Kushdo që i kthehet dhe i rikthehet leximit apo studimit të veprës së Bilal Xhaferit, nuk ka sesi të mos ndjejë në vargjet e poezisë dhe rreshtat e prozës zëra dhe të prekë kujtesën tragjike të Çamërisë. Në një shkrimet e tij, një nga mendjet e ndritura të letërsisë botërore, latino-amerikani Borhes, shkruan për librin që zotëron “ende shenjtëri” si dhe për zërin e shkrimtarit, që sipas tij “është gjëja më e rëndësishme e një libri”.
Zëri i shkrimtarit Bilal Xhaferi, ose më saktë shumësia e tyre, ashtu si në koret e lashtësisë ballkanike vinë mrekullisht të qartë, të ëmbël e të butë, por në tërësinë e tyre edhe tragjikë e të dhimbshëm. Dhe kjo nuk është e rastit. Bilal Xhaferin si njeri dhe shkrimtar, e ndoqi nga lindja e deri në vdekje fati tragjik i familjes dhe i etnisë apo rrënjëve të tij: Çamërisë. Ata që e kanë njohur nga afër, krahas krenarisë për origjinën, që e kishte të dukshme, apo karakterin e fortë, kanë dalluar tek ai edhe ndjeshmërinë e qelqtë si dhe trishtimin dhe dhimbjen vulosur në çdo pjesë të qenies së tij, veçanërisht tek sytë dhe vështrimi i përmalluar i tyre. Nëpërmjet syve ai vështronte përtej viteve ku jetonte dhe shihte përtej mureve izolues të Shqipërisë komuniste. Vështrimi i tij rrokte hapësirat e tokës çame ku “matanë largësive” shfaqej dhe rishfaqej “e përflakur Çamëria”. Bilal Xhaferi është poet “i brengës përvëlonjëse” dhe i mallit “për zërat e Çamërisë” e “për stanet, kullotat që bien erë qumësht”. Ai, si askush tjetër, atëherë kur heshtej mizorisht duke pritur harrimin e kobshëm, ringjalli dhe ribëri Çamërinë, e cila i vjen në ëndërr me peisazhet e rralla por mbi të gjitha me dhimbjen ulëritëse. Në krijimtarinë e tij në poezi prozë dhe publicistikë, ai rindezi jo prushe, por zjarret e Çamërisë. Çamëria tek Bilal Xhaferi nuk është vetëm ëndërr, as tis i hollë trishtimi dhe dhimbjeje. Ajo është pjesë e pandarë e qënies së tij. Ashtu si në tregimin brilant “ Purpuranti” ku Stresi, personazhi kryesor me mantelin hedhur krahëve, kthehet dhe rikthehet në fushëbetejat Skënderbejane, Bilal Xhaferri nuk e hoqi asnjëherë nga supet mantelin e përgjakur të Çamërisë.
RIKTHIM PËRMES QIEJVE
Nuk e mbaj mend kur e kam lexuar për herë të parë tregimin “Purpuranti”.
Ndoshta në faqet letrare të gazetës “Zëri i rinisë”, ku Bilali botonte shpesh falë edhe ndihmës të shkrimtarit Vath Koreshi.
Mbaj mend mirë vetëm vitin 1966. Atëherë isha nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme në qytetin e vogël të Rrogozhinës. Ai ishte një qytet i ndërtuar në kryqëzimin e rrugëve që lidhnin Jugun me Veriun si dhe Lindjen me Perëndimin e Shqipërisë. Atje vinin edhe shumë trena dhe në ato vite nisi edhe ndërtimi i hekurudhës Rrogozhinë –Fier. Qyteti i vogël u gjallërua edhe më shumë dhe kryqëzimit të rrugëve automobilistike ju shtua edhe ai hekurudhor. Në atë kryqëzim rrugësh, e vetmja që nuk lëvizi ishte një barakë e vogël, ku ne blenim lapsa, fletore, goma gazeta. Aqif Ademi ishte shitësi i barakës së vogël, një burrë i moshuar i shkurtër dhe me flokë të bardha. Ai ishte nga Filati i Çamërisë, një figurë e njohur dhe me autoritet, veçanërisht mes çamëve të qytetit të vogël. Popullsia çame ishte vendosur në pjesën lindore të qytetit dhe që nga rinia ime mbaj mend dasmat dhe disa nga burrat levendë dhe gratë e bukura, që kërcenin me një elegancë të veçantë vallet çame.
Aqif Ademi më ruante gazetën “Zëri i rinisë” që delte të shtunave dhe letraren “Drita”. Nuk do ta harroj kurrë portretin e tij por veçanërisht sytë e zgjuar dhe vështrimin e trishtuar të tyre. Mbaj mend se ai më ka dhënë librin e Bilalit “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, shoqëruar me fjalët: “Është çam ki djalë që ka shkruar këtë. Është ini.” Dhe më pas, si gjithmonë, shtoi: “Bëju selam të tuve.”. Librin e Bilal Xhaferit e lexova menjëherë. Ishte një prozë e shkruar bukur, ku mes rreshtave të saj herë- herë më vinin zëra të largët, shumë të largët nga lashtësia e Çamërisë por edhe ajo e sotmja. Mbi të gjitha tregimi “Purpuranti” m’u duk më i arriri. Atë e lexoja shpesh dhe kishte pjesë të tij që i kisha mësuar përmendësh…Ishte viti 1966, atëherë kur Aqif Ademi i Filatit më dha këtë libër të vogël, shkruar nga “djali inë”, Bilal Xhaferi … Nuk e takova asnjëherë Bilal Xhaferin për së gjalli… E takova në fillim majin e vitit 1995 në aeroportin e Rinasit, teksa kthehej nga një rrugëtim i gjatë përmes qiejve. Ishte një rikthim si në baladat çame, ku shpirtërat zbresin nga qiejt. U përshëndetëm me të si miq të vjetër dhe pastaj me mantelin e purpurt hedhur krahëve, ai mori rrugën drejt Jugut të tij, duke përshpëritur fjalët e “Purpurantit”: “Kur të mbarohen të gjitha… Kur të mbarohen të gjitha…”
KUR TË MBAROHEN TË GJITHA ….
Tregimi “Purpuranti” më zgjoi kujtime dhe më riktheu në vitet e rinisë time të brishtë, delikate, të qelqtë, që po sendërtohej ngadalë edhe nga rrëfimet e prindërve të mi për Çamërinë, por edhe nga letërsia që lexoja, ku vend të veçantë zinte edhe ajo e shkruar nga Bilal Xhaferri. Ky tregim, nga më të bukurit e prozës shqipe e jo vetëm, sa herë që e lexon, të duket sikur zbulon vazhdimisht diçka që nuk e ke vënë re më parë. Me një kompozicion dhe rrëfim klasik e të natyrshëm, autori mjeshtërisht jep një epokë të tërë ose epilogun e saj dhe prologun e një epoke që po vjen. Ka përfunduar qëndresa 25 vjeçare e shqiptarëve ose skënderbejada. Tashmë betejat lavdiplote kanë mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe pjesëmarrësve në to. Luftëtarët e mbetur gjallë po kthehen pranë familjeve të tyre. I tillë është edhe Stresi , një nga luftëtarët e gardës së Skënderbeut. Ja vlen të ndalemi e të zbërthejmë veçanërisht dy nga elementet përbërës të këtij tregimi: kohën dhe lëvizjen. Tek “Purpuranti” e ndjejmë kohën në kalim, do të thonte Borhesi. Të ndjesh kohën, rrjedhën e saj ose më saktë ta përjetosh emocionalisht rrjedhën e saj, në letërsi dhe konkretisht në prozë, është mjeshtëri. Këtë e ka bërë Bilal Xhaferi në tregimin “Purpuranti”. Fjala është për kohën dhe hapësirën jo si koncepte filozofike, por letrare metaforike. Dhe po t’i rikthehemi konceptit Borhesian për “kohën që e ndjejmë në kalim” , do të nënvizoja se Bilal Xhaferi emocionalisht e fut lexuesin në rrjedhën e saj. Fillimisht jemi në muzg, pra në një moment të caktuar kohor. Muzgu, ky pikëtakim i fundit i ditës në largim me natën që po vjen, është një nga elementët e shumëpërdorur në poezi dhe prozë dhe shumë i parapëlqyer nga krijuesit e të gjithë kohërave. Siç duket në këtë çast kohor të papërsëritshëm kemi kohëndaljen dhe kohëndarjen në kuptimin metaforik. Muzgu i “Purpurantit” të Bilal Xhaferit vjen emocionalisht nëpërmjet përjetimeve të personazhit të vetëm të tregimit, Stresit.
Edhe fjalët e përdorura si mugëtirë kaltëroshe, muzgun e qetë etj kanë ngarkesë të veçantë emocionale. Më pas vjen nata. Ajo nuk zë shumë vend në tregim, por lidhet vetëm me kujtimet e Stresit, ndërsa dita përbën pjesën e tretë dhe fundin e tregimit.
Lëvizja është elementi tjetër shumë i rëndësishëm i këtij tregimi. Nuk është një lëvizje e thjeshtë mekanike, por emocionale . Tregimi nis me këtë frazë:: “ Stresi hodhi mantelin e purpurt në supe dhe përpara se të vazhdonte përsëri rrugën, ktheu kokën për të fundit herë në drejtim të detit.”. Jemi në një pozicion statik. Kemi vetëm dy lëvizje: hedhjen e mantelit të purpurt në supe dhe kthimin e kokës në drejtim të detit. Në harkun kohor të muzgut deri sa arrin nata, lëviz Stresi. Bashkë me të lëvizin peisazhet, hapësirat e paana të bregut të detit: tërë gjiu i Drinit, nga Ulqini deri te Kepi i Rodonit. Më pas shfaqet Lezha e poshtë saj Shëngjini… Pastaj fushat, që nga ajo e Milotit, Mamurrasit Fushë- Kuqja… Pastaj kalatë: Preza, Petrela, Kruja. Ky është prologu i fillimlëvizjeve, për t’ia lënë vendin lëvizjeve të tjera, të shoqëruara me kujtimet 25 vjeçare të Epokës Skëndebejane. Tashmë çdo lëvizje dhe hap i Stresit shoqërohet me këto kujtime, por edhe me zëra njerëzor, apo këmbana e kishës e më pas prap zëra njerëzor, që arrijnë kulmin me melodinë e një kënge të lashtë, që siç shkruan autori “shkonte nga teli në tel, nga buza në buzë, nga fyelli në fyell. Fjalët e saj që nuk mbaheshin mend kujtoheshin përsëri, ato që nuk kujtoheshin dot, zëvendësoheshin me fjalë të tjera”.
Nuk e di si mund të tingëllonte teksti, që unë po e quaj “Kur të mbarohen të gjitha”, në qoftë se do të interpretohej në skenën e çdo teatri shqiptar… Do të duhej forcë interpretuese dhe emocionale, për të dhënë të plotë këtë tekst shkruar mrekullisht nga autori. Këtu ajo që quhet energji krijuese, është në kulmin e saj. Duket sikur një forcë tjetër, ndoshta brenda qenies së shkrimtarit, ka arritur të shkruaj këtë tekst… Ti lexon frazën e fundit të tregimit: “Veshët i buçisnin dhe i dukej sikur dëgjonte akoma këngën e fyellit, që dridhej nëpër jehonat e mijëra këmbanave, nëpër oshtimat e mijëra betejave të kaluara e të ardhme… “dhe kudo që të jesh, të ndjek imazhi i ecjes nëpër shtigje dhe kohëra të tjera të së shkuarës, por edhe të ardhmes. Është Stresi me mantelin e purpurt në supe? Apo Bilal Xhaferi, me të njëjtin mantel të purtpurt që merr rrugën për në Çamëri? Ndoshta të dy, shoqëruar nga kënga e fyellit dhe refreni tronditës:” Kur të mbarohen të gjitha … Kur të mbarohen të gjitha…”.