Përgatiti dhe përktheu: Belfjore Qose
Ioana Gruia (1978, Bukuresht). Prej vitit 1997 ajo jeton në Granada, ku punon si profesoreshë e letërsisë së krahasuar në Universitetin e Granadës. Ajo ka botuar romanet “Dosja Albertina” (Castalia / Edhasa, 2016, çmimi Tiflo), “Shitësja e kohës (Espuela de Plata, 2013), poezitë e librit “Karusel” Carrusel (Visor, 2016, çmimi i poezisë Emilio Alarcos) dhe “Dielli mbi fruta” (Renacimiento, 2011, çmimi për poetët e rinj të Andaluzisë). Është gjithashtu autore e esesë “Elioti dhe shkrimi i kohës në poezinë bashkëkohore spanjolle” (Visor, 2009) dhe “Shenja në poezinë bashkëkohore europiane” (Renaissance, 2015). Në vitin 2007 ajo fitoi çmimin Federico García Lorca të Universitetit të Granadës dhe ishte finaliste për të njëjtin çmim në vitin 2002. Poezitë e saj janë përkthyer në rumanisht, frëngjisht, anglisht dhe çekisht. Ajo ka marrë pjesë në takime, panaire dhe festivale ndërkombëtare të letërsisë në Meksikë, Kolumbi, Puetro Riko, Spanjë, Zvicër dhe Rumani. Website-i i saj është” www.ioanagruia.com
Summertime në Pont des Arts
Kur ëndrra më hedh në rryma të forta uji,
saksofoni më nxjerr në Pont des Arts.
Ashtu si drynat e të dashuruarve aty mbi lum
Tërheqin poshtë frikërat e mia.
Dikush luan ngadalë Summertime,
E dëgjoj prej fundit të ëndrrës sime.
Është sërish verë dhe ti po vjen
Për të më takuar në Pont des Arts.
I dridhshëm dhe i nxehtë,
si ajri i xhazit,
dëshira më sulmon,
më lartëson mbi frikërat e mia.
Askush nuk i shpëton dot ëndrrave
e aq më pak më këngëve të tij.
Shtëpia poezi
Do doja ta banoje këtë poezi
siç banoje në barkun tim,
që ishte për ty si shtëpi.
Që poezia të ishte streha jote.
Mamaja jote
I flet të gjitha gjuhët
Me theks prej të huaje
dhe e di
që gjithnjë do të ketë diç prej motit të keq në çdo strehë,
një brishtësi që do të të bëjë të fortë.
Do të ndez për ty shtëpinë poezi.
Përgjatë dimrave që do të hasësh,
Uroj të të mbrojë dhe të të mbajë ngrohtë.
Trupat dolën në breg
Trupat dolën në breg
Asgjë nuk pipëtinte: deti i qetë,
Fëmijët me lodra.
Plazhistët të përpirë nga ëndrrat e tyre,
në platitjen blu të verës,
në goditjen e lehtë të dallgëve,
në oshëtimën e largësive të vagullta.
Trupat ia behën menjeherë:
pjesë mishi të vdekur, të dekompozuar
në mes të dremitjes, të aventurës
që deti premtonte.
Të gjithë u mblodhën rreth tyre:
fëmijët me lodrat, plazhistët,
policët dhe mjekët e terrenit
me dëshirën e mirë për të bërë diçka.
Një fëmijë preku një kufomë,
filloi menjëherë së qari.
Është hera e parë që sheh vdekjen,
tha e ëma duke e nxjerrë mënjanë.
E qara e tij infektoi fëmijët e tjerë,
kor i vogël prej tragjedie greke.
Të zinj, vezullues si deti, trupat
Pa faj dhe krenari, sot duken si blatimet
e një sakrifice të mistershme.
Ndërsa plazhi ishte një altar i improvizuar.
Por kush e drejtoi ceremoninë?
(Ioana Gruia, Carrusel, Visor, 2016,
Çmimi : Emilio Alarcos)
Një përgëzim nderi për B. Qose , angazhimin e saj në kulturë – krijime letrare, sikurse edhe përkthimi i poezisë së I . Gruia. Urojmë B. Qose qe t’na pasuroj gjithnjë me kët lëmi duke na gëzuar si lexues sidomos të poezisë, sigurisht edhe tjerave krijime letrar me vlera të çmuara në arenën ndërkombëtare. Q. Fniqi nga Rotterdami – Holandë