KreuLetërsiBibliotekëFrano Kulli: Xhixhi e Kalina (tregim)

Frano Kulli: Xhixhi e Kalina (tregim)

Xhixhi hyni në klasë përnjiheri me zojush Dritën. Xhixhi asht qenushi i mësuese Dritës e thirret me këtë emën. Xhixhi asht nxanësi i tridhjetetretë në klasën tonë; i vetmi që s’ka ba asnji mungesë qysh se ka fillue viti i ri shkollor. Ajo i drejtohet katedrës, ulë rregjistrin sipër, në mes, kurse xhixhi mbas saj ban edhe aq hapa sa asht gjatësia e rruginës ndërmjet bankave e ulet në fund. Pushon mbi dy kambët e mbrame, dy të parat i mban të papërkuluna, çon kryet nalt e merr kështu një pamje harmonike me siluetat e nxanësve…

Kjo ishte pamja që iu gjënd përballë të sapoardhunit, i cili hyni në klasë përpara mësueses, i shoqnuem me një lëvizje rrespektuese të dorës prej saj. Na përshëndeti edhe ne, që ishim ngritë në kambë siç banim gjithëherë kur dikush i rritun hynte në klasë… Ishte e para ditë e javës, e hane; java e parë e tetorit. Gjethet e plepave n’anë të rrugës, do ende ndër degë e e shumta përtokë e kanë zverdhë rrugën që e lidh katundin tonë me Shkodren. Një e verdhë në të kuqrremtë që nën rrezet e buta të mëngjesit sillte nji ndezullí, ngado që të kullotshe sytë… Xhixhi pa u rehatue ende mirë, ngrihet hop, hedh me të shpejtë aq hapa sa kishte hedhë nga dera e klasës në fund të bankave ku sapo kishte mbërrijt, veçse tash në drejtimin e kundërt e ja beh të personi që hyni. U ngrit në dy këmbët e para dhe i doli kryq. Ai iu shmang, e xhixhi prap i doli kryq, e nuk e la të ecte …

-Ulu xhixhi – i bërtiti mësuesja. Ai i hodhi sytë të zojës, po nuk u zmraps.

Vetëm mbas qortimit të përsëritun e të rreptë të zojush Dritës, xhixhi bani mbrapa, kthei e shkoi e u ul atje ku kishte vendin. Atëhere, mësuesja u kthye nga ne:

-Zotni Leci është inspektori i seksionit të arsimit të Shkodrës, ka ardhë në klasën tonë e do të ndjekë këtë orë mësimi me ne.

-Uuhaa – lëshoi një pasthirrmë habitore Gjergji, ma i shkathti i klasës, që ashiqare shfaqi bezdinë prej të sapoardhunit, e bani të ngrihej në kambë, pa u zorit se mësuesja mund ta ndalte në pendesë, mbas mësimit, siç i kishte ndodhë jo rrallë, shpesh herë pse kishte ba zhurmë e s’e kishte pasë mendjen në mësim, kur mësuesja spjegonte mësimin e ri, sidomos. Kurse Xhixhi, nga fundi i bankave ku ishte ulë mbas qortimit të të zonjës, lëshoi vetëm një të lehun të lehtë. E lehuna e xhixhit, mua m’u duk ma e fortë se pasthirrma e Gjergjit.

-Pushoni – iu drejtua nervoze edhe Gjergjit edhe xhixhit zojush Drita – pushoni ! Ata të dy e mbyllën me aq e nuk u ndjenë má. Mësuesja, shihej që u ndje në siklet; ma shumë prej të lehunës së xhixhit…

***

Zojush Drita ishte mësuesja, Drita Sukej, e shoqja e Gencit. Genci ishte agronomi. Ishte kthye prej jashtë shtetit ku kishte pasë qenë për studime.

Fillimisht e bante vajtje ardhje me biçikletë nga Shkodra në katund, po mbasi kaluan do muaj erdhi edhe e shoqja dhe u venduan në shtëpinë tonë. Ata, burrë e grua ja behën në mëngjesin e freskët të një dite të bukur maji. Një sharabajkë, që e tërhiqnin krynaltë e pa sheja lodhjeje harapi e doríja qimekuq të dy të bukur e në shejë midis kuajve të katundit, e mbushun plot e përplot me rraqet e orenditë e tyne, mbërriti nga Shkodra…Pak para sharabajkës kishin mbërritë ata, burrë e grua, bashkë me xhixhin. Ata të dy në biçikleta kurse xhixhi në koshin e përparmë të biçikletës së zojushë Dritës. Xhixhi ishte leshatuk, me qime të shndritshme, të gjata ngjyrë bezhë në të verdhë, që i mbulojnë edhe fytyrën, përposë syve të jeshiltë . Derisa mbërriti sharabajka xhixhi sillej e përsillej nëpër oborr, bante xhiro nga e zonja në nji cep e kthehej prap te ajo. Masandej nisej për në cepin tjetër, duke pa e nuhatë gjithça gjindej aty, po gjithëherë hidhte sytë nga e zonja, prej së cilës lypte tumirjen për çka po bante. Kur puntorët filluan të shkarkonin, xhixhi i shoqnonte rraqe për rraqe që ato shtinin mbrenda në shtëpi deri te vendi në dhomën ku orenditë vendoheshin. Luante kryet sa andej këndej, ndiqte me sy krejt ecejaket e hamájve, e kur mobilja kishte zatetë në vend i hidhte sytë të zonjës, si me dashtë me marrë prej saj miratimin, nëse ai gjasendi ishte në vendin e duhun, apo duhej lëvizë prap.

Dikund para dreke, gjithçka ishte sistemue për bukuri dhe ata ishin ulë në karrigat që enkas ishin lanë në oborr, nen hijen e mandit. Zojush Drita po sejdiste me shurup me lang drandofillesh të gjithë sa ishin aty, hamaj e kurreshtarë që i ishin bashkue, kush duke dhanë nji dorë në shkarkimin e mobiljeve, që ishin edhe ma të randët e kush duke sodit… Sidomos ato gjanat disi ma të rralla, si karriget me rrogosta, radioja Pionier-made in Romania, që ndigjohet edhe ditën para se me u ndez motorri i dritave, që i jep dritë katundit orëve të mbramjes e do gjana të tjera kësisoji…Po, habí në vedi për ne fëmijtë ishte xhixhi. Ma tepër mënyra e jetesës së xhixhit; xhixhi hante e pinte në shtëpi e flinte mbrenda në shtëpi, nevojat i kryente po ashtu në nevojtoren e shtëpisë. Krejt ndryshe prej qenve tonë madhoshë, të lidhun në hekra në fund të oborrit e që zgjidheshin vetëm mbramjeve vonë, për me ba atë për të cilën mbaheshin e mbarështroheshin-rojen e shtëpisë..

Po le të kthehemi te shtëpija ku u vendua familja e ardhun, Sukej. Në fakt ajo nuk ishte shtëpia që ne banonim e as kishim banue ma parë. Derisa erdhën ata, shtëpia kishte qenë e mbyllun. Im atë e kishte ble kur i zoti i saj, Ndoc Lacuku kishte dalë në Shkodër. E kishte ble që të ishte aty, kur familja jonë e madhe të ndahej e ndonjeni prej axhave të shkonte e të banonte aty me të vetët. Ndoci ishte usta. Edhe këtë shtëpi ai e kishte goditë vetë, qysh prej themeleve. Vetë kishte ba karabinánë, me muret me blloqe betoni. Model elbasançe, me nji verandë përpara, me nji koridor të madh, përanash të cilit shpërvjeleshin dy dhoma gjumi; në fund guzhina me një aneks dhe përballë një dhomë tjetër gjumi. Në fund nji banjo e madhe. Shtëpia ka nji oborr të bukur, që, ditëve me diell e mbulon me hije nji mand i madh shatorr; anash e mbrapa bahçja me gjithfarë pemësh, duke fillue prej qershive e kumbullave, pjeshka e zerdelia (kajsia) e mandej fiq e rrush plot. Blloqet prej betoni të shtëpisë i kishte pre vetë, me zall të lamë Drini. Kur ishin stashionue mirë i kishte transportue me karrocë në ograjën ku kishte hedhë themelet e shtëpisë. Masandej kishte qendisë për marak edhe çatinë. Kishte vendosë trenët, e përmbi to kishte thurë gërshancat, ato drujt e hollë që gërshetoheshin me trenët e krijonin formën kulmore të çatisë. Përfund pallazinat, dërrasat që e përmbyllnin çatinë e përsipër tyne kishte rendue tjegullat, fundi i njenës prej të cilave pushonte në fillimin e tjetrës. Mandej rifiniturat si me thanë, suvatimet, dyer e dritare e lyerja me gëlqere të bardhë… Ndoci e kishte bâ gjithçka për marak. Si për vedi mâ. E i ra me qenë ma e reja e ma e bukura shtëpi në katund. Pa u mbushë viti, bile ende ndonji dashamir i vonuem vinte me e përhajrue shtëpinë e re, kur Ndoci kryqëzohet në rrugë me tim atë. Mbasi përshëndeten ai i ban shejë me u ndalë. Ulen të dy në stomin e kanalit përanë. Ndoci nxjerr kutinë e duhanit, ia drejton tjetrit e mbasi ai e ka dredhë cigaren ia kthen kutinë të zotit:

-T’u mbushtë me nder Ndoc!

-Me nder kjofsh!… E dredh edhe për vedi, ndërkohë ka nxjerrë çakmakun e ia ndez të parit bashkëbiseduesit, mandej ndez të vetën…

-Lazer, a e din se kam mendue me e shit shpín ?

-Shpín…po cilen shpí mor Ndoc?

-Shpín e re, Lazer…Ndoci u dha nalt supeve . “Unë u shtanga e s’po dijshe çka me i thanë”tregonte ma vonë im atë.

-Po ma kërkon me ngulm djali …I asht mbushë mendja o në Shkoder o s’ka.

Laca, djali i vetëm i Ndocit ia kishte shprehë kaherë të atit paqefjen e vet për ndërtimin e shtëpisë së re, po i ati e kishte marrë si paqefje kalimtare. Laca, thuajse krejt fëmininë e kishte shkue ndër daja në qytet. Atje kishte ba shkollen fillore e shtatvjeçare dhe në katund kthehej vetëm në gjysë të qershorit kur mbyllej viti shkollor e deri në ditët e fundit të gushtit, kur pregatitej me fillue vitin e ri. Vinte bashkë me dy djemtë e dajës, bashkëmoshatarë e kalonin së bashku me ne veren , plot gaz e lojna gjithfarësh…

E kështu Ndoci, megjith pengun që po lente shtëpinë e re, që e kishte ba me duart e veta, në fillim për mos me ja prishë të birit, por dikur, i bindun edhe vetë se me zanatin e mjeshtrit do të mund të jetonte mirë edhe në qytet, e lanë katundin, e lanë edhe shtëpinë e re e dolën në Shkoder.E blerësi i shtëpisë u ba im atë…

Meqenëse shtëpia ishte bosh, im atë ia lëshoi me qira agronomit . ***

Inspektori, Zotni Leci, me të hy në zyrë, në katin e parë të Komitetit ku ishin zyrat e arsimit, vuni përpara pesë fije letër, i futi përmes secilës letren kopjetive prej karboni e, mbasi i radhiti mirë e mirë, duke i rrah në tavolinë i vendosi në makinen e shkrimit olivetti. Ajo ishte ndër të paktat makina të atij tipi, të ardhuna nga Italia qysh në kohën e luftës, që gjindeshin ende nëpër zyra, qyshse kishin fillue me hy makinat Optima ardhë prej Gjermanisë lindore. Olivetti si e zyrës e kishte edhe në shtëpi Leci. Ai jetonte vetëm me nanën dhe në shtëpinë e tyne, ajo makinë ishte aty qyshse e kish sjellë vetë i ati nga Italia. Me të ai kishte shkrue leksionet e latinishtes, që i jepte si landë mësimore në shkollën e mamive të qytetit, me të kishte shkrue edhe historikun e Karnevaleve në Shkodër, shkruente me té edhe kalendarin e përvitshëm kombëtar të futbollit… Ajo makinë ishte bashkëjetuesja e zotni Lecit, i cili po i grahte të pesëdhjetave të moshës.

Ndërsa i përsilleshin gjithsa prej këtyre mendimeve mbushë me nostalgji, u ftillue se ishte në zyrë dhe i duhej me shkrue relacionin për shefin, mbas inspektimit të djeshëm në shkollën e katundit. Po kishte një ngerç që, e kishte lanë tanë natën pa gjumë e ende nuk po dinte me i dhanë dum; ta përmendte apo jo xhixhin, që jo vetëm qëndonte në klasë me nxënësit në të gjitha orët e mësimit, po bënte edhe kujdestarin e klasës. E i rrotullohej sidomos çasti kur i zuni derën e klasës dje. A ishte didaktike kjo, a ishte e përfshime në rregulloren e shkollës prezenca e një qeni në orën e mësimit ? Po ndërkohë malli për qenush e kishte rikthye vite mbrapa, i ishte ndërmendë kalina që mbante suor’ Margerita në qelen e dom Ndreut. Edhe kalina, asokohe, bashkëjetonte në qelë me murgeshën. Po, në meshë…mos o Zot, s’mund tu linte me hy kurrsesi.E shoqnote suoren deri në oborr të Kishës, po mandej zente nën strehën e kompanjelit, kur ishte mot i lagët. Kur ishte vapë, mrizote për aq sa zgjaste mesha nën hijen e frashnit të madh. Iu përsollën gjithë natën ato kujtime të fëminisë së vet, qysh se ishte kthye prej shkollës së katundit. Nostalgjinë e fshehun përzje me frikë… Në këtë mëdyshje, që kishte zgjat bukur do kohë dhe fletët e vendosuna në makinë ishin ende të bardha, troket dera. Një herë të vetme e mandej hapet, kur qe, Biku.

-Puna e mbarë kojshi-përshëndet ai .

-Mbarë paç-ia kthen Leci e, duke e marrë me mend se pse kishte ardhë, zgjat doren te tuba e letrës , që kishte mbi tavolinën e punës, merr prej andej kund nja 20 fije dhe ia zgjat Bikut.

-E çka më dalin këta ?! Mi jep, mor burrë edhe do, a të kam thanë se kam përfundue komedinë e më duhet me e shtypë në 5 kopje.

– Hajt Bik, për sot s’kam mâ -deshti ta përcillte e me u kthye sa ma shpejt te relacioni, që i duhej dorzue shefit. E kishte mbërthye nji pezullí , që s’dëshironte me ja dijt kush; relacioni i pafilluem i rrinte çekiç mbi krye. Uli kryet tullac ndërmjet dy shputave të duarve, me u përqëndrue.

Biku i trazuem e zhgënjyem, bani me dalë. Po, pa mbërrijt te dera ndali, u kthye në profil e, mbasi u sigurue se prap ishte vetëm për vetëm me té, iu kthye Lecit e duke rrotullue gishtin tregues në pjesën e djathtë të krésë iu turr: Unë vij me lyp kos te magjypi; koprraclleku ty t’ka lanë pa martue…e doli.

Në këtë çast ra zilja e telefonit, që e zhdavariti prej asaj kllapíjet, Lecin. Shkëputi kryet prej duarve si i tremun. U ngrit në kambë, bani tre kater hapa bosh, sa në njenin cep në cepin tjetër të zyrës. U ndal. Mori pritueshëm receptorin e ju përgjigj me të shpejtë zanit në anën tjetër: Si urdhnon shef. Nuk po vonoj , erdha…Doli, mori shkallët e katit të dytë e kur mrriti në koridorin e gjanë, para se me kërsitë në derën e zyrës së madhe iu fashit mëdyshja; do ta bante me shkrim padinë për Xhixhin.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË