More
    KreuLetërsiBibliotekë"Guernikën vesh si këmishë", poezi nga Roland Gjoza

    “Guernikën vesh si këmishë”, poezi nga Roland Gjoza

    GUERNIKËN VESH SI KËMISHË

    tani shoh më shumë filma të vjetër
    lexoj klasikët
    hapin e kam më të qetë, një bastun do të më bënte punë
    dhe një beretë që t’i ngjaja pikasosë
    guernika e tij
    mund të ishte një këmishë e përshtatshme për mua
    se zemra prej kohësh më është djegur
    flas, shumë fjalë i shkruaj në ajër
    se lexues s’ka
    ngushëllohem kur shoh një zog me ngjyra që s’e kam parë më parë
    kur dëgjoj qukapikun në dru
    dhe para s’mbaj
    e ç’më duhen?
    unë rroj me kujtime
    i bëj këmbimet e parave në bursën e gjetheve
    në ngjyrat dhe aromat e luleve
    në ranishten e oqeanit
    ku ulet për të pushuar koloni e pulëbardhave
    dhe diku
    një grua e bukur
    dhe uollt uitmani që shkruan; fije bari


    DEDALUSI I RI ËSHTË SHFAQUR

    dedalusi i ri është shfaqur
    nga një mëngë ku fshihet një kartë fati
    tryeza është e rrumbullakët dhe në mes të saj nje don kishot me flatra
    ka ngritur shpatën!
    diku fausti dhe mefistofeli s’gjejnë qetësi dhe margarita nëpër muzgje dhe mëngjese argjendti herë vjen herë zhduket pafajsisht
    hitleri kokëposhtë në një kartë bizhozi në dorën e një mashtuesi
    stalini ndjek nga pas hegelin me cilindër që shkon të takojë një damë plakë
    fallxhoren e tij që i paralajmëron një ngjitje për lart që ai e merr për famë
    karl marksi le dhe dashnoren e fundit për hir të një karte përjetësie që ngec në shyllën e krishtit në golgotha, por nuk kryqëzohet
    dhe mao ce duni niset për një rondevu me të gjitha lulet
    aty në tryezën e rrumbullakët dedalusi
    që përzjen kartat dhe pret fituesin
    ikari nga kjo tryezë e rrumbullakët do të dalë
    po kartat vonohen si dhjami
    dhe papa vrapon me këmbët e nuse lalës të arrijë i pari
    se është e rrumbullakët kjo tryezë dhe i ngjan qiellit kur lutja u ngjit dhe s’u kthye
    papa do lutjen të kthehet
    dhe luan kartën e fundit
    të fitojë në lojën e madhe
    shfaqet dhe frojdi si libido që s’ndalet
    dhe tryeza e rrumbullakët herë merr formën e penisit herë atë të vaginës
    është magjepsës ky ngashnjim!
    dedalusi nxiton të fusë në lojë ikarin e tij
    iu vë të gjithëve flatra prej dylli
    dhe dihet fundi në zenit në diell
    tryeza e rrumbullakët është ende
    të gjithë të tjerët kanë vdekur
    dhe si përfundim nuk ka fitues!
    vetëm një don kishot me flatra
    ka ngritur shpatën!


    KËPUCA TJETËR E HIRUSHES

    frymëmarrja u prish
    më shumë shfryjmë
    se sa thithim
    sepse urryem dhe ulërimë
    sepse inatin e shpërthyem si minë
    thithëm dashurinë
    ajo qe frymëmarrja më divine
    thamë fjalë
    po më e bukura
    të dua
    u thith
    se dashuria ishte brenda
    në një skutë
    hirushe
    me një këpucë
    tjetra s’u gjend kurrë
    s’kane fat ata që thithin
    ata që dashurojnë
    po ata që shfryjnë
    ata që ulërijnë
    ata që shkatërrojnë
    të dua
    nuk u tha
    të dua
    u ndje
    u thith
    bashkë me kundërmimin e luleve
    të kurmit tënd virgjin
    luftë!
    shfryjmë
    luftë!
    shpërtheu me ulërimë
    të dua po humb
    ah, këpuca tjetër e hirushes
    që s’u gjend kurrë


    GRUA, TI JE E KEQKUPTUAR

    grua, ti i ke të treja prandaj je e keqkuptuar;
    kur lind ti je nëna dhe prej qielli i ke tiparet
    nuk zgjon cingiz khanin kur pushtonte botën, po vetëm krishtin kur ecte në shkretëtirë
    me një shkop bariu të shpëtonte kurvën, maria magdalenën
    kur je vajzë ti zgjon tundimin me veskujt e freskët te gjinjve dhe kofshëve
    me afshin prej zjarri të pyjeve të verës që digjen prej një rrufeje të kaltër
    grua, ti ke përvojen e mishit dhe mëkatin e epshit të panginjur
    dhe mund të bëhesh prehë e lehtë e ujqërve që të vijnë rrotull
    por ti s’jepesh se dashuron burrin tënd sipas zakonit
    shtyp dhe ha me dhëmbë mëkatin imagjinar të tradhtisë
    grua, ti je e rrezikshme se tundon të rinjtë
    që vuajnë prej paditurisë, lakmojnë mishin, me pasionin e errët
    por t’i di t’i japësh të rinjve nënën për t’i zbutur
    dhe vajzën për t’i joshur vetëm me një prekje a një puthje
    grua, ti e pathyeshmja prej pushtuesve, herë troja, herë thermopilet
    te këmbët e tua bien ushtri që luftën humbën
    ndërsa burrat bien të parët
    prej tundimeve, tradhtive, pabesive
    ti e fundit bie
    të ndihmon krishti!


    GRUAJA ME SATEN TË VERDHË

    cigare s’kam, as verë as gruan bionde me saten të verdhë
    në këtë natë te errët pa hënë, me një kujtim te tmerrshëm
    që më dhemb; gruaja me saten të verdhë kur vallëzonim në verë dhe binte shi në plazh në rërë
    dhe ne lageshim po na lëpinin puthjet në të gjitha vendet e trupit ku ka zemra
    gjersa na zuri muzgu i kaltër dhe pulëbardhat s’fjetën, po na erdhën te këmbët
    cigare s’kam as verë as gruan bionde me saten të verdhë
    as atë që nuk di ku humbi në errësirën si fund i një filmi që s’duam të ketë fund
    ndez një fije shkrepëse dhe marr flakën e saj me vete të djeg errësirën e errët
    të kërkoj gruan bionde me saten të verdhë, kur i rrëshqiti sateni i verdhë te këmbët në plazh në rërë
    dhe pulëbardhat nuk fjetën, shikonin kurmin e saj dhe satenin e verdhë që kishte dhe ai flakën e vet
    po dashuria është si lulet, çel dhe për dy tri ditë tretet, pastaj përsëri çel për një tjetër
    marr flakën me vete në errësirën e errët të gjej gruan bionde me saten të verdhë
    dhe po s’e gjeta do të vallëzoj me flakën në tajms skuer në mes të policëve që do më qeshin
    ej, shiko, një dashnor i çmendur vallëzon me flakën e një fije shkrepëseje!
    cigare s’kam, as verë, as gruan bionde me saten të verdhë
    po vetëm flakën e një fije shkrepëseje që më zgjat duart dhe vallëzojmë tango në tajms skuer
    ah, gruaja bionde me saten të verdhë..


    MË MIRË TË MOS ISHIN MËNGJESET

    më mirë të mos ishin mëngjeset
    që të mos shiheshim, se dashuri s’ka më
    më mirë të ishin vetëm mbrëmjet
    që të kishim kujtimet që dhembin
    dielli nganjëherë lind në mbrëmje
    dhe perëndon në mëngjes
    dua të shoh diellin që në mbrëmje lind
    dhe t’i kthej kurrizin
    sepse dua të shoh perëndimin në mëngjes
    ndoshta dashuria e gjen një vrimë në kujtime
    dhe del, kjo shpresë e marrë më ndjek
    prandaj kurrizin i kthej diellit në mbrëmje
    sepse dua të shoh perëndimin në mëngjes


    PRANVERA S’VJEN VETËM PËR DRURËT

    pranvera s’vjen vetëm për drurët
    një zog fluturon rrotull kurmit tënd
    kërkon të ngrejë fole në gropkën e gjinjve 
    e largoj me duar
    ai vjen sërish të ngrejë fole në kofshët e tua
    shkon dhe vjen me një fije kashtë në sqep
    dhe cicërin
    sikur më lutet
    mos më largo me duar!

    e kuptoj më në fund se dhe ti je një pemë e lulëzuar

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË