nga Matteo Mandalà
Në një studim të vitit 2011 (Hylli i Dritës, viti XXXI, janar-shkurt-mars 2011, nr. 1, f. 51-78) parashtruam një rindërtim të parë të odisesë së dorëshkrimeve të Santorit dhe propozuam disa zgjidhje për problemet më të vështira që paraqiste botimi kritik i tyre. Ndërkohë pak vite më parë, në 2009, ishte themeluar Fondacioni Universitar Francesco Solano, që së bashku me dy katedrat e Albanologjisë të Universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos ia kishte hyrë punës për të përgatitur botimin e veprave të dy autorëve më të mëdhenj arbëreshë të Kalabrisë me rastin e dyqindvjetorëve përkatës të lindjes. Kështu në vitin 2014 doli në dritë në Tiranë vepra letrare e Jeronim De Radës e përmbledhur në gjashtë vëllime me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës që asokohe drejtohej nga Prof. Mirela Kumbaro, të cilën me këtë rast e falënderojmë sërish. Ndërsa vepra letrare e Françesk Anton Santorit, për të cilën në shtator të vitit të shkuar Universiteti i Kalabrisë organizoi një konferencë shkencore ndërkombëtare [Frangjisk A. Santori (1819-1894): Vepra dhe koha. Kontributi i shkrimtarit dhe i françeskanit arbëresh për letërsinë, gjuhën dhe Rilindjen kombëtare, 15-17 shtator 2019], ka kërkuar një fazë të gjatë parapërgatitore, momentet kryesore të së cilës po i paraqesim përmbledhtazi më poshtë.
Korpusi letrar i pabotuar i shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santori paraqiste shumë probleme që prisnin zgjidhje. Duke lënë mënjanë çështjen e autorësisë që mund të themi se nuk paraqiste vështirësi për t’u zgjidhur, po përmendim ato më kryesoret.
Problemi i parë ka të bëjë me kalimet e dorëshkrimeve dorë më dorë pas vdekjes së autorit, identifikimin dhe klasifikimin e tyre. Përveç disa të dhënave të pjesshme në studimet dhe tekstet kritike të veprave të pabotuara të Santorit, askush nuk është marrë seriozisht me këtë çështje.
Nëse deri më sot dihej arsyeja pse disa dorëshkrime të Santorit dhe të De Radës në një çast të dhënë të historisë së tyre ndoqën një rrugë të ndryshme nga ajo e dorëshkrimeve që ruhen në bibliotekën e qytetit të Kozencës, nuk kuptohej sesi dorëshkrimet e Santorit përfunduan në të njëjtat arka me ato të De Radës, para se të shpërndaheshin nëpër biblioteka të tjera brenda dhe jashtë Italisë.
Shpjegimi gjendet në testamentin autograf që ruhet në Theca V.26 të fondit Albansk Samling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, ku Santori i kërkon mikut Giovanni Stamile që dorëshkrimet “arbëreshe” t’ia dërgojë Jeronim De Radës në Maq.
Zhvendosja e dorëshkrimeve do të jetë kryer pas vdekjes së Santorit, më 7 shtator 1894 në San Giacomo di Cerzeto. Nuk e dimë për sa dhe për cilat dorëshkrime bëhej fjalë, e nuk dimë as se ç’rrugë ndoqën tekstet që Santori i dalloi nga ato “italiane” duke i quajtur “arbëreshe”, pasi mbërritën në destinacionin që u kishte caktuar autori. Nuk jemi në gjendje as të themi nëse “të gjitha” dorëshkrimet mbërritën në shtëpinë e De Radës apo, siç mund të merret me mend, disa syresh ndoqën një rrugë të ndryshme nga ajo që donte autori.
Për sa u përket dorëshkrimeve “arbëreshe”, sipas të dhënave që mund të nxjerrim a posteriori, ka të ngjarë që mes atyre që iu dërguan De Radës të ishin edhe ato që sot ruhen në fondin e lartpërmendur Albansk Samling. Ka të ngjarë gjithashtu që ato dorëshkrime të kishin rënë në duar të ndryshme, ndoshta familjarë e pasardhës të Santorit, të cilët më pas ia kaluan drejtpërdrejt a tërthorazi Giuseppe Gangales. Për sqarimin e kësaj çështjeje na vijnë në ndihmë të dhënat që na la vetë Gangale mbi udhëtimet e shumta që kreu në Itali, ku, i ngarkuar prej gjuhëtarit të shquar Louis Trolle Hjelmslev, që pasoi albanologun Holger Pedersen në krye të katedrës së gjuhësisë të Universitetit të Kopenhagës, mblodhi shumë dorëshkrime nëpër viset arbëreshe të Italisë së Jugut, sidomos në Kalabri dhe në Sicili.
Gangale me gjasa do t’i ketë mbledhur dorëshkrimet gjatë dy udhëtimeve të para që kreu përkatësisht në maj të vitit 1956 dhe nga 2 dhjetori 1956 në 4 janar 1957 në Maqi. Gjithsesi nuk përjashtohet që gjatë tetë udhëtimeve të tjera që kreu në Sicili (Hora e Arbëreshëve, Contessa Entellina dhe Palazzo Adriano) Gangale të ketë kaluar nga Kalabria për të vijuar kërkimet nëpër arkivat privatë. Në fakt në shënimet e tij shkruan se «një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të Santorit gjendet në bibliotekën e qytetit të Kozencës», duke na konfirmuar kështu se ai e dinte mirë se ku ruheshin këto vepra të letërsisë arbëreshe. Për më tepër Gangale nuk e fshehu synimin për të blerë, nëse pronarët do t’ia shisnin, dy dorëshkrime të pabotuara të Santorit që ishin në pronësi të dy arbëreshëve nga San Giacomo.
Ky fakt ka një vlerë të dyfishtë: nga njëra anë, meqenëse këto ndodhnin para nëntorit të vitit 1973 kur u shkruan shënimet, mund të themi me siguri se Gangale u referohej dorëshkrimeve që deri atëherë ende nuk ishin futur në fondin danez, por kishin mbetur në duart e pronarëve të tyre. Nga ana tjetër, dëshmohet se dorëshkrimet që sot ruhen në Albansk Samling jo vetëm që u blenë nga Gangale gjatë udhëtimeve të tij, por nuk kishin të bënin me ato që ruheshin në bibliotekën e qytetit të Kozencës, të cilat vinin drejtpërdrejt nga shtëpia e Jeronim De Radës. Këtë pohim të fundit e dëshmojnë shënimet e mëposhtme që Gangale shkroi me makinë shkrimi në dy nga tre fashikujt që përbëjnë dosjen Theca III.17, mbi të cilën do të kthehemi më poshtë. Shënimi i parë që gjendet në fash. α – «Repperi domi Radhae?» –, shpreh njëfarë dyshimi të Gangales, ndërsa shënimi i dytë që ndjek titullin e fash. β – «Domi poetae Radhae repertum» –, dëshmon me siguri se së paku një pjesë e dorëshkrimeve të Santorit që ruhen në Albansk Samling,pikërisht ato që përfshihen në dy fashikujt e parë të dosjes Theca III.17, vijnë nga një fond që u përkiste trashëgimtarëve të De Radës. Ky fond ishte i ndryshëm nga ai që, pasi u mblodh në dy arka, u ble nga Akademia italiane në vitin 1943 dhe u dërgua në Romë dhe Firence, së fundi u kthye i përgjysmuar në një arkë të vetme në Kalabri për t’u ruajtur në bibliotekën e qytetit të Kozencës.
Gjendja e sotme e shpërndarjes së dorëshkrimeve të Santorit ndahet në dy degë: njëra “publike” e tjetra “private”. Dega e parë përfaqësohet nga tri entet ku ruhen veprat më të rëndësishme: Biblioteka e qytetit të Kozencës, Biblioteka Mbretërore e Kopenhagës dhe Arkivi i Shtetit në Tiranë. Ky i fundit, së bashku me dorëshkrimet e De Radës që iu dhuruan gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, ruan edhe disa dorëshkrime të Santorit. Dega e dytë e odisesë së veprave të Santorit paraqitet më e ndërlikuar dhe më problematike, pasi duke qenë “private”, ajo përjashton mundësinë e shqyrtimit dhe të krahasimit të dorëshkrimeve, qoftë edhe për të kuptuar se sa vepra të Santorit nuk janë sot në dispozicion të studiuesve. Me siguri mund të themi se një numër i konsiderueshëm i dorëshkrimeve të Santorit sot është në dorë të privatëve. Disa nga këto dorëshkrime mund të përmbajnë kopje të vetme veprash të panjohura. I tillë është p.sh. rasti i Satirave. Të tjerat, që dëshmojnë variante veprash të njohura, janë të domosdoshme për të rindërtuar historinë e shkrimit të atyre veprave.
Rasti i dorëshkrimit që gjetëm në arkivin privat të Zef Skiroit përbën një shembull paradigmatik për të shpjeguar rëndësinë ekdotike të këtyre varianteve. Është fjala për kopjen autografe të romanit Albenzio Toarson, anagrami i mbiemrit të Santorit [SANTORO=TOARSON], që njihet ndryshe me titullin Il soldato italiano, nga i cili njiheshin vetëm variantet autografe që ruhen në Bibliotekën e qytetit të Kozencës. Vetëm kreu i fundit, me titull <Lo schiarimento>, është shkruar në dy gjuhë (shqip në kolonën e majtë dhe italisht në të djathtën) dhe riprodhon tekstin e këngës “popullore” nga e cila, sipas autorit, mori shkas vepra. Teksti paraqet ndërhyrje ndreqëse autografe që janë përqendruar kryesisht në fletët e para të dorëshkrimit: fshirjet, ndreqjet, zëvendësimet dhe plotësimet e shumta me natyrë stilistike mund të shpjegohen në dy mënyra: ose si punë përgatitore për një fazë të mëtejshme përpunimi të tekstit, ose si përsosje e një teksti tashmë të përfunduar. Vërtetimi i njërës a tjetrës hipotezë bëhet i mundur vetëm pas krahasimit të këtij dorëshkrimi me dy variantet me titullin Il soldato albanese që ruhen në Bibliotekën e qytetit të Kozencës. Në fakt s’ka dyshim se kopja e gjetur në Palermo, me gjithë ndryshimet e ndjeshme sidomos në strukturën e titujve të brendshëm, duhet lidhur me variantet që përshkroi Giuseppe Gradilone në hullinë e të dhënave që mblodhi për punimin e diplomës së Aurelia Passaniti-t. Dy dorëshkrimet autografe të Kozencës, në mungesë të variantit të Palermos, Gradilone i konsideroi të lidhura drejtpërdrejt mes tyre. Kështu studiuesi arbëresh «pa asnjë ngurrim», e do të thosha me të drejtë, e quajti njërin nga dorëshkrimet që këtu po e shënojmë me siglën α, «kronologjikisht të parin për shkak të shtjellimit më të ngushtë të subjektit, si edhe për shkak të një përpunimi më të paktë». Rrjedhimisht dorëshkrimi i dytë që po e shënojmë me siglën β mbetej të ishte varianti «përfundimtar», pasi «lënda në këtë variant të dytë është zgjeruar…». Meqenëse ky variant i fundit paraqet bashkëpërkime të shumta me variantin e Palermos që po e shënojmë me siglën γ, duhet shtruar problemi i lidhjeve gjenealogjike mes varianteve. Me fjalë të tjera, propozimi i Gradilones (α → β) që u bë kur njiheshin vetëm dy variante, duhet rishikuar dhe plotësuar me një nga dy alternativat e mëposhtme: 1 α → β → γ ose 2) α → γ →β, alternativa këto që përputhen plotësisht me dy hipotezat që hodhëm më lart mbi fazat e shkrimit të veprave të Santorit. Tashmë këto faza mund t’i përshkruajmë në këtë mënyrë: faza I: skica –faza II: shkrimi në dorë të parë –faza III: shkrimi përfundimtar. Natyrisht që kjo hipotezë mund të vërtetohet përfundimisht vetëm pasi të njihen e të studiohen edhe dorëshkrimet që sot janë në dorë të privatëve.
Me aq sa dimë deri më tash nga veprat e botuara të Santorit, mund të themi se ato na kanë mbërritur kryesisht në tri variante dorëshkrim. Në ato raste kur kemi vetëm dy variante të njohura, këto shoqërohen nga ndjesia e fortë e ekzistencës së një varianti të tretë që nuk na ka mbërritur ose që nuk e kemi në dispozicion. Në grupin e parë bëjnë pjesë p.sh. tri dorëshkrimet e “romanit” Kolluqi e Sorofina, dy prej të cilave ruhen në Bibliotekën e qytetit të Kozencës, ndërsa i treti ruhet në arkivin privat të të ndjerit profesor Giuseppe Ferrari. Në grupin e dytë bëjnë pjesë dorëshkrimet autografe të romaneve që botuan Gradilone (Panaini e Dellja dhe Fëmija pushterjote) dhe Fortino (Brisandi, Lletixja e Ulladheni dhe Fillaredhi, Zarja e Millja). Në këtë grup duhet të futim edhe dorëshkrimet me Kalimerat, dorëshkrimet që përmbajnë të ashtuquajturat “rapsodi” të Santorit dhe së fundi dorëshkrimet e lartpërmendura me dy variantet autografe të dramës Emira. Nëse kërkimet e ardhshme do të konfirmojnë këtë hipotezë pune, atëherë do të dalë nevoja e rishikimit të kritereve të përdorura deri më sot. Me fjalë të tjera do të na duhet të përballemi me çështjen e avanteksteve, pra me nevojën e shqyrtimit e ndoshta të botimit të varianteve përgatitore, të pjesshme, të paplota, që deri më sot janë sakrifikuar në emër të përparësisë së varianteve të ashtuquajtura “përfundimtare”. Vlera dhe dobia e varianteve që përmbajnë përpunimet e para të një vepre në funksion të përgatitjes së botimit kritik tashmë është dëshmuar bindshëm me botimin e Këngëve të paramilosaos të Jeronim De Radës dhe të Rapsodive Shqiptare të Zef Skiroit. Një qasje e tillë metodologjike duhet përshtatur edhe për botimin kritik të veprës së plotë të Santorit. Në këtë mënyrë do të mund të shihet vepra letrare ashtu siç është në të vërtetë, pra si rezultat i një procesi hartimi të gjatë e të ndërlikuar.
Në këtë proces hartimi, përpos aspekteve stilistike, marrin peshë disa aspekte gjuhësore që në rastin e shkrimtarëve arbëreshë paraqiten veçanërisht të rëndësishme. Thuajse të gjithë autorët arbëreshë u rrekën të themelonin një koinè gjuhësore me synimin për ta shndërruar atë në një gjuhë kulture. Veprat e tyre letrare janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve për ta ngritur gjuhën e komunikimit të përditshëm në nivelin e gjuhës poetike. Prandaj çdo orvatje për t’ia rrafshuar gjuhës së veprave të traditës sonë letrare tiparet e veçanta dhe për ta përshtatur atë në standardin e sotëm letrar, sikurse është bërë gjatë diktaturës komuniste me autorët arbëreshë, përveçse u bie ndesh parimeve më elementare të shkencës filologjike dhe të praktikës ekdotike, do të cenonte rëndë origjinalitetin dhe vlerat artistike të veprave. Do të ishte njësoj sikur t’i propozohej lexuesit të sotëm “Komedia Hyjnore” e Dantes e përshtatur në italishten e gazetës Corriere della Sera, ose sonetet e Shekspirit të përshtatura në anglishten e Sunday Times. Pikërisht për të ndihmuar lexuesin shqiptar të kapërcejë vështirësitë gjuhësore të veprave origjinale, versionet e përgatitura për t’u botuar në Tiranë janë pajisur me shtojca që përmbajnë fjalorë shpjegues të fjalëve të rralla të arbërishtes dhe shpjegime të tjera të nevojshme gjuhësore, siç kemi bërë më parë, fjala vjen, me veprën e Nikollë Ketës që u botua vjet.
Tashmë vepra e plotë letrare e Santorit është thuajse gati për botim. Ky rezultat i rëndësishëm u arrit falë angazhimit të burimeve të ndjeshme njerëzore dhe financiare që bënë të mundur operacionin e komplikuar të identifikimit dhe blerjes së dorëshkrimeve, por mbi të gjitha falë punës së mundimshme ekdotike dhe filologjike, duke filluar me transkriptimin dhe përgatitjen e teksteve kritike për të vazhduar me aparatin filologjik deri të shtojcat me fjalët e rralla dhe shpjegimet gjuhësore. Në të vërtetë qysh nga viti 2013 Laboratori i Albanologjisë ka vënë në dispozicion të lexuesve online një variant të pjesshëm të veprës poetike të Santorit, përgatitur nga prof. Vincenzo Belmonte, ndërkohë që kanë qenë të shumta punimet e studentëve të dy katedrave të lartpërmendura që kanë dhënë ndihmesë të vyer gjatë fazës parapërgatitore të transkriptimit të dorëshkrimeve. Aktualisht jemi në pritje të një marrëveshjeje me institucionet publike ose private shqiptare që duhet të kurorëzohet me botimin e plotë në Shqipëri të veprës letrare të Françesk Anton Santorit.