More
    KreuLetërsiBotime të rejaKristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare

    Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare

    Prof. As. Dr. Jonela Spaho

    Detyra që qëndron para kujdo kur i hyn punës për të shkruar për një autor a çështje të caktuar, është të japë një sintezë të asaj që është arritur në këtë fushë studimi, për të kuptuar se në ç’drejtime do ta shpjerë më përpara ai mendimin shkencor në fushën përkatëse. Por në rastin kur objekt studimi është një autor që pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij letrare i përket gjinisë dramaturgjike, puna qëndron disi më ndryshe: horizonti i pritjes së veprës së një dramaturgu dhe komediografi nuk ka lidhje vetëm me kritikën, për tekstin e botuar, por dhe me skenën. Prandaj në këtë punim për veprën letrare të Kristo Floqit, historia e studimit do të përfshijë si pritjen nga mendimi kritik e historiko-letrar të tekstit të veprave të tij, por dhe pritjen nga spektatori e kritika të spektaklit të veprave të të tij.

    Është një fakt që duhet pohuar që në krye se horizonti i pritjes për krijimtarinë dramaturgjike të Kristo Floqit ka qenë më i ndjeshëm ndaj shfaqjeve në skenë të veprave të tij, se sa ndaj tyre si tekst letrar. Në këtë aspekt është është e përligjur vëmendja që do t’i kushtojmë më poshtë pikërisht këtij aspekti të pritjes së veprës së këtij autori, kryesisht asaj dramaturgjike

    Kristo Floqi është pa dyshim një nga autorët më popullorë të letërsisë e veçanërisht dramaturgjisë shqiptare në periudhën 1912-1939. Vepra e tij juridike, politike, publicistike dhe sidomos ajo letrare ka qënë e njohur gjerësisht në periudhën kur ai e shkroi atë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij gati u harrua ose u përmend shkarazi në ndonjë tekst të Historisë së Letërsisë Shqipe apo studim kritik.

    Ky punim kërkon të ndriçojë aspekte të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë së këtij autori, pak të njohur dhe shumë pak të studiuar për një periudhë, gati gjysmëshekullore. Emri dhe vepra e tij u la gjatë në heshtje, ndërsa sot ka ardhur koha që ky autor me këtë krijimtari të begatë, veçanërisht në një gjini pak të zhvilluar në letërsinë tonë në periudhën kur shkroi, të zërë vendin që i takon në radhën e autorëve të traditës që sollën kontributin e tyre duke pasuruar letrat shqipe.

    Duke qënë një figurë e spikatur jo vetëm në aspektin letrar dhe publicistik, por dhe politik, emri i Kristo Floqit është përmendur e analizuar në shumë organe të shtypit të kohës, kur ai dominoi në jetën politike dhe shoqërore.

    Fisnik në pamje, erudit në kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar nën ndikimin e disa kulturave, burrë i vërtetë shteti, orator dhe organizator i përkryer, ai i bënte vend vetes në të gjitha mjediset, shoqëritë dhe vendet ku ai jetoi pjesën më dinamike të jetës së tij. Duke pasur një aktivitet të rëndësishëm politik dhe patriotik dhe një gjeografi të pasur vendndodhjesh, emri i tij do të përmendet e analizohet në organe të tilla si “ Dielli ” i Bostonit, “Dielli e Flamuri” Boston, “ Atdheu” Kostancë, “ Shtypi” Tiranë, “ Gazeta e re” Tiranë, “ Demokracia” Gjirokastër, “ Kalendari Kombiar” Sofje, “Posta e Shqypnisë” Shkodër, “Populli” Vlorë, “Besa shqiptare” Shkodër, “Gazeta e Korçës” etj., në të cilat analizohet jeta dhe aktiviteti i tij politik në periudha të ndryshme.

    Por ajo që na intereson më tepër në këtë studim është vepra e tij letrare e më konkretisht ajo dramaturgjike.

    Siç e thamë, ai botoi një numër të konsiderueshëm komedish dhe dramash, të cilat publiku i ndoqi me kënaqësi në skenat e teatrove amatore dhe kritika vuri në dukje suksesin e tyre. Kështu përmendim “Argëtim theatrues i tretë në Elbasan” , “Posta e Shqypnisë” 1918, “Fe e kombësi luhet në Korçë”, “Gazeta e Korçës” 1920, “Theatroja “Fe e kombësi”, “Koha” Korçë, “Bisedime theatrore”, “Ora”Tiranë, “Mbi komedinë e Kristo Floqit”, “Gazeta e Korçës”etj. Po ashtu analiza mbi vepra të veçanta të tij janë bërë në “Gazeta shqiptare” Bari,1935, “Besa” Tiranë, 1935, “Letra” Shkodër 1935, “Ora” Tiranë, 1921 etj.

    Pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1912, me krijimin e shtetit të ri shqiptar, lëvizja teatrore amatore filloi të përhapej në gjithë vendin. U ngritën një numër i madh grupesh amatore në disa qytete të Shqipërisë si Korçë, Shkodër, Berat, Vlorë, Tiranë etj, të cilat vunë në skenë shumë pjesë të shkruara nga autorë shqiptarë. Me gjithë kushtet e vështira që hasnin këto trupa amatore si dekori, skena, përgatitja e aktorëve etj, pasioni dhe dëshira e mirë e themeluesve  dhe anëtarëve të tyre, bëri që këto teatro amatore të zhvillonin një aktivitet të dendur artistik.

    Në periudhën në fjalë, Korça dhe Shkodra ishin dy qytetet që kryesonin në aspektin e aktivitetit teatral. Studiuesi J.Papagjoni te “Teatri dhe Kinematografia shqiptare”, i cilëson këto dy qytete si qendra  të rëndësishme të teatrit shqiptar deri në vitin 1945, duke u ndalur hollësisht në aktivitetin e tyre teatral.[1]Në Korçë, në këtë periudhë do të zhvillonin aktivitetin e tyre disa shoqëri artistike, të cilat vunë në skenë një numër të konsiderueshëm pjesësh dramaturgjike, kryesisht krijime të autorëve korçarë. Ndër këto shoqëri si më të rëndësishmet përmendim “Banda Vatra”, formuar në SHBA, nga patriotë shqiptarë. Nga anëtarët e saj dhe nga të rinj shqiptarë të ardhur nga Rumania, për mbrojtjen e atdheut, u krijua në vitin 1920 ”Shoqëria e Arteve të Bukura, e cila zhvilloi një aktivitet të gjerë artistik, muzikor dhe teatror. Në vitin 1925, u krijua shoqëria artistike “Djelmëria Korçare”. Më 1926, nga “Shoqëria e Arteve të Bukura”, u krijua “Grupi Dramatik”, që synoi t’i jepte shpirt dhe gjallëri artit në Korçë. Më 1927 u krijua “Klubi Sportiv e Artistik”, ndërsa më pas, në vitet 30’ u krijuan shoqëritë “Puna”, ”Rinia Korçare”, etj, të cilat në aktivitetin e tyre kulturor e patriotik, përfshinë dhe vënien në skenë të shumë pjesëve teatrale.

    Siç e përmendëm dhe sipër, po të vërejmë më kujdes repertorin e skenës së kësaj periudhe, vëmë re se si material skenik, kryesisht është shfrytëzuar prodhimtaria e autorëve shqiptarë dhe në një masë të konsiderueshmë janë vënë në skenë edhe pjesë të huaja. Fakti që skenat teatrore, jo vetëm në Korçë por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë preferuan krijimtarinë e autorëvë shqiptarë  vjen për disa arsye:

    Së pari, këta autorë pjesët e të cilëve u vunë në skenë, ishin autorë bashkëkohës, njerëz të arsimuar dhe me kulturë të gjerë të marrë në perëndim, të cilët e njihnin mirë psikologjinë, temperamentin dhe mënyrën e jetesë së publikut shqiptar, ndaj në krijimtarinë e tyre ata u përpoqën të pasqyronin kryesisht mentalitetin e kohës.

    Së dyti, duke ditur që gjendja e teatrit të kohës kishte plot dobësi dhe mungesa, si nga ana aktoriale, ashtu dhe ajo skenike, pjesët e autorëvë shqiptarë ishin më të thjeshta për t’u vënë në skenë, si nga ana e dekorit ashtu dhe nga numri i personazheve.

    Së treti, këta autorë i krijonin kryesisht këto pjesë të diktuar nga mungesa e materialit skenik, ndaj ato që në fillim ishin të destinuara të bënin jetë përmes skenës.

     Së katërti, veprat dramaturgjike të autorëve shqiptarë kishin një frymë të thellë patriotizmi dhe atdhedashurie, çka përcillte mesazhe të fuqishme ne auditorin mbarë shqiptar të asaj kohe.

    Vlen për t’u theksuar fakti se duke vërejtur repertoret e teatrove në qytetet kryesore të Shqipërisë, (atje dhe ku u zhvillua lëvizja teatrore ) emri i Kristo Floqit qëndron në krye të listës. Dhe kjo vërteton dhe njëherë faktin se pjesët e tij skenike, me mesazhet që ato përcillnin dhe lehtësinë skenike që paraqisnin, u preferuan në masë të gjerë nga pothuaj gjithë trupat e teatrove amatorë në Shqipëri.

    Edhe shtypi i kohës i pasqyroi sukseset e komedive dhe dramave të Kristo Floqit. Kështu te “Gazeta e Korçës”, më 21 korrik të vitit 1920, jepet njoftimi mbi shfaqjen e dramës “ Fe e kombësi ”, e midis të tjerash thuhet: ”Banda kombëtare “Vatra” do të lozë të Premten dhe të Djelë mbrëmanet, 23, 24 korrik, më 8, në Gazino, dramën e famëshme “ Fe e kombësi”. Kjo vepër është shkruar në vjershë prej atdhetarit tonë të dëgjuar, z. Kristo Floqi. Në të tregohet çkoqur feja dhe kombësija e shqiptarit dhe i jep mundësi shikonjësit të kuptojë mirë qëllimin e shkrimtarit dhe i tregon që në çështje kombëtare dhe dashurie s’ka të bënjë fare feja. Blini tiketa të gjithë, që të shikoni një dramë nga më të rrallat për ne shqiptarët.”[2]

    Vepra dramatike ka privilegjin që jeton përmes skenës dhe receptohet drejtpërdrejt nga audienca e cila e ndien dhe e lidh, veçanërisht atë me eksperiencat e veta.  Me të vërtetë, komeditë dhe dramat e Kristo Floqit u pëlqyen dhe u pritën shumë mirë nga publiku. Veçanërisht, sukses patën komeditë pasi ato ishin të thjeshta, të këndshme, trajtonin mjedise dhe mendësi shqiptare, karakterizoheshin nga humori dhe e qeshura që buronin nga një sërë situatash komike, ishin të lehta për t’u perceptuar e për t’u vënë në skenë, ndaj ato u shfaqën shumë herë nga pothuajse nga të gjitha teatrot amatore që u krijuan në Shqipëri në atë periudhë (1912-1939).

    Po të vihet re, sipas studimit që ka bërë prof. Kudret Velça mbi teatrin e viteve 1912 – 1939, bie në sy mbizotërimi i komedive, e veçanërisht i komedive të Kristo Floqit. Dhe kjo për disa prioritete që ka ky lloj i gjinisë dramatike. Në fakt komedia është cilësuar si një kompensim filozofik, po aq sa dhe psikologjik. Sa herë që ne bëhemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është bota më e mirë e mundshme, na duhet ndihma e komedianëve për të përballur “defektet” e pakapërcyeshme të realitetit. Në të gjitha shoqëritë e civilizuara shpirti komik duhet të qëndrojë lart me buzagaz, të hollë, të vëmendshëm e te tensionuar, sepse asnjë shoqëri nuk është e shëndetshme pa qeshur me veten. Artistët komikë mendojnë se e vërteta mund të marrë çdo lloj drite. Me këtë besim mbështetet kurajoja heroike e komedianit.

    Prandaj komeditë e pakta të periudhës 1912 – 1939 kanë pushtuar skenat e teatrove amatorë, pikërisht me mënyrën e lehtë dhe të thjeshtë të ndërtimit, por që nuk harronin të vinte në dukje defekte, gabime e marrëzi të jetës dhe mentalitetit shqiptar duke argëtuar, por njëkohësisht dhe duke bërë të reflektonte publikun shqiptar, i cili nuk kishte si të mos i analizonte në jetën e përditshme tipa si Miti te “Vllazini e interes”, Gala te “Zi e më zi”, Katina te “Burri – Burrë!”, Strumbullari e Sorollopi te “Akraballëqet”, si Dudumi te “Rrogat e nëpunësve” etj. Këta tipa komikë ishin mbartës të një sërë vesesh e deformimesh morale të dhënë herë përmes humorit pa të keq, herë përmes ironisë e satirës dhe, ndonjëhere përmes sarkazmës e groteskut.

    Komeditë e Kristo Floqit, të receptuara kaq gjerësisht nga spektatori i kohës, padyshim kanë qenë një argëtim, por dhe një çlirim energjish të ndryshme, keqardhje, por dhe reflektim mbi personazhe dhe tipa që na bëjnë të qeshim me vese, gabime e marrëzi, por që ne e kemi të vështirë ta pranojmë veten si bartës së tyre. Sidoqoftë, efekti reflektues dhe katharsis ekziston si një mundësi e madhe për të shpjeguar audiencën e gjerë të komedive të Floqit në kohën kur ato u shkruan.

    Kështu, komeditë e Kristo Floqit i shohim të receptohen përmes skenës, që në vitin 1918, kur grupi teatror i Elbasanit shfaqi “Dhëndërr me perdhuni” dhe “E bija e bankierit”. Të njëjtat komedi u vunë në skenë, më 1925, nga shoqëria “Bashkimi” në Drenovë, nga vajzat dhe gratë e qytetit të Gjirokastrës, me 1930 dhe më 1938 nga grupi teatror i klubit “Ismail Qemali” Vlorë, bashkë me komedinë “Vllazni e interes”. Po ashtu, komedia “Pësimet mësime” u vu në skenë për herë të parë më 1920 nga “Shoqëria e Arteve të Bukura” në Korçë.

    Në revistën “Agimi “, të datës 10 prill 1920, me rastin e shfaqes së komedisë ”E bija e bankierit” thuhet: ”Landën e kësaj komedie, si dhe përpilimin e saj nuk është nevoja me i lëvdue, pse prej penës s’auktorit t’onë nuk mundet me dalë ndonji vepër qi të ket nevojë për kritikë.”[3]

    Ndërsa në gazetën “Zëri i Korçës “, të shkurtit të vitit 1926 shkruhet:”Komedia “Merre ta marrim”, prej K.Floqit u lojt këtë javë dy net me rradhë nga shoqëria ”Djelmuria korçare” dhe pati një sukses të kënaqshëm. Në fund të çdo akti duartrokitje të parashtura vazhdonin nga ana e popullit prej të cilave provohej se një kënaqësi dhe simpathi ndjehej në zemrat e tyre”[4]. Ndërsa në po këtë gazetë, të tetorit të vitit 1927, lexojmë njoftimin mbi vënien në skenë të një tjetër komedie të tij: ”…gjithashtu e lojtën shumë bukur dhe komedinë ”Dhëndër me përdhuni”. Kjo bëri një përshtypje të mirë nër gjindjen, e cila u shkul së qeshuri.”[5]

    Gjithashtu, komedia “Lojnat e studentëve” u vu në skenë në 1924 nga shoqëria teatrore e Gjirokastrës dhe po në të njëjtin vit vihet në skenë nga shoqëria sportive “Vlora”. Komedia “Merre ta marrin” u vu për herë të parë në skenë nga e njëjta shoqëri që përmendëm më sipër dhe vihet në skenë, përsëri, më 1936. Sukses ka njohur dhe komedia “Akraballëket”, e cila u vu në skenë më 1932, nga shoqëria sportive “Shqiponja” dhe më 1936, nga shoqëria “Muzika dhe Tomorri” në Berat. Ndërsa komedia “E mbesa e krahinarit ” u vu në skenë më 1934, nga shoqëria “Puna” në Korçë, më 1939, nga shoqëria “Dragoi” në Pogradec, më 1937 nga grupi teatror i Lushnjës, dhe më 1938 nga grupi teatror “Rinia korçare”. Po ashtu janë vënë në skenë, nga disa trupa teatrore, edhe komeditë “Do të vras vedin”, “Meço Qafzezi”, “Zi e më zi” etj.

    Lidhur me komeditë e Kristo Floqit dhe vënien e tyre në skenë te gazeta “Zëri i Korçës” shkruhet: “ Më 14 shkurt të dielë mbrëma, shoqëria mirëbërëse “Bashkimi” me anë të djelmoshave të grupit prezantoj në sallën e klubit komedinë ”Vllazni dhe interes”, ku kishin mbledhur shumicë populli. Komedia u lojt bukur sa të gjithë u kërdisnë së qeshur.i”[6]

    Sukses kanë njohur përmes skenës edhe dramat e tragjeditë e tij. Kështu drama “Fe e kombësi”, për mesazhet që përcolli, u vu në skenë disa herë si p.sh. nga grupi teatror i Vlorës më 1928, në Gjirokastër më 1935 dhe 1936, nga shoqëria “Apollonia” në Fier etj. Po ashtu dhe drama “Karlo Topia” njohu disa interpretime: më 192, në Vlorë, me rastin e ardhjes se F.Nolit, më 1928, nga shoqëria “Besa Shqiptare” Shkodër, më 1935, nga grupi teatror “Durrësi” etj.

    Në “Gazetën e Korçës”, të gushtit të vitit 1928, thuhet: ”Pardje klubi artistik “Devolli” çfaqi dramën “Karllo Topia” dhe komedinë ”Reklamë e bllofë”. Çfaqja përfundoi me sukses dhe rrobat ishin të mira. Kjo tregon se djelmoshat tanë kanë etje për art, por shpresojmë se tjatër herë do lozin më mire.”[7]

    Tragjedia “Pirro Neoptolemi” u receptua dhe u pëlqye, gjithashtu, për mesazhet që përcillte dhe mënyrën interesante të thurrjes së subjektit dramatik. Për këtë arsye ajo u vu në skenë disa here, si më 1926, nga shoqëria “ Trupi gjimnastikor” në Pogradec, më 1930, në Korçë etj. Në “Gazetën e Korçës” të marsit të vitit 1935, shkruhet lidhur me shfaqen e kësaj tragjedie: ”Të djelën mbrëma grupi theatral “Dragoi” prezantoi dramën “Pirro Neoptolemi” të K.Floqit, në të cilën asistuan jo vetëm gjithë autoritetet e vendit dhe paria e vendit por dhe një shumicë e madhe populli aq sa disa që arritën vonë u detyruan të qëndrojnë në këmbë. Çfaqja u lojt për mrekulli, prandaj meritojnë përgëzime grupi dhe dretonjësit në fjalë për të tilla shfaqe kaq të dobishme dhe sikurse përherë presin edhe të tjera prej tyre. Marrim vesh se shoqëria e këtushme ka ndërmend që këtë dramë ta çfaqë edhe në disa qytete të tjera si p.sh në Korçë po jemi të sigurt se populli artdashës i Korçës nuk do t’i kursejë përkrahjen e tij morale dhe material.” [8]

    Gjithashtu, në një njoftim të gazetës”Koha” në Korçë mbi daljen e dramës “Karllo Topia” thuhet: “Muarrmë dramën kombëtare”Karllo Topia” me pesë akte prej z.Kristo Floqi. Kjo dramë është më e mbaruar nga të gjitha dramat e tjera gjer më sot, andaj e rekomandojmë në të gjithë. Bliheni pa u mbaruar.”[9]

    Ndërsa në revistën “Leka” ku flitet mbi poemën e tij “Dëshmorët e Rilindjes” ose “Epope e Korçës” thuhet: “Të rrallë janë poetët shqiptarë, qi ndër poezi të veta kanë qenë të inspiruem nga ngjarjet historike të vendit e ma të rrallë edhe shkrimtarët që kanë shkruem histori të dokumentueme mbi ndodhitë e ndryshme të rilindjes së atdheut. Për qëllimin e naltë qi ka vepra meriton të përhapet e të lexohet pse vijnë me naltësue e më ushqye zemrat e brezit të ri me shujtjen e fatosavet të vet.”[10]

    Duhet përmendur dhe fakti që shumë prej poezive të tij lirike dashurore, të cilat ai i përmblodhi  në vëllimin “Tingëllimet e Zembrës” u bënë tekste këngësh, të cilat janë kënduar dhe vazhdojnë të këndohen në Korçë, por dhe më gjerë. Vetë autori në parëthënien e vëllimit shkruan:“Shumë prej këtyre këngëvet u bënë popullore e këndohen sot nëpër qytetet e katundet e Shqipërisë.”[11].

    Këngë të tilla si; “Dashuri e parë”,”Haj këtu me mua”,”Beqari”,”Pse moj malësore?”, “Burimi i Çardhakut”, janë bërë pjesë e rëndësishme e këngës lirike qytetare korçare, pjesë e identitetit kulturor dhe shpirtëror të këtij qyteti.

    Përsa i përket shkrimeve mbi jetën dhe krijimtarinë e tij letrare duhet pohuar seemri i Kristo Floqit, si autor i njohur shqiptar, përmendet në librin “Shkrimtarë shqiptarë II ”,1941, ku thuhet: ”Kristo Floqi asht nga shkrimtarët ma pjellorë të Shqipnisë; prodhimi i tij letrar në prozë e në poezi asht i mbushulluem e i larëm: ka hartue katër drama,gjashtëmbëdhetë komedi, gjashtë vëllime në poezi e satira, vepra juridike e letrare dhe artikuj me shumicë nëpër fletore e të përkohshme. Gjuha e vepravet asht nji toskënishte e rrjedhëshme dhe stili i tyne populluer.”[12].

    Po ashtu, për Kristo Floqin si autor shqiptar ka shkruar dhe Gaetano Petrotta te vepra e tij “ Historia e letërsisë shqiptare”, në të cilin ai e cilëson atë si një ndër shkrimtarët që e kanë të siguruar emrin në të ardhmen.[13]

    Emri i Kristo Floqit përmendet vetëm një herë në “Historinë e letërsisë shqiptare”, 1983, kur flitet për dramaturgjinë, ndërsa Robert Elsie flet më gjerësisht për jetën dhe veprën e tij tek “Historia e letërsisë shqiptare”, në kapitullin ku trajtohet zhvillimi i dramaturgjisë sonë. Ai e cilëson Floqin si:”dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të .”[14].

    Gjatë viteve kur emri i Kristo Floqit nuk përmendej dhe njihej në studimet tona letrare, në Kosovë, studiuesi Hilmi Thaçi botoi tre komedi të Kristo Floqit, shoqëruar me një parathënie mbi jetën dhe veprën komediografike të tij, por të dhënat që sjell janë shumë të pakta. Gjatë viteve të monizmit vepra e Kristo Floqit është përmendur e analizuar vetëm te “Historia e teatrit shqiptar” nga Kudret Velça, ndërsa pas viteve ’90, për Kristo Floqin dhe komeditë e tij është botuar vetëm një shkrim i autorit Jakup Mato “Rreth disa komedive të Kristo Floqit”, ku analizohen tipare specifike të krijimtarisë komediografike të këtij autori. Emrin e Kristo Floqit, po ky autor e përmend shpesh dhe në veprën e tij “Paradokset e satirës dhe humorit”. Edhe profesor Ali Xhiku te vepra e tij “Letërsia shqipe si polifoni”, në kapitullin që flet për dramën shqiptare të traditës trajton dhe dramat dhe tragjedinë e K. Floqit. Gjithashtu, studiuesi Josif Papagjoni përmend emrin e Kristo Floqit si dramaturg i periudhës 1912-39 dhe veprat e tij që u vunë në skenë në këtë periudhë, në enciklopedinë ”Teatri dhe Kinematografia shqiptare”.

    Përsa u përket disa fakteve të diskutueshme të jetës së K.Floqit, studiuesi Stilian Adhami te artikulli i tij “ I anatemuari Kristo. Floqi” shkruan: ”Me gjithë këtë bilanc të pasur, madje voluminos të krijimtarisë së këtij autori, çuditërisht Kristo Floqi dhe vepra e tij, është errësuar dhe lënë në harresë, është përgojuar e përbuzur. Kjo si në kohën e monizmit, ashtu edhe më parë. Me sa dimë ne i vetmi shkak apo “faj” më i madh i tij është se ka shkruar himnin e mbretërisë dhe si i tillë është damkosur me vulën e panegjiristit të monarkut. Por a duhet anatemuar autorë të tillë, që veprimtarinë e tyre atdhetare e krijuese e kanë filluar që në kohë të robërisë osmane?[15].

    Lidhur me figurën shumë dimensionale të Kristo Floqit ka shkruar dhe gazetari Fiqëri Shahinllari te libri i tij ” Lis mbi shkëmb”. Duke analizuar historinë traditat dhe personalitetet e fshatit të tij të lindjes ai shkruan dhe mbi jetën dhe veprën e Kristo Floqit, duke e vlerësuar atë si një nga emrat më të shquar të trevës së tij: ”Kristo Floqi është një prej figurave kryesore elitare të fshatit. Ai është një nga politikanët,  shkrimtarët, juristët më në zë të Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë në vitet ‘20 e ‘30 , sidomos në kohën e Zogut.”[16].

    Së fundmi Kristo Floqi është përfshirë dhe në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (2008), botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u renditur në radhën e autorëve të letërsisë shqiptare të periudhës ‘12-‘39.

    Në gazetën “Metropol”, të vitit 2004, jepet, gjithashtu, njoftimi mbi vënien në skenë të të komedisë “Vllazni e interes” nga trupa e teatrit “Bylis” të Fierit: ”Molieri shqiptar, siç është cilësuar nga kritika shqiptare, Kristo Floqi është ngjitur mbrëmë në skenën e Fierit me “Vllazni dhe interes”, nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Luftëtar Paja, Fatmir Xheli dhe gjithë trupës së teatrit  fierak. Pas një censurimi të gjatë të krijimtarisë së tij, komedia e Kristo Floqit është parë në skenën fierake, duke ngjallur interes të veçantë.”[17].

    Po ashtu, kemi informacion se disa komedi të këtij autori janë vënë në skenë gjatë këtyre viteve dhe në Kosovë.

    Shumica e komedive të Kristo Floqit mbartin vlera aktuale, ndaj vënia në skenë e tyre nga teatro dhe aktorë prestigjozë do të sjellë reagim dhe audiencë të gjerë, me karakteret, tipat, situatat komike dhe të qeshurën e këndshme që buron natyrshëm.  

    Kristo Floqi, sigurisht që tërheq vëmendjen me një krijimtari kaq të pasur, aq të receptuar dhe të mirëpritur nga lexuesi dhe spektatori i kohës. Jo vetëm vepra letrare, por dhe jeta e tij, parë në aspektet më të rëndësishme të saj, me kontributin që ai i dha çështjes kombëtare, do të zgjojë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve.

    Koha do të verë në dukje, në një të ardhme të afërt, vlerat dhe meritat e këtij personaliteti, i cili i dha shumë prej kulturës, energjive dhe aftësive të tij historisë dhe letërsisë shqiptare. Studimet tona në këtë fushë sapo kanë filluar.


    [1]  J. Papagjoni, Enciklopedia Teatri dhe Kinematografia shqiptare, Tiranë, 2009.

    [2] Gazeta e Korçës, Korçë , 21 korrik, 1920, nr, 10. f.4

    [3]  Revista, Agimi, Shkodër, 10 prill, 1920, f. 5.

    [4]  Gazeta,  Zëri i Korçës, 13 shkurt, 1926, nr.61.

    [5]  Po aty , Korçë, 1 tetor 1927,  nr. 229.

    [6]  Po aty, 20 shkurt, 1926, nr. 63.

    [7]Gazeta e Korçës, Korçë,  9 gusht, 1928, nr. 525, f. 4.

    [8]Gazeta e Korçës, Korçë, 1 mars, 1935,  nr. 2178.

    [9]  Gazeta, Koha, Korçë , tetor 1923, nr. 150, f. 2.

    [10]  Ravista, Leka, Bibloigrafi, Shkodër, 1935

    [11]  Kristo Floqi, Tingëllimet e Zembrës, Vlorë, 1922, f. 2.

    [12] Shkrimtarët Shqiptarë II , Tiranë,   1941, f. 252.

    [13]  Gaetano Petrota, Popolo Lingua e letteratura albaneze, Palermo, 1931, f. 249.

    [14]  Robert Elsie, Historia e letërsisë  shqiptare, Tiranë-Pejë, 1997, f. 354.

    [15] Stilian Adhami, Gazeta Shqiptare, “I anatemuari Kristo Floqi”, Tiranë 20 tetor, 2008 , nr. 4377.

    [16] Fiqëri Shahinllari, “Lis mbi shkëmb”, Tiranë, 2008, f. 83.

    [17] Irena Mërtiri,Gazeta Metropol, “Molieri shqiptar “qesh” pas censurës”, Tiranë , 4 dhjetor, 2004. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË