Fëmijët janë të predispozuar natyrshëm ndaj të tjerëve. Por, duke qenë të hapur e me veshët ngrehur ndaj mesazheve të të rriturve, ata bëhen aktorë ose viktima të tërthorta të paragjykimeve. Ose viktima të drejtpërdrejta, sepse u përkasin grupeve etnike të ndryshme nga tonat.
Në këtë libër, shkruar nga shkrimtari siriano-gjerman Rafik Schami, rolet kanë ndryshuar.
Jemi mësuar që në librat për fëmijë të gjejmë personazhe të rritur që u mësojnë të vegjëlve të kapërcejnë çdo vështirësi, përfshirë edhe frikën.
Kurse te Babai im nuk ka më frike nga të huajt, personazhi kryesor, Rebeka, është ajo që e ndihmon të atin të kapërcejë frikën, në një mënyrë shumë të thjeshtë, siç na e tregon vetë. Ajo është vajzë shumë e zgjuar, që zbulon e befasuar se babai i saj ia shtrëngon dorën fort, kur ecin në rrugë dhe pranë u kalon një burrë me ngjyrë.
Ai i quan të huajt, të pisët, vulgarë, të pashkollë! Rebeka nuk mund ta besojë! Por nga ana tjetër, babai është heroi i saj: i fortë, i zgjuar, i dashur, i zoti, madje edhe magjistari më i mirë në botë. Dy anë që nuk shkojnë.
Zgjidhja vjen kur Banja, shoqja e saj e ngushtë nga Tanzania, e fton në shtëpi për ditëlindjen e saj.
Aty ndodhin gjëra shumë të bukura, fëmijët zbaviten shumë, babai i Rebekës, i ftuar i nderit, gjithashtu!
Kjo histori e thjeshtë, e treguar nga një vajzë e vogël, është një mësim se si duhet të hapim mendjen ndaj kulturave të reja, ndaj njerëzve të rinj, të cilët, megjithëse të ndryshëm nga ne në pamjen e jashtme, në besimet apo zakonet e tyre, janë njerëz me të njëjtat ndjenja si ne dhe se miqësia e tyre mund të jetë një mënyrë për të pasuruar jetën tonë dhe jo një pengesë.
Është një libër magjepsës, ironik, argëtues dhe i thellë. Ilustrimet e Olé Könnecke, ilustruesit gjerman mjaft të njohur, tashmë i përkushtuar për letërsinë për fëmijë, plotësojnë me mjeshtëri rrëfimin. Vizatimet kanë një linjë të thjeshtë, ngjyra të qeta dhe shumë ekspresivitet, si për lëvizjet ashtu edhe për ngjyrosjen e tyre.
Është një libër për t’u lexuar me familjen. I përshtatshëm edhe për fëmijët më të vegjël.
Mund të përdoret edhe në shkollë. Ai ofron ushqim për të menduar mbi frikën nga të ndryshmet.
Dhe çfarë mund të jetë më e vlefshme për të mposhtur frikën sesa kultura dhe njohuria?
Dhe mundësia për të folur qetësisht dhe natyrshëm për emocionet që nxjerrin në pah disa çështje?
Në këtë libër askush nuk ndihet i gjykuar dhe askush nuk gjykon.
Thjesht tregohet me fjalët e një fëmije, rruga që mund të ndjekë secili prej nesh për t’u afruar më shumë me tjetrin dhe për të jetuar marrëdhënien me të.