More
    KreuLetërsiBotime të rejaGeverina Muzhaqi: Ngjyra e turpit - botim i ri nga “Polis”

    Geverina Muzhaqi: Ngjyra e turpit – botim i ri nga “Polis”

    Një nëntëmbëdhjetëvjeçare me një foshnjë në krahë, befas, një mbrëmje vendos t’ia vërë flakën shtëpisë. Nuk ka asnjë vend se ku të shkojë. Nuk ka shkollim, as bukuri e as ndonjë aftësi të spikatur që mund ta ndihmojë për ta ndryshuar rrënjësisht jetën. E si të mos mjaftojnë këto, vuan nga një sëmundje e rrallë, për të cilën e kanë tallur që në vegjëli. E megjithatë, ajo ia vë flakën të gjithë asaj që dikur kishte qenë jeta e saj mjerane, për t’u kredhur në të panjohurën, në të mistershmen: në të ardhmen.

    Quhet Romina, vjen nga komuniteti rom dhe nuk ka kurrfarë qëllimi a pritshmërie për të ardhmen, pos atij që t’i japë një jetë më të mirë të birit ende njomëzak. Rastësisht e në rrethana krejtësisht të pazakonta, takon plakun Tonin, që vitet e fundit të jetës i ka kaluar në një shtëpi për të moshuarit, por ëndrra e tij më e madhe është që t’i mbyllë sytë në shtëpinë ku ka jetuar ngaherë, në mes të kujtimeve të tij.

    Por çfarë i lidh këta dy njerëz në pamje të parë aq ndryshe nga njëri-tjetri? Cilat turpësi i bashkojnë dy botëkuptime të kundërta, dy breza të largët, dy kultura të papërputhshme dhe me shumë paragjykime për midis?

    Me një gjuhë të mprehtë e pa barriera, të shprehura nga njëri personazh, si dhe me një shprehësi letrare e miklueshmërisht të sofistikuar të personazhit tjetër, zbulohen të gjitha frikërat më të fshehta, ndjesia e turpit, braktisjes, vetmisë, ajo ideja e ngulët e të mosqenit i mjaftueshëm për botën, ashtu sikurse ajo nuk është për ne.

    Si mund të rimëkëmbesh, kur gjithçka ka marrë fund? Po sikur i panjohuri aty në rrugë, që duket se po vuan, të ishte familjari yt?

    Po sikur tjetri të jem unë?

    Mbi këto pyetje ngrihen themelet e historisë së këtij romani.

    “Ndonjëherë edhe transparentja mund të ketë ngjyrë. Ngjyra e shiut, për shembull, përzihet me dheun dhe, kur formon një pellg, bëhet e kafenjtë. Ngjyra e detit: e pasqyron qiellin dhe ia vjedh kaltërsinë. Ngjyra e shpirtit: këtu çështja ndërlikohet shumë, se brenda të njëjtit shpirt mund të bashkëjetojnë më shumë se një ngjyrë. Por më e rëndësishmja, ajo më transparentja, është ngjyra e ndërgjegjes. Nëse në ndërgjegje të krijohen njolla të errëta, asgjë, besomë, asgjë nuk mund t’i fshijë.”

    Teknika narrative pasqyron reflektimin përmes pyetjeve ekzistenciale të personazhit femër, gërshetuar me orientimin e ngrohtë atësor të personazhit mashkull, të rrëfyera në të dyja rastet në vetën e parë.

    Me përshkrime fizike e shpirtërore tronditëse, me pasiguritë mbi atë që është dhe atë që dëshiron të jetë, çdo grua e gjen sadopak veten te Romina, te sfidat që ajo duhet të përballojë dhe betejat që duhet të luftojë, me qëllim që zëri i saj të dëgjohet dhe në fund ta gjejë vendin e saj në botë.

    Nga ana tjetër, kemi plakun e mirë Tonin, që përfaqëson moshën e tretë, atë më delikaten e më pak të kuptuarën dhe, mbi të gjitha, më të vetmuarën.

    Me një stil të rrjedhshëm, monologët përshfaqin një pasqyrë të brendshme dhe dialogët midis dy personazheve kryesorë janë si një përballje me realitetin.

    A mund ta ndihmojë njeriu njeriun?

    A mund të ringrihesh, pasi të është thërmuar e gjithë bota përpara syve?

    A mund ta pranosh turpin e të bashkëjetosh me të?

    Të gjitha këto përbëjnë “Ngjyrën e turpit”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË