More
    KreuHistoriHasan Bello: Fjalori i Kostandin Kristoforidhit dhe diplomacia greke

    Hasan Bello: Fjalori i Kostandin Kristoforidhit dhe diplomacia greke

    Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) ka qenë studiues i shquar i gjuhës shqipe dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Ai lindi në Elbasan në vitin 1827 dhe nga viti 1847 studioi në gjimnazin Zosimea të Janinës. Gjatë kësaj kohe ai ndihmoi albanologun e njohur J.G.Han për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht. Në vitin 1857 ai shkoi në Stamboll dhe më pas në Maltë ku qëndroi deri më 1860 në një seminar protestant, ku përfundoi përkthimin e “Dhjatës së re” toskërisht e gegërisht. Në këtë periudhë ai paraqiti disa ide për autonominë e Shqipërisë, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si dhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin “Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta” (1860). Për disa vite ai ushtroi profesionin e mësuesit në Tunis, ku hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Në vitin 1866 ai përfundoi përtkhimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet “Psallmet” (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), “Dhjata e re” (gegërisht 1869, toskërisht 1879), “Të bërët dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Nomi i dytë” (toskërisht 1882) “Fjalët e urta të Solomonit” dhe “Vivla e Isaisë” (toskërisht 1884). Ai ka lënë dorëshkrim “Krijesa dhe të dalët” gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Kristoforidhi udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Në vitin 1884 ai u vendos në Elbasan, ku vijoi të mësonte shqipen fshehurazi derisa vdiq.

    Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është “Fjalori i gjuhës shqipe”. Fati i këtij fjalori ishte një kalvar i gjatë dhe plot mundime. Për gjetjen dhe botimin e tij u përfshinë disa shtete (Greqia dhe Austro-Hungaria) dhe diplomatë. 

    ***

    Më 29 tetor 1897, konsulli austro-hungarez në Shkodër Teodor Ippen i raportoi ministrit të Jashtëm kont Goluhovski se nacionalistët shqiptarë të Elbasanit e kishin vënë në dijeni se gjuhëtari i njohur Kostandin Kristoforidhi kishte hartuar një fjalor shqip-greqisht në dorëshkrim dhe se botimi i kësaj vepre popullore do ta nxiste jashtzakonisht rilindjen gjuhësore në të gjithë Shqipërinë. Meqenëse patriotët shqiptarë prisnin nga Austro-Hungaria përkrahjen e aspiratave kombëtare, ata i luteshin Vjenës të merrte përsipër botimin e kësaj vepre. Ippen kishte kërkuar nga këta të fundit, që trashëgimtarët e Kostandin Kristoforidhit, i cili kishte ndërruar jetë dy vjet më parë, t`i tregonin dorëshkrimin origjinal. Nga ky konstatim, ai kishte arritur në konkluzionin se fjalori nuk përmbante 40.000 fjalë, siç pretendonin patriotët shqiptarë, megjithëse ai ishte një punim me shumë vlerë.

    Për botimin e këtij fjalori, trashëgimtarët e Kostandin Kristoforidhit i kishin deklaruar Ippen-it se ata kishin pasur disa oferta: një ofertë nga Shoqëria Biblike Amerikane prej 700 fundesh (njësi monetare); një ofertë nga partia kombëtare në Korçë prej 300 fundesh; dhe një ofertë nga dijetari gjerman Weigandi, docent në universitetin e Laipzigut, i cili kishte vizituar Elbasanin rreth vitit 1889 dhe kishte ofruar një shumë prej 400 fundesh turke.

    Ippen në raportin drejtuar ministrit të Jashtëm shprehte shumë rezerva mbi këto oferta, duke i quajtur ato shuma përrallore, të cilat nuk duheshin marrë aspak në konsideratë. Ai i kishte deklaruar patriotëve shqiptarë të Elbasanit se personalisht ishte i mendimit se qeveria osmane, nuk kishte asnjë interes për një ndërrmarje të tillë dhe se në rastin më të mirë për botimin e këtij fjalori mund të kishte interes Akademia e Shkencave në Vjenë. Por, edhe për këtë Akademi kjo nismë ishte një ndërrmarje e kushtueshme, pasi dorëshkrimi nuk ishte gati për t`u shtypur dhe se albanologët e njohur si profesor Mayer në Grac dhe profesor Jarnik në Pragë ishin të mendimit se për këtë nevojitej një punë 1-2 vjeçare. Sipas Ippen-it, duke marrë parasysh rrethanat ekzistuese, as që mund të bëhej fjalë që ky dorëshkrim t`u blihej trashëgimtarëve të Kristoforidhit nga ana e Austro-Hungarisë. Ai ishte i mendimit se kjo ishte detyrë e patriotëve shqiptarë, ndërsa lidhur me botimin e veprës atyre nuk do t`u mungonte përkrahja e Vjenës. Megjithatë, Ippen shprehej skeptik lidhur me faktin se patriotët elbasanas do ta ndiqnin deri në fund këtë çështje. Ai besonte se edhe ata, ashtu si të gjithë shqiptarët, vuanin për mungesë qëndrueshmërie dhe, se çështja e fjalorit të Kristoforidhit ende për shumë kohë do të mbetej pezull.

    Por, një interes për fjalorin e Kristoforidhit, ndonëse ishte tepër vonë, Vjena do të tregoi në fillim të shek.XX. Kështu, më 30 korrik 1901, nënkonsulli austro-hungarez në Manastir, Kral i raportoi ministrit të Jashtëm se me rastin e vizitës së markezit Carlotti në Elbasan, ky i fundit kishte zhvilluar një vizitë tek i biri i Kristoforidhit. Pyetjes së markezit Carlotti lidhur me fjalorin e të atit, i biri i Kristoforidhit i ishte përgjigjur se atë, e kishte dërguar në Athinë. Kjo ngjalli shqetësim të madh në Vjenë, pasi autoritetet austro-hungareze kishin arritur në përfundimin se botimi i fjalorit mund të sillte një përfitim të rëndësishëm për çështjen kombëtare shqiptare. Por, mbi të gjitha shtypja e këtij fjalori përbënte një interes dhe sukses moral mjaft të madh për autoritetet austro-hungareze. Prandaj, nënkonsulli austro-hungarez në Manastir, u udhëzua me detyrën për të zhvilluar hetime të mëtejshme mbi vendndodhjen e dorëshkrimit. Për këtë, ai ngarkoi një person të besueshëm, i cili pas shumë përpjekjeve mblodhi informata sipas të cilave, patrioti Visar Dodani kishte deklaruar se Shoqëria “Dituria” në Bukuresht kishte vendosur të dhuronte mijëra franga për blerjen dhe botimin e fjalorit. Prandaj, i biri i Kristoforidhit ia kishte dorëzuar fjalorin konsullit grek të Manastirit, që ky ta dërgonte në Bukuresht. Por konsulli grek, siç duket me urdhër të eprorëve, në vend që ta dërgonte në Bukuresht, e kishte dërguar në Athinë. Ndërsa patrioti tjetër i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, Nikolla Naço, kishte deklaruar se elementët ortodoksë shqiptar të kësaj kolonie, të cilët njiheshin për prirjet e tyre filogreke dhe filosllave, kishin qenë pengesë kryesore për botimin e fjalorit. Sipas tij, kishin qenë pikërisht këta që kishin nxitur konsullin grek të Manastirit për ta shtën në dorë dhe për ta zhdukur fjalorin e Kristoforidhit. Ndërsa versioni i tretë dhe më i besueshëm lidhur me destinacionin e fjalorit ishte se Shoqëria “Dituria” i kishte propozuar të birit të Kristoforidhit një shumë prej 3000 frangash. Por ky i fundit u kishte kërkuar dyfishin. Gjatë këtyre tratativave, konsulli grek i Manastirit i kishte propozuar 6000 franga, por nga frika se mos ia zhduknin veprën e të atit fillimisht ai kishte refuzuar, ndërsa më vonë për shkak të nevojave materiale kishte pranuar. Pavarësisht këtyre versioneve, ministria e Jashtme në Vjenë e udhëzoi nënkonsullin austro-hungarez në Manastir, që të zhvillonte hetime dhe të bënte çmos për ta gjetur këtë fjalor.

    Një vlerësim të jashtzakonshëm për fjalorin e Kristoforidhit bënte edhe Faik Konica. Ai i shkruante ministrit të Jashtëm kont Goluhovski se, duke u mbështetur në të dhënat e August Dozon-it që në vitin 1876, ky fjalor duhet të kishte së paku 40.000 fjalë dhe një sasi prej 2000 faqesh. Faik Konica i sugjeronte autoriteteve austro-hungareze që të hynin në bisedime me të birin e Kristoforidhit, të cilit, për të konfirmuar vendndodhjen e fjalorit, duhet t`i deklaronin se për botimin e tij kundrejt një shpërblimi të majmë ishte e interesuar një shoqëri filologjike vjeneze. Kjo, sipas Konicës, do ta bënte atë të besonte lehtë në seriozitetin e bisedës. Ai arsyetonte se në mendësinë e shqiptarëve të paditur apo gjysmë të mësuar, e gjithë bota e admironte gjuhën tonë dhe dijetarët e të gjitha vendeve e kalonin jetën e tyre mbi tekstet e gjuhës shqipe.

    Autoritetet austro-hungareze u treguan të gatshme për ta gjetur fjalorin e Kristoforidhit me çdo kusht. Në një raport drejtuar nënkonsujve në Durrës dhe në Manastir, si dhe konsullit austro-hungarez në Shkodër, Ministria e Jashtme në Vjenë i autorizoi ata që të hynin në tratativa me pronarin pa rënë në sy dhe ta blinin atë me çmimin e ofruar prej tij. MPJ i sugjeroi gjithashtu që të bënin kujdes lidhur me autenticitetin e veprës. Për të shmangur çdo mashtrim të mundshëm, Vjena i udhëzoi diplomatët në fjalë që të konsultoheshin me të dhënat e August Dozonit dhe veçanërisht me konsullin austro-hungarez të Shkodrës, Ippen-in, i cili kishte pasur rastin për ta parë i pari fjalorin e Kristoforidhit. Në kuadër të kësaj nisme, nënkonsulli austro-hungarez në Durrës, Kwiatkovski, i raportoi Vjenës se kishte zhvilluar një bisedë me djalin e Kristoforidhit, i cili i kishte deklaruar se dorëshkrimin e fjalorit ia kishte dorëzuar para një viti një personi të besueshëm të konsullatës greke, kundrejtë një premtimi se kjo e fundit do t`i jepte 200 napolona ar dhe 100 copë të veprës së shtypur. Fjalori, sipas të gjitha gjasave, tani ndodhej në Ministrinë e Jashtme të Greqisë. Madje, ministri i Jashtëm i kishte propozuar një shpërblim 150 napolona ar e pastaj 170 dhe, në vend të 100 ekzemplarëve, një shumë të arsyeshme. Por, i biri i Kristoforidhit, duke parë politikën greke, e kishte refuzuar këtë propozim. Ai kishte krijuar bindjen se Athina, me blerjen e kësaj vepre, nuk synonte botimin e saj. Përkundrazi, ajo kishte si qëllim që ta pengonte atë, pasi shtypja e fjalorit binte në kundërshtim me qëllimet helenizuese ndaj popullit shqiptar. Por, fatkeqësisht, i biri i Kristoforidhit, kur kishte dorëzuar fjalorin nuk kishte marrë asnjë dokument ku pala greke të zotohej zyrtarisht, që nëse vepra nuk botohej brenda vitit, ajo duhej t`i kthehej pronarit të saj. Patriotët elbasanas, sipas deklaratave të djalit të Kristoforidhit ishin acaruar jashtmase nga ky qëndrim i Ministrisë së Jashtme greke dhe kishin arritur deri aty sa kishin kërcënuar se nëse nuk u kthehej fjalori, ata do të digjnin shkollat greke të Shpatit. Ai i kishte deklaruar gjithashtu nënkonsullit austro-hungarez në Durrës se, brenda 14 ditëve do t`i kërkonte konsullatës greke kthimin e një përgjigjeje definitive, ose në rast të kundërt kthimin e dorëshkrimit. Në rast se ndodhte kjo e fundit, ai i kishte propozuar nënkonsullit austro-hungarez që ta blinte atë me të njëjtën ofertë, kundrejtë 200 napolona ar dhe 100 copë ekezemplar. Sipas të dhënave të diplomatit austro-hungarez, përpjekje për ta shtënë në dorë fjalorin e Kristoforidhit ishte duke bërë edhe nënkonsulli italian në Durrës, Macchiora.

    Deklaratat e mësipërme të Stefan Kristoforidhit u konfirmuan edhe nga ambasadori austro-hungarez në Athinë, baron Burian. Ai i raportoi Ministrisë së Jashtme në Vjenë se në bazë të informatave që kishte grumbulluar, autoritetet greke, çmimin e ofruar prej tij e konsideronin mjaft të lartë në raport me të metat që kishte fjalori.

    Sipas nënkonsullit austro-hungarez në Manastir, Kral, duke u mbështetur në informatat e mbledhura nga i ngarkuari i tij për zgjidhjen e këtij problemi Gjergj Qiriazi, Stefan Kristoforidhi tani gjendej nën presionin e patriotëve elbasanas. Ata e kërcënonin atë se i shtyrë nga borxhet që i detyrohej Veniamin Nosit ishte mashtruar nga ky i fundit, i cili këtë fjalor ia kishte dorëzuar konsullit grek.

    Në bazë të udhëzimeve që mori nga Vjena, nënkonsulli austro-hungarez në Durrës i deklaroi Stefan Kristoforidhit se ishte i gatshëm të binte dakord me konditat e vendosura prej tij, duke e blerë fjalorin kundrejtë 200 napolona ar dhe 100 copë ekzemplar. Për këtë qëllim, ai kishte zhvilluar një vizitë në konsullatën greke, ku kishte kërkuar rikthimin e fjalorit. Nënkonsulli grek, fillimisht ishte përpjekur që t`ia mbushte mendjen se çmimi që ai kërkonte ishte shumë lartë dhe i kishte ofruar shumën 175 napolona ar. Por, kur kishte parë se Stefan Kristoforidhi kishte refuzuar çdo lloj shume, i kishte deklaruar se për Ministrinë e Jashtme greke, blerja e fjalorit tani konsiderohej një çështje e përfunduar dhe kurrësesi nuk mund ta rikthente. Madje, sipas nënkonsullit grek, Ministria e Jashtme shumën e premtuar do ta depozitonte në një bank, në llogari të Stefan Kristoforidhit.

    Kalvari i fjalorit ndoqi edhe fatin e Stefanit. Gjatë kthimit për në Elbasan ai u arrestua së bashku me shoqëruesin e tij Mhill Zefin prej Mirdite nga xhandarmëria osmane, e cila gjatë kontrollit u gjeti atyre një numër të konsiderueshëm letrash dhe gazetash në gjuhën shqipe. Një rol të veçantë për këtë luajti edhe nënkonsullata greke. Ajo ishte e interesuar që Stefan Kristoforidhi të haste sa më shumë pengesa, me qëllim që të mos gjente kohë për të rendur pas fjalorit. Në Elbasan, arrestimi i tyre bëri jehonë të madhe. Sipas nënkonsullit austro-hungarez në Manastir, Kral-it, nëse më përpara “Albania” dhe “Drita” lexoheshin pa frikë në mes të rrugës dhe kishe mundësi të blije libra shqip në të gjitha dyqanet, tani të gjithëve u kishte hyrë frika. Patriotët elbasanas me në krye Dervish beun, Shefqet beun dhe papa Germanosin i ishin lutur Kral-it që të bënte çmos për lirimin e tyre, sidomos të Stefanit nga i cili varej edhe fati i mëtejshëm i fjalorit. Por, kjo ishte jasht mundësive të tij, për shkak se ngjarja nuk ishte brenda kufijve të zonës që ai mbulonte. Gjithësesi, Kral i lutej ministrit të Jashtëm të kërkonte nga konsulli austro-hungarez në Shkodër të ushtronte influencën e tij lidhur me lirimin e Stefanit, qoftë edhe duke kompromentuar provat me ryshfet.

    Bashkë me Stefanin dhe shoqëruesin mirditor u arrestua edhe patrioti Lef Nosi, i cili në kundërshtim me vëllezërit e tij ishte skeduar nga diplomacia greke si nacionalist shqiptar. Ata u dërguan në burgun e Selanikut ku qëndruan për disa muaj. Ndërkoh që si rezultat i trysnisë së diplomatëve të huaj që ishin në kërkim të fjalorit, kërcënimeve të patriotëve shqiptar të Elbasanit, sidomos të Dervish bej Biçakut, autoritetet greke pasi krijuan një komision ekspertësh për vlerësimin e fjalorit e botuan atë në vitin 1904. Botimi i këtij fjalori pati jehonë të madhe, megjithëse ai u shtyp me gërma greke.

    Ribotimi i tij në gjuhën dhe alfabetin shqip u bë i mundur pas 70 vjetësh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË