More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLuan Rama: Lirika viktoriane

    Luan Rama: Lirika viktoriane

    Pak fjalë përcjellëse për lirikat e dashurisë të poetit
    Viktor Gjikolaj.

    Poetët lindin, nuk bëhen. Edhe Viktor Gjikolaj ka lindur poet. Madje, nuk do ta teproja aspak nëse shprehem se Viktor Gjikolaj ka lindur për të qenë poet i lirikës së dashurisë.

    Ndjeshmëria dhe brishtësia e ndjenjës së tij, përjetimi, emocioni, eleganca e rrëfimit poetik e gjithçka ai na jep përmes vargut që buron vetiu prej ashtit të shpirtit, na ofrojnë poetin të cilin Viktori ka ditur ta ruajë brenda vetes edhe përkundër fatit, kohës kur ai e ndjeu poetin brenda tij apo edhe të gjithë atyre që donin t’ia vrisnin këngën dhe poetin bashkë.

    Lirika viktoriane; ja kështu, me këtë titull mendova t’ia përcjell lexuesit të ExLibris këtë cikël me lirikat e dashurisë të poetit Viktor Gjikolaj, të cilat unë i kam zgjedhur pikërisht prej faktit se, pavarësisht kohës kur janë shkruar, ruajnë kohezionin shpirtëror, por edhe estetik e artistik me një përmasë vibrante e plot ngjyra.

    Edhe pse poezitë e zgjedhura krejt spontanisht janë vetëm një pjesëz e mozaikut të këngëve të dashurisë, në to gjen muzikalitetin, metrikën dhe enumeracionin e vargut lasgushian, gjen lirshmërinë e beftë dhe koloritin e Dritëroit, por edhe gegnishten qytetare në ritmin e vargur migjenian, po aq sa gjen edhe “dashnorin” eseninian apo motive që të kujtojnë Pushkinin, Bërnsin, Bajronin, Gëten.

    Metafora është sipas pikëpamjes time bazamenti mbi të cilin e ndërton poeti pothuaj gjithë korpusin e vet poetik. Dhe kjo jo pa arsye. Mjafton të sjell si shembull vetëm poezinë “Buzë e plasun”, një poezi e gjitha metaforë, për të kuptuar se me sa art e ndërton Viktor Gjikolaj narracionin poetik, për të na thënë qoftë edhe me një poezi të vetme gjithçka shenjoi jetën e tij.

    Ndërkaq, poeti jo vetëm nuk na e fsheh marrëdhënien produktive që ka me lirikën popullore apo edhe me traditën tonë më të mirë letrare në këtë gjini, por, mençurisht na e demonstron atë duke na dëshmuar kësisoj se sa vlerë merr për krijimin letrar bashkëjetesa e poetit me fondamentin e vlerave të krijuara nga pararendës apo bashkëkohës të tij. Përmes kësaj qasjeje, ai i bën vend vetes me shumë dinjitet me lirikën viktoriane brenda mozaikut të madh të lirikës shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË