More
    KreuLetërsiBotime të rejaNjë libër i ri nga botimet "Polis": Richard Osman, "Ende në lojë"

    Një libër i ri nga botimet “Polis”: Richard Osman, “Ende në lojë”

    Në një zonë të thellë që shtrihet në kodrinat e harlisura të Kentit në Angli, ndodhet fshati i pensionistëve, Kjupërs Çejsi. Një herë në javë, katër miq në këtë fshat, Elizabeta, Xhojsi, Ibrahimi dhe Roni – Klubi i të Enjteve për Vrasjet – takohen për të hetuar vrasje të vjetra, ende të pazbardhura. Secili prej tyre jep ndihmesë me diçka, por që të gjithë i bashkon vendosmëria për t’i shkuar deri në fund një krimi të dhunshëm, që dikur e ka kapur në befasi policinë dhe i ka dhënë mundësinë dikujt t’ia hidhte pa u lagur.

    Kur Toni Karëni, një ndërtues vendas, me një të shkuar të dyshimtë, gjendet i goditur për vdekje me një çomange, detektivët e moshuar e shohin veten të mbërthyer në çështjen e tyre të parë, me “një kufomë të vërtetë dhe një vrasës të vërtetë diku aty jashtë”. Hetimet e tyre nxjerrin në pah një numër të dyshuarish, që përfshijnë një ndërtues polak rival, një prift të dështuar, djalin e Ronit, boksier, si dhe ish partnerin e biznesit të Karënit, zhvilluesin e dyshimtë dhe dredharak të pronave, Jan Ventamin. Por më pas edhe Ventami shembet i vdekur përpara një turme të madhe banorësh të Kjupërs Çejsit.

    Pasi e konfirmon se bëhet fjalë për një akt kriminal, “banda e vogël” e gjen veten duke gjurmuar dy vrasës, por edhe duke vrarë mendjen nëse dikush mund të fshihet brenda komunitetit të tyre.

    Ky është njëri nga romanet më të lexuar të vitit të kaluar në Britaninë e Madhe, por dhe i përkthyer brenda një kohe të shkurtër në disa gjuhë të botës.

    Sepse librat e shkruar bukur, me zgjuarsi e finesë, që të mbërthejnë menjëherë me artin dhe mjeshtërinë e tyre, e gjejnë shumë shpejt rrugën për te lexuesit.

    Një libër i shkruar në mënyrë inteligjente, ku shumëkuptimësia dhe humori i hollë rrjedhin si një nënshtresë magjepsëse. Stili është skalitur aq bukur, sa të duket sikur dëgjon një tingëllimë tipike vetironie të mjediseve londineze.

    Dialogë dhe përsiatje që thuren në mënyrë mjeshtërore: një lloj shkolle për mënyrën sesi mund të shkruhet një libër inteligjent, me ngarkesë kuptimore, me mendime të thukëta e mjeshtri shprehjeje.

    Meritë të veçantë ka edhe përkthyesja Margarita Skënderaj, e cila e ka shqipëruar mjeshtërisht këtë libër, duke sjellë natyrshmërinë, po edhe thellësinë e humorit tipik anglez.


     RICHARD THOMAS OSMAN-i ka lindur në vitin 1970. Ai është shkrimtar, producent, komedian dhe prezantues spektakli në televizionin britanik. Po ashtu, është adhurues i romanit policor fiction. Romani i tij ndërthur disa nga mjetet unike që i bëjnë ngjarjet të mbulohen nga një vel inteligjence djallëzore dhe të jenë njëkohësisht tejet gazmore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË