More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimMarko Martin: Nga kritika gjermane për romanin e Stefan Çapalikut “Mbyllur për...

    Marko Martin: Nga kritika gjermane për romanin e Stefan Çapalikut “Mbyllur për pushime”

    Nga kritika gjermane për romanin e Stefan Çapalikut “Mbyllur për pushime”, botuar në gjermanisht nga “Transit Verlag” me titullin “Tirana ein kurzer traum”, përkthyer nga Zuzane Finger.
    (Marrë nga “Deutschlandfunk Kultur“, datë 18 mars 2024).

    Tri histori dashurie në kohë lufte, një në Romë, një në Salzburg, një në Tiranë, një në botën artistike, një në një manastir, një në Shqipërinë e atëhershme kaotike. Një roman tërheqës dhe i stuhishëm. Ky është përshkrimi në tekstin shoqërues të librit „Mbyllur për pushime“ titulli në gjermanisht „Tirana Ein kurzer Traum (Tirana. Një ëndërr e shkurtër)“, i autorit Stefan Çapaliku. Mjedisi historik i këtyre historive është faza e vonë e Luftës së Dytë Botërore dhe libri tregon për ngjarje midis shtatorit 1943, kur Italia u dorëzua dhe u rreshtua në krah të fuqive perëndimore, dhe nëntorit 1944, kur Shqipëria u çlirua, pra periudha kur italianët tërhiqen dhe trupat gjermane pushtojnë Shqipërinë.

    Fjala është për një roman të shkurtër. Nuk kemi të bëjmë me një epope opulente kombëtare. Por mendoj se teksti i shkurtër, që shoqëron si reklamë botimin, nuk i përgjigjet tamam përmbajtjes së librit. Sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me histori dashurie, por me histori marrëdhëniesh, dhe jo me idile të rrema, histori që ndodhin në kuadrin e historive të ngjarjeve të luftës dhe të pushtimit gjerman.

    Njerëzit që njohim në roman janë të lidhur në një mënyrë pak a shumë tragjike me këtë të ashtuquajtur histori të madhe. Kemi një familje të klasës së mesme, e cila detyrohet që të paktën të bashkëpunojë indirekt me administratën gjermane. Pastaj një emisar nazist të rangut të lartë bashkë me dashnoren e tij serbe, i cili urdhëron pushkatimin e rivalit të tij shqiptar, me pretekstin se gjoja është partizan. Dhe një Don Zhuan, që kishte shkuar në Itali për shkak të artit dhe të dashurisë, por që më pas kthehet në Shqipëri, ku punon si përkthyes për partizanët. Me qëndrimet e tij liberale ky shkakton menjëherë trazira te stalinistët, prej të cilëve natyrisht që kishte në masë në radhët e partizanëve.

    Edhe pse kjo nuk është tabloja e plotë e romanit, shkurt mund të thuhet se në roman njihemi me njerëz që brenda kësaj historie të madhe prezantohen me historitë e tyre të vogla në thonjëza dhe të cilëve ndonjëherë u duhet të sajojnë histori të rreme për jetën e tyre, pra si të thuash të gënjejnë veten.

    Kemi të bëjmë pra më shumë me luftë për mbijetesë sesa me histori dashurie. Dhe interesant është fakti se autori nuk bie në grackën e narracionit të tipit „oh ai i gjori, apo ajo gruaja e panjohur“ që u shtypën dhe u mbytën nga historia e madhe. Pjesërisht kjo është e vërtetë, por në të njëjtën kohë ata njerëz kishin sigurisht edhe opsione për të shkuar në njërin drejtim ose tjetrin, me të gjitha kontradiktat, mungesën e konsistencës dhe mospërputhjet. Nazisti p.sh. nuk trajtohet si ndonjë përbindësh per se, por përshkruhet si njeri i natyrshëm, kuptohet si një njeri i keq dhe i poshtër, por në një mënyrë mjaft realiste. Sipas meje autori përshkruan jetën të tërësinë e saj, por jo në një mënyrë pompoze, plot ojna dhe llafe, por në një mënyrë të thukët, të ngjeshur, me fjali të përpikta, të përmbledhura në kapituj të shkurtër.

    Ajo që e bën këtë roman të shkurtër prej më pak se 150 faqesh të veçantë, është se ai është shumë intensiv, pa qenë manipulues. Në kapitujt e shkurtër personazhet na shfaqen si njerëz të vërtetë prej mishi e gjaku. Por nga ana tjetër lexuesit nuk i jepet mundësia për t‘u identifikuar me ta, pra që dikush të thotë: oh, këtë ose atë e kam përjetuar edhe unë kështu, ose edhe unë jam ndjerë kështu apo ashtu. Romani ofron diçka të huaj, të pazakonshme, të panjohur, të çuditshme, çka nga ana tjetër minimizohet nga një përshkrimi i jashtëzakonshëm, sa i pasaktë dhe preciz i këtij autori. Për ta thënë në mënyrë më popullore, autori nuk përpiqet t’u lëpihet lexuesve që t’u pëlqejë, gjë që për mua është një gjë e mirë.

    Mendoj se autori ndoshta i bën homazh dhe mund të ketë marrë si shembull romanin e madh të autorit serb Alexandar Tišma „Përdorimi i Njeriut“, por ndoshta ky edhe mund të mos ketë qenë fare qëllimi i Çapalikut.

    Sidoqoftë „Mbyllur për pushime“ / „Tirana Ein kurzer Traum“ është një libër i rëndësishëm që ua rekomandoj patjetër lexuesve. Ai tregon jo vetëm diçka për fazën e vonë të Luftës së Dytë Botërore, por edhe për ambivalencën e jashtëzakonshme të gjendjeve kur njerëzit bashkohen ose i detyrojnë të bashkohen.

    Përmbedhje nga intervista e kritikut letrar Marko Martin për radion publike gjermane „Deutschlandfunk Kultur“ përgatitur në shqip nga Pandeli Pani

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË