Shënim i autores
Përktheu nga origjinali: Maklena F. Nika
Kur në vitin 2015 u botua romani im Çfarë mbetet nga nata, për tri ditët e Konstandinos Kavafisit në Paris, në qershor të vitit 1897, shumëkush më pyeste se çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë e sajuar në këtë libër. Më pyesnin gjithashtu përse kisha zgjedhur këtë udhëtim në Paris në vitin 1897 dhe jo udhëtime të tjera të tij, për të cilat ekziston më shumë material, madje edhe poezi, si udhëtimi në Konstandinopojë (1882-1885) ose vizita e tij e parë në Athinë, në vitin 1901?
Udhëtimi në Paris më interesonte pikërisht sepse nuk kishte material, ose më saktë sepse ajo që ekzistonte ishte e mangët dhe e parëndësishme. Dukej sikur kishte mbetur një zbrazëti, diçka e paqartë dhe pezull, që i bënte thirrje letërsisë ta mbushte. Kjo zbrazëti ishte Kavafisi i ri. Kavafisi, poeti i paplotë dhe i panjohur, që përpiqet ta përcaktojë veten poetikisht.
Imazhi mbizotërues që kemi për të është ai i një poeti në pjekurinë e tij, një figurë e plakur, aforistike, e distancuar, sikur të mos kishte njohur kurrë moshë të re. Kur shkon në Paris në vitin 1897, është vetëm tridhjetë e katër vjeç. Deri atëherë, me disa përjashtime të vogla, kishte shkruar poezi më tepër të ngathëta, të pagdhendura, siç i quan ai, dhe kishte bërë disa botime në revista të vogla letrare. Ajo që më interesonte ishte kalimi nga poeti i ri te poeti i pjekur, si ishte bërë artist, se si, më në fund, Kavafisi u bë Kavafis dhe nëpër çfarë procese kaloi.
Në përgjithësi, në librat e mi nuk vendos kurrë të shkruaj për një temë, shkrimi vendos për mua. Është ngulmimi i një imazhi, ende i mjegullt, ose i një bisede kalimtare që rikthehet – si atëherë kur kemi përshtypjen se nuk e dëgjuam mirë diçka, e megjithatë ajo është regjistruar brenda nesh. Edhe kur jam e detyruar të shkruaj për diçka të caktuar, qoftë për një bashkëpunim, qoftë për një porosi për të shkruar një vepër, stigma do të jepet në njëfarë mënyre jashtë temës, ajo do t’i japë nuancën, një shije të veçantë që do të përshkojë tekstin, dhe ky proces më pëlqen, sepse kështu edhe unë zbuloj diçka ndërsa shkruaj. Për Çfarë mbetet nga nata u nisa nga pyetje.
Ideja për librin lindi shumë vite më parë, në vitin 1984, kur organizova, në emër të Ambasadës Greke në Romë, një ekspozitë të madhe kushtuar Kavafisit, së bashku me disa veprimtari paralele në Palazzo Venezia. Kisha qasje në Arkivin Savidhi, sot Onassis Cavafy Archive, dhe në Arkivën Greke Letrare dhe Historike; kisha studiuar gjithçka hollësisht, duke përzgjedhur materialin për ekspozitën. Atëherë konstatova se për udhëtimin e tij me të vëllanë, Xhonin, në Paris dhe Londër, në maj-qershor të vitit 1897, nuk kishte asgjë, përveç disa kujtimeve: programit të Comédie Française, disa numrave të revistës L’Illustration, kuponit të një këmisharie etj., kujtime që, me sa duket, dy vëllezërit i kishin ruajtur për t’ua treguar në Aleksandri nënës dhe të njohurve. Në arkivin e poetit nuk kishte asnjë shënim personal, asnjë referencë për udhëtimin.
Viti 1897 ishte një periudhë e jashtëzakonshme për Parisin. Qyteti rrezatonte në kulmin e Belle Époque. Aty rrihte pulsi i avangardës në art. Artistë nga e gjithë bota dyndeshin në Montmartre, ku lindnin rryma të reja poetike. Ishte Parisi i Marcel Proust-it, Edgar Degas-së, Toulouse-Lautrec-ut, Émile Zola-së dhe i aq shumë të tjerëve. Më bëri përshtypje se si Kavafisi nuk iu rikthye kësaj përvoje, se si nuk shkroi as edhe gjysmë rreshti për përshtypjet e tij nga Parisi i asaj kohe. Disa vjet më vonë, do të vizitonte për herë të parë Greqinë, por nuk udhëtoi më kurrë në një kryeqytet të madh europian. Më lindën pyetje të ndryshme. Më intrigoi kontakti, ose më saktë përballja e heshtur e Kavafisit, i cili vinte nga një Aleksandri kozmopolite, por e prapambetur dhe e vjetruar, me këtë botë të shkëlqyer, të rafinuar, në një qytet ku ndodhte gjithçka e rëndësishme që dikush mund të dëshironte të dinte për artin.
Disa vite pas ekspozitës në Romë, shkrova skenarin e një dokumentari kushtuar Kavafisit për serinë e televizionit francez “Një shekull shkrimtarësh”. Sërish u zhyta në arkiva, sërish dolën në sipërfaqe të njëjtat pyetje. Kjo mungesë informacioni, kjo zbrazëti, më dha shtysën të filloja të mendoja për romanin. Zakonisht njeriu merr shkas nga ndonjë hollësi tronditëse dhe pastaj fillon të gërmojë. Këtu nuk kishte asgjë. Zbrazëti.
Kavafisi është poet i pjekurisë së ngadaltë. Deri në vitin e udhëtimit, përveç fare pak poezive që arrira, kishte shkruar poezi me cilësi mesatare apo jo të mirë. Përpiqej të imitonte poetët e mëdhenj të kohës, pa asnjë sukses. Por ishte këmbëngulës, i tërbuar nga këmbëngulja. Dhe pastaj, në një pikë të caktuar, ndodh një shndërrim i vrullshëm cilësor, sikur brenda një dhjetëvjeçari të bëjë një kërcim të jashtëzakonshëm. Kjo më ka intriguar gjithmonë. Si, pra, Qyteti nga një vepër e papërpunuar, e pasuksesshme, fillestare, bëhet ajo që njohim sot, një poezi estetikisht dhe krejtësisht e ekuilibruar.
Ajo që të magjeps, që besoj se na magjeps të gjithëve, është se si një artist, një poet në këtë rast, relativisht mesatar, pa një talent shpërthyes e të lindur, si për shembull Rimbaud, një tip disi i ndrojtur, i ngathët, i shtypur në jetën e tij personale, i torturuar nga kontradikta dhe dyshime të brendshme, siç ishte Kavafisi atëherë, në moshën tridhjetë e katërvjeçare, si arrin ta bëjë këtë kërcim? Si bëhet Kavafisi që njohim sot? Sikur papritur të ringjallet, të dallohet nga të tjerët dhe të hapë rrugën e vet në Art, një rrugë unike dhe të papërsëritshme – të kalojë përpara kohës së tij, duke përshkuar kohën – dhe këtu ndodh diçka interesante, sepse Kavafisi shkruan për të shkuarën, por na flet për të sotmen; këndvështrimi i tij, pika e zhdukjes së vargjeve të tij, mund të përqafojë të shkuarën dhe të ardhmen – dhe kjo është e vërtetë, sepse ai vazhdon të jetë më aktual se kurrë.
Besoj se kërcime të tilla cilësore nuk ndodhin rastësisht, nuk bien nga qielli. Përkundrazi, pas tyre fshihen shumë dështime, lodhje, shumë përpjekje shterpe, dëshpërim. Për shembull, Qyteti shfaqet në një variant të parë, me datën gusht 1894, ndërsa versioni përfundimtar është i vitit 1910. Gjashtëmbëdhjetë vjet për një poezi.
Kështu, kur fillova të shkruaja romanin, pothuajse 25 vjet pas ekspozitës në Romë dhe pyetjeve të para që më lindën në atë kohë, doja që dikush që do ta lexonte librin të mund të shihte se ajo që nga jashtë ngjan si një kërcim magjik, është një rrugëtim i dhimbshëm që kërkon sakrifica dhe merr shumë kohë, kohë të zymtë. U përpoqa që lexuesi im të hynte brenda aventurës së shkrimit dhe ta përjetonte atë pothuajse fizikisht.
Sfida për mua ishte të kapja zërin e Kavafisit të asaj kohe. Të flisja me zërin e atij të riu të panjohur, të pasigurt, por të pasionuar dhe ambicioz, i cili do të bëhej një poet i madh. Ishte hera e parë që shkruaja për dikë që kishte ekzistuar dhe që, për më tepër, ishte kaq i njohur. Në të njëjtën kohë, nuk më interesonte aspak të shkruaja një biografi të trilluar apo një roman historik.
Fillova të mendoja për këtë të ri, fatin dhe të ardhmen e të cilit i njohim të gjithë shumë mirë, për udhëtimin e tij në Paris në një epokë të veçantë, për pasionin e tij për të shkruar, ankthin për të gjetur zërin e tij, për mënyrën se si torturohej nga dëshira erotike, të ndaluara në atë kohë. Fillova ta shihja në këtë udhëkryq unik, me Aleksandrinë në sfond, më tej Greqinë e falimentuar, të poshtëruar edhe një herë pas një lufte tridhjetëditore, dhe më në fund Parisin, të ndriçuar nga dritat, në kulmin e shkëlqimit të tij intelektual, dhe dalëngadalë Kavafisi u bë personazh romanesk. Udhëtimi në Paris ishte një udhëtim kënaqësie dhe njëkohësisht një rrugëtim inicimi.
Filloi procesi i dokumentimit, i cili ishte si një pus pa fund – një dokument të çonte te tjetri. Studiova arkivin e Kavafisit, natyrisht, materialin arkivor nga Arkiva Greke Letrare dhe Historike, dhe më pas një bibliografi të gjerë, jo vetëm për Aleksandrinë dhe jetën e komunitetit grek atje, por edhe për Parisin, rrymat artistike të kohës, jetën e përditshme dhe fermentimet politike, Çështjen Dreyfus që kishte tronditur atëherë opinionin publik, si edhe atë që po ndodhte në Greqi në të njëjtën periudhë, për luftën greko-turke tridhjetëditore, Lojërat Olimpike të vitit të mëparshëm, 1896, për sistemin politik në Egjipt etj. Kërkimi arkivor nuk kishte fund, por dua të theksoj se, megjithëse shterues dhe kërkonte shumë kohë, nuk ishte ai që i dha vulën librit. I gjithë ky material shërbeu më tepër si bazë nisjeje. Bërthama e vërtetë e romanit u shfaq më pas, ndërsa shkruaja.
Gjatë punës paraprake për romanin arrita në dy përfun-dime, secili prej të cilëve lidhet me rëndësinë e vitit 1897 për zhvillimin artistik, por edhe personal të Kavafisit. I pari ka të bëjë me poetin: vetëm pas kësaj date Kavafisi bëhet poeti që njohim dhe admirojmë. Ai braktis lirizmin, çlirohet nga ndikimi i Hugo-së dhe Baudelaire-it, i largohet traditës poetike të fanariotizmit, e cila e kishte ushqyer deri atëherë, dhe zhvillon zërin e vet të dallueshëm, me të cilin kuptime komplekse mund të shprehen në një formë të thjeshtë, të pastër. Përfundimi i dytë lidhet me jetën e tij private.
Në vitin 1897 Kavafisi e ka pranuar homoseksualitetin e tij, ndonëse në jetën shoqërore ishte një njeri formal, mjaft i mbyllur dhe konservator. Megjithatë, sado i dyzuar dhe i fshehtë të ishte si individ, po i afrohej pikës ku, si poet, do të ishte i aftë të shkruante për këtë dëshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa kërkuar falje, duke bashkuar pasionin e tij për të shkuarën, veçanërisht për periudhën helenistike, me pasionin e tij për burra të tjerë, në poezi që do t’u përgjigjeshin kritereve të tij të larta.
Përtej homoseksualitetit, elementi përcaktues në rastin e Kavafisit është ankthi i vazhdueshëm, obsesiv, për rezultatin estetik. Sepse çështja në art është se si e përfaqëson dëshirën, cilado qoftë ajo, si të tejkalon ajo dhe shndërrohet në diçka tjetër që mund t’i prekë thellë lexuesit që nuk kanë asnjë lidhje me të, të cilët nuk ndajnë aspak të njëjtën dëshirë. Kjo është ajo që dallon një poezi mesatare nga një kryevepër. Dëshira erotike bëhet te Kavafisi forcë shtytëse. Pra, Kavafisi në çastin e tij kulminant të vitit 1897, është njëkohësisht shkaku për të ndjekur marrëdhënien e dëshirës erotike me shprehjen artistike, përpunimin e një dëshire të fuqishme që nuk gjen rrugëdalje dhe një proces të brendshëm që çon në pjekurinë poetike. Lexuesi e ndjek në mjedisin kozmopolit, të zhurmshëm e plot jetë të Parisit, në një rrugëtim ku vështrimi dhe mendja e tij kthehen me këmbëngulje te këto të dyja: te dashuria dhe poetika.
Te Çfarë mbetet nga nata, rrëfimi është në vetën e tretë, por libri ruan gjithmonë një këndvështrim të brendshëm, sikur të ishte shkruar në vetën e parë. Është këndvështrimi i Kavafisit. Rrëfimtari është ai, Kavafisi, heroi romanesk. Desha ta ndiqja poetin si një hije e ngjitur pas tij, të bëhesha hija e tij dhe, bashkë me mua, ta ndiqte i ngjitur pas tij edhe lexuesi. Njëra hije e ngjitur pas tjetrës. Njëri soditës i tjetrit.
Dashuria dhe poetika. Te Kavafisi, stimuli më i vogël, aluzioni më i vogël erotik, shndërrohet në motiv për të shkruar, në frymë krijuese. Arka ku përfundon Konstandinosi i ri drejt fundit të romanit është pasqyrimi i hapësirës së frymëzimit, me materiale të përziera, disa të dukshme, të tjera të fshehura më pas, të rëndësishme, por edhe të parëndësishme, madje banale, qesharake, të pavlera. Është nënshtresa e asaj që është jetuar dhe e asaj që është lexuar – sepse frymëzohemi edhe nga ato që kemi lexuar; në letërsi nuk ekziston partenogjeneza.
Sa i përket epokës, sfondit historik, hotelit ku qëndruan dy vëllezërit, datave të udhëtimit të tyre etj., nuk ka asgjë të sajuar. Të gjitha elementet faktike janë dokumentuar. Pjesa tjetër është trillim. Në fjalën e tij, në një veprimtari për prezantimin e librit, studiuesi i Kavafisit, Dimitris Daskalopoulos, tha se “shumëherë Kavafisi ishte alibi për Ersi Sotiropoulos”. Më pëlqeu kjo alibi. Sepse, në mënyrë të tërthortë, ajo nënvizon lirinë e artit. Më kujtoi diçka që kishte thënë Brehti: se “Një vepër që nuk dëshmon pavarësi ndaj realitetit dhe që nuk i jep publikut pavarësi ndaj realitetit, nuk është vepër arti”.
M’u deshën gjashtë vite të shkruaja librin. Ndërsa e shkruaja, kisha një fill Ariane, të cilin ma dha vetë Kavafisi. Ishin disa vargje nga poezia e tij “Gjysmë ore”:
Nganjëherë, ne, shërbëtorët e Artit
me vrullin dhe forcën e mendjes
vetëm për pak, sigurisht
krijojmë kënaqësi pothuajse mishërore.
“Gjysmë ore” i përket poezive të fshehura të poetit, të cilat ai vetë refuzoi t’i botonte gjatë jetës së tij, dhe pikërisht këto vargje ishin fari im ndriçues për gjashtë vjet. Ajo që më digjte që në fillim ishte të kapja çastin, atë çast të jashtëzakonshëm, kur dëshira erotike shndërrohet në shtysë krijuese. Jeta dhe arti janë të pandashme te Kavafisi. Sa i përket dinamikës mes tyre, mund të thuash shumë gjëra dhe zakonisht gjëra të konsumuara. Fakti është, gjithsesi, se duket sikur pas artit dhe artistit fshihet një mangësi, një kompleks, një traumë; duhet të të mungojë diçka që të shkruash, të krijosh. E them këtë disi në mënyrë skematike, por e besoj. Përtej gëzimit që krijon një botë të re… Mungesa është një shtysë e fuqishme. Si në dashuri. Një dashuri e plotë që gjen përgjigje shuhet shpejt; përkundrazi, kur objekti i dëshirës erotike të largohet gjithnjë e më shumë, ti mendon se po e nënshtron, por ai mbetet i paarritshëm, flaka mbahet e gjallë.
Nga vjen arti?
Cili është burimi i tij? Kjo është pyetja në bërthamën e Çfarë mbetet nga nata. A mund të lindë arti nga diçka fare e vogël, nga një hollësi e parëndësishme? Nga një qime, pak më e fortë se të tjerat, mbi testikulin e butë të një balerini rus, e cila papritur përskuqet, merr flakë, i vë zjarrin ekzistencës sonë dhe derdhet dhunshëm në krijim?


