More
    KreuOpinionJosif Papagjoni: Pak fjalë për kritikën letrare artistike

    Josif Papagjoni: Pak fjalë për kritikën letrare artistike

    Në moshën që kam tundimi i të shkruarit, ndonëse diç më i pahitur se më parë, nuk më ka ikur. Është brendësuar dhe kthyer në qenie. Një mundim i ëmbël. Një farë vesi. Këta 55 vjet që merrem me kritikë qysh nga viti 1969, kur botova për herë të parë në gazetën më të madhe të kohës, kam botuar 36 libra, monografi, studime, artikuj kritikë, ese, tekste shkollore dhe një kapicë pa fund shkrimesh të formateve të ndryshme. Kam vrapuar pas procesit artistik dhe koka më është mbushur me mijëra imazhe, të shumtat nga shfaqjet teatrore, filmat, por dhe nga artet vizuale, leximet e letërsisë shqipe e më gjerë. A jam lodhur? Më duket se jo ende. Ka mbetur pak frymë në mushkëri…

    1

    Të shkruarit është si uria, sa fashitet pakëz ajo rishtazi të zë dhe ti nis e rinis nga e para. Si në fillim. Harron se është fundi. Sepse çdo shkrim, në vetvete, nuk është fund por një fillim. Kaq herë mendja më shkon te koncepti i njohur i Frojdit mbi krijuesin, se krijimi, në këtë rast të shkruarit, është një shkarkesë, një çlirim nga graviteti psikoestetik që sikur të trand, të shtyp, të çon peshë, të entuziazmon, të turbullon, të mahnit. Është një katarsis. Por nuk jam me idenë se të shkruarit është një traumë a diçka e përafërt. Të shkruarit, ca më tepër kur kjo ka të bëj me përsiatjen, nuk është një shkarkesë erotike me tjetër emër a tjetër konotacion (posaçërisht kur bëjmë fjalë për letërsinë). Ajo lidhet me kënaqësinë, por ndryshe. Nuk është kënaqësi lëngjesh, lëkure, mishi, paçka se të konvertuara, por diç e thellë, shumë më e thellë. Ngjet po njësoj, pra, edhe në fushën e shkrimeve kritike; natyrisht duke ruajtur specifikën. Sepse tashmë është mendja ajo që lodhet më shumë, ndërsa zemra më pak. Ka pak hapësirë për fantazi dhe shumë më shumë për meditim, përthellim. Nuk “shpik” si në letërsi, arte, por komenton mbi “shpikjen”, e kupton atë. E megjithatë kënaqësia është aty, vjen si një zbulim dhe rizbulim. Pikërisht kjo qasje më është dukur e vërtetë.  Tek shkruaj më ngjan se vetë ky proces, përveçse një përpëlitje munduese, është dhe një lektisje që shoqërohet me gjendje intelektuale ngazëllyese, pra nga një kënaqësi e dyfishtë: sa letrare aq dhe teorike, formë krijuese sa dhe parashtruese.

    Ky libër është thuajse i njëjti format si sivëllai i tij botuar para tre vjetësh “Vramendje për letërsinë dhe artet”. Janë një tubë artikujsh të përzgjedhur për teatrin, kinematografinë, letërsinë dhe artet vizuale, vepra të realizuara vitet e fundit. Krahas qasjes kritike dhe një strukture të lehtë sërenditëse, herë-herë kam përfshirë aty edhe qasje teorike për të hedhur dritë në shpjegimin e një fenomeni arti të caktuar, më së shumti kur bëhet fjalë për përditësimin e disa vështrimeve estetike dhe proceseve të fundme që duket se kanë hedhur përsipër velin e një stili, gjuhe dhe semantike të re.

    2 

    Po vë re se, krahas teatrit dhe filmit, përherë e më shumë më ka tërhequr edhe letërsia, pra kritika letrare. Fundja objekti është i njëjtë: estetik. Tërë këta vite, përveç shtysës për të thënë një fjalë timen, të menduar, racionale, të drejtëpeshuar, kritika shpesh më ka ngjarë si një dalje nga tymtaja, një tunel i çuditshëm, që edhe të lodh edhe të këndell. Ti e di se në fund ka dritë dhe rrekesh të arrish aty dhe ta gjesh atë. Domethënë të gjesh të vërtetën estetike te një libër, te një shfaqje teatri, te një tablo kompozicionale, te një film, te një personalitet. Të dallosh origjinalen. Përsiatja e gjatë është si ai shkopi i plakut tek ecën; ai të mban në këmbë. Sepse ecja nuk është e lehtë, përkundrazi munduese. Ajo çka ecejaket në mendjen tënde është gjysmë e qartë e gjysmë e paqartë, si t’i ikësh zgafelleve të ndërdijes. Dikur ajo dukej si e dremitur, dhe befas zgjohet, të rrëmben. Atëbotë përballë hazdisjes drejt sinorit të arratisë, ti ecejakesh sa brenda honit a varrit të ndërdijes tënde, aq dhe vezullimeve që mendja ndërkohë ka nisur të ndriçojë. Bash në atë kërleshje ti kupton më thellë bukuritë dhe domethëniet e artit, veprës që ke lexuar, shfaqjes, filmit dhe pikturës që ke parë. Tashmë ti je i ftuar në banket! Shijoje!

    Një kritik pa entuziazmin s’bën dot, ashtu si pa mendjekthjelltësinë deliron. Nganjëherë kritika, ani pse simotër e teorisë dhe historisë së artit, pra diçka e rëndë, e vështirë dhe munduese, po njësoj është edhe ngazëllyese. Një entuziazëm i çuditshëm të pushton, një farë cicërime orfejane, por ndryshe. Kritika është një rreshtim idesh, konceptesh, parimesh të shkrira në analizë. Ndonjëherë ajo të duket vetullngrysur, sikur të shtyp me çizme hekuri. Kjo të ngjet sidomos kur bëhet fjalë për stërmundimin që ti ndjen teksa bën një përzierje, alternim dhe shkrirje të gjësendeve që vijnë nga vepra në ecejaket e tua drejt depërtimit tek indi i pakorruptuar i saj, te kapilari më fundor. Dhe këtë proces gati të pashpjegueshëm ti e arrin falë përfytyrimeve të tua të lira si dhe një shpengimi të domosdoshëm për t’i ikur paragjykimit duke e bërë përcjelljen e mendimit sa më të pëlqyeshëm, më fort për “tjetrin”, lexuesin, sesa shkrimtarin, artistin. Sa e këm bërë këtë? Eh, çdo kritik bën kompromiset e tij teksa në sy të qëndron përherë ajo, fytyra e vrerosur, ironike apo e ngazëllyer e tij (shkrimtarit, artistit). Kaq herë kam thënë me vete: “Fli gjumë tani bukuroshe, boll?!” Por po aq herë kam qortuar veten: “A s’është vallë kritika kopshtia jote e parapëlqyer,  aroma që të lipset për të shijuar koreografi germash, idesh, imazhesh, shqyrtimesh, pandehmash, depërtimesh, gjetjesh, detajesh kuptimplota? Lektisja me përsiatjen shumëfishohet me lezetet e ligjërimit kritik dhe estetik, me leksikun dhe plot „salcra“ të tjera të shijshme që mendimi kritik të ofron.

    3

    Te shkruarit e letërsisë shoqërohet sa nga kënaqësia e thellë, aq dhe nga një vuajtja e “ëmbël”, tashmë e sublimuar dhe e transcedentuar. Edhe kur përshkruhen ngjarje a fate tragjike personazhesh, dhe shkrimtari e sheh veten befasisht të vetëprekur, gjer dhe duke lotuar (ka shpjegimet e veta psikoestetike si e pse ndodh ky proces), sakaq teksa ai “vjen në terezi”, qesh me veten dhe nis dhe i vë këtij procesi mallëngjimi kontekste estetike. Po njësoj ndodh edhe me poetin, dramaturgun; madje, po njësoj edhe me piktorin, aktorin, kineastin, regjisorin. Teksa shkrimtari shkruan, në proces e sipër, ashtu si spektatori që aty përhumbet dhe po aty kujtohet se është në teatër, ai nuk harron, pra, se dhimbja dhe loti i tij janë “estetikë”; domethënë janë të ndërmjetesuar nga përfytyrimi, fantazia, procesi mimetik, nga specifika e vetë procesit krijues (delegimi apo zëvendësimi i identitetit të krijuesit me dhe te krijesa e tij). Këto nuk janë të drejtpërdrejta, ekzistenciale, qenësore, por të tërthorta, të transcedentuara. Besoj se të gjithë ata që shkruajnë letërsi, edhe probistët që sa kanë zënë pendën me dorë, e kuptojnë fare mirë çka po them. Aktorët, regjisorët, kineastët po ashtu. Ndoshta piktorët, skulptorët kanë pak më shumë “kohë” në këtë proces transcedentimi nga vetja tek krijesa, sepse procesi i krijimit është, si të thuash, më pak kinetik, ritmik.

    Identifikimi me atë çka ti tregon në një vepër dhe po aty tjetërsimi që ngjan nga përjetimi yt specifik i atij çasti që ti përshkruan, është një kontradiktë e atygjendshme që lind e zgjidhet njëherit gjatë vetë procesit të shkrimit. I ngjan një shilarësi lart e poshtë sa nga përhumbja drejt kthjellimit, sa nga dhembja drejt qetësimit, sa nga emocioni drejt mendimit, ideve, përsiatjes. Shpesh shkrimtari, teksa shkruan, preket dhe po aty qesh me këtë ndjeshmëri budallaqe. Një shembull domethënës ka qenë Balzaku. Pasi kishte pirë mbi 20 kafe gjatë të shkruarit, aty nga ora 3, 4 e mëngjesit e flakte një nga kukullat që i mbante mbi tavolinën e punës si identikite personazhesh dhe e kaplonte një dëshpërim i pafund mortor. Ose kujtojmë Floberin në skenën prej tre faqesh, teksa zonja Bovari e mbetur shtatzënë shtërzonte nga vjelljet, shkrimtari porsa niste që ta përshkruante këtë skenë, villte vetë, aq e fuqishme qe ndjesia. Iu deshën 22 ditë që me zor ta përshkruante këtë skenë. Dhe plot raste kësisoj…

    4

    A ndodh po kështu edhe me kritikën, eseistikën?! Nga përvoja ime, jo. Sepse tani është arsyetimi “bualli” prijës, që çel hullitë e mendimit në truallin e ashpër të tyre. Madje, ai përcakton edhe natyrën e perjetimit të tij si eseisti a kritik. Kam shkruar mijëra shkrime kritike për teatrin, kinematografinë, letërsinë, pikturën dhe arte të tjerë, por entuziazmin e mendjes dhe empatinë ndaj asaj që po shkruaja ma ka ushqyer pikërisht udha e të menduarit, zbulimi, kapja dhe kuptimi i drejtë i argumentit, flurudha stilistike e shfaqjes, filmit, librit, pikturës. Dhe bash aty kam ndjerë gëzimin e përqasjes me veprat konkrete, zbulesat e bëra prej artistëve, këtu apo aty. Kënaqësia ka qenë tjetërlloj. Paçka se një disiplinë shkencore, kritika ka jo pak hapësira vetjake interpretimi, ka ecejake dhe poshtepërpjeta të mendjes së vet kah mendja e krijuesit. Mëpastaj, kritika ka dhe ndjeshmëri. Veçohet për një ligjërim më të shpenguar, më të çlirët sesa ajo e studiuesit. Kritiku e bart dhe e shpreh vetveten tek dhe përmes veprës, autorit. Ndonjëherë ajo i merr këto si pretekste, për pohimin po të vetvetes. Në këtë mes, pra, edhe të formimit e kulturës qe ai ka, të parapëlqimeve të tij. Prandaj, ani pse më është dashur të shikoj, këqyr e lexoj vepra arti e letërsie pa numërim dhe t‘i kthejë mbresat e përftuara në shkrime kritike, kurrë s‘kam hequr dorë, sepse tok me lodhjen e mendjes kjo punë përherë është shoqëruar nga kënaqësia dhe emocioni estetik.

    5

    Ok, të shkruarit e letërsisë dhe asaj të kritikës janë të ndryshëm, por kanë edhe një urë lidhëse ndërmjet tyre. Kjo paracaktohet nga prania estetike e objektit, nga lirshmëria e trajtimit, nga qasja e personalizuar, nga migrimet e shpenguara brenda të menduarit dhe të perceptuarit vetjak. Po studimet ku dallojnë nga kritika? 

    Ah, këtu ka një ndryshim të madh si në të shkruarit, ashtu dhe karakterin e përjetimit. Rreth 50 vjet jam marrë me studime. Por studimi është tjetër. Ka shumë lodhje, tension intelektual, gjer dhe stërmundim në skedime librash e referencash pa fund. Dhe, siç merret me mend, kënaqësia nuk është si ajo e letërsisë dhe e kritikës (pra dhe e eseistikës). Është shumë më e pakët, thuajse e munguar. Studimet nuk janë si bualli i bindur që tërheq parmendën dhe lëron tokën, por si ai demi që do shumë punë dhe yçkla për ta shtruar në parmendë. Pse? Sepse studimet kërkojnë një abstragim të madh dhe një përthellim mundonjës në shumëçka të shkruar më herët nga të tjerët ose bri teje. Kënaqësi që buron nga kryerja e një vëllimi të madh pune e llojit tjetër. Sigurisht më e thellë, më fundore. Është një maratonë, jo një 100 metërsh. Nuk vjen nga ndjeshmëria atypari, nuk është as mirëfilli apo pjesërisht estetike, përkundrazi vjen nga të arsyetuarit, nga puna e mundimshme hulumtuese, skeduese, sintetizuese, gjer te zbulesat e kryera dhe ndriçimet e reja të objektit të marrë në shqyrtim. Ndofta, nga përvoja ime, kënaqësia që ti merr nga një vepër e plotë shkencore, si për shëmbull monografia, sublimohet këtu më së shumti në fund të procesit studimor. Kjo sjellë vetiu edhe empathinë, që në fakt të shoqëron gjithëherë gjatë shtjellimit të objektit studimor. Besoj se kjo lloj pune është tejet e rëndë, e vështirë, gati torturuese, shumë herë sfiduese. Por, ama, fundi është tejet i lumtur, një apoteozë e nivelit dhe cilësisë së të menduarit tënd. Miqte e mi që lërojnë këtë arë, më kuptojnë mirë.

    Kritika, eseja dhe studimet janë si buajt, tërheqin secili me fuqinë dhe ritmin e vet karrocën e madhe me bereqetin që kanë sjellë veprat e artit dhe letërsisë. Pak nga ky bereqet jam përpjekur të sjellë edhe unë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË