More
    KreuArte pamoreSi e ndryshoi gjuhën e artit Yves Klein

    Si e ndryshoi gjuhën e artit Yves Klein

    Nga Joe Townend, The Smithsonian

    Gjashtëdhjetë vjet më parë, në Paris, 3000 njerëz mbajtën radhë për të parë veprën e fundit nga Yves Klein, artistin e ri më të famshëm prej një ekspozite personale tejet të lavdëruar në Milano. Por nuk e dinin se po prisnin për të shkuar në një dhomë bosh. “Ishte tërësisht gjuhë e re”, tha Danial Moquay, koordinator te Yves Klein Archives, mbi ekspozitën e Klein-it, The Void, te Iris Clert Gallery. “Vepra e tij i habiti njerëzit, por aty zbuluan një eksperiencë krejt ndryshe”.

    Karriera tejet ndikuese e Klein-it zgjati vetëm shtatë vjet, para se të vdiste në moshën tridhjetekatër-vjeçare në 1962. Kujtohet mbi të gjitha prej një ngjyre të vetme, një ultramarine të pasur të cilën e patentoi me emrin e tij: International Klein Blue (IKB). E përdori këtë ngjyrë në pjesën më të madhe të veprave të tij, nga performancat dhe instalacionet të skulpturat e pikturat, duke përfshirë seritë kontraversiale Anthopometry nga fillimi i viteve ’60, ku gra të zhveshura lyen veten me bojën IKB, dhe stampuan trupin e tyre mbi kanavaca gjigante. Por ndikimi i tij shkon shumë përtej një ngjyre të vetme.

    Yves Klein, Anthropometry pa titull (ANT 106), 1960, Nga Yves Klein Archives

    Filloi të pikturonte që adoleshent, por shumë herët kuptoi se ishte po aq i interesuar në idetë dhe eksperiencat sa ishte në vetë veprën e artit. “Është një rrëfim shumë i bukur mbi atë si e bëri ‘veprën’ e tij të parë të artit”, tha Kerry Brougher, drejtorja e Academy Museum of Motion Pictures në Los Angeles, e cila ishte bashkë-kuratore në një retrospektivë të madhe të Klein-it në Hirshborn Museum në Washington DC në 2010. “Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, ishte shtrirë në një plazh në Nice dhe e imagjinoi veten duke u ngritur lart drejt qiellit blu, duke u kthyer në anën tjetër e duke kënduar si një artist. Që prej fillimit, edhe para se ta quante veten artist, ai po e përdorte tokën dhe qiellin si materialet e tij.”

    Performanca e Yves Klein-it Anthropometries e periudhës blu, 1960, Galerie Internationale d’art contemporain, Paris, Francë

    Për një artist kaq të mahnitur nga mundësitë konceptuale të artit, Klein nuk i injoroi kurrë aspektet shpirtërore të veprave të tij. “Klein e përdorte ngjyrën si një instrument i zbulimit dhe një portë drejt shpirtit”, thotë Klaus Ottmann, drejtor i Phillips Collection në Washington DC. “Shikuesit e tij marrin pjesë në vepër duke u përfshirë në një boshllëk ngjyre të pastër”. Bluja pati një rezonancë të veçantë për Klein-in, si katolik i devotshëm. “Që në kohët e lashta, ngjyra blu është lidhur me mençurinë, filozofinë morale dhe të vërtetën”.

    Ai përdorte koncepte të thjeshta për të krijuar takime unike për shikuesin, një proces që pati ndikim të thellë në artin bashkëkohor. “Klein i hapi rrugën praktikave të reja konceptuale, performative dhe përfshirëse, të cilat vijojnë të formojnë e përcaktojnë eksperiencat e sotshme të artit”, thotë Ottmann. “Ai e shkëputi veten nga traditat që ekzistonin. Vizioni i tij ishte një e ardhme me liri absolute artistike e shoqërore.”

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË