(Nuk qenka e vërtetë që “nën një podium barbarie ngrihet një tempull qytetërimi…”)
“Ju doni të ndihmoni të mjerët. Bukur, por unë dua të zhduket mjerimi!…”
Djali i belbëzoi fjalët që u duk se i mori era. Por ata të dy e dëgjuan fjalën mjerimi dhe sesi ua vrau veshin. Të dy policët panë njëri-tjetrin dhe menduan të njëjtën gjë. Rast i rrallë!
– E kam parë edhe herë tjetër këtë belban që murmurin duke ecur rrugës… – tha polici më me peshë trupore. Ndoshta e shtynte mendimi si pesha e tij disi e rrumbullakosur e me forma të rënda. Ndoshta e kish dëgjuar saktë. E kishte zakon që sytë t’i mbante përdhe.
– A s’na tha edhe komandanti që t’i vërejmë me kujdes edhe thërrimet e fjalëve që hedhin njerëzit? Të gjitha kundër pushtetit janë! E për ne pushteti është Zoti mbi tokë!
Ky ishte një polic thatim, fytyrëmprehtë e me sy të lëvizshëm.
– Pale, thuthuqi i dreqit flet dhe me thumba!…
– Po, ke të drejtë, ashtu flet! I lëshon fjalët si lopa bajgën…
Pikërisht, në këtë çast të fundit, bota e rrugës u qe larguar ujërave të qetë dhe po tronditej gjithnjë e më tepër, sigurisht prej rritjes së vazhdueshme të kërkesës së komandës ndaj tyre. Të dëgjoje fjalët e rrugës nuk qe punë, por shkallim. Ç’nuk bëhej! Por ja që askush nuk i kuptonte më. Një prej tyre, e lëshuar si pordhë, mund të bënte hatanë, mirëpo në mëngjes s’mbetej as një kakërimë për bé! E kishin këtë huq fjalët, s’qenë si plumbat blindëshpues! E ç’do të thoshte gjithë ky pështjellim? Disa, të mërzitur, mendonin se kishte diçka të dyshimtë. Mbase ndonjë e papritur, pse jo një surprizë. Bëheshin aludime me ca histori vjedhjesh, që kësaj here nuk dilte në skenë ndonjë emër i famshëm që t’i hidhte benzinë zjarrit duke i ngritur të gjitha akuzat. Ata më skeptikët kur dëgjonin llapjet e rrugës në raportimin e mëngjesit, i kapërcenin ca gjëra, duke lënë gjithnjë porosi të reja ku të mbështeteshin për të kapur atë që duhet…
Djali që ikte duke lënë pas gjurmë fjalësh, një gjatosh i lezetshëm, tërë muskuj që binin në sy menjëherë, po shkonte me natë në shitoren e tij. Nisej aq herët për te garazhi ku linte makinën, për të marrë furnizimet për ku punonte bashkë me gruan. Ajo shprehje që përtypte dhe e lëshonte rrugës si pa të keq, bëhej edhe e zakonshme. Se nata, edhe kur afrohet mëngjesi, dëgjon shumë, i bën veshët e gjatë bigë dhe të merr më qafë. I kujtohej kjo fjalë e të atit. Mirëpo ja që këtë amanet të tij e kish hedhur poshtë, ndërsa gruaja (ata ishin të sapo martuar!) ecte rrugës teksa kthehej nga spitali ku përgjonte të ëmën e sëmurë gjithë natën, me një sy hapur e një mbyllur do të flinte nja dy orë e më pas të shkonte në punë. Qyteti i tyre ishte i vogël dhe nëpër rrugë rrallë e tek kalonte njeri. Por s’dihet pse ndihej që i kishte qejf fjalët nëpër të.
Në një çast si ky e vërteta sapo u shfaq. Atëherë, djali, Mati, e ndoqi pas vajzën pa u kuptuar, siç mendonte ai, pasi bëri pyetjen në një kuptim të pahijshëm, hë-hë duke ia krisur një të qeshure të zhurmshme e të tepruar, duke i vënë gishtin mendjes se ku po e çonte mushka!
Vajza qe ndalur te porta, duke mbajtur dorën te zemra. E përshëndeti me një “mirëmëngjesi”.
– Është mëngjeth i përtuar, – u përgjigj ai.
Djali e vuri re bukurinë e saj si pikë e mëngjesit, një bardhësi e famshme, që sikur i jepte dritë mugut, por sido mbetur i panjohur si fenomen. Përveç kësaj, ishte vërtet e çuditshme që të besoje në këtë ag të trembur, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, të të ngrihej mendja nga e papritura dhe të gjeje pikën e rënë të fatit.
Ajo qeshi si me turp. – Ti s-thë i thua th?
Ai: – Unë th-së i them th!
Ajo: – Pa thuaj një fjali?
Ai: Plehrat mos i hidhni kanaleve, por brazdave!
Ajo: Në këtë fjali s’ka asnjë s!
Ai: Epo edhe qëllon që s’paska th!
Vajzës, edhe pse e lodhur nga përgjimi i së ëmës së sëmurë në spital, iu qesh. Dhe, duke qenë e vetvetishme, atë edhe bëri. E qeshura, duke qenë sëmundje ngjitëse, iu qep edhe atij. Dhe u duk sikur pallma që zuri zgjoi krejt lagjen, duke shkundur plot murmurima. E qeshura i lidhi të dy. Mirëpo fjalët zhdukeshin tek humori i tyre, ku mungonin përgënjeshtrimet, zhurmat e rrëmujës së opinioneve të jashtëzakonshme. Se mëngjeset i kanë të tilla krejt opinionet. Ndërkaq, asnjë mëngjes nuk vjen për të vrarë kohën, vetëm sa zbraz ëndrrat dhe punët e bukura… Pas disa çastesh, do ti, ndihet një fëshfërimë e shpejtë, murmurimat mënjanohen, duke u hapur rrugën punëve.
Vajza bëri sikur ishte e zemëruar.
– Eh, ja, më në fund! Jeni shumë i sjellshëm që erdhët në këtë orë duke më ndjekur mua nga pas… Sikur ta dinit si po digjem nga dëshira t’i hedh një sy gjumit tim, se do iki në punë.
– Ejani, me mua, – tha ai, – ka ende kohë. Keni mundësi të shikoni gjëra që s’i kini parë kurrë.
Dhe i zgjati krahun vajzës. “Duron zemra, shumë madje, por vjen një çatht edhe plath.”
– Do të thoshe çast dhe plas?
– Ee, ashtu çatht dhe plath!
E qeshura e saj i mbuloi mbeturinat e territ në agun e qiqërimtë.
Ky ag i lidhi. Por sidomos fjalët që thoshte dhe shqiptimi i asaj th-je që tingëllonte aq bukur. “Në ëndërr po shikoja vdekjen që më puthte dorën…”
Linës iu qesh edhe më shumë.
– Nga librat i merr këto shprehje? Tingëllojnë bukur…
– E nga t’i marr tjetër?
Ajo u kthye nga ai dhe i tha që ta priste aty, nën strehë, se do të kthehej shumë shpejt…
Ndërkaq dy shokët e ngushtë, policët e shërbimit të mëngjesit herët, pasi u tendosën me ato që sapo lëshoi djali për mjerimin duke ecur rrugës, iu duk si tepër kureshtare, e ndërprenë bisedën dhe iu vunë pas. Ta shikonin ku do të dilte me ato llafe. Pagjumësia i bënte edhe më të acaruar dhe sytë morën dritë tjetër, sikur u ndezën ca më tepër në flakë të vogla, që ishin gati të tmerronin natën e mbetur në mug, bashkë me fjalët e lëshuara ashtu kot si ajo mërmërima e tij.
Kjo mund të krijojë edhe lloj potere, kërcitje…
Polici i shëndetshëm i picërroi sytë, dhe shtoi: “Ah! Llafet… Ç’dreq race jemi ne, hë! Kur unë dëgjoj zëra si këta, të gjithë vërsulen dhe hidhen sipër, kështu që aty s’ka më për mua. Pastaj, kur ndonjë flet prapa krahëve, çirren e ngjiren sikur të ishin duke u rrjepur lëkurën! Për fjalët e kam llafin. A ka shanse të fitojë ndonjë prej tyre? Ndërkohë një zemërim i menjëhershëm e mbërtheu policin cironkë, të vajtur…
– Ç’pate, mo?
– Çfarë? Më lër rehat… Kush fiton, ai, apo ne? – pyeti i shëndoshi sikur t’i hanin brirët.
– Ku ta di unë…
– Më mirë po e lëmë dhe po largohemi sesa ta torturojmë tjetrin!
– Kot?
– Epo nga e kota lind e plota!
– Pres kokën që në rrugë e ke dëgjuar!
Ky ton s’qe as në natyrën dhe as në zakonet e tij. Cironkës nuk iu ndenj.
– Po më hanë duart!
– Epo kur të hanë, kruaji!
Mati ecte dhe habitej me ëmbëlsinë e përjetuar atij mëngjesi. I pëlqente të përsëriste zë-ulët mendimet, duke u përpëlitur ta dëgjonte th-në e tij, pa u munduar ta shmangte. Ja, si i erdhi ndërmend dhe tha mërmërimën e zakonshme: “Fillimisht, zhdukini parazitizmat, kudo që shfaqen: te prifti, te hoxha, gjyqtari, polici… Pastaj, shfrytëzoni më mirë pathuritë që zotëroni…” Mendime të mençura për zotin! “Tre të katërtat e tokës që kemi është djerrë,… e kush të lë ta punosh? Po, mor po, të zhduken kullotat e kota; ndajini tokat e përbashkëta. Që çdo njeri të ketë tokë, dhe çdo tokë të ketë njeri…”
Fërkoi duart. Iu bë se ndiente më shumë habi sesa lëndim. Atë çast po ndihej si i turpëruar dhe qe gati të kërkonte ndjesë se mos e kish shkelur gjëkundi… Më i përmbajtur djalë! Më i kujdethshëm dhe më i sjellshëm me njerëzit dhe me veten…, iu kujtuan fjalët e të atit. Ah kjo e shkretë th, s’më kurdis mirë, e di…
Po bënte ca kohë që ai kish pësuar një ndryshim të befasishëm të gjendjes së tij shpirtërore. Askush s’dinte gjë në të gjithë qytetin e vogël dhe në dukje mondan se ai këtë mëngjes nuk di pse i erdhi në mendje se po luante kartën e tij të fundit. E pse të ndihej kështu? Mos për shkak besueshmërie? Mendoi se paraqitja e kishte të mirë, qeshte me vete, diçka fisnike, tashmë në mënyrë tronditëse. Nga ana tjetër, askush nuk e injoronte faktin se atij i ecte mirë biznesi, i shkonte dora, shiste çdo gjë që i kapte syri, edhe sirenat që të gllabërojnë, – qeshte me të shoqen, që e donte tej mase. E çfarë nuk i vinte në mendje atë mëngjes të bukur, të qetë. Iu kujtua një mbrëmje, kur ishin dehur të dy me Linën, për të parë nëse edhe po të përdorje mjaltin si mezé, deheshe apo jo. Për dreq, u dehën, qenë bërë tapë. Dhe ç’nuk këputnin rrugës. “Njeriu thyen, – thoshte Mati, – prish, sterilizon, vret; por vera mbetet verë, zambaku mbetet zambak, ylli mbetet yll…”, apo jo! Kurse ajo: “Një nënë që sodit fëmijën e saj në gjumë nuk do të kishte një vështrim më të dhembshur, më të butë e aq të papërshkrueshëm.” Gajasën, lozën, u mbytën, s’kishin të përmbajtur!
Pak e nga pak, atë moment, ai rrezikonte gjithçka, i mbërthyer aq keq prej shijes së tij dhe me forcën e skepticizmit të tij dhe tani ishte në përpjekjet për ta mbajtur fjalën e dhënë një klienti. Vetëm se mendimet edhe e acaronin, nganjëherë e kapërcente masën, sa ai do të kishte rrahur këdo që t’i dilte përpara. Nganjëherë, krejt i ngrefosur që, më në fund, po vinte këmbë kësaj dite, i mbrojtur nga natyra, liqeni, mali dhe gjithçka tjetër, përfshi edhe mëngjesin gazmor e të qiqërimtë. E shkundi kokën, e mblodhi veten që të ecte sa më mirë, me ngadalë, siç bëri edhe përpara policëve që ishin ulur në fillim të lokalit të Lasgushit. Ngjyrat e ndezura përziheshin me ato të qiellit të hapur. Në bulevardin e qetë, që merrte frymë lirshëm, formoheshin ca rrathë imagjinarë krejt miqësorë, që e zbavitnin pa masë.
Mati kishte qejf të vizitonte gjithçka: parkun, lëndinat, pemët e shumta, ku i dukej çdo gjë shumë e këndshme. Dhe kudo, kishte njerëz që bërtisnin me duar e me këmbë; sepse i bëhej sikur secili ishte në një ring të vërtetë! Por nganjëherë kjo panoramë e zhgënjente Matin.
– Gjithmonë, kështu bën ti, si i çmendur? – dëgjoi një zë të ashpër.
Mati pa para vetes dy policët që i kish vënë re në krye, sa doli në bulevard.
– Ka ndodhur gjë, zotërinj!…
Atëherë, polici i shëndetshëm e goditi me dorezën e pistoletës prapa kokës. Pasi ndenji paksa pezull, pa lëvizur, si ai shpendi grabitqar që vërsulet nga qielli mbi prenë e tij, ai ra përmbys, pa kuptuar gjë prej gjëje. Po të qe me ndjenja sa do të ishte revoltuar! Nuk po dëgjonte, por pranë tij fluturoi një dëshirë të madhe për ta hequr qafe si njeri, duhet për ta shkëputur sa më parë prej atyre murmurimave të mallkuara. Mirëpo erdhi Cironka dhe ku nuk e godiste, duke u ndarë nga keqardhja dhe aq pa shkak, nëse Mati i mjerë as do ta kishte shtirë në mendje. Por ajo nuk kish parë asgjë. Një lloj ngurrimi e bezdie u duk sheshit në fytyrën e policit të shëndetshëm.
– Boll, – i tha. – Do të na mbetet në dorë!
Por ai, Cironka, në të kundërt, u ndje e kënaqur dhe u pushtua nga kureshtja, se pas pak mund ta priste diçka e bukur për të parë.
Në hijesirën e butë të gjetheve të gjelbra, ku bënte ballë një linjë e ngushtë drite e përhimë, si të mos e pengonte asgjë, e hipën mbi një stol druri, pranë tyre, vendosur përkundrejt pemëve; ndërkohë që, me sytë vigjilent, me një gjest picërrime të lehtë të syve, u larguan aq shpejt e shpejt, saqë edhe po të shfaqeshin kureshtarë, do të mbeteshin të habitur. E gjitha ishte befasi, një rrëmujë, që mund të dyfishohej, me ndonjë lajmëtar të padukshëm duke thirrur drejt daljes së bulevardit. Këmbë njeriu. Mati as lëshonte zë, as rënkonte, as lëvizte. Zallamahia ishte brenda dy policëve që e lanë shtrirë mbi dërrasa Murmurimën e mjerimit.
Së shpejti do të lindte dielli dhe për një kohë do ta linte gjithçka nën qiellin e shndritshëm të verës. Aty afër s’dihet sesi u gjend Lina. Një thirrje e dhimbshme mbushi hapësirën.
Tiranë, më 16 shtator 2024
Sinops:
Një djalë rreth të tridhjetave, sapo kish rënë në dashuri, ecte rrugës dhe bënte ç’bënte e numëronte njëmijenjë të ligat e qeverisë, duke folur si me vete. Fliste rëndë, por llafet nuk i kuptoheshin dhe aq mirë. E dashura e tij ishte thuthuqe. E kishte një cen. Po kur të përvishej të krijonte humor, sepse fjalët i dilnin ndryshe përndryshe. Përdorte shumë germën th… Aq u mërzitën policët e patrullimit me të (djalin), sa iu vunë pas, e regjistronin dhe e donin ta mbyllnin në kafaz. Një ditë, para se të shkonte te shitorja e tij, vijonte sharjet me ku të ha e ku të djeg dhe arriti puna që ta rrihnin dy policë, njëri më i ngjallur se tjetri (njëri kish qenë polic droge, tjetri polic dogane dhe në llogot e tyre mburrnin kush e kush anën e tij…), e bënë të vdekur tjetrin pse shante qeverinë me murmurima, derisa… vdiq në spital…