Vëllimi Fabula popullore shqiptare, i mbledhur në Tetovë, Gostivar dhe në vendet rreth e rrotull, është dëshmi për të disatën herë e një pune të mrekullueshme, voluminoze, që ka bërë e vazhdon të bëjë etnografja dhe mbledhësja e Folklorit, ndër më uniket në të gjithë zonën shqipfolëse, Edibe Selimi Osmani. Ky vëllim përmbledh krijime të prozës së shkurtër, të fabulave si lloj i veçantë i krijimtarisë gojore popullore të shqiptarëve që jetojnë në trevat etnike në Maqedoni. Ky libër rezulton të jetë ndër të parët e këtij lloji, në mënyrë të veçantë në Maqedoni, si edhe përfshin një material dukshëm voluminoz dhe të sistemuar mjaft mirë.
Proza gojore në trevat shqiptare të Maqedonisë është shumë e zhvilluar. Ajo paraqitet në forma të ndryshme. Studiuesja jonë është e ndërgjegjshme për këtë. Në arkivat e saj ka disa qindra dokumentime të kësaj proze të mbledhura me kujdesin më të madh e të ruajtura me fanatizëm nga kjo autore. Kështu menjëherë pas botimit të suksesshëm të vëllimit me përralla popullore, Selimi del para nesh me një tjetër përmbledhje të krijimtarisë popullore, atë të fabulave.
Krijimet popullore, natyrisht edhe përrallat, kalojnë brez pas brezi, gojë më gojë, dorë më dorë. Fabula ka lindur në periudha e rrethana të ndryshme kohore, shoqërore, kulturore e historike. Populli i krijon, populli i vlerëson dhe gjatë këtij procesi ai vë në përdorim shoshën e tij, duke lënë mënjanë ato që nuk e kënaqin dhe duke ruajtur të tjerat, ato që i konsideron si më të përshtatshmet. Përkundrazi, koha bën punën e ujit që i shkëlqen edhe më shumë guralecët e zallit duke kaluar vazhdimisht mbi ta. Mbledhësja jonë ka ditur të gjejë e të përmbledhë në mënyrë selektive ato që ka gjykuar të jenë më të spikaturat. Fabula është një tregim i shkurtër, i trilluar, plot fantazi dhe elemente të çuditshme në subjekt, me anë të së cilës paraqiten mendimet, filozofitë, mesazhet, por edhe ëndërrimet e njerëzimit në formë alegorike. Fabulat tregohen në prozë dhe kanë, domosdo, strukturën dhe elementet e tyre filozofike, ashtu edhe për vlerat e tyre didaktike. Të krijuara nga autori popull, fabulat i kanë të konservuara deri në perfektshëmri të gjitha këto elemente. Pikërisht kjo përbën edhe vlerën e parë të padiskutueshme të këtij vëllimi. Edibja, ka ditur jo vetëm të ruajë këtë strukturë, por edhe ta transmetojë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbledhësja është kujdesur që ta përcjellë secilën prej këtyre ashtu siç e ka vjelë nga subjekti, pa bërë kurrfarë ndryshimi në të. Krijimet e prozës gojore, fabulat, janë të bartura ashtu siç janë dëgjuar në ambiente autentike nga rrëfimtarët e trevës së Tetovës dhe të Gostivarit me rrethina. Gjuha e këtyre krijimeve është gjuhë lokale me elemente arkaike. Në fund të secilës prej fabulave Edibja, ka vendosur edhe të dhëna rreth subjektit prej të cilit e ka dëgjuar këtë fabul. Ajo përcakton me shumë hollësi kush është subjekti, moshën e tij, vendlindjen, vendbanimin, kulturën e përgjithshme dhe profesionin. Të gjitha këto të dhëna vlejnë për momentin kur është dëgjuar e regjistruar fabula. Madje në disa raste studiuesja na bën me dije edhe se subjekti e ka dëgjuar këtë fabul, fjala vjen, nga gjyshja e tij që ka ndërruar jetë. Më pas secila nga fabulat ka një sërë fusnotash që përbëjnë një fjalor sqarues nëpërmjet të cilit teksti i fabulës të mund të kuptohet më lehtë edhe nga lexuesit e të gjithë grupmoshave. Në fund, duke ndjekur parametrat e botimeve të mirëfillta sa praktike aq edhe shkencore, autorja e kësaj përmbledhjeje ka vendosur edhe një fjalor më vete duke shpjeguar në mënyrën më adekuate të mundshme fjalët që mund të konsiderohen si të panjohura, si kuptime a si kontekste sinonimike, për të cilat autorja vendos një urë komunikimi me lexuesit e saj, pavarësisht njohurive që ky i fundit mund të posedojë. Fabulat, kryesisht nëpërmjet kafshëve dhe bimëve që flasin, mendojnë, veprojnë dhe ndiejnë njësoj sikurse edhe njerëzit, për të nxjerrë në dukje të jashtëzakonshmen operojnë me animizmin, antropomorfizmin dhe totemizmin.
Kafshët në fabulat që sjell Edibe Selimi Osmani, të tilla, si ujku, dhelpra, gomari, iriqi, tigri, macja, veprojnë e mendojnë njësoj si qeniet njerëzore. Në fabulat Ujku me bishtin e ngrim dhe dhelpna, Derri i egër, dhelpna, arrousha e ouku jon bo shokë, Dhelpna dhe gjeli i mençëm, Kali plak dhe ujku e të tjerë, kafshët fitojnë përfundimisht vlerën e simbolikës së tyre si përfaqësues të një virtyti njerëzor ose vesi duke vënë në lojë tipare dhe dukuri të ndryshme negative, apo duke dënuar shtypjen dhe shfrytëzimin e më të dobëtit, nëpërmjet kafshëve që nënkuptojnë karaktere të ndryshme njerëzore herë vihen në lojë dhe herë dënohen tipare dhe raporte të caktuara të shoqërisë njerëzore. Kështu, në këtë grup fabulash, gomari, i cili mund të mishëronte zellin dhe durimin, u bë simbol i pamundësisë; delja u bë simbol i butësisë dhe urtësisë kundër marrëzisë dhe përuljes; ujku është një përfaqësues i egërsisë, por edhe i budallallëkut, që bie pre e kurtheve dhe dinakërive të dhelprës; dhelpra e dinakërisë; kali i fortësisë deri në fund të jetës të tij. Pjesa më e madhe e fabulave, që natyrisht kanë personazhe vetëm kafshë, shquhen për rrëfimin e mirëfilltë e të natyrshëm sipas stilit që e karaktrizon këtë zhanërr të prozës popullore shqiptare. Duke ju përmbajtur të gjithë kritereve të shumëkuptimshmërisë alegorike që të ofron fabula, por edhe kritereve strukturore rigorozë, të gjithë fabulat kanë ndërtim strukturor thuajse të njëjtë. Një hyrje të shkurtër të lakolizuar, në të cilën me pak penelata të kursyera jepen të dhëna të para për personazhet veprues e më pas me një shpejtësi marramendëse karakteristike për fabulën vazhdon rrëfimi i shpejtë i ngjarjes të animuar. Kështu dhelpra dhe iriqi zateken (takohen) dhe menjëherë më pas njëra pas tjetrës janë ngjarjet. Ata vjedhin rrush, dhelpra zihet në kurth, shpëtohet nga iriqi me dredhi.
Në fakt struktura e fabulës është më komplekse sesa e rrëfimeve të tjera të prozës popullore. Duke qenë se elementi kryesor është fantastikja, e jashtëzakonshmja, mitikja, ndërtimi dhe pleksja e veprimit në fabul bëhet në forma të ndryshme. Diku një kthesë e rrëfimit i jep tjetër rrjedhë ngjarjes, diku tjetër, tjetër enigma sikur shthuret duke na ofruar një kompozicion krejt të veçantë.
Marrëdhëniet që personazhet e fabulave arrijnë të krijojnë mes tyre na transmetojnë një aluzion të marrëdhënieve midis njerëzve. Figurat kryesore rreth të cilave zhvillohen ngjarjet e fabulave tona janë kryesisht ujku me dhelprën dinake që tenton gjithmonë ta gënjejë ujkun, ariu, tigri, macja, luani, pula, gjeli, derri, gomari e të tjerë. Në rastin më tipik, fabulat mund të grupohen sipas llojit të personazhit të tyre kryesor. Kështu janë fabula ku personazhi është dhelpra e cila arrin të dalë fitimtare edhe ndaj ujkut, edhe ndaj iriqit. Ajo edhe ushqehet edhe e tall keqas ujkun. Grupim më vete përbëjnë fabulat ku personazh është vetëm ujku që gjithmonë bie pre e ndonjë mençurie të deles apo të kalit. Apo fabulat që kanë ariun si personazh që në përballjen me njeriun i kujton atij se duhet të jetë mirënjohës dhe të mos e shprehë fjalën e rëndë, se fjala vret më shumë se sëpata.
Ndonjëherë në fabulat e shënuara na del edhe njeriu, por në një rol episodik dhe jo si bartës i idesë kryesore. Kështu mund të sjellim si shembull ndër më tipiket fabulën Ariu asht bo zot shpeje. Vajza martohet me ariun, i cili bëhet zot shtëpie, siguron jetesën, ushqimin, për të gjithë anëtarët e familjes. Ndërsa në fabulën Tigri, macja dhe njeriu, është njeriu qenia më e fuqishme, pasi arrin të mashtrojë tigrin. Të këtij grupimi janë edhe disa fabula të tjera ndër të cilat mund të përmendim Uku me babxhishin n’kulibe etj. Karakteristikë për fabulat është dhe takimi i kafshëve me njëra-tjetrën. Ky takim përbën pikënisjen e aventurës të kafshëve. Si të tilla mund të përmendim Zateken iriçi me dhelpnën, ku personazhet shkojnë të vjedhin rrush së bashku, ose takohet Tigri me macen, të cilët bëhen shokë. Do të veçojmë në këtë kategori fabulën Gjashtë miqtë dhe tufa e ujqërve. Janë pesë krijesa që u kanë shërbyer njerëzve gjithnjë, nuk mund të rrojnë më nën mundime dhe me frikën e vdekjes. Ata ikin dhe në këtë arratisje bëhen bashkë. Nëpërmjet një raporti të caktuar midis konvencionales dhe reales, në fabula zakonisht zbulohen tiparet dhe natyra e veçantë e këtij zhanri, pikërisht në vlerat e ndërlidhjeve kafshë-njeri, që mishëron fabula. Temat më të rëndësishme që trajtojnë fabulat janë: marrëdhëniet midis të fortit dhe të dobëtit, kështu kali plak i dobët triumfon mbi ujkun që do ta hajë; drejtësia dhe padrejtësia, ujku zgjidh me drejtësinë e tij të gjitha problemet e vjehrrit të tij Babxhishtit; puna dhe dembelizmi, vajza dembele e njerkës nuk mund të fitojë asgjë përkundrejt atyre që ka fituar motra e gjetur e saj; mirënjohja dhe mosmirënjohja, njeriu në vend që të jetë mirënjohës ndaj ariut që e strehoi e rëndon me fjalë atë; e kështu me radhë, besa dhe pabesia, bashkimi dhe ndasia; zgjuarsia dhe naiviteti; dënimi i tipareve negative dhe i veseve të liga. Një kategori krejt më vete përbëjnë në këtë vëllim variantet. Fjala është për disa fabula me subjekte të njëjta, por me ndryshime të vogla për sa i përket, fjala vjen, të folmeve dialektore. Këto motërzime paraqesin interes të jashtëzakonshëm sidomos për studiuesit dialektologë. Të gjitha fabulat e mbledhura dhe të botuara nga folkloristja dhe etnologia Edibe Selimi Osmani kanë rëndësi për kulturën shqiptare në përgjithësi, për folkloristikën në mënyrë të veçantë, për nxënësit e shkollave dhe mësuesit e tyre. Këto fabula, veç të tjerash, përmbajnë vlera të jashtëzakonshme artistike, përmbledhin në vetvete një thesar të tërë të figuracionit artistik të popullit që është mjeshtër në këtë drejtim.