More
    KreuIntervistaStavri Dajo: E ardhmja e përkthimeve dhe krijimi i një diversiteti ndërkulturor...

    Stavri Dajo: E ardhmja e përkthimeve dhe krijimi i një diversiteti ndërkulturor është premtuese

    Bisedoi Andreas Dushi

    A. D. Pak ditë më parë, është botuar dhe promovuar Proza tregimtare greke: botim antologjik dhe bibliografik, një libër voluminoz ku përfshihen mbi shtatëdhjetë tregimtarë grekë. Antologjitë janë shpeshherë zanafilla debatesh e diskutimesh, kryesisht të nxitura nga metodologjia e përzgjedhjes së autorëve pjesë e saj. Prandaj, më së pari dua t’ju pyes lidhur me këtë proces, nga ideja fillestare për një antologji të tillë, te përzgjedhja e autorëve, përkthimi, redaktimi, botimi e në fund, promovimi. Praktikisht, i gjithë shtegtimi i librit…

    S.D. Në krye, dua t’ju falënderoj për hapësirën publike që më jepni kaq bujarisht për të komunikuar me lexuesin.

    Antologjia e pranishme e prozës tregimtare bashkëkohore greke është botimi më i plotë deri më sot në shqip i këtij lloji; përmbledh krijimtari të shkrimtarëve grekë të përkthyer në fill të kohërave, botuar në libra me karakter përmbledhës ose në periodikun e kohës, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët tona si dhe ripërkthime tregimesh të botuara më parë, ose përkthime tregimesh të reja, të pabotuara ndonjëherë.

    Hartimi i këtij botimi antologjik zë fill në fund të viteve ’80 kur, si bibliograf i ri i sapoemëruar në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë (BKSH), kisha qasje në shtypin shqiptar të paraluftës d.m.th., në shtypin “e ndaluar”, në një botë që më tundonte dhe më bënte të ndihesha pak më i lirë, teksa për pjesën tjetër të lexuesit kjo botë ishte herezi dhe ngjallte terror psikologjik. Maksim Gjinaj, bibliograf i vjetër dhe i mirënjohur, më nxiti të shikoja dhe artikujt për Greqinë dhe, në këtë suazë, edhe përkthimet e letërsisë së saj në faqet e periodikut. Dhe unë nisa të regjistroja, krahas punës së përditshme, të dhënat e shtypit (të gazetave dhe revistave) që përbëjnë bazën bibliografike të përmbledhjes. I jam mirënjohës.

    Vëllimi i pranishëm përmbledh 78 autorë dhe 92 tregime. Marrin pjesë 38 përkthyes: dy prej të cilëve me iniciale të paidentifikuar, një pseudonim gjithashtu i paidentifikuar dhe 6 anonimë; 34 janë përkthime tregimesh të reja që botohen për herë të parë dhe 27 janë ribotuar të rivështruara: 20 tregime janë vjelë nga botime të ndryshme antologjike ose jo, dhe 40 nga periodiku përgjatë kohërave që nga viti 1923 deri në ditët tona; 16 nga shtypi i paraluftës dhe 24 nga periodiku i pasluftës, kryesisht nga revista Nëntori dhe gazeta Drita, organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (1945-1991).

    Në përmbledhje janë evidentuar 388 zëra bibliografikë që lidhen vetëm me autorët ose përthyesit që janë përmbledhur në vëllim, ndërsa evokohen më shumë se 250 përkthyes (listë joshteruese) të letërsisë greke (prozë dhe poezi) nga gjuha amë ose nga gjuhë të dyta.

    Për hartimin e antologjisë janë kontrolluar 122 tituj periodikë të paraluftës dhe 38 të pasluftës, janë konsultuar të gjitha botimet bibliografike të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (1912-2004). Ndihmë e paçmuar në hulumtimin e materialit qenë botimet bibliografike të BKSH-së dhe libri i Vjollca Hysenbegasit për përkthimin e letërsisë së huaj në botimet shqiptare të pasluftës.

    Botimet e kësaj gjedhe, –d.m.th. botimet antologjike– kanë karakter “lapidar” dhe janë karakteristike e viteve të shkuara dhe sipërmarrje e botuesve skrupulozë dhe tejet të vëmendshëm, pasi dihen vështirësitë shkencore, teknike, përkthimore etj. Më anë tjetër, target-grupi i lexuesve të këtyre botimeve është etilitar dhe i kufizuar, kësisoj nuk pritet ndonjë përfitim tregtar prej tyre. Kurrë nuk mund të jesh absolutisht i sigurt për kriterin e saktë seleksionues (paçka se për hartimin e saj jam konsultuar me dhjetëra botime të tilla në greqisht dhe në gjuhë të tjera, sidomos në frëngjisht), ndaj debatet janë fort të përligjura. Sa i përket nivelit cilësor të shqipërimit shpreh një bindje, shumë afër reales, se me zgjedhjen e përkthimeve më të spikatura përgjatë viteve nga shkrimtarë (Petro Marko, Sterjo Spasse, Dhimitër Falo etj) dhe përkthyes (Enver Fico, Mina Qirici, Alesk Çaçi, Vasil Koçi e deri te më të rinjtë: Romeo Çollaku, Mirela Xheferraj etj.) është arritur një begati e madhe stilesh dhe një nivel cilësor lavdërues, çka e konfirmon jehona dhe interesi leximor dhe publicistik që u shpreh me vlerësim për këtë vëllim antologjik.

    A. D.  Kjo nuk është përvoja juaj e parë në përgatitjen e një antologjie. Aty nga vitet 2000, nëse nuk gaboj, keni botuar Antologjinë e Poezisë Qipriote. Letërsia qipriote, ndryshe prej asaj greke, nuk duket sikur zë një hapësirë domethënëse në letërsinë evropiane, apo e kam gabim? Është kjo antologji një sprovë për të vërtetuar të kundërtën e kësaj përshtypjeje të përgjithshme? Dhe në vijim, atëherë kur u botua, si u prit nga lexuesi shqiptar, duke mbajtur përherë parasysh se më parë, letërsia e Qipros ishte thuajse krejt e papranishme?

    S.D. Konstatimi juaj është i saktë. Kam qenë përgatitës (por edhe pjesërisht përkthyes) i një Antologjie të poezisë qipriote (Tiranë: Albin, 2000) dhe pak më vonë i Antologjisë së prozës shkurtër qipriote (Tiranë: Albin, 2003) vëllime që janë përgatitur në bashkëpunim me universitetin e Qipros dhe universitetin Aristoteli të Selanikut. Por letërsia qipriote –pjesë e letërsisë mbarëgreke dhe e vlerave të saj shpirtërore – nuk ka qenë e panjohur. Në Shqipëri është botuar një vëllim poetik i poetit qipriot Thedosis Pieridis, Simfonia qipriote: pjesë nga poema dhe vjersha të tjera (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1981), ndërsa emra shkrimtarësh qipriotë ndeshen në botime prestigjioze në Paris, Londër dhe Nju Jork. Antologjia e pranishme nuk është dëshmi për të vërtetuar të kundërtën. Letërsia greke dhe ajo qipriote kanë një amë: letërsinë dhe gjuhën e lashtë greke. P.sh. shkrimtari Nikos Nikolaidis (1884-1956) lindi në Qipro, por jetoi në Kajro dhe përmblidhet në të gjitha botimet antologjike të prozës së shkurtër greke dhe qipriote (është përfshirë dhe në botimet e mia respektive antologjike).

    Shtoj këtu se jam redaktor dhe i një botimi antologjik në gjuhën greke –dhe pjesërisht përkthyes i tij– (Selanik: Literatus, 2022) i Prozës tregimtare të Ballkanit ku përshihen 68 shkrimtarë të njohur nga 12 vende (tashmë) të gadishullit, me 70 tregime, ndërsa marrin pjesë 34 përkthyes të njohur grekë. Në këtë vëllim, ku dalin në pah disa vlera estetike bashkëgadishullore, janë përfshirë dhe 15 shkrimtarë shqiptarë nga i gjithë areali shqipfolës i Ballkanit (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut) dhe dy shkrimtarë me origjinë shqiptare, por që kanë jetuar e krijuar në vende të tjera të Ballkanit, në gjuhën e vendit pritës. Vëllimi është pritur me ngrohtësi dhe, si nënshënim, studiohet si lëndë didaktike në disa katedra të gjuhëve ballkanike në universitetet greke.

    A. D.  Sipas jush, cila është mënyra më e mirë për ta bërë të njohur letërsinë e një vendi: Përkthimi dhe botimi i një antologjie apo përkthimi dhe botimi i shkrimtarit a shkrimtarëve më të njohur të atij vendi?

    S.D. Mënyra më e mirë për të njohur vlerat ideo-estetike të letërsisë së një vendi të huaj është përkthimi i saj cilësor, dhe në Shqipëri kemi një traditë të vyer në fushë të përkthimit (më i saktë do të ishte termi “shqipërim” kur flitet për përkthim të letërsisë artistike) dhe kriteri i rreptë seleksionues i shkrimtarëve, vlerësuar nga kritika dhe opinioni i lexuesve. Përkthyesit shqiptarë kanë krijuar një shkollë të konsoliduar përkthimi letrar; nuk do të ishte guxim i tepruar po të thosha se Dhimitër Pasko, Sotir Caci, Vedat Kokona, Misto Treska, Robert Shvarc, Aurel Plasari, Mira Meksi e më të rinj Elda Gjana e shumë të tjerë kanë kontribuar po aq (në mos më shumë) në pasurimin e fondit të leksikut të shqipes, sikundërse Ismail Kadere, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Ali Abdihoxha, Shefqet Musaraj, etj. Këta përkthyes kanë qenë dhe mbeten kultivues begatorë të shqipes dhe meritojnë vëmendje të posaçme nga gjuhëtarët. Botimet antologjike dhe botimet e shkrimtarëve të veçantë janë gjedhe të ndryshme botimi, të dyja të domosdoshme.

    A. D. Para disa vitesh, një bisede të botuar po në “ExLibris” me një kolegun tim nga Kosova, i zgjodhëm si titull “Kultura është ura e cila lidh, atë çka politika kërkon të ndajë”. Mendoni se kjo fjali vlen edhe në kontekstin e situatës mes Shqipërisë dhe Greqisë? Kontribuon Antologjia, po edhe libra të tjerë të ardhur si nga greqishtja në shqip, ashtu dhe nga shqipja në greqisht, për ta përmirësuar situatën jashtëletrare të raporteve mes dy vendeve?

    S.D. Pajtohem tërësisht me kolegun tuaj kosovar. Në arealin mbarëgadishullor –mbushur me shamatarë, grindavecë e sherrxhinj, kinse bartës idesh origjinale e radikale, me gjykime të anshme dhe trajtime keqprirëse, predikues shterpë të arketipit të tyre kombëtar dhe cilësues të të tjerëve si kopjacë të pasurisë shpirtërore të të tjerëve (nyjëtuar shpesh me stil agresiv e me ide të përçudnuara), letërsia është ajo fushë e ndërgjegjes shoqërore e infektuar më pak nga pasionet nacionaliste, shoviniste, irredentiste dhe raciste. Ajo, historikisht, ka predikuar më shumë dashuri dhe më pak urrejtje. Atje ku politika dhe diplomacia zihen ngërç dhe nuk kanë zgjidhje, shkrimtarët e letërsisë gjejnë gjithmonë një kumt tolerance dhe mirëkuptimi. Po ju sjell dy raste nga dy vendet tona: Në vitet ’30 lëvizja mbarëballkanike për kualifikimin e shkrimtarit grek Kostis Palamas për të fituar çmimin Nobel, nxiti Palamas-in e Shqipërisë, Gjergj Fishtën të niset nga Shkodra dhe të mbërrijë enkas në Athinë në mbështetje të kandidaturës greke. Respektivisht, në vitin 1980 kur në Shqipëri nuk guxonte kush të ngrinte zërin për kandidaturën e Ismail Kadaresë për këtë çmim, një shkrimtar i mirënjohur grek, Kristoforos Milionis, iu drejtua solemnisht dhe me guxim intelektual autoriteteve evropiane dhe argumentoi që Ismail Kadare nuk është më inferior se Ivo Andriç-i dhe se shkrimtari shqiptar e meriton plotësisht çmimin Nobel. Gjej rastin të lëvdoj kolanën e veprës së tij botuar nga Onufri, përkujdesur në mënyrë të veçantë.

    Përkthimi i letërsisë së këtyre shkrimtarëve është një mjet për të sjellë popujt më afër.

    A. D. Përgjatë viteve, diskutimi publik është pasuruar shpeshherë me mendimin tuaj në fusha nga më të ndryshmet, prej atyre letrareve e gjuhësore, tek ato socialet apo politiket. Gjatë periudhës së artë të gazetave, kur dilnin dhjetëra të tilla në ditë, emri juaj shfaqej herë pas here. Fakti që në Kosovë nuk botohet asnjë gazetë dhe në Shqipëri, numri i tyre është reduktuar ndjeshëm dhe gjithë përmabjtja e dikurshme e gazetave kufizohet dhe mbyllet në profile rrjetesh sociale, mendoni se ndikon në varfërimin e seriozitetit të mendimeve, opinioneve apo diskutimeve?

    S.D. Ky konstatim vlen jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet kudo në botë. Mjetet e rrjetëzimit social dhe gjithfarë platformash të çdo lloji kanë shpallur “demokracinë e tribunës”, duke krijuar “gazetarinë popullore” ose thënë ndryshe “vulg-gazetarinë”. Paralelisht është krijuar “vulg-gjuhësia”, “vulg-historia” (dhe në këtë lëmë të dijes debati është fort i acaruar dhe shpesh armiqësor ndaj kolegëve). Dhe kjo –në respekt të analogjive– nuk është, detyrimisht, e keqe. Çdokush duhet të ketë zë publik, të drejtën për të thënë solemnisht fjalën dhe bindjet e veta. Por, si pasojë e këtij vërshimi të pakontrolluar, të papërmbajtur dhe shpesh agresiv, janë mbyllur shumë mjete të informacionit masiv (media). Por, sipas gjasave, gazetaria tradicionale (respektivisht, dhe shkenca e historisë, e gjuhësisë, etj.) do të bashkëjetojë me këto forma të shprehuri; ky është një realitet i pakthyeshëm tashmë dhe një evoluim i paprapësueshëm. Në shumë vende, në kryeherë, u tha se shkenca e mirëfilltë dhe gazetaria profesionale duhet të injorojë “specialistët diletantë” të facebook-ut, por me kalimin e kohës u pa se kjo ishte e pamundur. Pala tjetër krijonte “shkollën” e vet, duke sajuar mite të reja, të cilat duheshin shpërbërë si të pavërteta ose të pabazuara shkencërisht se fitonin audiencë, (“audiencën e turmës”) që nuk kishte dijen e duhur të konfirmonte vërtetësinë e informacionit të servirur. Pas kësaj u joshën dhe shumë gazeta, duke përshkallëzuar rrezikshëm publicistikën e verdhë dhe populizmin. Gazetaria e ka më të vështirë, ngase çdokush me një telefon celular që di shkrim e këndim mund të hiqet si gazetar, paçka se nuk njeh shkencën dhe teknikën e profesionit dhe nuk respekton kodin e tij moral. Por unë jam i bindur, se mjetet e informacionit me integritet profesional, sikundërse gazeta juaj, dhe bartësit e informacionit real (dhe jo e fake-news-ve) do të mbijetojnë, dhe lexuesi që rreket të mësojë të vërtetën do të grumbullohet rreth shtypit të përditshëm dhe periodik serioz dhe jo sensacional që del e ikën si flaka e kashtës.

    Këto ditë një gazetar i Financial Times-it, Tony Barber, mbështetës fanatik i shtypit të printuar, u shpreh tejet pesimist për të ardhmen e tij dhe theksoi se në një horizont afatgjatë, media e printuar do të tkurret vazhdimisht ndërsa do të fitojë terren media elektronike. Por kjo është një bindje e shprehur në panik. Kështu u tha dhe për librin elektronik (ebook) para shumë vjetësh, por këtu e disa dhjetëvjeçarë ai nuk tejkalon 5% të tregut, madje është në tërheqje.

    A. D.  Në rekordet bibliografike të Bibliotekës Kombëtare, shoh se emri juaj, para viteve ’90, del si redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Si e kujtoni atë periudhë? Cila ishte fryma e përgjithshme, qasjet e redaksisë ndaj veprave, natyra e punës…? Praktikisht, a ndiheshit mirë me punën dhe me ambientin ku punonit?

    S.D. Jam emëruar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” (ent që botonte vetëm letërsi artistike, në kundërvënie me shtëpinë botuese “8 Nëntori” që botonte literaturë politiko-shkencore) në shtator të vitit 1982 (deri më 1989), sapo kisha mbaruar studimet për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin  e Historisë dhe të Filologjisë, ku pata fatin të mësoj nga emra të nderuar të gjuhësisë shqiptare, të tillë si Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rami Memushaj, Ethem Likaj, Thoma Rrushi e më së pari nga Eqrem Çabej që ishte ndarë nga jeta në vitin 1980, dhe u bashkova në redaksinë e poezisë, të dramës dhe kritikës letrare –në vëmendjen time ishte dhe një seksion i gjuhës greke për botime letrare të shkrimtarëve të minoritetit etnik grek– redaksia më delikate për shkak të natyrës së letërsisë që botonte. Ndiheshin ende vibracionet e plenumit të katërt famëkeq, disa vjet më parë ishte “zbuluar” atje një “grup armiqësor” dhe ishin dënuar redaktorë të zotë për agjitacion dhe propagandë me vite të rënda burgimi. Administrata e institucionit na tërhiqte përditë vëmendjen që të mprehnim “vigjilencën ideologjike”. Për këtë, më vonë, institucioni –si të gjitha institucionet e agjitacionit dhe të propagandës – u thirr, dhe jo pa të drejtë, dhe “institucion i policisë ideologjike”. Nga librat e redaksisë ku isha emëruar, pak kohë më parë (viti 1979), ishte “hedhur në karton” vëllimi poetik Zgjimi i thellësive i poetit tim të dashur Xhevahir Spahiu, akuzuar për ekuivokë ndaj Enver Hoxhës dhe redaktori i tij, i ndieri Perikli Jorgoni, rrinte si në gjemba në pritje të dënimit (për shkak të uljes së ndjenjës së “vigjilencës ideologjike”). Në redaksi qarkullonte fjala e Dhimitër Fullanit (një redaktor i vjetër dhe emblematik) se të gjithë ishim viktima potenciale të mërisë së shefave nopranë të Komitetit Qendror dhe jetonim në një “zonë të minuar”. Po kështu, redaksia e tregimit dhe e novelës, drejtuar nga Sami Çabej, për shkak të qëndrimit të butë dhe jokritik ndaj një dorëshkrimi të Ismail Kadaresë, u gjend në objektiv të drejtuesve të lartë. Sundonte, si kudo, një regjim terrori psikologjik dhe shantazhi të pashpallur. Kështu që ngazëllimi fillestar u shua dhe u shndërrua në frikë; punonim në një mjedis skepticizmi dhe heshtjeje në atë “zonë të minuar”.

    Si i ri, mua m’u besuan kryesisht vëllimet poetike të talenteve të reja atëherë: Ilirian Zhupa, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti etj. me të cilët pata një bashkëpunim pjellor dhe konstruktiv. Ata u afirmuan shumë shpejt, dhe me të drejtë, falë talentit të tyre. Përndryshe, për shkak të njohjes së gjuhëve të huaja, më lidhte puna dhe me redaksinë e botimit të letërsisë së huaj që e drejtonte Donika Omari. Ky komunikim ishte për mua një shkollë e madhe dhe përvojë e paçmuar; bashkekzistenca me emra të tillë si Petro Zheji (kur përkthente tregimet hershme të Gorkit kishte mësuar përmendesh eposin e kreshnikëve se, thoshte, ishte i vetmi leksik që i përshtatej natyrës dhe stilit të veprës), Bujar Doko (i dënuar në vitet e para të pasçlirimit si “armik i popullit” që punonte i tërëvetmuar), Klio Evangjeli, Afrim Koçi, Shpëtim Çuçka, Piro Misha, por edhe Brikena Çabej, e cila mbulonte letërsinë e huaj për fëmijë, më pasuroi dijen dhe urtësinë e profesionit. Këta punëtorë të palodhur të gjuhës kishin vetëm një laps dhe një gomë (dhe shumë pak fjalorë ose bazë të dhënash), por i dhanë letërsisë vepra madhore nga fondi i letërsisë botërore me një shqipe të pasur dhe tejet të kultivuar. Ndiej nderim të veçantë për ta.

    A. D. Thuhet rëndom për përkthyesit, ndonjëherë edhe në mënyrë abuzive, se janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Ky përshkrim, juve ju rri më së miri pasi jeni folës dhe përkthyes i të dyja gjuhëve, nga shqipja në greqisht dhe anasjlletas. Kështu, s’e shmang dot pyetjen, a ju duket e mirëpërfaqësuar letërsia shqipe në Greqi e po ashtu, ajo greke në Shqipëri?

    S.D. Përkthyesit që në kohë të Gilgameshit (në s’gabohem monumenti i parë i letërsisë së përkthyer botërisht) kanë qenë heronj anonimë, krijues të një letërsie paralele me origjinalin. Ndihmesa e tyre në fushë të letrave asnjëherë nuk u vlerësua aq sa duhet. Në historinë e përkthimtarisë botërore p.sh., përkthimet e August Wilhelm Schlegel evidentohen si të barabarta me ato të Shekspirit për nga kënaqësia estetike që i japin lexuesit, por në Gjermani, në fakultetet e filologjisë, pak e ruajnë në kujtesë emrin e tij. Dhimitër Falo (vrarë barbarisht nga komunistët në vitin 1944) ka përkthyer 20 libra artistikë nga shumë gjuhë të botës me një cilësi të lartë gjuhësore dhe mjetesh stilistike, –guxoj të them shumë më të lartë se përkthimet shpesh të pakujdesshme të Fan Nolit– dhe me një begati njësish frazeologjike dhe sinonimike lavdëruese, por pak e njohin atë. Historiografia shqiptare dhe vëmendja akademike është deficitare ndaj këtij personaliteti fisnik të letrave shqipe. E pra, këtë rol në komunikimin ndërkulturor mes popujve nuk kanë mundur ende ta luajnë teknokratët e diplomacisë apo burokratët e politikës.

    Që prej vjetit 1998 bashkë me ish-ministren e Kulturës së Greqisë, Mirsini Zorba (qoftë i lehtë dheu që e mbulon) e deri para pak kohe kemi skeduar dhe katalogizuar rregullisht përkthimet nga letërsitë e ndërsjella dhe tash ekziston një rezervuar i përplotë informacioni bibliografik për studiuesit dhe përkthyesit e ardhshëm. Sipas kësaj pasqyre (jo absolutisht të saktë dhe të plotë) në Greqi janë botuar rreth 110 autorë shqiptarë (jo përherë zgjedhur me kritere të mirëfillta estetike, por dhe me qoka, për fat të keq), të botuar nga 86 shtëpi botuese. Ndër më kryesoret: Eikostos protos: 21vepra, (kryesisht të Ismail Kadaresë), Roes 5 vepra, Kastanjotis 5, Plithora 5, 24 grammata 4, Metaihmio 4, etj. Ndër autorët, kryet e vendit e zë Ismail Kadare, me 28 vepra (dhe shumë më tepër botime), Besnik Mustafaj 4, Fatos Kongoli 3, Dritëro Agolli 2, Ben Blushi 1, Elena Kadare 1, Virion Graci 1, Nasho Jorgaqi 1, Neshat Tozaj 1 etj. Mund të ketë dhe përkthime të tjera të cilat nuk janë regjistruar në bazën e të dhënave p.sh.: të tillë si Daut Gumeni me 3 vepra etj. Për letërsinë greke në shqip ka të dhëna të plota bibliografike në botimin tim antologjik sipas botimeve të katalogëve të BKSH-së dhe sektorit të bibliografisë, i cili ka bërë një punë madhore përgjatë viteve me botime, saktësi dhe profesionalizëm që nuk e gjen në asnjë vend  tjetër të Ballkanit. Për këtë meriton të lëvdohet ish-shefi i këtij sektori Maksim Gjinaj. Ky përfaqësim i letërsisë shqipe në Greqi nuk ka të krahasuar në statistikat numerike me përkthimet në letërsitë e vendeve të tjera të Ballkanit dhe kjo falë, më së pari, sinkretizmit shpirtëror të dy popujve, por dhe të rezervuarit të ri të përkthyesve të rinj të krijuar nga emigrantë shqiptarë të brezit të dytë, diplomuar në institucione të larta universitare greke, të cilët kanë për detyrë të rrisin nivelin e tyre profesional dhe disiplinor.

    A. D. Dhe në mbyllje, diçka lidhur me Departamentin e Gjuhëve të Huaja të Institutit të Studimeve Ballkanologjike ku ju jepni gjuhën shqipe. Si dikush tejet i interesuar për njohjen e gjuhës shqipes qoftë edhe për të siguruar vijimësinë e përkthimeve nga kjo gjuhë, s’rri dot pa ju pyetur për interesin, jo vetëm te katedra në fjalë por në përgjithësi: Ekziston interesi i studentëve grekë për gjuhën shqipe? Mendoni se e ardhmja do të jetë bujare dhe do të ofrojë përkthyes të rinj, të talentuar nga shqipja në greqisht?

    S.D. Instituti i Studimeve Ballkanologjike (IMXA) –i vetmi i këtij lloji në Ballkan, me një bazë të pasur bibliotekare dhe arkivore, feston sivjet 60-vjetorin e themelimit. Po kaq vjet ka edhe shqipja e cila mësohet vijueshmërisht nga studentë, nxënës e civilë grekë. Unë jap mësim që në vitin 1997. Janë disa kategori studentësh të interesuar për të mësuar shqipen: kategoria e parë: për nevoja shkencore (studentë pasuniversitarë ose për temë doktorature); kategoria e dytë: për nevoja utilitare (biznesi), kategoria e tretë: sepse shqipja është gjuha e dytë e folur në Greqi pas greqishtes (komuniteti i emigrantëve i cili i kalon 500.000), kategoria e katërt: bashkëshortë ose bashkëshorte të martesave mikse, kategoria e pestë: për nevoja certifikimi sikundërse dhe gjuhë të tjera (anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj.), kategoria e gjashtë: punonjës të administratës publike për transferime ose emërime në vende pune ku lypset njohja e shqipes, kategoria e shtatë: brezi i dytë i emigrantëve shqiptarë në Greqi që e mësojnë shqipen si gjuhë të huaj etj. Nga viti 2019 Greqia është i vetmi vend i BE-së që e certifikon shqipen në IMXA për të gjitha nivelet e referencës (A1-C2), pas provimeve me gojë dhe me shkrim dhe kreditohet me po atë shkallë vlerësimi si dhe gjuhë tjetra të BE-së. Lënda ekzaminuese hartohet dhe organizohet sipas standardeve të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave (CEFR) dhe parashikimeve ligjore të BE-së. Për këtë kemi hartuar së bashku me kolegen time dhe pedagogen e përkushtuar të shqipes Xhensila Kodra dhe një tekst mësimdhënieje Shqipja për greqishtfolësit (në tre vëllime: i 1-rë A1-A2, i 2-të B1-B2, i 3-të C1-C2, Selanik: Literatus, 2022-2024). Si bazë shkencore dhe bibliografike e tekstit janë shfrytëzuar arritjet më të fundit të shkencës gjuhësore shqiptare, botimet e Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për studimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe me ndryshimet që i dikton koha, veçanërisht sa i përket njësive të reja të leksikut dhe huazimeve, ndërsa për dukuri dhe kategori gramatikore për të cilat nuk ka ende njësi mendimi, kemi mbrojtur bindjet tona shkencore. Natyrisht ky tekst, vatërzon më shumë në veçanësitë që paraqesin greqishtfolësit në të nxënët e shqipes, në prodhimin e gjuhës së folur dhe të shkruar. Si evidencë statistikore, nga viti 2021 deri më sot kanë certifikuar shqipen 234 studentë grekë dhe shqiptarë të brezit të dytë të emigrantëve (shumica e tyre me dyshtetësi) për të gjitha nivelet e referencës (A1-A2).

    Optimistë prej natyre, unë besoj se e ardhmja e përkthimeve dhe krijimi i një diversiteti ndërkulturor është premtuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË