marshin e pavarësisë dhe Shemsedin Samiu, autori i romanit të parë turk.
    Kurse kjo është një gjë krejt e re: Arbana Rexhepi e njoha para një viti, falë një e-maili që ajo më dërgoi. Më shkruante se sa shumë i pëlqente shkrimet e mia. Sa mirë që e fliste turqishten. E këtillë është jeta, e çuditshme, me kësolloj pikëtakimesh të çuditshme. Më pas, Arbana përktheu një tregim timin që u botua në revistën letrare illz – Revistë letrare e Tiranës. “Po sikur të përpilojmë një libër”, tha, kur i erdhi dita: “ E gjej unë shtëpinë botuese”…Një pikëtakim tjetër: Xhevair Lleshi dhe familja e Uegen Shtepia Botuese. E si mund ta harroj shkrimin tërë mirësjellje që zotëri Xhevahiri shkroi në fund të librit.
    Tanimë zëri im tjetër, mbetur nga shumë larg, nga paraardhësit e mi, takohet me lexuesit e mi shqiptarë, pra, me kushërinjtë e mi të rinj të largët. Të gjithë lexuesit e mi i kam kushërinjë të largët; kurse të shkruash është ta sfidosh vdekjen. Atëhetë, le t’i mbjellim farat edhe një herë, në një gjuhë tjetër; bashkë, të gjithë së bashku. E di, shpirtërat tanë paskëshin qenë të pavdekshëm…Tregimet e mia janë tani me ty, përshëndetje, shqipja ime e bukur. Me gotën në dorë, përshëndetje! Gëzuar!
    8 qershor 2020

    O. CAYMAZ Dashuria asgjë

    TREGIME SI FLIRTE TË PABESUESHME

    nga Xhevair Lleshi

    Onur Caymaz, shkrimtar i ri turk me origjinë shqiptare. Një libër me tregime: «Dashuria, asgjë…»Përkthyer nga e talentuara Arbana Rexhepi (Shkup). Një libër që rrjedh ëndshëm. E sheh nga larg: si njolla në telajo, hije, por gjithçka galduese. Ende dëgjon në veshë buçimë zërash, dridhje të lehta, shpërthime, gudulisje, britma, të qeshura… Në vetminë tënde vinin përqark hijet e personazheve. Mungonte vetëm mikrofoni pranë gojës dhe pastaj ato mërmërimat e zakonshme të jetës së përditshme, të rrethon një dashuri ndryshe, që pluhuron dhe bëhet… asgjë, me skenat e një filmi të harruar po edhe këta nuk mjaftojnë. Se fjala kthehet në mit. Dhe lëvizin në mënyrë jo skematike njerëz, plaçka, kollitje, mure, trupa kokallë, dhimbje të thella, bukuri që të lënë pa mend dhe përplot frymë poetike. Pse pak ju duket qoftë edhe kjo frymë, në metafora që shndrisin dhe të krijojnë gjendje të forta emocionale, njerëz të çuditshëm si në rrëfenjat e lashta që zbresin në tokë e nuk të lënë as të mbushesh mirë me frymë, ndoshta edhe të shtyjnë me forcë drejt korridoreve të tjera të fjalës së bukur e të mençur me prerje të forta e në flirte të pabesueshme. Herë-herë pranë teje dikush që frymëzon, një tjetër që jep shpirt dhe të kërkon ndihmë, të tjerë, të pashpirt sigurisht, të belbëzojnë mençuri tronditëse në çastet e fundit…

    Tregimet e Onur Caymaz-it janë meditime të holla e të thella psikologjike, gjendje të forta e kapitëse. Të shoqëruara nga mendime të holla, duke ecur gjithnjë në teh të thikës, në një shprehje që të frymëzon e të krijon gjendje. Të duket se ti mbreh «kaun e arës» dhe e ndihmon atë, meqë është në gjendje të vajtueshme, për ta punuar vetë atë, nganjëherë të hysh në lëkurën e personazhit që mendon e mendon pa fund rreth ndarjes me njeriun që do, që, i divorcuar, kthehet mbrapsht dhe ecën para, këmbëngul më kot, lodhet pa fund, bërtet e s’ dëgjohet askund… Njerëzit janë dhe nuk janë kudo. Të mbyt duhma e tyre e përvuajtur, një zjarr që s’të ngroh, po edhe këndellesh nga pak kur mendon se sheh diçka që të shëmbëllen si zjarr. Veç kudo gëlojnë nëpër dritë po edhe në errësirë, më fort si hije nëpër mure, po prapëseprapë të mbetet të thuash se janë të lumtur që ndihen të lirë. Le të jetë ndjesi e largët. Personazhe të vërtetë e të gënjeshtërt që të afrohen e të pëshpëritin, ku edhe i merreshin vesh edhe jo mendimet, ku bëjnë atë që u thonë dhe nuk thonë kurrë atë që bëjnë, ku fryn gjithnjë briza e hollë e mendimit. Vijnë dhe ikin. Hyjnë dhe dalin. Veç gjithnjë frymojnë, i presin «drutë» shkurt…

    Të gjitha tregimet kanë një frymë emocionuese e përplot art. Të mjerët njerëz, ndonëse të shoqërojnë me humor dhe tregohen të guximshëm, të nxjerrin jashtë nga binarët, zhduken e duken menjëherë, s’dinë ku ta çojnë tërë atë bukuri, zgjuarsi e mirësi, kurse herë të tjera thyejnë keq veten, tallen, shfryjnë, këndojnë, hedhin valle, ndrydhen, turpërohen, ndukin mustaqet a fërkojnë mjekrën, me një fjalë s’dinë ç’bëjnë. Ata, personazhet e Onur Caymaz-it e ndjekin plumbin, nuk harrojnë kurrë, e gjejnë të vërtetën, bashkëjetojnë me gjendjen e rëndë, janë gati të vetëvriten, po kush i beson? I beson thua ai (ajo) që tallet me ta (to)? Duket sikur diku fjalët shkurtohen, prishen gjendjet mendore, madje sikur i përmbyt shkallimi, nuk e lënë të kaluarën dhe sikur e mbajnë më pranë se s’duhet, nuk e nxjerrin dot qimen nga qulli, që shohin përpara dhe nuk lejojnë mendim tjetër të pipëtijë. Sigurisht ka prej tyre që tregohen fanatikë, ekstremistë, që s’pyesin për njeriun, as për ide, që e kanë lidhur pronën me shpirtin, që munden e fitojnë, që të betuar për kauzën luftojnë, që e shohin veten edhe si mostër po edhe si engjëj, të humbur e të shuar, që shohin larg, dëgjojnë dhe reflektojnë gjersa vjen gjithnjë një ditë dhe kuptojnë të vërtetën e thjeshtë, se bëhen të famshëm edhe të rrethuar nga gjërat e thjeshta e të vogla, sikur rrojnë dhe nuk rrojnë, që nuk i tremben asgjëje, se e pranojnë dënimin, ndërsa të tjerë të mjerë gjer në thelb rronte me frikën e imët të dënimit përditë. E vërtetë: këta personazhe të kohës dalin nga apartamentet apo dhomat e hotelit siç dilnin dikur nga kasollet andej nga skërkat e Anadollit dhe vijnë e përplasen në Stamboll, në metropol.

    Dhe përmes mendimit të tyre gërryes ti sheh gjendjen e vërtetë psikologjike edhe në përshkrimin e perëndimit e diellit apo lindjen e tij. Duket sikur nën rreshta të thonë se ndihen mirë në qendër dhe i gëzohen pijes së fshehtë në periferi. Gjithçka e thjeshtë dhe me një humor të fshehtë (por jo tallës) vjen dhe rri pranë teje në shitoret e mrekullueshme të Pazarit të Vjetër, po edhe në një hotel luksoz, aq pranë, kur dielli shkon e mbytet në det. Dhe lexuesi mbyll në dorën e ashpër atë që i mungon shumë. E ndjen se makuti është aty dhe të pëshpërit ndërsa ti ia dallon frikën. Se ti natyrisht që je më i fuqishëm, ke më shumë zemër e dashuri. Dikush prej tyre hap dorën, këqyr një grimë vajzën moderne por krejt të vetmuar, që bëjnë përshtypje, që i bie në sy halli te zbehtësia e fytyrës dhe po aq te mungesa e oreksit, te shenja për të dalë. Atje shikon diellin e madh të korrikut teksa nxjerr syrin befas nga një hapësirë përmbytur nga mjegullnaja e qumshtët apo kur humbet krejt në det. Vajza godet vetëm me shpirt dhe, befas dëgjohen thirrje histerie, këngë, valët e një furie dalldisëse, madje duket se rretheqark saj njerëzia kishin pirë me grushte eliksir dashurie. Dhe mos harroni asnjëherë: në dhomë apo kudo të jesh bredhin hijet nëpër mure dhe bëjnë zjarr të fshehtë që buron me siguri nga shpirti i dikujt.

    Duket se çdo gjë në këto tregime është pagëzim pa foshnje. A e shikoni gjëkund foshnjën e lirisë së munguar? Jo, sepse kjo është një imagjinatë. Dhe kurdoherë luhet me fjalët, me fjalinë e shkurtër, me aforizmin dhe një deduksion e mbledhur grusht. Aty-aty bëhet gjak po befas kjo nuk ndodh, me një të papritur të këndshme, diku tjetër lidhet një marrëveshje e heshtur apo diç fshihet pas kulisave. Shumë më vonë renditen dhe dalin faktet, po rrugën e lirisë e sheh të sakatuar dhe të vështirë. Dhe ta besosh që njerëzit ia kanë mbushur mendjen vetes se ndihen të lirë. Ka plot situata rrëqethëse, aq sa të duket se ke aq pranë personazhe të tragjedisë. Personazhe që duket se e kanë hedhur pas krahëve, me tallje e përqeshje, të djeshmen dhe i ndruhen të sotmes duke përcjellë me hap funebër të kaluarën. Po e ardhmja? Ku është fshehur? Ku bëhet e ardhmja?…

    Duke lexuar ti thua se kemi aq shumë ngjashmëri aq se mendon se kemi të bëjmë me recidive, se kjo është spiralja e jetës, herë-herë edhe e lirë, që shfaqet përdhunshëm dhe se ashtu përhumbshëm bëhet edhe mbjellëse e një doktrine të largët e me thellësi shpirti. Një herë tjetër mendon se personazhet janë të zgjedhur, se vënë dhe heqin paruke, se bëhen papritur aq të ngjitur, se i ngjajnë dikujt që është pranë teje, përditshëm, kur situatat komike i kthen në tragjike, natyrisht që dalin nga manteli që i hapen paksa monumentit te sheshi i madh. Të duket se këlyshët do të bëhen qenë e duke u kacafytur për fron dhe ky fron është pranë teje i kredhur në gjak. Populli ecën në rrugë në çdo situatë, ndizet, fle, punon, heshtet, këndon dhe gjithë i përfytyruar, i kudondodhur, i palodhshëm, me besimin e verbër që të çon në skllavëri, populli që përdoret i ndarë dhe që frymon kurdoherë bashkë, i tërhequr ngadalë në skaje të vështira ku ndihet dhe duket përplasja, ku forca që do të pjellë të mirën dhe të keqen dhe ndërkaq liria herë fshihet dhe herë degjeneron prej frikës dhe terrorit. Kështu e shoh të përshkruar situatën në gjendjen e një personazhi të Caymaz-it se ç’do të vijë nesër e pasnesër, duke rrjedhur bashkë me ujërat e smeraldtë të shpirtrave të vetmuar e të braktisur, te Thjeshtra apo te Vajza, apo tek modeli që dashuron dhe i kthehet e gjitha në një Asgjë të madhe teksa diku tjetër profetizohet kalvari që heq e vuan njeriu i shkretë. Këtyre njerëzve duket se u ka ardhur fatura e nderit dhe ata s’kanë rrugë tjetër veçse ta paguajnë. Janë pikërisht ata që shërbehen dhe kërkojnë falje, që tërhiqen, të paktën për një çast, që ndërtojnë edhe një histori biblike, një histori me një plak, një profet, që vjen i pari, që do dhe kërkon me një magji të pashoqe diçka se e ka lënë e dashura dikur. Jo, duhet të dashurosh përsëri. Dhe i vjen ndërmend se kështu fiton jetën dyfish dhe më i plotësuar…

    Dhe e ke përherë pranë mentalitetin e heronjve të tregimeve. Aty është mendimi edhe i liderit dhe edhe i asaj që me pa të drejtë këtillohet si fundërrinë. Nga ky duhet pasur frikë. Dëgjoni: në Greqinë e lashtë, në Athinë… Por le ta lëmë më mirë, se po t’i ktheheshim lashtësisë do humbiste edhe e djeshmja edhe e sotmja dhe s’do gjenim vend për të ardhmen…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË