More
    KreuHistoriDr. Dorina Arapi: Roli i vëllazërive në zhvillimin e jetës shoqërore të...

    Dr. Dorina Arapi: Roli i vëllazërive në zhvillimin e jetës shoqërore të Shkodrës gjatë shekujve XVIII-XIX

    Vëllazëritë zënë një vend të rëndësishëm në historiografinë e Evropës së hershme moderne pasi hulumtimi rreth tyre dëshmon aspekte të rëndësishme të strukturës sociale të qyteteve dhe modelet e organizimit shoqëror të komuniteteve. Në terma antropologjikë, vëllazëritë bëjnë pjesë në ato që njihen si farefisnia fiktive rituale, që nënkuptojnë lidhjet e ndërtuara jo në lidhje gjaku apo martese, por lidhjet që krijohen nëpërmjet ritualeve, përmes përzgjedhjes së personave të caktuar, duke simuluar të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga  lidhjet familjare e fisnore. Këtu përfshihen jo vetëm vëllazëritë, por edhe praktika e vëllamërisë, motërmasë, vëllazërive të betuara, kumbarisë, apo deri dhe tek shkollat e lidhura me një mjeshtëri. Birësimi, kumbaria dhe vëllamëria janë praktika që shërbejnë si modele të organizimit shoqëror, të cilat vijnë si jehonë e shkollave filozofike të antikitetit dhe antikitetit të vonë dhe që kërkojnë të pasqyrojnë “barazinë e shpirtrave në sytë e Zotit”. Si të tilla, ato kanë qenë të përhapura në mjaft kultura, ku ndër to dhe në atë shqiptare. Pjesa më e madhe e studimeve kanë trajtuar vëllazëritë në qytetet evropiane, si Romë, Firence etj., por pak ose shumë pak dihet për vëllazëritë katolike romane në mjedisin osman, veçanërisht në kontekstin shqiptar.

    Vëllazëritë të njohura me terma si: confraternitas, fraternitas, fraterie, confraterie, schola, congrega, associazioni, compagnie, ishin grupe të organizuara besimtarësh të cilat ishin të përkushtuara ndaj devocionit fetar dhe zhvillimit të aktiviteteve filantropike në komunitetet katolike romane. Ato kanë vepruar si institucione dhe bashkësi të besimtarëve të ngritura për ushtrimin e veprave të bamirësisë, të devotshmërisë dhe kishin si qëllim rritjen e numrit të besimtarëve. Gjatë kohërave të ndryshme dhe në varësi të konteksteve kulturore, vëllazëritë kanë qenë klerikale, të përziera me anëtarë klerikë dhe laikë, si dhe vëllazëri laike. Fillimisht të shtrira brenda klerit, krijimi i vëllazërive të përziera dhe laike mundësoi depërtimin e pranisë së kishës tek laikët si dhe në shtresa të ndryshme sociale. Pavarësisht se në një kontekst tjetër, pra të artikuluar brenda ‘’mantelit” fetar, vëllazëritë kanë si koncept marrëdhënien vëllazërore përmes ritit si qëllim për mbështetjen shpirtërore e vëllezërve, devocionin ndaj besimit si dhe konsolidimin e një grupi shoqëror.

    Vëllazëritë në Shkodër, të cilat i trajton dhe ky studim, mund të konsiderohen vëllazëri të përziera, pasi në to marrin pjesë si kleri katolik, ashtu dhe persona laikë, pra besimtarë. Rastet në vende si Italia tregojnë rëndësinë e rolit të tyre në krijimin e bashkësive të krishtera, si dhe ndikimin e tyre në përhapjen e fesë, kulteve fetare të shenjtorëve dhe përfshirjen e tyre në aspektet shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Studimet krahasuese kanë treguar se vëllazëritë kanë vepruar si agjentë të ndryshimit shoqëror të qyteteve, ku ky aspekt përputhej me rolin e tyre të përcaktuar nga nevojat e komunitetit dhe dispozitat lokale si dhe ku vepronin si hartuese të marrëdhënieve etike, shoqërore dhe lidhjes me pushtetin. Për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm, ato janë cilësuar si «njëherësh, fytyra e kishës dhe zemra shpirtërore e qeverisë qytetare”.

    Studiuesja N. Nika, e cila ka paraqitur për herë të parë një përshkrim hyrës rreth vëllazërive në librin e saj “Dioqeza e Shkodrës”, shkruan se për komunitetin shkodran vëllazëritë nuk ishin një gjë e re, por pas ardhjes së osmanëve, ato kishin pushuar së ekzistuari dhe rithemelimi i tyre më vonë u favorizua nga sundimi e politika e tolerancës që ndiqte familja e Bushatllinjve në Shkodër. Por, ashtu siç edhe është treguar në studime rreth vëllazërive në Europë, krijimi i një tipologjie vëllazërie nuk duhet të kufizohet vetëm në kornizën e kontekstit politik, që sigurisht ka luajtur rol në krijimin e tyre, por duhen analizuar dhe faktorë të tjerë, sikurse dhe motivi apo më saktë nevoja që ka shtyrë drejt themelimit të një tipologjie të caktuar vëllazërie. Për shembull, në Firencen mesjetare, situatat e krizave të urisë, shëndetësore si dhe sëmundjeve që do të ndikonin në krijimin e vëllazërive të frymëzuar nga devocioni ndaj vuajtjes njerëzore të Krishtit, ushtroi ndikimin e vet në lulëzimin në shkallë të gjerë të vëllazërive të tipologjisë disiplinare, siç ishin flagjelantët. Për këtë arsye, krijimi i vëllazërive në Shkodër duhet analizuar në një plan multidimensional, ku situata të caktuara kanë shtyrë në krijimin e tyre apo dhe të një tipologjie të caktuar.

    Më poshtë paraqesim listën e vëllazërive të krijuara në Shkodër:

    1.Shën Antoni i Padovës- 3 gusht 1764

    2. Shën Maria Magdalena- 15 tetor 1769

    3.Shën Nikolla i Barit- 26 maj 1775

    4. Zoja e Këshillit të Mirë- 28 shkurt 1779

    5.Sakramenti i Shenjtë-  20 maj 1780

    6.Apostujt Shën Pjetri e Pali- 27 korrik 1791

    7. Shën Rroku- 29 korrik 1791

    8. Shën Jozefi- 9 dhjetor 1792

    9. Shën Marku- 10 shtator 1797

    10.Shën Mikeli Kryeengjëll- 20 gusht 1798

    11.Shën Gjon Pagëzori- 15 qershor 1807

    12.Apostujt Shën Filipi e Jakovi- 5 korrik 1824

    13.Lartësimi i Kryqit të Shenjtë- 2 mars 1825

    14.Shën Trinisë- 5 qershor 1826

    15. Ngjitja e Zotit në qiell- 21 shkurt 1830

    16. Shpirti i Shenjtë-14 tetor 1832

    17.Shën Lorenci-10 gusht 1851

    18.Shën Stefani-

    Nisur nga kjo, Shën Antoni i Padovës ishte shenjtor françeskan dhe kulti i tij ishte i përhapur tek ky urdhër, gjë që në mënyrë hipotetike na shtyn të mendojmë se françeskanët mund të kenë qenë të parët që krijuan vëllazërinë e parë në Shkodër. Pavarësisht kësaj, duhet të shprehemi me rezervë për momentin, pasi kërkohen studime të mëtejshme.

    Qëllimi dhe struktura e vëllazërive në Shkodër

    Vëllazëritë kishin në parim mbështetjen e pjesëtarëve të vëllazërisë dhe shpëtimin e shpirtit të tyre. Vëllazëria merrte përsipër indulgjencën e shenjtë dhe të festonte ditën e një feste fetare ose të një shenjtori. Për realizimin e një jete të krishterë dhe sipas parimeve të fesë, çdo i krishterë duhej të kryente sakramentet, të zbatonte katër vetitë kryesore si Urtësinë, Drejtësinë, Guximin e Përmbajtjen, dhe të realizonte veprat e mëshirshme të trupit: Vetëpërmbajtje e përdorim i matur i të mirave materiale, në marrëdhëniet shoqërore, në hidhërime e gëzime e në çdo aspekt tjetër të jetës, për të arritur në këtë mënyrë përkormërinë e një jete kristiane sa më të devotshme. Çdo anëtar i vëllazërisë duhej të kryente veprat e mëshirshme të trupit si ndihmën materiale e shpirtërore ndaj skamnorëve, shtegtarëve, të sëmurëve, dhe sidomos atë që paraqitet në statutet e çdo vëllazërie, varrosjen e të vdekurit. Kjo e fundit parashtrohet qartësisht si nen i çdo statuti (ashtu siç ka funksionuar dhe në vëllazëritë kudo në Evropë). Ky ishte një rregull primar dhe që nuk mund të shkelej në asnjë lloj forme. Kjo për arsyen se varrosja e trupave kishte qenë gjithnjë një problem i konsiderueshëm.[1] Vëllazëritë ishin një faktor vendimtar në artikulimin e jetës shoqërore dhe ekonomike të qytetit dhe ushtruan ndikimin e tyre në ndryshimin shoqëror të komunitetit katolik në Shkodër. Dhe, ashtu si në mjaft vende evropiane, të gjitha parimet themeltare kristiane që shprehëm më sipër ushtruan e diktuan dhe jetën shoqërore në Shkodër, sidomos përsa i përket traditave, zakoneve dhe artikulimit të jetës publike. Shpalljet e dekreteve, ndalesave dhe qarkoreve të ndryshme e të herëpashershme, dëshmojnë për rolin e vëllazërive në organizmin dhe zhvillimin e jetës shoqërore katolike shkodrane gjatë periudhës XVIII-XIX, nën sundimin osman.

    Vëllazëritë, pavarësisht se ishin lokale dhe laike, kishin miratimin kishtar nga Selia e Shenjtë, gjë të cilën e konfirmojnë edhe regjistrat e vëllazërive. Çdo njëra prej tyre kishte statuset e veta, deri diku të standardizuara, ku përcaktoheshin qartë detyrimet dhe të drejtat e çdo pjesëtari të vëllazërisë. Ato kishin një hierarki e cila lejonte që në mënyrë rigoroze të ndiqeshin roli dhe detyrat e secilit dhe të artikuloheshin marrëdhëniet midis Fetarëve(i religiosi), deputetëve (i deputati) dhe vëllezërve (confratelli). Rolin më të rëndësishëm e kishin fetarët dhe deputetët. Në nivel lokal, ecuria e vëllazërisë mbikëqyrej nga ipeshkvi i Shkodrës, i cili dekretonte rregulla në lidhje me administrimin e vëllazërisë dhe mbarëvajtjen e saj. Vëllazëritë përzgjidhnin 4 deri në 10 deputetë, si dhe sekretarë të cilët ndihmonin deputetët. Të gjitha rregullat duheshin zbatuar pa asnjë hezitim dhe ata anëtarë të cilët nuk i zbatonin ato, dëboheshin prej saj. Deputetët përzgjidheshin me miratimin unanim të të gjithë vëllezërve. Nëse një deputet paraqiste dorëheqjen për motive legjitime, nevojitej që deputetët e tjerë të thërrisnin vëllezërit për të zgjedhur një të ri.

    Ishte mjaft e rëndësishme që deputeti të ishte një figurë e rëndësishme e kultivuar dhe e lexuar. Kjo gjë do të shërbente që të evitoheshin problemet që mund të lindnin në mbajtjen e rregullt të regjistrit të llogarive dhe në mbarëvajtjen e vëllazërisë. Katër deputetët kishin për detyrë të menaxhonin arkën e vëllazërisë, duke siguruar gjithçka që mund ti nevojitej vëllazërisë, si dhe të urdhëronin të kryhej çdo gjë sipas rregullave, apo të kundërshtonin çdo aspekt që nuk i përmbahej statutit dhe situatave të ndryshme. (Çdo vendim që ata do të merrnin duhej të konsiderohej i mirëqenë dhe cilido duhej t’i respektonte ato si dhe t’i bindej rregullave.) Nëse një individ kërkonte të bëhej pjesë e vëllazërisë, ai i paraqitej deputetëve të cilët më pas e propozonin tek vëllazëria, e cila e votonte dhe e përzgjidhte me shumicë votash. Vëllazëria nuk përzgjidhte një individ i cili ishte problematik, me sjellje morale jo të hijshme. Pjesëtari i ri e kishte për detyrë të paguante 100 piastra ose edhe më shumë për anëtarësimin. Anëtarësimi trashëgohej nga ati tek biri. Kur vdiste një anëtar, vendin e tij e merrte vetëm i biri, i cili ishte i vetmi që kishte të drejtën për të gëzuar të drejtat e trashëguara. Nëse në momentin e pranimit si pjesëtar djali ishte më i vogël se 12 vjeç, ai nuk paguante për anëtarësimin, ndërsa mbi 12 vjeç ai paguante një shumë të caktuar.

    Vëllazëritë, nga ana tjetër synonin të përforconin një pjesë të caktuar të komunitetit apo të një grupi shoqëror. Ekzistonin nene të përcaktuara me statut, ku cilësohej që të huajt (i forestieri), të mos ishin pjesë e vëllazërisë. Përkatësisht, në vëllazërinë e Shpirtit të Shenjtë, në nenin 32, viti 1832, shënohet se të huajt nuk pranoheshin që të ishin anëtarë të saj.

    Por, pavarësisht kësaj, për arsye politike, për të krijuar aleanca dhe për të mbrojtur të drejtat dhe kufijtë e tyre, në to bënin pjesë figura të rëndësishme të huaja, që paraqisnin jo vetëm një devotshmëri të lartë ndaj besimit por dhe ishin figura të rëndësishme politike të qytetit, gjë që mund ti sillte privilegje të caktuara pjesëtarëve të vëllazërive. Konsulli francez Hecquard (i shpallur Kalorës i Legjonit të Nderit)  ishte një nga fetarët, pra në shkallën më të lartë, të hierarkisë së vëllazërisë. Ai ishte fetar i vëllazërisë së Shën Lorencit që në vitin 1854, ndonëse sapo ishte vendosur konsull në këtë qytet. Filip Pjetër Summa, i cili ishte anëtar i saj, më 1854 do të pajisej me patentë mbrojtjeje nga konsulli.[2] Është e kuptueshme që privilegjet dhe aleancat shtriheshin edhe brenda rrethit të vëllazërisë, por ende nuk është e qartë se mbi çfarë kriteresh bëhej përzgjedhja, për shembull, kur në raste të caktuara deputetët duhet të këshilloheshin me pjesëtarët për çështje të rëndësishme,dhe njoftoheshin vetëm një numër i kufizuar vëllezërish, ata të cilët deputetët mendonin se ishin të duhur për rastin në fjalë.

    Aspekti financiar i vëllazërive dhe roli i tyre në zhvillimin e strukturës shoqërore

    Me shumë interes është aspekti financiar i vëllazërive, gjë kjo e cila ka ndikuar në ngritjen e nivelit ekonomik të komunitetit katolik. Çdo vëllazëri kishte kapitalin e saj, domethënë, shumën e parave të mbledhura nga çdo pjesëtar. Termat si bilanc, kapital, interes, debitor dhe kreditor janë terminologji dhe procese të cilat lidhen ngushtë me institucionin bankar. Në regjistrat e vëllazërive shënoheshin shumat që pjesëtarët jepnin për vëllazërinë dhe përqindjen që ata merrnin. Pra, pjesëtarët jo vetëm që investonin por dhe merrnin përqindje nga shuma vjetore e vëllazërisë. Sipas rregullave dhe statuteve të vëllazërive, secila prej tyre duhet ta kishte gjithmonë në dispozita kapitalin për çdo rast nevoje. Në regjistra shënoheshin edhe shpenzimet që bëheshin për arsye të ndryshme si për meshat, për blerje të ndryshme që nevojiteshin vëllazërisë si flamuj, piktura etj., si dhe shpenzimet për blerje që kishin të bënin me gjëra jashtë kontekstit të nevojave të vëllazërisë. Nika shprehet se tërheqja e parave nga arka e vëllazërisë bëhej në shumicën e rasteve nga persona që merreshin me veprimtari tregtare ose prodhuese. Kjo mund të dallohet pasi emrat tregtarëve të mëdhenj apo të familjeve më të njohura të Shkodrës janë pjesë e këtyre vëllazërive. Në mjaft raste ata janë jo vetëm investues por dhe huazojnë para. Deputetët kishin për detyrë jo vetëm të menaxhonin kapitalin e vëllazërisë, por dhe të vigjilonin e të merrnin çdo masë mbi shumat e dhëna, duke mbajtur rregull dhe evidencë të çdo shpenzimi dhe regjistër të hyrjeve dhe daljeve të parave në arkë. Shuma e depozitës së vëllazërisë duhej të administrohej nga deputetët në mënyrën më të mirë të mundshme dhe askush tjetër nuk kishte të drejtë ta administronte atë. Deputetët kishin për detyrë që në ditën e festës së vëllazërisë, çdo anëtar të vihej në dijeni mbi administrimin. Nëse nuk ishte e mundur atë ditë, përzgjidhej një ditë tjetër. Në këto raste, përzgjidhej nga deputetët banesa e një pjesëtari ku do të mbahej festa për nderuar shenjtorin apo dita e festës, si dhe mbledhja e diskutimet. Zakonisht, çdo vit zgjidhej një shtëpi. Aty mbaheshin dhe meshat për shpirtrat e të vdekurve, përballë altarit të lëvizshëm me të cilin ishin pajisur këto shtëpi. Arka administrohej duke  kryer disa detyrime të vëllazërisë, si për shembull, meshat e mbajtura për shpirtrat e bamirësve me një shumë prej 6% të shumës së depozituar nga bamirësi. Numrin e meshave që do të mbaheshin brenda një viti zakonisht e përcaktonin deputetët. 10 % e shumës vjetore në depozitë mbahej për festën e shenjtorit. Paratë jepeshin si për donacione të ndryshme, që mund të ishin brenda nevojave që paraqiteshin për institucionet fetare, siç ishte për shembull donacioni që i bëhet ipeshkvit Topich, nëpërmjet koxhabashit, ashtu dhe për blerjen e mobiljeve të rezidencës ipeshkvnore.

    Një person mund të ishte pjesëtar në dy vëllazëri apo dhe në funksionin e deputetit në dy vëllazëri të ndryshme. Dy anëtarësime në vëllazëri të ndryshme, i siguronin personit më shumë privilegje dhe pozitë më të mirë ekonomike.

    Gratë luanin gjithashtu një rol në kapitalin e vëllazërisë, pasi shpesh emrat e tyre figurojnë si bamirëse. Kjo gjë shprehet e përcaktuar dhe në një nga statutet e vëllazërive. Gratë shkodrane e depozitonin shumën e parave nëpërmjet një ndërmjetësi ose mund ta linin në testamentet e tyre. Paratë merreshin në dorëzim nga deputetët dhe shënoheshin në regjistrat së bashku me shumat e tjera të depozituara, si dhe në një regjistër më vete me emrin e bamirësit.

    Një aspekt, që ka luajtur rol në rritjen e të ardhurave apo mirëqenies ekonomike të një pjesëtari, ka qenë dhe marrja hua e shumave të caktuara. Kjo gjë duhet të jetë kthyer në diçka problematike për vëllazërinë dhe kapitalin e saj, aq sa në dhjetëvjeçarin e fundit të gjysmës së parë të shekullit XIX, ipeshkvi lëshon dekrete për huadhënien e parave ndaj personave të vëllazërisë. Ai vendos që çdokujt që merrte hua në të holla, do ti duhej të jepte si garanci ose pronën e tij, tokën apo banesën, ose një person  i tretë të dilte garant për huamarrësin. Pra, një procedurë e ngjashme me kredinë me kolateral të ditëve të sotme. Por kjo mundësi që i afrohej dikujt, përkthehej dhe me një ngritje ekonomike, e rrjedhimisht mund të shkaktonte lëvizjen vertikale të një personi, pra ngritjen si shtresë shoqërore. Niveli ekonomik ishte në përpjesëtim të drejtë me nivelin shoqëror. Niveli ekonomik e klasa shoqërore ku bënte pjesë një person apo një familje, disa vite më vonë do të përcaktohej nga kryetarët e të vjetrit e komunitetit, të cilët e përcaktonin këtë në bazë të taksave që banorët paguanin. Pra, mundësia për të patur lëvizje parash përkthehej dhe në një zhvendosje të përkatësisë së statusit shoqëror e ekonomik. Vendosja e shumës fiskale për çdo shtresë shoqërore përcaktonte dhe shumën e piastrave që një familje do të shpenzonte në dasma e paja apo në konsum. Ipeshkvi Çurçia do të shprehej vite më vonë se dallimi ndërmjet klasave ishte shumë i rëndësishëm, pasi kjo gjë “ishte ligj i natyrës dhe dëshirë e Zotit, e çdokush që kërkonte ta luftonte këtë gjë, luftonte kundër shoqërisë”.

    Për këtë arsye, vëllazëritë luajtën një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore të komunitetit katolik në Shkodër. Herë pas here, shpallja e ndalesave apo dekreteve të ndryshme synoi që të stabilizojë dhe le të themi “të diktojë” ecurinë e jetës komunitare.

    Fillim shek. XIX, shohim për shembull se ipeshkvi Nikollë Murriqi, për të shmangur disa probleme që ishin shfaqur në qytetin e Shkodrës, me këshillën dhe dakordësinë e deputetëve, vendosi që të ndalohej në të ardhmen që të jepej ose të merrej argëllëk,[3] dhe madje që klienti të mos kërkonte veshje tek rrobaqepësi sipas dëshirës së tij, por të ruante kriteret e vendosura nga autoritetet. 

    Në mënyrë të përsëritur më 1838, në një letër drejtuar shoqërisë së Shën Antonit në Shkodër, Këshilli i deputetëve kristianë, kërkonte të stabilizonte modelin e të veshurit duke i adresuar një letër vëllazërisë së Shën Antonit, prej së cilës kërkonin mendimin dhe ndryshimet që vëllazëria mund të bënte në kulturën e veshjes. Pasi të gjithë anëtarët e vëllazërisë shprehën mendimet e tyre rreth pikave të paraqitura nga deputetët, u morën vendime të caktuara. Kjo letër u kopjua 16 herë u shpërnda në secilën prej 16 vëllazërive të Shkodrës. 

    Përsëri më 1842, ipeshkvi Luigj Çurçia, në një letër drejtuar kryetarëve të vëllazërive fetare, paraqet disa çështje në lidhje me ndalesat rreth veshjeve dhe shpenzimeve të tepërta që komuniteti shkodran bënte. Pothuajse një vit pas paraqitjes së letrës nga kryetarët (27 prill 1841), kryetarët, pra deputetët, ishin paraqitur tek ipeshkvi duke deklaruar se duhet të hiqeshin të gjitha qëndisjet në jelek, që ipeshkvia të sanksiononte një ndalesë të tillë me autoritetin e kishës dhe që ky vendim të shpallej në kishë. 

    Këto janë vetëm disa nga ndalesat dhe dekretet të cilat i sollëm sot në mënyrë që lexuesi të kuptojë më mirë impaktin e politikave të vëllazërive në jetën shoqërore të komunitetit katolik në Shkodër. Raste të tilla, të cilat janë të shpeshta në qytetin e Shkodrës, dëshmojnë për rolin e vëllazërive fetare në jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetit gjatë shekujve 18 dhe 19. Ndikimi i tyre u shtri gjithashtu në kultivimin dhe modifikimin, madje deri në eliminimin, e disa traditave, zakoneve apo mënyrës së jetesës në Shkodër, në mënyrë që të refuzonin arrogancën dhe luksin duke u përqendruar tek realizmi i një jete kristiane të përkorë. 

    Reformat e Tanzimatit dhe këshillat e qytetit e zbehën dhe e zëvendësuan disi rolin dhe funksionin e vëllazërive, duke zbutur, minimizuar apo strukturuar politikën e tyre në komunitetin katolik. Ndryshimi ndodhi gradualisht, sikurse e kuptojmë nga regjistrat e vëllazërive, për shembull, nga vëllazëria e Shën Magdalenës e cila funksionoi deri në fund të shekullit XIX dhe që në regjistrin e vet tregon se anëtarët ende merrnin shuma parash me përqindje (fajde), gjë kjo e cila dëshmon se vëllazëritë ende luanin një rol në ekonominë e komunitetit katolik të Shkodrës.

    Bibliografia

    Burime arkivore

    Fondi 132 dhe 132/A, Arqipeshkvia e Shkodrës, Arkivi Qëndror i Shtetit, Tiranë

    Literaturë

    Terpstra, N. (Ed.). (1999). The Politics of Ritual Kinship: Confraternities and Social Order in Early Modern Italy (Cambridge Studies in Italian History and Culture). Cambridge: Cambridge University Press. 

    Nevila Nika, Dioqeza e Shkodrës gjatë shek. XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore, Shkodër, Phoenix, 2001.  

    Papi Massimo D. Confraternite ed Ordini Mendicanti a Firenze. Aspetti di una ricerca quantitativa. In: Mélanges de l’Ecole française de Rome. Moyen-Age, Temps modernes, tome 89, n°2. 1977. pp. 723-732. DOI : https://doi.org/10.3406/mefr.1977.2421

    Dorina Arapi, Ndikimet orientale në veshjet popullore shqiptare, Temë doktorature, https://drive.google.com/file/d/0Bz1NpApIa1A6MGUzRDZMRVNQbk0/view?resourcekey=0-5o4W4nOV4cMRqKPTiTZh0g

    Hyacinthe Hecquard, “Histoire et description de la haute Albanie ie Guégarie” [Histori dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Lartë ose Ghegeria], Paris 1858.

    ______

    *Ky studim do të jetë më i zgjeruar dhe më i plotë në monografinë e ardhshme së autores, si dhe do të mbrohet në kongresin e “15th International Congress of Ottoman Social and Economic History (ICOSEH)” që do të mbahet më 2022, në Zagreb, Kroaci.


    [1]  Deri në momentin e shpalljeve të ligjeve napoleonike, kur iu dha rrugë varrosjes të gjithë secilit në mënyrë të barabartë. (ky është një diskutim i gjerë që mund të shtjellohet në të ardhmen).

    [2]  Origjinali i patentës së mbrojtje për Filip Çeka (Summa), e lëshuar nga konsulli francez, ruhet ende sot nga familja Çeka (Summa) në Shkodër.

    [3]  Argëllëk quheshin të hollat që i jepte dhëndëri familjes së nuses para martesës për të përgatitur pajën e saj. Paguan argëllëkun. Priste (caktonte) argëllëkun.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË