More
    KreuLetërsiBotime të rejaNasho Jorgaqi: Një biografi që na e jep të plotë figurën e...

    Nasho Jorgaqi: Një biografi që na e jep të plotë figurën e Gjeneral Moisiut

    Në historinë moderne të Shqipërisë, që nis pas shpalljes së Pava-rësisë, fisi i Moisive zë një vend krejt të veçantë. E them këtë duke patur parasysh që nga gjiri i këtij fisi dolën dy personalitete të shquara, një nga fusha e artit skenik dhe tjetri nga ajo e strategjisë ushtarake. Është fjala për artistin e madh me famë botërore, Aleksandër Moisiun dhe ushtarakun e rangut të lartë, Gjeneral Spiro Moisiun.

    Ushtaraku Spiro Moisiu, hyri në jetën e shtetit të pavarur shqiptar në momentet e para të ngritjes dhe afirmimit të tij. Ndryshe nga shumica e ushtarakëve shqiptarë që vinin nga shkollat osmane dhe i kishin shërbyer interesave të shtetit perandorak turk, Spiro Moisiu ishte nga pionierët e parë që u përgatit e u afirmua në perëndim në shkollat e Austrisë, aq të njohura e të çmuara në historinë ushtarake. I brumosur me ideale patriotike dhe progresiste, erdhi në Atdhe për t’i shërbyer popullit të tij me përkushtim, sipas interesave dhe nevojave të shtetit të ri shqiptar.

    Nga kjo pikpamje, në jetën e tij u reflektua e u pasqyrua historia e ushtrisë shqiptare me të përpjetat e tatëpjetat e saj. Spiro Moisiu, duke kaluar nga një sistem politiko-shoqëror në tjetrin, ku spikatën ngjarje historike të ndryshme, ai i shërbeu interesave kombëtare dhe i qëndroi besnik idealeve patriotike dhe përparimtare. I lindur me prirje ushtarake, patriot i patundur, trim dhe me një përkushtim të admirueshëm për këtë detyrë fisnike, pavarësisht nga rrethanat, ai u vu totalisht në shërbim të popullit e Atdheut.

    Ai shërbeu me devotshmëri në të katër anët e vendit, nga veriu në jug, ku dhe kontribuoi me përgatitjen e angazhimin e tij në mbështetje të një ushtrie kombëtare shqiptare. Spiro Moisiu dha një shëmbull të lartë atdhetarizmi në kohë tepër të vështira, konkretisht gjatë luftës italo-greke kur tërhoqi nga fronti i luftës repartin shqiptar “Tomorri”, për të shpëtuar nderin e popullit të tij. Me këtë akt trimërie e atdhetarizmi, ai tregoi se zotëronte jo vetëm një strategji të suksesshme ushtarake, por dhe një strategji politiko-patriotike.

    Ky qëndrim i lartë patriotik u manifestua dhe hyri në histori, kur ushtaraku strateg mori përsipër detyrën e madhe të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., që e çoi vendin në çlirimin e plotë nga pushtuesit nazi-fashist. Veprimtaria ushtarako-patriotike e Spiro Moisiut më pas do të lartësohej më shumë në kontributin e tij të çmuar që dha në organizimin dhe kualifikimin e ushtrisë sonë popullore nën pushtetin e ri të Shqipërisë Socialiste.

    Nuk mund t’i mbyll këto rreshta, pa revokuar dhe një kujtim të fëminisë time, ku kam patur fatin ta shoh nga afër dhe ta takoj Major Spiro Moisiun, siç i drejtoheshin atëherë atij.

    Ishte korriku i vitit 1942, kur unë djalë 10 vjeçar, shkoja shpesh për pushime tek xhaxhai i Nënës time, Llazar Bozo në Kolonjë të Lushnjes. Shtëpia e tij ishte kthyer në një bazë lufte, mbasi e gjithë familja, ai vet, e djemtë e tij, Aleko, Koli, Irakliu dhe Petri, (dëshmor i Atdheut) vrarë nga bashkëpuntori i fashizmit, krimineli Isa Toska, militonin në lëvizjen partizane Nac.Çl. Aty ishte strehuar dhe Major Spirua, i cili sapo kish dal në ilegalitet, pasi përndiqej nga qeveria fashiste si bashkëpuntor me Frontin Nac.Çl. të luftës partizane kundër fashizmit.

    Mua, si fëmijë që isha, më bënte përshtypje të thellë pamja e tij burrërore, autoriteti e respekti i madh që ai gëzonte nga njerëzit që vinin e takonin dhe mernin këshilla prej tij. Ishte koha që organizohej Çeta e Parë partizane e Myzeqesë, që u krijua në fshatin Kolonjë dhe më pas Batalioni partizan nën drejtimin e atij ushtaraku të lartë, i cili kish braktisur frontin e luftës italo-greke dhe ishte kushtuar kauzës së lirisë së Atdheut të tij.

    Unë do të isha atje dëshmitar dhe në verën e vitit 1943, kur një mëngjes herët, ai bashkë me Xha Llazin (Llazar Bozo) dhe dy partizanë që i shoqëronin, hipur në kuaj, u larguan nga Kolonja. Askush nuk e dinte se ku do të shkonin, por më vonë e mora vesh se u nisën për në zonën e Darsisë e Sulovës, ku ndodhej me detyrë luftarake Batalioni partizan i Myzeqesë dhe prej andej, sipas porosive që ishin dhënë, Major Spiro Moisiu do të nisej në një mbledhje historike që do zhvillohej në Labinot, ku ishte caktuar për t’u zgjedhur Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl.

    Kjo ngjarje më ka mbetur në kujtesë për tërë jetën. Do të mburresha më pas, që kisha patur fatin t’a njihja nga afër dhe të dëgjoja këshillat nga një figurë historike e Luftës Antifashiste Nac.Çl., siç ishte Major Spiro Moisiu.

    Pas luftës, unë e kam takuar vetëm njiherë Gjeneral Moisiun, kur ai drejtonte SHNUM-in në një mbledhje pune dhe unë i dhashë të njohur. Ai buzëqeshi dhe më përqafoi duke më thënë fjalë të përzemërta, që më kanë mbetur të paharruara. Dhe më vjenë shumë mirë, që shkrimtari dhe miku im i nderuar Jovan Bizhyti, ka ndërmarë këtë punë të vyer për të shkruar biografinë e tij, një vepër të denjë për një personalitet të lartë e të nderuar si Gjeneral Spiro Moisiu.

    Jeta dhe veprimtaria shumëvjeçare e këtij personaliteti për kauzën e mbrojtjes dhe pavarësisë së Atdheut, është trashëgimnia më e vyer që ai na ka lënë dhe që gjithë brezat e shqiptarëve do i jenë mirënjohës për jetë.

    Këtë thesar pati në dorë shkrimtari i talentuar, prozatori dhe poeti, por dhe studiuesi e biografi, Jovan Bizhyti, që studioi dhe hartoi librin për jetën e kontributin e Gjeneral Spiro Moisiut. Ai e ka dhënë atë në portretin e tij poliedrik, patriotin, progresistin, njeriun me karakter të fortë e konseguent, burrin trim të betejave luftarake dhe ushtarakun e talentuar në një përballje të madhe, siç ishte lufta e lavdishme Nac.Çl. që solli çlirimin e vendit.

    Me punën e përkushtimin, me përvojën e krijuesit të talentuar, duke çmuar më tej dhe kontributin studiues të tij, autori ka arritur të realizojë një biografi që na e jep të plotë figurën e Gjeneral Moisiut. Në ndërtimin e biografisë, janë harmonizuar kritere teknike me ato kronologjike, duke e dhënë figurën e Gjeneral Moisiut gjithnjë në rritje përmes ngjyrash e situatash dhe veprimtarisë së tij të gjithanëshme dhe intrasigjente. Ndjehet pena e shkrimtarit në zbulimin e botës shpirtërore dhe e karakterit të heroit, vepër që karakterizohet nga një rrëfim i rrjedhshëm, i bukur dhe i besueshëm, me një stil letraro-dokumentar, lakonik, me referenca arkivore, e larg fjalëve të tepërta moralizuese.

    Pa dyshim, kjo vepër monografike është një kontribut i çmuar në letërsinë dokumentare, por veçanërisht në letërsinë biografike, si një shëmbull për ata që tentojnë të punojnë në këtë fushë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË