More
    KreuLetërsiBotime të reja“Një jetë me brenga” Rrëfimet e Kolec Topallit nga Kampi i...

    “Një jetë me brenga” Rrëfimet e Kolec Topallit nga Kampi i Tepelenës

    Më kujtohet ende dita kur u pushkatua daja. Ishte data 3 shkurt e vitit 1948. Që herët, pa u gdhirë ishin dëgjuar të shtëna armësh në Shkodër. Kjo do të thoshte se fatzinj të tjerë ishin pushkatuar pas murit të varrezave katolike te Zalli i Kirit. Dhe qyteti i përgjumur, që s’flinte më, priste me ankth të mësonte se kush e kishte pasur radhën. Dhe vërtetë, në shtëpinë e Serreqve erdhi lajmi-mandatë: bashkë me disa të tjerë ishte pushkatuar edhe Cini. Gjithçka u vesh me të zezë. U hap morti, një mort i pazakontë: pa të vdekurin, madje edhe me shumë pak njerëz, vetëm ato më të afërmit. Sigurimi i Shtetit kishte vënë njerëz në rrugë te dera e oborrit, që kontrollonin e mbanin shënim çdo njeri që vinte e hynte për ngushëllime. Kurse një grup rrugaçësh, të organizuar prej tyre, thërriste: “Për armiqtë e popullit, plumbin ballit”. Vetëm në mbrëmje vonë, kur ishte errësuar plotësisht, erdhën miq e të afërm duke u vjedhur nëpër rrugicën e ngushtë si hijet e natës. Dhe pasojat e këtij krimi dihen: një grua e vejë, dy fëmijë jetimë dhe njolla e pashlyer e “armikut të klasës” për ata dhe të gjithë farefisin gjatë 50 vjetëve komunizëm.
    Viktimë e këtij terrori ishte edhe vëllai im. Duhej një edhe prej familjes Topalli. Dhe meqenëse babai ishte në burg për tatime dhe vëllai i madh “vullnetar” në hekurudhë, i erdhi radha vëllait tjetër, Gjenarinit, në atë kohë djalosh 20-vjeçar, që u burgos dhe pas një viti e më shumë qëndrimi pa gjyq e nën tortura për të pranuar akuzat e falsifikuara, u dënua me 2 vjet burg me akuzën qesharake “ke dalë e ke hapë derën e oborrit për ata që vinin në mbledhje dhe ke ndenjur roje gjatë zhvillimit të mbledhjes”, në një kohë që në shtëpinë e Serreqve nuk ishte bërë asnjëherë ndonjë mbledhje e tillë, por ishte vetëm një sajim i Sigurimit të Shtetit për të dënuar njerëz të pafajshëm
    Pjesën e mbetur të dënimit vëllai e kaloi në kampin shfarosës të bedenit të Kavajës, ku të burgosurit sfiliteshin në punë të rëndë dhe vuanin për bukë e për ujë, aq sa kur u lirua mezi njihej, aq shumë ishte dobësuar. Dhe asnjëherë nuk u ankua për këto vuajtje të tmerrshme…

    NË INTERNIM

    Vëllai i madh, Hila, i mobilizuar për të punuar si arsimtar në fshatrat e thellë të Veriut, ishte emëruar në Palç të Tropojës, prej nga u arratis në prill të vitit 1949. Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, e tërë familja u internua. Ky qe një shkatërrim i vërtetë familjar. U ndamë në katër pjesë: babai në burgun e Shkodrës, vëllai i madh jashtë shteti pa e ditur se ku, vëllai i dytë Gjenarini ushtar në Përmet, kurse nëna Marie, motra Suzana, vëllai tjetër Ferdinandi dhe unë morëm rrugën e internimit. Atë vit, kur u internuam, unë isha 11 vjeç dhe ndiqja klasën e pestë të shkollës 7-vjeçare. Qenë ditët e para të prillit 1949 kur dy punonjës të Sigurimit erdhën në mëngjes herët dhe na njoftuan të bëheshim gati se do të na internonin. Nuk kishim fare dijeni për çka kishte ndodhur, sepse para pak ditësh kishim folur në telefon me vëllanë. Gjithçka u bë pa asnjë njoftim dhe pa asnjë gjyq a vendim, madje, pa as edhe një shkresë. Në atë kohë asnjeri s’kërkonte gjëra të tilla. Na lanë vetëm një orë kohë për të përgatitur rrobat dhe për t’u nisur. Kështu, atë ditë, në vend që të shkoja në shkollë, bashkë me familjen na hipën në një makinë dhe na mbyllën në Degën e Punëve të Brendshme
    Për 10 ditë ndenjëm në oborrin e Degës në pritje të familjeve të tjera, që do të internoheshin bashkë me ne. Atje, gjatë gjithë ditës, dëgjonim britmat dhe ulërimat e të burgosurve fatzinj, kur mbi trupin e tyre kërciste dajaku.
    Na mbyllnin në një dhomë vetëm një orë në ditë, kur të burgosurit kishin orarin që dilnin në oborr për të marrë pak ajër të pastër. Kjo bëhej që ata të mos kishin asnjë kontakt me ne. Kur ata mbylleshin në qeli, na nxirrnin përsëri në oborr. Pas 10 ditësh, kur u mblodhën edhe familjet e tjera që shtoheshin çdo ditë, erdhën makinat për të na transportuar. Na ngarkuan në karrocerinë e një kamioni të hapur. Rrugës, heshtje e plotë. Asnjë nuk e dinte ku do të shkonim.
    Një polic me automatik që na shoqëronte, rrinte në krye të karrocerisë në këmbë, ngjitur me kabinën e shoferit dhe nuk fliste asnjë fjalë. Sigurisht që për të ne ishim armiq të rrezikshëm dhe ai ishte ngarkuar që të na ruante se mos largohej ndonjë. Kaluam Vorën, lamë Durrësin dhe vijuam udhëtimin disa orë. Më në fund, kamioni u fut në një qytet dhe u ndal para një porte. Aty do të zbrisnim. Kishim arritur në destinacion, në qytetin e Beratit. Ky qe stacioni i parë i internimit. Ndërtesa ku u vendosëm ishte një han i braktisur në lagjen “Çelepijej”. Në një dhomë rrinin disa familje bashkë. Dilnim në qytet sa për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë. Shkollën e kisha lënë përgjysmë dhe viti shkollor po i afrohej fundit, prandaj pas një jave qëndrimi në atë qytet unë bashkë me vëllain, një vit më i madh se unë, u regjistruam në shkollën më të afërt, një ndërtesë dykatëshe afër hanit tonë. Në atë shkollë vijuam mësimet për dy javë, derisa erdhi urdhri i transferimit për në stacion tjetër.
    Mbaj mend disa nga mësuesit e asaj shkolle, që na përcillnin gjithnjë me vështrime dashamirëse, edhe pse e dinin cilët ishim e përse na kishin sjellë atje. Por në Berat nuk qëndruam gjatë, më pak se një muaj, pasi aty ishte caktuar vetëm qendra e grumbullimit të familjeve që vinin nga të katër anët e Shqipërisë, shumica e të cilave ishin nga Veriu. Pas tri javësh, çdo gjë u bë gati për nisje. Të ngarkuar në karroceritë e makinave të hapura, përsëri me një polic që na shoqëronte, u nisëm, gjithsej 7 makina në kolonë, pa e ditur ku po shkonim.
    Si gjithnjë, destinacioni ishte sekret. E njëjta skenë si ajo ku u nisëm nga Shkodra. Udhëtimi u bë përgjatë gjithë natës. Rrugës, që zgjati më shumë se 8 orë, njëra makinë u rrëzua dhe u rrokullis poshtë në një luginë të thellë. Pati 2 të vdekur e shumë të plagosur. Të gjitha këto i morëm vesh kur arritëm në mëngjesin e ditës së nesërme në disa kazerma ushtarake, ku ishte vendqëndrimi ynë. Kishim arritur në një repart ushtarak, në fshatin Turan të Tepelenës. U sistemuam në kazermën numër 3, që për fatin tonë ishte e mbyllur, ndërsa shumë të tjera ishin të hapura. Familjet brenda kazermës vendoseshin në radhë njëra pas tjetrës dhe formonin tre rreshta. Mund të numëroheshin më shumë se 40-50 familje në një kazermë, ku të gjithë flinin përdhe, në çimento. Ne shtruam dy rrogoza, por, meqenëse nuk na takonte kaq vend, gjysmën e njërës rrogozë e zuri një e internuar tjetër, një grua e vetme nga Dibra, së cilës i ishte arratisur burri. Në një metër e gjysmë vend mund të flinin gjithsej tre persona, unë nëna dhe vëllai, kurse motra, që ishte në moshë pune, punonte në një fshat tjetër rreth dy orë larg dhe vinte vetëm një herë në javë për të na parë. Atje, nga maja e një mali ngarkonin dru në kurriz dhe i sillnin poshtë në fushë. Ishte një punë shumë e rëndë. Shpeshherë gjatë rrugës rrëzoheshin nga pesha e ngarkesës. Kur nuk plotësonin normën, rrinin deri natën vonë për ta plotësuar. Jeta në kamp qe shumë e vështirë. Çdo natë bëhej apeli për të kontrolluar mos largohej ndonjë. Të vetmet çaste gëzimi ishin kur shpërndahej posta, sigurisht pasi ishte hapur dhe kontrolluar nga drejtoria e kampit. Atëherë mund të dëgjoje emrat e shumë familjeve që jetonin prej disa vitesh në kampe: Gjomarkajt, Kupi, Miraka, Dineja, Dosti, Mulleti, Repishti, Merlika, Dema, Bushati, Kazazi, Ndreu, Bajraktari, Kaloshi, Cenelezi, Previzi, Radi e shumë të tjerë
    Pjesë nga libri “Një jetë me brenga”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË