Për lexuesit, që, ndoshta, ende mund të mos dinë gjithçka për Gjekë Marinajn, natyrisht, në mënyrë të thukët e më të rrudhur sesa në faqet e shtypit të shkruar, artikujve dhe intervistave të shumta të tij dhe faqeve on-line, le të themi se ai është sot një nga poetët, studiuesit e kritikët letrarë më të mirëpritur jo vetëm në Amerikë, ku rron e vepron si studiues e si profesor universiteti, si titullar i letërsisë angleze, po edhe në Shqipëri e në mbarë globin. Mjaton të përmendim se, përpos lexuesve që ia ndjekin botimet e tij në anglisht e në gjuhën shqipe, në rrjedhë të viteve, ka botuar përmbledhje vjershash e shkrime të tij në shumë gjuhë të huaja e në vende të ndryshme të botës, si në Itali, Rumani, Serbi, Azerbajxhan e deri në Kalkuta (Indi), në Vietnam e në Korenë e Jugut, ku, pak kohë më parë, mori edhe çmimin prestigjioz “Internazional KP Changwon”.
Gjekë Marinaj, poet, shkrimtar, studiues, filozof i suksesshëm, i nominuar për Çmimin Nobel në Letërsi (nga më se 12 shtete, universitete, organizata të akredituara letrare e akademikenë botë).Mes shumë nderimeve, Marinaj ka marrë dy Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin “Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” për kërkimin e paqes përmes letërsisë. Në fjalimin e pranimit të Çmimit Letrar Ndërkombëtar të Changwon KC Gjeka thotë se është një nga nderimet më të rëndësishme të jetës së tij.: ”Unë e ndaj atë me miqtë e mi të fëmijërisë, me mësuesit e mi të mëparshëm të letërsisë, me të gjithë poetët dhe shkrimtarët e botës dhe me të gjithë shërbëtorët e mëparshëm të letërsisë, të cilët qyteti juaj i ka vlerësuar me kaq hir.Për mua, letërsia është si një oqean. Sa më thellë të futemi në të, aq më e vështirë është të largohemi.”Marinaj mban titullin “Ambasador i Kombit” për Shqipërinë, vendin e tij të lindjes, si reflektim për kontributin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe botërore përmes poezisë, prozës, gazetarisë, kritikës letrare, filozofisë dhe mësimdhënies akademike.”
Vlerësim e adhurim për këtë bir të shquar të Kastratit ka shprehur edhe Bashkia e Malësisë së Madhe dhe gazeta “Fjala” në qytetin Koplik, ku në përvjetorin e botimit të parë të “Kuajt”, më 19 gusht bënë një festë ndërkombëtare mediatike të veprës së Marinajt, si dhe themeluan Çmimin Letrar Vjetor “Gjekë Marinaj”, që u bashkohet disa çmimeve të reja letrare ndërkombëtare që i janë akorduar poetit Marinaj. Ani pse, me urtësinë që e karakterizon, poeti ynë për çmimet dhe mirënjohjet ka shkruar: “Çmimet dhe vlerësimet për krijuesit janë si fjala “Shëndet”! pasi teshtinë. Kur e merr një vlerësim mendon se e ke merituar, por kur nuk e merr habitesh se si askush nuk i tha shëndet një herë punës tënde.” Po, duke qenë se profetit në vend të vet, nuk ia dëgjojnë shumë fjalët, le ta themi përmbledhtas se çfarë përfaqëson “fenomeni Marinaj” siç e ka paraqitur F.Turner: “Historia e arratisjes së Marinajt nga Shqipëria përtej kufirit malor me Malin e Zi, me zagarë gjurmues dhe njerëz të armatosur në gjurmët e tij, është mjaft e njohur. Në mënyrë tipike për të, trasta e tij ishte plot me poezi, midis tyre edhe autorë të paligjshëm nga perëndimi. Disa nga ato poezi ishin edhe të miat. Marinaj emigroi në Dallas dhe u shfaq në klasën time të Letërsisë së Rilindjes në Universitetin e Teksasit në Dallas si një i ri i panjohur nga Evropa Lindore. Ai përfundoi me disa diplomime në Letërsi, duke përfunduar me një doktoratë. Së bashku vizituam Shqipërinë duke mbledhur dhe përkthyer poezitë e zjarrta gojore të folklorit të Malësisë. Marinaj është bërë një bashkëpunëtor i vlefshëm, dhe aktualisht jemi duke përfunduar një përmbledhje të parë me poezi të shkruara apo përkthyera në anglisht. Ndërkohë koleksionet e poezive të Marinajt janë përkthyer në katërmbëdhjetë gjuhë në mbarë botën, teoria e tij kritike, e quajtur “Protonizëm”, është vlerësuar në vende aq të shpërndara sa Vietnami, Uzbekistani, Italia dhe India e gjithandej, dhe ai ka fituar disa nga çmimet më të rëndësishme letrare në planet. Vetëm “Kuajt” është përkthyer në mbi dyzet gjuhë.”
Në SHBA, Gjekë Marnaj, duke përfituar nga kushtet dhe hapësirat e gjera të një vendi të lirë e me demokraci të vërtetë, së pari, iu shtrua shkollimit e profilizmit në fushën e letërsisë, duke fituar diplomat e gradimet përkatëse, në Universitetin e Brookhaven College në vitin 2006 me një studim diplome të bachelor dhe, në vitin 2008, edhe gradën master. Në vitin 2012 mbron doktoratën me një disertacion kushtuar poezisë gojore të Ballkanit. Qysh nga viti 2001 Marinaj është ligjërues në universitete të mëdha të Amerikës, titullar i letërsisë angleze dhe i kurseve të tjera. Në Amerikën e madhe, poeti i ri, i ardhur nga një vend i vogël, do ta vazhdonte ditë për ditë edhe shkrimtarinë në gjuhën shqipe, boton vëllime me vjersha dhe studime për eposin shqiptar dhe kritika letrare me vetjakësi të spikatur. Metaforika e tij krejt origjinale, në të cilën jetësohet frymëzimi dhe krijmtaria e një krijuesi pa poza, me kumt të freskët, me stil vetjak e origjinal dhe lajm frymëgjatë, shkrimtaria e të cilit rreket të mos jetë aspak tradicionale, porse lakmon të jetë sa më universale, qoftë edhe kur trajton tema të thjeshta apo lirika erotike, ku gërshetohet aq bukur e thjeshta dhe madhështorja, e hershmja dhe e sotmja. Kam parasysh, ndër të tjera, vjershat “Vajzat e Kalifornisë” “Shoqet e zyrës sime”, “Ajo u nis për Evropë” , “Pa e kuptuar-Dusitës” etj. (“Infinit”, 2000), ku ndeshim krahasime e metafora të atilla që nuk ishin dukur më parë në vjershërinë bashkëkohore shqiptare. Dhe, citova disa vjersha të përmbledhjes së tij “Infinit”, sepse, qysh këtu e njëzet vjet më parë, kur Gjeka ma pat dërguar librin dorazi nëpërmjet zotit Tonin Marinaj, kushëririt tonë të përbashkët, pata mbetur me përshtypjen e ngjashme me shijen që të lënë në gojë qershitë e kuqe, që sapo kanë nisur të piqen. Dhe, në fakt, në indin figurativ e ligjërimor të “Infinit” përvijohet një mënyrë krejt e veçantë e qasjes së tij ndaj “lavrave” poetike, që do të pasohej nga një krijimtari gjithmonë në rritje te vëllimet “Mos më rri larg” (1995 ), “Lutje në ditën e tetë të javës” (2008). Marinaj ka botuar 22 libra me poezi, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime letrare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se një duzinë gjuhësh “Fjalët mund të varen: Poezi të zgjedhura nga Gjekë Marinaj.” Sapo ka dalë nga shtypi dhe libri i tij i mbramë “Paradigma e parajsës”-Poezi për dashurinë, Botimet “Faik Konica”. Para disa javësh, poeti për këtë libër më njoftonte: “Për lexuesin shqiptar do kem një libër me poezi të Dashurinë, i pari i këtij dhoji prej meje. Shumica poezi te reja me përjashtim të ndonj poezie nga letërsia ime e mëparshme qe nuk mund te lihej jashtë kësaj përmbledhjeje. Për lexuesin e huaj do kem dy libra të tjerë në anglisht që do botohen këtë vit.” Vlerësime për poezinë e Marinajt, kanë dhënë: Ismail Kadare, Senada Demushi, studiuese nga Shkodra, Fatmir Terziu, Ndue Ukaj, Mujo Buçpapaj, Adnan Mehmeti, Prend Buzhala, Shefqet Dibrani, Ilir Seci, Mimoza Rexhëvelaj, Mikel Gojani, Anton Gojçaj, Kujtim Morina, Ragip Syla e të tjerë. Ndërkaq, nga autorët e huaj, për poezinë e Marinajt, kanë shkruar: shkrimtari amerikan, Fridik Turner, shkrimtari Wole Souinka, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi etj. Le të veçojmë, në këtë rast, sa ka shkruar Ismail Kadare : “Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës dhe kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë evropianë”. Sipas Kadaresë, poezia e Marinajt “ka një harmoni të mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase, më e vjetra e kontinentit, dhe asaj planetare”. Me këtë rast Kadareja veçon poezinë për kalimin e Akeronit, lumit të skëterrës, atë që ndan jetën nga vdekja, ku ai, djalosh i ri, u arratis nga Shqipëria totalitare më 1990, duke kapërcyer me ‘not‘ një lumë që shërbente si kufi.”Po ashtu Shkrimtari Wole Souinka, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi më 1986, duke i parë karakteristikat e veçanta të poezisë së Marinajt, në mes të tjerash shprehet: “Duket qartë se Gjekë Marinaj është një nga dashamirësit më të sinqertë të letërsisë, me një mendje thithëse si sfungjer. Ai është shembull natyral i poetit tokësor.”
Për çfarë shkruan Gjekë Marinaj?
Me një perifrazim të dietologëve, që këshillojnë se të ushqehesh shëndetshëm do të thotë të marrësh “pak nga gjithçka”, mund të thoshim se poeti ynë, ashtu sikundër ka dhe pamjen elegante e trupin e hijshëm prej atleti, gjithmonë “në mish të vet”, edhe tematika e krijimtarisë së tij është e një tipologjie të veçantë: larg lakmisë “shumë e për lumë”, ai është kurdoherë i prirur nga kundrimi i gjithçkaje që i jep emocione, që ia ngjall ndjenjat dhe që e frymëzon dhe e mbush me përjetime e ndjesi të veçanta. Si shqiptar, ai shkruan “per summa capita” për figurat e mëdha, që nga Skëndërbeu, te Gjergj Fishta e Nënë Tereza, po edhe për ngjarjet e mëdha të fundshekullit të 20-të, për Kosovën dhe për tragjedinë e Otrantos, gjithmonë në optikën e një përfytyrimi e paraqitjeje që të vë në mendime, që nuk ta “fal” lehtë domethënien, ashtu si arrat “gurrça” të vendlindjes, që nuk thyhen lehtë, por kur ua heq lëvozhgën, janë cilësore e “bio” dhe ta shpaguajnë mundimin… Poeti ynë është kudoherë syçelë e zemërhapur. Syçelë për të kundruar e fiksuar në laboratorin e tij optik çdo dukuri natyrore, që nga luledielli te “Fytyrat e njerëzve që dua”, që nga babai dhe nëna, deri te “Fëmijët somalezë”, që nga valët e detit deri te dallgët e frikshme të oqeanit, duke rrokur në vështrimin e tij gjërat e bukura, po edhe plojën e shkatërrimeve prej luftërave, që nga “Kosova në 1999” deri te “Hiroshima” e largët, por kurdoherë të paharrueshme dhe që njerëzimit i mbeten si “dregëzat” a gjymtimet në trupin e njeriut. Dhe, prej këtij kundrimi me sy, në një gjeografi tashmë shumë të hapët, që e ka siguruar me udhëtimet e tij në mbarë botën, pasi ka shkuar në vende ku janë aisbergët, po edhe “në Hollyvood”, poeti qysh te “Infinit” nuk mund të mos kishte edhe një syth me titullin “Bota nuk është tërësisht e bukur”.Lidhur me këtë cilësi të rrallë të krijimtarisë së Gjekë Marinajt, na duket me vend të citojmë vlerësimin e kritikut të shquar Frederick Turner, në një tubim festiv me rastin e 30-vjetorit të botimit të poezisë “Kuajt”: “Ky është 30-vjetori i botimit të poezisë “Kuajt” të Gjekë Marinaj në gazetën më të rëndësishme letrare “Drita” e cila mbikëqyrej nga qeveria Shqiptare, një ngjarje që me të vërtetë ndryshoi botën. Në Shqipërinë Socialiste – përveç censuruarve të qeverisë – të gjithë e panë atë poezi si një aktakuzë marramendëse kundër diktaturës së kohës. Një vit më vonë, demonstruesit transmetuan me megafona poezinë “Kuajt” mes rrugëve të mbushura me turma të madha njerëzish të zemëruar, të ngopur me tiraninë e regjimit: dhe si rrjedhojë në vitin 1992 u zgjodh një qeveri demokratike dhe vendi fitoi lirinë. Çfarë kishte në thelb poezia “Kuajt” që i dha asaj fuqinë që të bëhej element kyç në ndihmë të ndryshimit e ligjit të vendit? Marinaj ka shkruar shumë poezi që mund të jenë më të bukura, më delikate, më të sofistikuara dhe me shtrirje më të gjëra filozofike. Por poetët kanë shumë zëra, të hartuar në mënyra krejt të ndryshme për ta bërë gjuhën njerëzore të përputhet dhe madje të udhëheqë krijimtarinë në rritje të natyrës dhe kulturës njerëzore. Një nga mënyrat më efikase është të thuash të vërtetën kur e vërteta duhet të thuhet dhe ta thuash atë në gjuhën e audiencës. Kur Perandori nuk ka rroba, poeti i mençur jep kushtrimin se ai është lakuriq. Dhe “Kuajt” u bë ai kushtrim.”
Gjekë Marinaj për poezinë dhe poetët
Ashtu si gati të gjithë poetët e mëdhenj pararendës dhe bashkëkohës, edhe Gjekë Marinaj, nuk mund të mos jepte vlerësimin e vet për poezinë, që përbën edhe “kalin e betejës” dhe, në fakt, në të tri përmbledhjet e tij poetike, arti i krijimit si i tillë dhe veçmas poezia, përbëjnë një mëtim, të cilit ai i përkushtohet me po atë zell e ëndje si sportisti palestrës ku ushtrohet. Mund të thuhet se “kali i betejës” për Gjekë Marinajt është poezia “Kuajt”.
“Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë. / Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; / Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne s’është mendje hollë. (…)”
Dhe, në vend të një parafzazimi, po citojmë sa thotë për këtë vetë Marinaj:
“Poezia “Kuajt” është “perfekt” në formën dhe përmbajtjen që ka. Edhe sot do e kisha shkruar ashtu si atëherë pa ndryshuar pikë as presje. Sot studentë e poetë të rinjë nga e gjithë bota më shkruajnë e më pyesin nëpër konferenca ndërkombëtare, duke më thënë se “dua të bëhem një poet si ju, çfarë këshille do më jepni?”
Unë zakonisht u jap këto këshilla: 1. Studioni mirë poetët e vendit tuaj para se të studioni mua apo poetët e vendeve të tjera. Sepse po nuk njohe poetët dhe poezinë e vendit tënd nuk do njohësh kurrë as poezinë tënde, as vendin tënd, as vetëm si poet. 2. Shkruani në gjuhën më të pastër të popullit, kur shkruani për hallet e popullit. Për të gjitha temat e tjera, kompozoni dhe lartësojeni cilësinë poetike, dhe gjuhën me të cilën e shpalosni atë, deri në maksimum – maksimum do të thotë deri aty ku lexuesi ta kuptojë atë plotësisht – sepse nëse vetëm ti e kupton poezinë tënde – roli yt shndërrohet nga ai i poetit në atë të njeriut privat. 3. Mos i gjyko kurrë poetët nga reputacioni që kanë derisa të lexoni poezinë e tyre nga afër. 4. Lexo sa më shumë poetë dhe mos i ngjaj asnjërit në poezinë tënde. 5. Dhe më e rëndësishmja, mos kërko shpërblim nga të tjerët për poezitë; për poezitë, shpërblimi yt më i madh gjendet thellë në poezinë tënde (pastaj në zemër të lexuesit) jo përreth apo jashtë saj.”
Gjekë Marinaj, si çdo krijues që kërkon vendin e vet në yjësinë e madhe të shkrimtarisë, së pari e kryekreje, përmend me adhurim e vlerësime të larta pararendësit e tij, miqtë e tij poetë, midis të cilëve ai do të ve[ojë Preç Zogajn e Rudolf Markun : “Për mua në atë kohë Rudolfi dhe Preçi ishin si Krishti midis apostujve në “Darkën e fundit” të poezisë bashkëkohore shqipe (midis shumë pak të tjerëve, për mua janë edhe sot).”
Me përdëllim e vlerësim të lartë shkruan Marinaj për poetin Azem Shkreli, “Epitafin” e të cilit e mbyll me këtë distik prekës e sublim:
“ Ju u larguat,poet i dashur, si një britmë e trishtë…
Me largimin tuaj, gjithësia na u tkurr në përmasat e varrit.”(Infinit,f.53).
Pengu apo kredoja e Marinajt për poezinë, në mënyrë shumë sublime e të thukët jepet edhe te poezia “Ku ta kërkoj shpirtin e poetit”:
“U bë zemër në skeletin tim,
(më tha i vdekuri)
U bë mpirje në dhembjen time,
(më tha i lënduari)
U bë prekje në ikjen time
(më tha e bukura)
U bë hi në zjarrin tim
(më tha poezia)
Ku ta kërkoj shpirtin e poetit ?
(pyes unë)
Shpirtin s’di gjë.
Por trupin ia pashë vjerrë
çengelave të jetës.
(më tha e vërteta)
(Infinit, f.54)
“Poetët e rrotullojnë botën jo për pushtet por për bukuri estetike. Një nga kapacitetet që poetët kanë apo kultivojnë është që në mënyrë imagjinatave mundësojnë adaptimin e të jetuarit në të dyja anët e konflikteve njerëzore. Është fat që poetët i japin kohës drejtim dhe nuk e kthejmë prapa atë.” “Percy Shelley, thoshte se poetët janë ligjvënësit e panjohur të botës.” Këtë “aksiomë” poeti ynë e ndjek me përkushtim dhe në hullinë e saj, do të shohim se në një nga krijimet e tij, Marinaj e quan poezinë: “Shpirt i zbardhur gjer në shpirt/Çdo fjalë lëshon tinguj marramendës/ nga kontakti i filozofisë me ndjenjën.” Shihni sa madhërishëm e ka sintetizuar Marianj poezinë, e cila, në radhën e ditëve të javës, metaforikisht, paraqet shkallën e gjinive letrare:
“…E premtja as që do të dijë se ç’do të thotë poet;
Shekspiri dhe Servantesi kanë vdekur të premtën.
E shtuna mbetet vetëm fund jave, poeti veç poet;
Metaforave të goditura u duhet të presin të dielën.” (“Poetët fillojnë nga e para të hënën”).
Në vargun e poetëve pararendës të cilët Marinaj i përmend me adhurim dhe, nganjëherë edhe i përmend në vrapin e tij krijues, është edhe Pablo Neruda, mjeshtri i jashtëzakonshëm i metaforës, të cilën ai e quante shtyllën vertebrore të çdo frymëzimi poetik.Gjeka e ka lexuar gjithë letërsinë botërore, sepse ai është, ndër të tjera, ligjërues (profesor titullar) i letërsisë angleze, është formuar dhe, mbi të gjitha, ka kapur edhe majat e larta, nga Homeri te Dantja, por, gjithmonë si qingji i butë që shkon duke zgjedhur majën e barit e kurrë nuk do të dhjamoset se ai është i lindur për t’u bërë ogiç.Në vjershat e shkurtra, të cilave nga vëllimi në vëllim, poeti ynë ka ardhur duke ua hapur shtegun, shkathtësia dhe zotësia e tij për paraqitjet metaforike, të kujton sportistët që bëjnë gara me serp në ujërat e tallazuara të oqeanit.
“Bjeshkëve
Të Namuna
Ua milja
Gjinjtë e bardhë
Që edhe unë
Të ftoja miqtë
Të paktën
Për një gotë
Qumësht
Me dëborë…”
E tillë është edhe poezia “Sipas meje”, ku idetë e pasqyrimi filozofik i jetës, jepet duke ndërthurur metaforën me krahasimet tipike popullore (jeta si pëllumb i bardhë, vdekja si korb i zi), ndoshta edhe për ta bërë disi më të thjeshtë thelbin filozofik të jetës, që qëndron gjithmonë ndërmjet dy kaheve të kundërta,që e tërheqin sa në një anë në tjetrën si dy polet e kundërta të magnetit:
“Jeta akoma pozon
Si një pëllumb i bardhë
Ngrirë në ajër.
Si një korb i zi
Tretur në tokë
Humuszohet vdekja.
Njeriu Rrëshqet
Si fluturim i tejdukshëm midis tyre.” (Sipas meje, Lutje…f.)
Në qethullin e krijimeve poetike të Gjekë Marinajt ka vendin e vet edhe poezia meditavive, ku ai, kryesisht në vjersha të shkurtra, flet për të vërtetën, për mendësinë dhe për shumëçka tjetër.
“E vërteta
Është si një asymptote
Ne jemi harku në kërkim
Sado që të përpiqemi t’i afrohemi
Kurrë nuk arrijmë ta prekim plotësisht.”
Teksa lexoja këtë poezi bëra këtë koment: Kohë më parë, një poet tjetër i anëve veriperëndimore, Ndoc Gjetja, pat shkruar për të vërtetën dy vargje si parafrazim të Eposit: “Fort po shndrit e pak po nxe, kjo e verteta përmi dhe”. Kemi, pra, një pikë të përbashkët ideore, por të shprehur në dy mënyra të ndryshme e ku, natyrshëm, pasqyrohet edhe dallimi i qartë se Marinaj është jo vetëm poet i një brezi më të ri, po edhe i hapësirave më të epërme të konceptimit e qasjes filozofike të botës së sotme.
Lexoj vargjet e poezisë “Oqeani ingrirë i Veriut”;
“Kotet oqeani i lodhur nga pagjumësia.
Tremb brigjet me atë shijen metalike
Që ia kanë lënë në gjuhë nëndetëset-
Udhëheqëse e kolonive të peshqve.”
Metafora “kotet oqeani” është një nga më të bukurat dhe origjinalet, ndoshta edhe që i ka rrënjët te adn-ja e gjenit krijues lashto-shqiptar, prej të cilit, dikur dhe Jeronim de Rada, pat mahnitur Mistralin e poetët e mëdhenj të kohës me metaforën e tij të famshme “Lis jeta kish ndërruar, ujë të ri ndë dejtit”. Kurrë nuk do të më shkonte mendja se një fjalë gati e harruar si kotem “përgjumem” të përdorej aq hijshëm e këndshëm për oqeanin ujëshumë.
Gjekë Marinaj shkruan në shqipen standarde, ashtu si gati gjithë yjësia e poetëve dhe e shkrimtarëve nga Malësia jonë e Madhe, dhe natyrisht bën mirë, madje do të thosha bën shumë mirë, sepse kjo i ka siguruar edhe mundësinë që të lexohet e të kuptohet nga një log shumë i gjerë jo vetëm i shqiptarëve e arbëreshëve, po edhe i dashamirëve të shqipes e të shqiptarisë nga bota joshqiptare, që shkruajnë e flasin shqip. Ndërkaq, Gjekë Marinaj, ashtu si çdo krijues me mëtime e origjinalitet, shkruan në shqipen e njësuar e të përbashkët, por edhe “nuk u bën buzë” (nuk u shmanget) as fjalëve, as figurave poetike e metaforave tipike malësore. Si çdo shkrimtar i vërtetë, Gjekë Marinaj e “ngjyen penën” pa ngurrim edhe në prurje fjalësh e formash fonetike krahinore, duke sjellë në poezinë e tij elementet më të vlefshme, pa dyshim edhe më “të thekura”, të frazeologjizmave nga Malësia jonë, si dhe nga poezia e shkruar e traditës, po edhe duke krijuar fjalë që i duhen për të sintetizuar edhe vrullet e mëdha që ndryn në gjoksin e vet, gjithmonë duke gjakuar të mos bjerë as në përsëritje, aq më tepër në vobekësinë e shprehjes që, përndryshe, do ta pengonte për t’i mbërritur shtigjet e epërme që i lakmon dhe që po i mbërrin ngaditë e më dukshëm.Të libri im “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Kristalina KH,Tiranë, 2021) krahas fjalëve të përdorura prej Gjergj Fishtës dhe disa shkrimtarëve të tjerë nga Malësia, kam përmendur një sasi bukur të madhe fjalësh dialektore e krahinore të Malësisë, si dhe jo pak prej krijimeve të përdoruara në poezinë e Gjekë Marinajt. Dhe kjo, sikundër e kam vlerësuar në faqet përkatëse të Fjalorit, tregon se Gjekë Marinaj, edhe në pranueshmërinë e përzgjedhjen e fjalëve të gurrës malësore, ndjek hullinë e Gjergj Fishtës, Apës së letrave shqipe, që aq shumë i ka qëndruar afër së folmes së Malësisë sonë të Madhe, sepse fjala dhe atdhetaria e malësorëve, urtësia e fisinkëria e tyre kanë shkuar gjithmonë krahas me këngët e bukura epike e lirike të krahinës sonë, që ka si pika të pavdira xhubletën, lahutën dhe Eposin e Kreshnikëve, si dhe kulme të tjera të etnofolkorit të Malësisë sonë,si vallja e shpatave, vallja e logut, këngët e buta korale ku shquan “Çohej deti hova-hova” me të cilat jemi rritur qysh në moshë të njomë në Kastratin tonë të përbashkët e në krejt mjediset ku rrojnë “bijtë e xhubletës”, sikundër e kemi zakon ta quajmë veten me krenari të gjithë sa jemi bij të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”
Dhe, në fakt, ashtu si Dritëro Agolli, që ishte nisur nga Menkulasi i Devollit dhe do të mbërrinte në sferat më të larta të krijuesve e deri në drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, pa e fshehur kurrë “baltën e arave”, edhe Gjekë Marinaj, ka marrë me vete nga vendlindja e tij, jo vetëm toponiminë: Brrutin ku ka lindur, diku në malësinë midis Hotit, Shkrelit e Kelmendit; Bajzën ku ka bërë shkollën e mesme e ku i kanë shkëlqyer për herë të parë sytë e dashuruar për një vajzë, që ishte aq e re (si dhe vetë poeti) aq sa sasia e viteve të tyre ishte tamam tridhjetë e dy.
“Tek ecja, ti më mbaje në ajër
Rrugëve baltore të Bajzës
Të mos njollosja pantallonat
E hekurosura vetëm për ty.” (Sepse një ditë të pashë me detin, “Infnit”, f.30)
Shumë domethënëse na duket, sidomos, vjersha “Shtëpia në Brrut”, ku poeti thotë, ndër të tjera:
“ Nga shtëpia, ku kam lindur, në Brrut,
Kujtimet e rritjes më stërpikën në fytyrë
Si qumësht poetik që vetëm unë e mjel….”
…………………………………
Fëmijëria ime brenda kësaj shtëpie
është lartësia mbi të cilën iu zhduka ëndrrave…
Ndërsa shtëpia e lodhur…brenda fëmijërisë
Mbetet kështjella ku mbroj poezinë
Nga lufta e rrëzimit me ngritjen tek jeta.” (Shtëpia në Brrut, “Infinit, f.57)
Edhe kur do të gjendej larg vendlindjes dhe do t’i këndonte, tashmë, jo një vajze nga Malësia, po Dusitës, ashtu si Petrarka Laurës, apo si Dantja Beatriçes, Gjekë Marinaj do ta shprehë pëlqimin për pamjen e hiret e saj pikërisht mbi shtratin e një metaforike madhështore,por edhe dukshëm malësore:
“Asgjë të rëndësishme nuk kanë humbur planetet
Në rrotullimin gjysmëdehës të tyre
…………………………………
Të piramidizuar drejt çudirave të letërsisë tënde
lodhjen e lashtësisë e kanë hedhur diku poshtë,
si një dekolte të hollë najloni,
veç për të parë veten në qafën e pasqyrtë
të bukurisë tënde” (Pa e kuptuar-Dusitës, “Infinit”, f. 44)
Prej vargut të mësipërm që flet për “qafën e pasqyrtë”, pa dyshim, si vruja nën barin e livadhit të lagështitur, na kujtohet vargu i këngës së bukur popullore që thotë se nusja e ka “qafën e bardhë gastareli, ia sheh ujin kah e përbi”.
Ashtu si gati të gjithë poetët e mirë, edhe Gjekë Marinaj, tregohet jo vetëm bujar, po edhe origjinal në krahasimet e deri në hiperbolizimin e cilësive e forcës shpirtflakëruese që ka për të Dusita.Vlerësimi aq parten, që ka poeti për gruan e zemrës e shoqen e jetës, natyrisht, prej lartësive të epërme të gjenit të tij krijues është shprehur në mënyrë aq origjinale e befasuese, por, duhet ta themi se, ashtu si çdo bimë që rritet e harliset e shëndetshme, ka në rrënjë humusin e traditës, edhe ai ka mbështetjen e mendësisë e të urtësisë së krahinës sonë, ku thuhet se “burri atë ditë që martohet o le (lind) o des.”
Në mbyllje, sikundër e cekëm më lart, theksojmë se në poezitë e Gjekë Marinajt, krahas leksemave e figurave të mbështetura në gegërishten veriperëndimore, ka edhe jo pak fjalë të reja, të krijuara nga autori për arsye stili dhe gjerësie të horizonteve shprehëse, të cilat edhe i kam përfshirë në faqet e Fjalorit tim të Malësisë së Madhe. Po përmend vetëm ndonjë prej tyre: detishte “gjuha e detit” “Përkthyesat që pritet të dinë detishten, heshtin.” (Infinit, f.23); zëmjaltë “vajzat zëmjaltë” , grihtë (i, e) “grimcat e grihta”, luleëndrra “Mbrëmja e re erdhi si një luleëndërr plot nektar.(Lutje, f.26), pacikshme (e); bluhtësi (f.32) brymoset “e kap bryma, bëhet me brymë”(f.32), pjergulluar (f.33) pasjetë (f.52) sipas modelit të fjalëve popullore matjetë, matanë; qiellqëndisës,-e “Lartësitë e këtyre ndërtesave qiellqëndisëse”(Lutje); lulejetë,-a “Mushkonjat, malarien e sëmundjet e tjera/Në qendër të lulejetës i kthej në pistil.” (Lutje); ashtushëm (i,e) dhe plot të tjera, që meritojnë të kundrohen e të vlerësohen në tërsinë e tyre.
Si më i madh në moshë, sipas traditës së bukur të maleve tona, ashtu si axha i moshuar për nipin më ri e të talentuar, gëzohem për mbërritjet meritore të tij në fushën e letrave dhe për teorinë e tij të Protonizmit, me të cilën ka fituar famë të madhe ndërkombëtare.
I uroj Gjekë Marinajt suksese të mëtejshme dhe si thoshin latinët: Ad maioram!
Tiranë, 30 nëntor 2022