More
    KreuLetërsiBotime të rejaEvalda Paci: Si u shkrua vepra për kulturën shqiptare në Venedik

    Evalda Paci: Si u shkrua vepra për kulturën shqiptare në Venedik

    “Skënderbeu” i Lucia Nadinit

    Si përkthyese dhe përgatitëse e botimit të profesoreshës Lucia Nadin mbi figurën e Skënderbeut, të titulluar “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”, Tiranë, 2018, si u gjendët kur për herë të parë ju ra në dorë varianti i sjellë fillimisht prej saj? Çfarë është ky botim?

    Kur kam pasur fillimisht në dorë materialin e përzgjedhur për botim nga autorja, kam vërejtur menjëherë që bëhej fjalë për një përmbledhje sprovash të cilat ajo prej vitesh i kishte përpiluar dhe arsyetuar në një kuadër sa historiografik, aq edhe të dhënash të tjera që lidheshin me disiplina të afërta me historinë, kryesisht me atë të Skënderbeut. Autorja ka hulumtuar gjatë rreth kësaj figure, por duke u përpjekur të përqendrohej kryesisht në reflektimin dhe jetëgjatësinë e saj në lokalitete dhe kisha të zonës së Veneto-Padova-s, duke iu referuar indiceve që edhe sot e kësaj dite mund të konsultohen nga afër në objekte kulti të cilat ajo i njeh dhe i sjell më pranë, dhe nëpërmjet trajtesave të cilat i ka arsyetuar dhe shtjelluar në kapitujt e parë të veprës së saj. Fatmirësisht, edhe pasqyrimi në foto e detaje fotografike që ilustrojnë më mirë njohjen nga afër të elementeve arkitektonike që përmbajnë motive që lidhen me ngjarje të luftërave të kohës së Skënderbeut, ndihmon të krijohet një ide më e qartë mbi sa parashtron autorja në punimin e saj. Në të vërtetë, për idenë në fjalë, por edhe për një pjesë të materialeve që do të botoheshin, unë isha e informuar që kur me autoren u gjenda në një konferencë shkencore në Shkodër, që i kushtohej figurës së Zojës së Këshillit të Mirë e që u celebrua në një kontekst që natyrshëm të lidhet edhe me Skënderbeun dhe ndikimin e episodeve të historisë së tij edhe në Veri të Shqipërisë.

    Përveçse ka qenë e përqendruar në trajtimin e jehonës së figurës së Skënderbeut në Venedik dhe rrethina që nga shekulli kur ai ishte gjallë e më tej, a ruan edhe kjo vepër e profesoreshës Nadin lidhjet me botime të mëparshme të saj e që lidhen me botën shqiptare?

    Pa dyshim që kjo lidhje kryesisht tematike mund të konstatohet fare qartë në kapituj të mëtejmë të veprës në fjalë dhe në krerë në të cilët analizohen figura konkrete klerikësh që kanë mbetur në historinë e kishës së kohës për arsye të caktuara e për të cilat autorja siguron edhe prejardhjen shqiptare. Ky fakt ka bërë që edhe unë në proces të përgatitjes së veprës për botim t’i rikthehem një botimi të mëparshëm të saj, që u botua nga Shtëpia Botuese Bulzoni (Romë, 2008) dhe që lidhej me migrimet shqiptare kryesisht në drejtim të Venedikut. Referimi ndaj kësaj vepre të mëparshme ishte më se i domosdoshëm në jo pak paragrafë të veprës dhe një fakt i tillë është pasqyruar edhe në shënimet me të cilat i kam pajisur dhe shpjeguar ato. Në të vërtetë, trajtimi i hollësishëm i të dhënave arkivore dhe biografike që ka sjellë autorja në këtë pjesë të veprës i shërben rindërtimit të një kuadri a konteksti më të gjerë historik që shpie në reflektime mbi marrëdhëniet reale të kohës mes Venedikut dhe kishës së Romës, linjë kjo që është ndjekur nga autorja përmes arsyetimesh dhe konkludimesh të matura.

    A është pasqyruar historia e artit venecian edhe në këtë vepër? Tituj paragrafësh të saj bëjnë të mendosh se pikërisht një gjë e tillë ishte qëllim i vetë autores.

    Po, patjetër që kjo lamije studimore ka qenë dhe mbetet në interesat studimore të profesoreshës Nadin, e interesuar përherë të gjejë edhe në këto objekte e monumente fije lidhëse me historinë e institucioneve të caktuara dhe pse jo, edhe me vendin tonë në këtë rast. Konsultimi i vazhdueshëm dhe konsekuent i burimeve arkivore ka sjellë edhe më tepër arsyetime dhe deduktime nga ana e saj, duke shprehur njëkohësisht edhe dëshirën e mirë që edhe nga studiues pasardhës të ndiqen të njëjtat pista kërkimi e hulumtimi. Ajo ka analizuar hollësisht vepra arti, vepra të artistëve më në zë të kohës, që kanë pasuruar edhe motive biblike në krijimtarinë e tyre. Rasti i Paolo Caliari-t (Il Veronese) dhe i personazheve biblike nga Besëlidhja e Vjetër që ai bën objekt vëmendjeje, i kanë shërbyer autores të rindërtojë edhe arsyetime që lidhen me kishën në Shqipëri dhe fatin e martirëve të krishterimit. Kapitulli III (f. 123-141), që lidhet me shekullin XVI, mbetet në të vërtetë një prej krerëve më interesantë të kësaj vepre, që lexohet dhe rilexohet me ëndje dhe interes nga kushdo që ka interesa studimore në disa disiplina, duke qenë se qasja e autores është mirëfilli ndërdisiplinore dhe arrin të ketë impakt pozitiv te lexuesit dhe studiuesit e punimeve të saj. Duhet theksuar edhe këtë herë që çdo linjë që shtrohet me qetësi e maturi nga autorja që në krye të trajtesave të saj, merr shtjellim hap pas hapi derisa, më në fund, kihet e qartë që ajo ka parashikuar që faktet e marra në shqyrtim i shërbejnë një ideje a një përfundimi që edhe hulumtues të tjerë mund ta marrin në konsideratë ose ta shpien më tej. Në këtë vepër që sapo pa dritën e botimit, janë përfshirë e sjellë në një trajtë më të zgjeruar, ose ndonjëherë më të përmbledhur, linja e trajtesa që në formë artikujsh kanë parë dritën e botimit në periodikë shkencorë apo akte botimi që mbartin vulën e një serioziteti të mirëfilltë shkencor. Fakti i përfshirjes në një botim tematik ka shtyrë autoren edhe t’i rishohë ato në kuadrin e një vepre unike, gjë që e ka reflektuar dhe në proces të bashkëpunimit tonë të frytshëm në periudhën e përkthimit dhe përgatitjes për botim të saj.

    A ka qenë Rrethimi i Shkodrës objekt interesi edhe për këtë botim më të fundit të profesoreshës Lucia Nadin?

    Po, ky argument ka qenë objekt interesi, dhe jo vetëm duke pasur referencë një autor me emër siç ishte Marin Barleti e që mbetet një burim referencial gjithmonë për t’u konsideruar në traditën e historiografisë skënderbeiane. Rrethimi i Shkodrës është sjellë pikërisht në këtë libër (kapitulli I i veprës, përkatësisht f. 55 v.) dhe përmes transmetimit të të dhënave që kanë qarkulluar nëpërmjet një forme tjetër narrative, të ashtuquajturave kantare, nëse kemi parasysh emërtimin ad hoc të autores dhe që nënkuptojnë forma gojore rrëfimtarie, mjaft me interes si në pikëpamje të gjinisë që përfaqësojnë, ashtu dhe nëse kemi parasysh që pasurojnë kuadrin e konceptimit të një ngjarjeje që lidhet ngushtë me Shkodrën, por edhe me Venedikun si shtet që pati rolin e vet edhe në drejtim të historisë së kështjellës që u rrethua gjatë dhe më në fund, ra pre e pretendimeve osmane në shekullin XV. Por nuk mungon, gjithsesi, referimi ndaj Barletit dhe të dhënave që ai sjell mbi këtë ngjarje që ka shënuar njëkohësisht historinë e dy vendeve, të cilat duket se historia i ka bashkuar prej shekujsh.

    A mund të veçoni një pjesë të veprës që e mendoni më interesante në pikëpamjen tuaj?

    Unë do të thosha që e tërë përmbledhja e sjellë nga autorja është një dëshmi e një përkushtimi dhe e një pune kërkimore që ka kërkuar kohë të konsiderueshme dhe një durim jo të zakonshëm, nëse kemi parasysh faktin që ajo ka gjurmuar arkiva e biblioteka në të cilat mendonte se do të gjente të dhëna mbi personazhe dhe periudha që lidhen me historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Venedikun, argument ky që asaj i ka interesuar me vite e duke pasur shtysë edhe një ndjenjë të sinqertë afeksioni për vendin tonë, në këtë rast edhe për figurën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Por do të veçoja, ndër të tjera, edhe një kapitull që ka për objekt trajtese armaturën e Skënderbeut e që, në të vërtetë, përmban një nomenklaturë të tërë mbi armët e kohës dhe kontekstin historik që lidhet me të. Kjo trajtesë që përbën dhe kreun përmbyllës të kësaj vepre (f. 227 v.), në të vërtetë, është një parashtrim kërkimesh të cilat besoj se do të vazhdohen më tej nga studiuesja Nadin, e cila gjykon se konteksti venecian dhe arkivat përkatëse akoma mund të ofrojnë të dhëna me vlerë në lidhje me figurën e Gjergj Kastriotit dhe periudhën historike në të cilën ai jetoi.

    Sa frytdhënëse konsiderohet prej jush një punë e tillë që, siç shpreheni edhe ju vetë, është pasqyruar në përkthimin nga origjinali të materialeve studimore dhe përgatitjes për botim të tyre në kuadrin e një vëllimi ngushtësisht tematik?

    Kjo punë që, sigurisht, ka kërkuar një investim të konsiderueshëm intelektual dhe mendor, është kurorëzuar në një kornizë të denjë institucionale, duke mbartur stemën e botimeve tematike të Akademisë së Studimeve Albanologjike, pikërisht botimeve që janë menduar të realizohen në kuadrin e celebrimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ka qenë një punë frytdhënëse që ka pasur edhe përmasën e bashkëpunimit hap pas hapi me autoren e veprës, e cila nuk është kursyer asnjëherë për të sqaruar elemente të cilat mbartnin qartë gjurmë të një konteksti mjaft specifik që ka të bëjë si me largesën në kohë të ngjarjeve të marra në shqyrtim, ashtu edhe me vetë veçantinë e tematikës së përzgjedhur. Shqipërimi dhe përgatitja për botim kanë kërkuar pa diskutim edhe kërkime në disa fusha të terminologjisë, kryesisht në atë të historisë së arkitekturës kishtare, por edhe historisë së artit e të teatrit italian. Venediku, me historinë e tij dhe rënien e pashmangshme në shekujt pasues, është pasqyruar me tërë shkëlqimin e mundshëm nga autorja, por nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe lidhja e pamohueshme me një vend të afërt si ai yni. Besoj plotësisht që kjo vepër ka ardhur në selinë e duhur institucionale dhe në kohën e duhur, duke qenë se pa dritën e botimit në një vit promocional që lidhej ngushtësisht me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Siç dhe mund ta thonë e pohojnë njëzëri shumë kolegë të tjerë të së njëjtës fushë studimore, libri i fundit i studiueses Lucia Nadin është një vlerë më vete, por shumë e veçantë që pasuron panoramën e botimeve albanologjike.

    Intervistoi: V. Murati

    1474: Epopeja e madhe e Shkodrës – shtysë për përvetësimin nga ana e Venedikut e Figurës së Skënderbeut
    Nga Lucia Nadin

    Shkodra, aleate fort besnike e Venedikut
    Siç dihet, qe Marin Barleti që bëri të mundur me veprat e tij transmetimin e ngjarjeve që tronditën Shqipërinë e shekullit XV: atij i detyrohet rindërtimi i një imazhi mbi Atdheun e vet si tokë e heroizmit ekzemplar. Duke u nisur nga eventet historike që e kishin bërë protagonist, Barleti u jep historive të tij (si asaj të Shkodrës, si asaj të jetës dhe bëmave të Skënderbeut) një gjurmë të fortë humanistike që, për t’u kuptuar më mirë, duhet të përfshihet në kontekstin venecian në të cilin ai operon si shkrimtar. Pse e gjithë kjo? Sepse vullneti i tij për t’i ngritur një monument historisë së vendit të vet, në fund të fundit, i shërbente interesit të Venedikut në rindërtimin e një miti të Shqipërisë si pjesë e Shtetit detar që ajo përfaqësonte.
    Le të reflektojmë mbi datat.
    Barleti shkruan në vitet e para të shekullit XVI. Në vitin 1504 botohet Rrethimi i Shkodrës, ndërsa Jeta dhe bëmat e Skënderbeut në vitin 1510. Në atë kohë një pjesë e madhe e Shqipërisë nuk ishte më nën protektoratin venecian, ngjarjet që e kishin tronditur i përkisnin tashmë së shkuarës, ishin sedimentuar në kujtesën dhe katalogimet e ngjarjeve më të jashtëzakonshme të historisë dhe ishin gati të ripërpunoheshin më tej në konturet e celebrimit të faqeve ekzemplare të saj.
    Shkodra kishte qenë mburoja e Venedikut, për të mos thënë stolia me të cilën ky i fundit zbukurohej, gjithnjë një aleate fort besnike; ndër të tjera, Shkodra nuk kishte rënë në duar të turqve, atyre u ishte dorëzuar kjo e fundit për interesat veneciane të tregtisë dhe kështu vetë Senati vendosi që Shkodra duhet të shpërblehej, si në pikëpamje të pritjes dhe integrimit të qytetarëve të mbijetuar të saj, ashtu edhe në kompensimin e një imazhi zyrtar që do ta përfshinte tërësisht në horizontin mitik venecian.
    Epopeja e Shkodrës (e vitit 1474) do të shihet më tej që kishte lindur vetëm gjashtë vjet pas vdekjes së Skënderbeut (shkurt 1468). Edhe për Venedikun, të lënë vetëm nga Europa në luftën kundër turqve, bëhej fjalë për një ndeshje fort të rëndësishme që do të luhej rreth mureve të Shkodrës së tij, tashmë trashëgimtare e periudhës së madhe të Skënderbeut. Ajo ishte bërë trashëgimtare edhe e titullit që i ishte atribuuar Skënderbeut si “mbrojtës i krishterimit”; dëshmitari i pishtarit të mbrojtjes kishte kaluar tashmë në Shkodër dhe një sërë variantesh atributive ia zgjeronin rolin: Shkodra, mburojë e çdo të krishteri, ashtu si Skënderbeu; Shkodra mburojë në kraharorin e Mbretëreshës (Venedikut), në një ripërmbledhje interesash krejtësisht veneciane.
    Shkruhej kështu gjatë vitit 1474 një faqe themelore historie veneciane, shqiptare, adriatike e duhej të lartësohej kjo gjë nga politika e mëtejme veneciane gjithnjë më në ngërç prej morsës turke në tokat në Jug të Europës.
    Rrethimi i Shkodrës do të dilte nga shtypi në vitin 1504, pothuaj tridhjetë vjet pas ngjarjes së madhe, kur Venediku kishte humbur si Shkodrën, ashtu edhe Durrësin. Dilte kështu pas traktativave të paqes në vitin 1503 që i jepnin fund luftës së dhjetëra vjetëve dhe që do të duhej t’i jepnin frymë ekonomisë. Inkursioni i turqve kishte arritur deri në Friuli në vitin 1499, pothuaj në Venedik.
    Viti 1503 është viti i mbylljes së një faze historike të shënuar prej luftërash e bëhet pikë nisjeje për të rihedhur mesazhe paqeje dhe njëkohësisht ripërtëritjeje, ndërmjet luftërave të kaluara, të momenteve më të lavdishme, gjithsesi, për palën shqiptaro-veneciane. Ripropozohet kësisoj një epopë e lindur në dhjetëvjeçarët e mëparshëm, ajo që e kishte parë Shqipërinë si “mburojë” të Venedikut dhe mburojë të krishterimit perëndimor.
    Rezistenca e Shkodrës në dy rrethimet e egra që kishte pësuar, Shkodra që kishte qenë “trashëgimtare” e pesë pesëvjeçarëve të një rezistence të pashembullt të Skënderbeut ndaj sulmeve osmane, përbën një pikë nisjeje të detyrueshme dhe funksionale për rindërtimin e mëtejmë në vitin 1510 të figurës së Skënderbeut si aleat besnik i Venedikut, që do të duhej të mbetej i tillë në kujtesën historike të Serenissima-s.
    Sa ka qenë Marin Barleti artist në rindërtimin e asaj Figure, sa ka qenë funksionale ajo për politikën veneciane, sa ka qenë Barleti një “krijesë” veneciane, kjo është tezë që mbështetet prej nesh mbi bazën e të dhënave arkivore të zbuluara e prej studimit të relacioneve që e lidhën atë me ambientin politik e kulturor në Venedik. Të vërehet zinxhiri silogjistik përkatës: Skënderbeu kishte qenë mburojë a barrierë për përparimin e turqve; pas vdekjes së tij është Shkodra besnike që bëhet mburojë dhe barrierë për atë avancim dhe ngjarjet e vitit 1474 do t’i shohin të impenjuar në një lidhje të ngushtë venecianët dhe shkodranët; vetë Venediku, nëpërmes komandantëve të vet, loredanëve dhe mocenigove, është në rresht të parë në Shqipëri. Kështu dhe Skënderbeu përmes ngjarjeve të Shkodrës fiton të gjitha ngjyrimet veneciane dhe bëhet edhe ai vetë aleat besnik i Venedikut. Pa ndërmjetësimin e ngjarjeve heroike të Shkodrës (dhe Drivastit) nuk do të mund të konsolidohej Ikona e të madhit Shqiptar, aleatit besnik, që do të konsiderohej në shekujt e mëvonshëm nga pala veneciane. Këtu më tej do të paraqitet një letërsi popullore mjaft e pasur dhe interesante e zhvilluar në Venedik, ndërkohë që zhvilloheshin sulmet turke ndaj fortesave të Shkodrës dhe Drivastit. Ajo përfshin ngjarjet e shekullit XV në viset shqiptare në letërsinë europiane dhe më në veçanti, në përbërje të traditës së kantarëve. Bëhej fjalë për një gjini epike popullore që gjatë mesjetës së hershme rrëfente kohën e epopesë së madhe të Karlit të Madh dhe të kalorësve të tij. Kështu, në katërqindën e vonë veneciane rrafshina poshtë Shkodrës i mbivendosej asaj të Roncisvalle-s dhe shkodranët e rrethuar u lartësuan për bukurinë e tyre, me një armaturë fine ashtu si dhe kalorësit e Karlit të Madh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË