More
    KreuOpinionLekë Tasi: Debati për standardin 1972 vazhdon, por fshihen ende disa hollësi

    Lekë Tasi: Debati për standardin 1972 vazhdon, por fshihen ende disa hollësi

    1.Që debati mbi problemet themelore të vendit është jetik, këtë  e demonstron historia e dy shekujve të fundit. Ka qenë elita që në momente kritike si në 1878 dhe në 1910-11, përpiqej për autonomi dhe pavarësi respektivisht, por me një sfond social të pasqaruar se ç’duhej bërë. Ajo u mbushte mendjen njerëzve që t’i mobilizonte. Në 1944, me shtetin tanimë të formuar, përpjekja do të shndërrohej për mbijetesë si shoqëri perëndimore, pra e hapur, apo si pjesë e bllokut komunist, pra e mbyllur. Kriza e sotme nxjerr të tjera motive për tu përplasur, por me origjinë gjithmonë distancën e vjetër mes faktorësh historikisht të përçarë që secili bazohej në një pjesë të shoqërisë e që me kohë  u armiqësuan shumë e me pasoja tragjike. Nuk duhet fshehur  e kaluara, ajo është e pranishme, dhe e dëshmon mbrojtja që i bëhet një dokumenti të pretenduar si shkencor, Gjuha Standard e 1972, kur vetë  shkencëtarët e kohës u mënjanuan për shkak të kërkesave shkencore që ai nuk i përmbushte. Në vend të pranohet që ishte një fatkeqësi për të gjithë, insistohet të mos thuhet kjo e vërtetë, pra të përfshihen ata dijetarë të nderuar në një përgjegjësi që s’e kishin dhe s’e meriton të lidhet me të figura e tyre sot e përjetësisht.   Konstantja e mbetur mes dy palëve është po ajo:  dallimi mes elitës që e vuan urgjencën për të afirmuar identitetin e plotë shqiptar , dhe opinionit publik, tij  rinor që priret ta marrë  punën pa fort impenjim ose atij të zhgënjyerit nga gjithçka, që mendësia e sotme e çon larg problemeve dhe marrjes së përgjegjësisë.

    2.Midis intelektualëve me interesa letrare çështja e Standardit   ngre një farë debati nëse  vlen të mbahet më  gjuha zyrtare e  trashëguar nga diktatura, dhe me bazë dialektin tosk, pra të pjesshme, apo shtrohet detyra për një gjuhë përfaqësuese të gjithë shqiptarëve.  Kjo dilemë  mund të apasionojë më shumë në këtë fillim mijëvjeçari, meqë të shkolluarit janë shtuar, ndër ta edhe një shtresë e kualifikuar që merret  edhe me letërsinë e artin tonë  krahas librave e veprave të huaja, jo thjesht për detyrë, por se e shijon veçanërisht cilësinë e prodhuar në vend . Hapja me botën e bën shqetësuese përqasjen mes të dyjave për shkak të prapambetjes së grumbulluar, ndaj dhe  shton urgjencën për ndryshim. Opinioni i gjerë siç thamë nuk e ndien këtë problem, i plagosur siç është nga rehatia një pjesë, me efekt pakësimin o zhdukjen e leximit,  ose me iluzionin mirëbesues se debati spontan aktual dhe produkti i larmishëm letrar në treg  do ta sjellin vetiu  zgjidhjen së afërmi.   Një shpresë e bazuar kjo por me afat të gjatë realizimi dhe pa orientim pro njërës o tjetrës zgjidhje. Harrohet që nën pasionin për gjuhën e plotë Shqipe, pra për hyrjen në përbërje të saj edhe dialekti geg qëndron edhe ‘’revanshi’’ i mbuluar  jo vetëm kulturor i Veriut, të drejtat  e shkelura veçanërisht e asaj pjese, që pa u shtruar edhe si ngeç historik, s’ mund të arrihet rivendosja e plotsia kombtare dhe as mbyllja reale e kapitullit komunist. Te kjo zvarritje e maskuar si ‘kohë që mbyll plagët’ bazohet inercia e mbetëse e diktaturës, fitimtare e padiskutuar e  fazës së tranzicionit dhe zotëruese aktuale e skenës. Aleati më i vyer i saj : të marrurit veç me punët e ditës, emigracioni, dhe plot humbje kohe me projeksione modelesh të pasura jete e qefesh në TV. Mirëpo të mbetesh larg sofrës edhe mbasi je masakruar, kjo perspektivë nuk ka si pranohet pa krijuar fermente të rrezikshme, dhe këtë quajta  revansh kulturor (të parealizuar) të shumicës veriore (llogarit këtu edhe Kosovën).P o qe se historia e dekadave të fundit i parashtrohet publikut  me ngjyrat e saj të vërteta, duke ia shpjeguar një për një shtrembërimet e mbetura edhe sot në tekste shkollore, libra e filma, atëhere mund të marrë reliev edhe çështja e gjuhës, si projekt  politik për të shmangur plotësinë e saj edhe mbas dështimit të sistemit. Ata thjesht kërkojnë ruajtjen e  statu quo-s, me logjikën se Standarti ka zënë vend tashmë dhe me shpresë që mirëqenia  të arnohet mbi padrejtësinë dhe të sanksionohet njëanësia . Kësisoj   e nesërmja të vijë si një zhvillim objektiv  sëbashku me të tjera ndryshime në çdo fushë  që pranohen si taksa që koha t’i imponon..   Zgjidhja e çeshtjes pra për ata që nuk i pranojnë të tilla paraqitje të mumies si trupi i gjallë, o ndodh tashti përmes këtij debati në liri, ose nuk do vijë kurrë!     

     3.Shohim të përdoren edhe argumente të llojit personal në adresimin mes palëve, sikur  personi debatues, me që ka patur post zyrtar dikur në diktaturë, kjo ia heq të drejtën për të dhënë mendime, megjithëse  sot në fushën e gjuhës  ai vazhdon të hulumtojë, shkruajë dhe botojë. Kjo në mënyrë selektive: për shkak të  luftës së fortë që bën kundra rrymës  së dikurshme  Për ta prishur këtë klimë të vogël vjen parashtrimi prej tri faqesh  i filologut Mehmet Elezi (botuar në ‘Ex Libris’ dt 1 Tetor), që na  njeh me faktet e panjohura të Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Fakte skandaloze, që bën të kotë  çdo mbrojtje të atij kongresi në rrafshin shkencor dhe në të gjitha kohërat! Ai kongres sipas fakteve që shpalos Prof. Elezi, s’ishte veçse një mbledhje figurash sekondare të gjuhësisë dhe të një mase aktivistësh që u porositën  të miratojnë një draft të  prurë për firmë. Mënjanimi në thelb i gjuhëtarëve të shquar Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, përjashtimi i Selman Rizës dhe e shumë e shumë të tjerëve, si edhe i studimit bazë “Ortografi e gjuhës shqipe’’ të gjuhëtarëve kosovarë, moslejimi i asnjë propozimi alternativ, dëshmonte qysh atë moment për stilin tipik  enverist edhe në fushën e shkencës, me fyerjen plus që  vinte përmbi dijen shkencore ‘‘diskutimin popullor’’, d.m.th. direktivën që s’pranon as komente po vetëm brohoritje.  ..Ngurtësia e hartuesve të atëhershëm  konfirmon  autorësinë e kushtëzuar të pjesëmarrësve, por  shpjegon edhe motivimin e mbrojtjes që i bëjnë Standardit sot  hartuesit  ose pasonjësit.  Me këtë zgjerim të hollësishëm si profesionist të informacionit që i bën autori  Kongresit,  nuk sugjeron as dënimin moral të  hartuesve (dihet se sa të lirë kanë qenë të refuzonin…) dhe as të vetë Standardit, që ka vlerën e vet, dhe kjo u jep të drejtë kundërshtarëve të replikojnë me forcë, ngaqë e duan Standardin të vlefshëm dhe me formulë të plotë.  Këtë sjellje përjashtuese  të çdo debatuesi me pikëpamje të kundërta e kemi tipar të përhapur, dhe argumenti kryesor tipik vendës është  që  ‘’i hiqet  e drejta për tu shprehur kujtdo që ka qënë dikur në post drejtues.( A nuk të kujton kjo për kontrast Naimin, i cili duke qenë shef i Censurës në qendër të perandorisë, ndërmori pastrimin rrënjësor të Shqipes nga çdo lloj barbarizmash, i  fokusuar madje te ato turke  e arabe?) Dhe pikërisht e ngjashmërish, të z. Elezi  njëherazi që dikur me post, edhe pastaj  me një vazhdë të gjatë kundërshtimi të Standardit qysh prej 1990, (e sigurisht edhe më herët por në heshtje) me libra, artikuj, pjesëmarrje në konsulta, e bën edhe më të vlefshëm argumentin e tij kundërshtues, dhe vendos kriterin thjesht shkencor në vlerësimin të dëshmisë, duke lënë jashtë konsiderata të tjera. Në shkrimin e tij ai  nxjerr në dritë  paligjësitë e procedurës, refuzimet mbi  bazë marxizmi vendas (!) të çdo kontributi të hershëm dhe aktual që nuk përkonte me këto kritere klasore dhe partiake, e sidomos atyre  katolike, deri edhe të humanistëve të hershëm si Buzuku e Budi si të përkitura ‘feudalizmit fisnor’ (!), shkodranishtes si ‘gjuhë e  klerit reaksionar’, Komisisë Letrare, si ‘vepër e Austris, Zogut (!) dhe Italisë’, dhe i bënë këto shkelje duke tejkaluar  Stalinin e tyre, që e konsideron gjuhën të pa karakter klasor…

    4. Por kjo  ngurtësi e  procedurës antishkencore atëhershme, e shfaqur me hollësi nga Z. Elezi, ka rrezik t’u kalojë akademikëve të sotmë, kur/ose nëse refuzojnë debatin në seli dhe me respektin e duhur.  Dhe si për ta bërë kontrastin më të fortë, papritmas del në shtyp (Panorama dt 6 Tetor 2022) artikulli i historianit Romeo Gurakuqi me një ekspozé të ngjeshur megjithëse parciale të veprimtarive studimore shqiptare në vitet 1940-1944. Instituti i Studimeve Shqiptare, i papërmendur deri sot gjatë tërë diktaturës dhe më pas nga Akademia e Shkencave (së paku për publikun e gjerë), paska bërë një volum pune të habitshëm kur e përfytyron gjendjen e rëndë (kohën e L2B) gjatë të cilës studiuesit punuan: në gjuhësi, folklor, arkeologji, etnografi, botime të autorëve të shquar dhe të dokumenteve historike mesjetare dhe moderne, përpilim të Atlantit Gjuhësor Shqiptar, blerje të kostumeve kombëtare në Kosovë,  koleksioneve me monedha antike etj. Karakteristike e institutit është pjesëmarrja e gjerë e studiuesve më në zë e me stazh të gjatë veprimtarie, italianë dhe shqiptarë, (që mbas Shtatorit 1943 të parët do  të vazhdonin të ishin  bashkëpunëtorë të jashtëm, pra i mirëpritur kontributi i tyre). Karakteristikë e dytë : të gjithë aktivistët e këtij instituti me kontribute të shquara por që u ndodhën brenda kufijve u zhdukën, ekzekutuar o burgosur, o të detyruar të heshtnin gjatë dekadave që pasuan. Ky përjashtim i prerë i kujtdo që s’plotëson kushtet e zyrës së kuadrit përfshiu dhe përfshin edhe sot këdo që nuk rreshtohet në vazhdimësi  me Akademinë e djeshme që është edhe e sotmja. Ajo  feston sot 50-vjetorin e formimit të saj, dhe tre të pestat e jetës së saj i gëzon në liri. Por për sa i takon   dekretimit të Standardit  në 1972 ajo e  ruan qëndrimin e saj si atëherë edhe sot, dhe do që ai të ruhet në të ardhmen, dhe me çdo kusht. Po varfërimi i gjuhës? Eh, ç’të bëjmë.. ka ndodhur, fatalitet..

    PERSPEKTIVAT.  E vështirë  të fitojë miratim shkencor në kohë një vendosje e tillë e ngrirë në pozita anti-shkencore. Po edhe  të opinionit , sado zemërgjerë të jetë  në qasjen e tij optimiste se koha dhe kontributet në tregun editorial  do të sjellin harmonizimin dhe zgjidhjen. Në fakt konflikti i vërtetë, po ta mendosh,  nuk ësht mes dy pozicioneve, standard – anti standart, por mes vullnetit nopran të këtij të fundit që e do riafirmimin e plotësisë së gjuhës edhe si akt drejtësie për viktimat e flijuara në altarin e Standardit (koka të mençura që ranë mes pasivitetit të përgjithshëm si një episod çfarëdo  i luftës së klasave) dhe opinionit  të gjerë që e ka humbur këtë noprani në fatalizmin e tij optimist. Për këtë bëra hyrjen historike ku spikat elita në ndjekjen e kauzave, e ndjekur me hap të matur nga masa… Se si do të shkojë puna, këtë mund ta presim nga marrëveshja mes subjekteve të përfshira drejtpërdrejt në debat profesionist, mes tyre dy specialistët që përmenda më lart Profesorët Elezi dhe Gurakuqi, që me respektin  për profesionin e tyre dhe të vërtetën shkencore, me një fjalor monumental të Shqipes i pari, dhe me një dokumentim të munguar deri sot të Historisë i dyti, e meritojnë plotësisht mosqenien akademikë, prandaj sikundër rezulton aktualisht. Kurse në sektorin e opinionit mjaft me peshë , do ta presim rëndimin  e indikatorit pro plotësisë së gjuhës nga mbetja e gjuhës shtëpiake e veriorëve (Shkodër e kulturuar në traditën më të lashtë- Gegëri instiktive – Kosovë irredentiste). Meqë është e gjallë ajo,  me kohë  ta ndjemë të gjithë të ngushtë kostumin standard në trupin e tonë, dhe do ta zhbëjmë mekanikisht  si një rrobë të vjetër që hidhet tej.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË