More
    KreuLetërsiBotime të rejaEntela Tabaku: Për përkthimin e poezisë dhe për përmbledhjen dygjuhëshe me poezi...

    Entela Tabaku: Për përkthimin e poezisë dhe për përmbledhjen dygjuhëshe me poezi “Sexton vägar upp på berget/ Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit” të poetit suedez Kristoffer Leandoer

    Për përkthimin e poezisë dhe për përmbledhjen dygjuhëshe me poezi “Sexton vägar upp på berget/ Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit” të poetit suedez Kristoffer Leandoer, Pegi 2022.

    Për përkthimin e poezisë

    Përkthyesi ka vetëm dy zgjedhje, thoshte filozofi gjerman Friedrich Schleiermacher në vitin e largët 1813: ose e lë shkrimtarin të qetë dhe lëviz lexuesin drejt tij, ose e lë lexuesin të qetë dhe lëviz shkrimtarin drejt tij. Të gjitha teoritë e përkthimit të zhvilluara këta 200 vjet mbas tij, sillen e përsillen rreth dy kaheve të këtij boshti, sado që me etiketa të ndryshme. Po lëvize lexuesin, atëherë ushtron një praktikë përkthimi tëhuajëzuese, që lejon thyerjen e konvencioneve të gjuhës pritëse dhe ruan diçka nga e huaja e origjinalit. Me fjalë të thjeshta, e nis lexuesin për një udhëtim jashtë shtetit. Po lëvize shkrimtarin, e zbut tekstin (“zbutje” si në kuptimin e zbutjes së kafshës së egër) me synim rrjedhshmërinë dhe tretjen e së huajës. Kjo e fundmja është ajo praktikë përkthimi që të krijon iluzionin se teksti nuk është i përkthyer, por se shkrimtari ka shkruar në shqip. Ky është boshti teorik që mua, si përkrahëse e kahut të parë, ma tremb dëshirën për të përkthyer poezi. Të gjitha gjinitë e tjera letrare më duket se mbajnë kur e çon autorin te lexuesi apo lexuesin te autori. Poezia nuk më duket se mban, është e ndjeshme si veshi ynë i brendshëm, lëvizjet shkaktojnë marramendje dhe humbje të ekuilibrit. Përkthimi i poezisë më përjetohet si një udhëtim me ndjenjën e vazhdueshme se më ka zënë makina. Prandaj edhe kam një respekt të jashtëzakonshëm për përkthyesit e poezisë, sepse kanë guxim dhe shpresë. Nuk mund të them se jam aq jakobsoniane sa ta mohoj përkthimin e poezisë, por e shoh të vështirë mbajtjen e kahut tëhuajësuez, që është kahu që preferoj, ndërkohë që nuk do të doja kurrë të lëvizja autorin. Autorët janë për mua të palëvizshëm si bustet monolitike të Ishullit të Pashkëve. Ndaj edhe përvoja ime e përkthimit të poezisë ka mbetur në nivelin e bllokut personal, një praktikë që e ushtroj vazhdimisht, por vetëm me veten si lexuese.

    Por ç ‘ndodh nëse autori lëviz vetë, nëse të vjen te dera e shtëpisë së gjuhës tënde?

    Për udhët e poezisë Leandoer

    Përmbledhja me poezi “Sexton vägar upp på berget/ Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit” e poetit suedez Kristoffer Leandoer, është e veçantë, sepse është shkruar në suedisht nga një poet suedez i frymëzuar nga malet shqiptare. Jeta i ka ardhur e tillë që të takojë malet tona:

    Çdo mëngjes zgjohem dhe jashtë dritares

    mali është një tjetër

    Tashti kjo për lexuesin shqiptar nuk është ndonjë çudi e madhe. Poetët na i kanë kënduar maleve gjithmonë. Nga Naimi “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë”, Fishta “Ehu! ju malet e Shqypnís/ N’ t’ cillat strukë shqypja e lirís” te Kadare “Përse mendohen këto male të larta/ Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?”. Por për një poet suedez është një dukuri e veçantë. Suedia është vend i sheshtë më së shumti, horizonti shtrihet poshtë deri aty ku të mbërrin syri. Prandaj mund ta përfytyroj sa përshtypje i ka bërë poetit suedez ky zgjim i përditshëm përballë një mali. Edhe kur Edith Södergran shkruan për malin, e ka gjithnjë mbas shpine, jo përballë. Kjo është lëvizja për të cilën fola më lart, poeti që lëviz vetë drejt lexuesit, për më tepër dëshiron t’ua bëjë dhuratë në shqip këtë përjetim “një mundësi për të falënderuar miqtë e mi shqiptarë për bujarinë e tyre ndaj një të huaji dhe një rast i mirë për të ndarë përvojën time me vendin e tyre të bukur në gjuhën e tyre të bukur.

    Dhe nuk kemi të bëjmë me një poet çfarëdo, por me Kristoffer Leandoer, poet i suksesshëm në vendin e vet, të cilin e kam ndjekur me shumë entuziazëm qëkur ia kam mësuar gjuhën. Më magjeps mënyra e tij e shkrimit, ku çdo fjalë është si një çelës që hap (a mbyll) diçka përtej (a këndej). Ata që kanë lexuar më përpara shkrimet e mia për poezinë e dinë se vëmendja ime është e bazuar te teksti dhe leximi, se përvojat e autorëve nuk janë interesante kundrimet e mia. Por, fakti që pikërisht ai, Kristoffer Leandoer, frymëzohet nga malet shqiptare, është një fakt të cilit nuk mund t’i ik lehtë, por e lë lirisht të ma përkëdhelë sedrën e shqiptares në Suedi dhe të më justifikojë zgjedhjet në përkthim.

    Takimi i poetit me malin është një takim në lëvizje, një udhëtim. Poeti merr udhën përpjetë, me të gjitha përqasjet që t’i krijon ngjitja. E merr, për shembull, diellin në shpinë dhe ngjitet me të. Në suedisht dielli ngjitet (shkon lart) kur lind dhe zbret (shkon poshtë) kur perëndon. Në horizont të hapur ka kuptim lindja e diellit si ngjitje, se syri e ndjek i lirë rrugën e tij përpjetë. I ndodhur para një mali që ia zë pamjen, poeti frymëzohet:

    Çdo natë dielli ndriçon nën tokë.

    Jam unë ai që e nxjerr s’andejmi.

    Ngjitja për poezinë është edhe abstragim filozofik, si mbërritje e një niveli përtej frymëzimit të çastit. Dhe sa më shumë filozofon, aq më këmbëlehtë ngjitet. Ndryshe nga ato torbat e shtjellimeve filozofike që të bëjnë me ra në kokërr të shpinës:

    Reja është njeriu

    që pa e ditur mbetet.

    Ose

    Njeriu i ikën malit përpjetë malit.

    I ikën territ brenda territ.

    Mandej kemi ngjitjen si njohje të vetvetes:

    Vetëdija ime merr udhën përpjetë.

    Njeriu që mbyll sytë është mal tashmë

    Ose

    I huaj si një njeri para malit:

    I huaj para gishtave të vet,

    bujtës në pëllëmbë të vet.

    Ngjitja si e kundërta e zbritjes. Dihet se aty ku ka të përpjetë, aty ka edhe teposhtë:

    A është kjo udha e fundit përpjetë malit

    a s’ka udhë tjetër teposhtë

    Ngjitja si mbërritje në majë, si mbërritje te thelbi i qenies:

    Jam mali që rri poshtë malit.

    Hija ime mjafton edhe për ty.

    Si mbërritje te hyjnorja, qoftë kjo zot a frymëzim:

    zoti është në mal

    i pagojë si gur

    Gjashtëmbëdhjetë udhët përpjetë malit janë një lojë estetike e vazhdueshme me lexuesin. Lexuesi e ka të qartë nganjëherë cili është mali dhe cili është njeriu që ngjitet, por herë të tjera mali je ti si vetëdije, kurse trupi yt ta kalon dhe mbërrin i pari. Në ngjitje vargjet u ngjajnë hapave, të njëtrajtshme, të shpejta në fillim kur ngjitja është e lehtë, por të thyera sa më shumë që vazhdon ngjitja. Si në shembujt e mësipërm.

    Herë të tjera, në një vendpushim ndoshta, apo ndoshta pse nën këmbë përkundet deti, edhe vargjet shtrihen në prozë:

    Ka male të fshehura në det. Mali është kohë dhe deti është kohë. Ka male të fshehura në kohë. Malet shihen vetëm nga larg. Sepse kur i mbërrin, vetëm mërkëmbesh dhe pengohesh, qorrollisesh. Gjithandej sheh vetëm gurë. Ka male të fshehura në thesare. Ka male të fshehura në moçale.

    Në majë të malit, aty ku oksigjeni rrallohet dhe dyshimet shtohen, aty ku biblikja takon paganen, aty vargjet dyzohen dhe shkojnë përbri si dy poezi të ndryshme, por edhe si e njëjta poezi që këndohet me dy zëra:

    u ngjit në mal                    pa kazan

    u ngjit tek zoti pa dru

    zoti atje është mali         pa ujë

    mali mban përherë thikë     pa qymyr

    u ngjit në mal                    pa kazan

    mali u ngjit në të              pa dru

    mali është i ati                 pa zjarr

    mali i lyp gjakun              pa bukë

    nuk ka dhi                          fosile

    mali nuk ka pemë            notojnë në gur

    shkurre të vjetra digjen     guri është

    gjarpri s’duket kund         një formë ere

    Për përkthimin e poezisë sërish

    Autori i quan gjashtëmbëdhjetë udhë këto poezi, por unë do t’i quaja gjashtëdhjetë e gjashtë. Aftësia e Leandoer-it për të luajtur njëkohësisht me forma të ndryshme dhe kuptime të ndryshme, krijon në mendjen time me dhjetëra versione të ndryshme poezish, varësisht lojës që unë zgjedh të luaj me interpretimin. Kjo përbën edhe anën më interesante të përkthimit të poezisë, sepse më lejon të zbuloj sekretet e teknikës së poetëve. Para përkthimit teknika e poezisë zhvishet lakuriq: e vështira nuk është ta zhveshësh, por ta riveshësh. Për shembull, Leandoer luan shumë me trajtën e shquar dhe të pashquar të emrave në suedisht, i ndihmuar nga fakti se në suedisht përgjithësohet në trajtë të pashquar. Kështu për poetin “një mal” janë të gjitha malet, kurse “mali” është mali ku ndodhet. Kurse në shqip përgjithësojmë me trajtën e shquar dhe loja e tij aty bëhet gati e pamundur. Në një kohë, që po t’i kthehem arsyetimit me të cilin e fillova këtë shkrim, respektimi i trajtës së shquar a të pashquar të origjinalit është një ndër rregullat që, them se, duhet ndjekur gjithmonë në përkthim.

    Ose kur i ruhet në mënyrë konseguente thjeshtësisë së vargut si në:

    Njeriu tretet

    edhe në qoftë mal.

    dhe mua si përkthyese më duhet të mbahem fort që të mos i jepem shkollimit tim tradicional me përkthime që e poetizojnë vargun dhe do të donin ta përkthenin kështu:

    Njeriu tretet

    *mal edhe në qoftë

    Ose guximi i përkthimit të metaforës suedeze “dielli ngjitet (shkon lart)” me “dielli del”, sepse në shqip dielli del mbas malit. Në asnjë kontekst tjetër nuk do të kisha guxuar një dhunë të tillë, do ta kisha ruajtur “ngjitet”, përveçse në një kontekst ku autori vetë e dëshiron shqipen.

    Ky është, sigurisht, një diskutim që nuk mbaron kurrë. Shpresoj, i dashur lexues, që ke mundësi të vish për lexime, diskutime dhe për të takuar poetin në përurimin e librit, me 5 maj, ora 11.30, tek Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit. Për referencat e shkrimit, mund të më shkruash në entela.sorman@moderna.uu.se

    Foto nga Anjeza Dyrmishi

    NJË KOMENT

    1. Entela me vjen keq, por edhe merak që s’do jem prezent. Si do që të jetë nëpërmjet përqjimeve tua, të sakta më bëhet se do jem prezent. Që moti kam menduar së vetëm ata që njohin zanatin dinë té flasin për zanatin, të thonë, të vlerësojnë. Kush është ai – ajo që flet për poezinë, vlerën, porosinë’, sigurisht së është POETI-JA . Në kët rast të uroj që lexuesit t’i servosh vlera të vérteta përgjithmonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË