More
    KreuOpinionDhoma më vete: Aty ku disa nga shkrimtaret më të mira krijuan...

    Dhoma më vete: Aty ku disa nga shkrimtaret më të mira krijuan art

    Lauren Marino për hapësirat ku shkruan Virginia Woolf, Toni Morrison, Jane Austen, Maya Angelo, motrat Brontë dhe J.K. Rowling

    Virginia Woolf i parashtroi qartë pikëpamjet e saj te “Një dhomë më vete”, ese e shtjelluar në një libër që përbëhej nga leksionet mbi “Gratë dhe letërsinë” leksione që ajo i mbajti në dy kolegje gjatë vitit 1928: “Një grua duhet të ketë para dhe një dhomë më vete nëse do t’i përkushtohet letërsisë”. Ajo mund të ishte idealiste, por për ne të tjerët, është e vështirë të gjesh një vend të qetë për të punuar pa u shpërqendruar, kurse paratë janë një çështje krejt tjetër. Atëherë, si i krijuan Woolf dhe shkrimtaret e tjera hapësirat ku ato shkruanin?

    KËNDI I SHKRIMIT TË VIRGINIA WOOLF-IT

    Kur Virginia dhe Leonard Woolf blenë shtëpinë “Monk’s House” në rrethinën rurale të Sussex-it, ajo e shndërroi një shtëpizë druri për vegla në kopsht në hapësirën e saj si shkrimtare. Në verë hynte shkëlqimin i diellit hynte përmes dritareve të mëdha dhe ajo mund të sodiste pamje mahnitëse. Për fat të keq, në dimër, ishte aq shumë ftohtë sa mezi mbante stilolapsin në dorë dhe përfundimisht ishte e detyruar të zhvendosej në shtëpinë kryesore. Ajo e shkroi Zonja Dalloway këtu, bashkë me shumë nga recensionet, esetë dhe letërkëmbimet e tjera, ashtu si edhe shënimin për vetëvrasjen që e shkroi për të shoqin, Leonardin.

    DIVANI I TONI MORRISON-IT

    Si botuese e palodhur e librit dhe nënë beqare e dy djemve, Morrison-i  zgjohej herët dhe shkruante para se të shkonte në punë. Këtu është dhoma e saj e ndenjes e viteve 1970-të, ku ajo shkruante, e ulur në divan, shumë herët në mëngjes.

    TRYEZË E VOGËL SHKRIMI E JANE AUSTEN-IT

    Ishte kjo tryezë e vockël, e rrumbullakët, prej druri arre në shtëpinë Chawton Cottage që Jane rishikoi dorëshkrimet e romaneve Mençuri dhe ndjeshmëri dhe Krenari dhe paragjykim si dhe shkroi pjesën më të madhe të veprës së saj të mëvonshme. Gratë e tjera në shtëpi i mundësuan  Jane-it vetminë dhe kohën për të shkruar, duke marrë përsipër pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë dhe në kopsht, në mënyrë që të mund t’u përkushtohej atyre që përfundimisht do të bëheshin romanet e saj me famë ndërkombëtare dhe të dashur për lexuesit.

    DHOMË HOTELI E MAYA ANGELOU-T

    Angelou kishte një dhomë hoteli për vete në cilindo qytezë që jetonte, mbërrinte atje në gjashtë e gjysmë të mëngjesit dhe punonte deri në orët e para të pasdites. Nuk flinte asnjëherë në to, por e kishte zakon të shtrihej në shtrat me “një shishe verë, një fjalor, blloqe të verdha shënimesh, tavëll dhe një bibël”. Pastaj shkonte diku tjetër dhe përpiqej të jetonte si një njeri i zakonshëm deri në mbrëmje, kohë kur kthehej në dhomën e saj të hotelit dhe lexonte ato që kishte shkruar atë mëngjes duke e mbushur me nënvizime.

    SALLONI I MOTRAVE BRONTË

    Mobilje të lyer me ngjyrë jeshile, libra dhe një oxhak i ngrohtë e bëjnë këtë dhomë në famullinë e Haworth-it të rehatshme, por është edhe një hapësirë që të ngjall shumë aftësi krijuese, pasion, ndjenjën e melankolisë dhe humbjes. Portreti i Charlotte-ës i varur mbi oxhak u porosit nga botuesi i saj pasi ajo u bë një shkrimtare jashtëzakonisht e sukseshme. Të tri motrat shkruanin në tryezën e madhe të ngrënies dhe ecnin nëpër dhomë duke diskutuar për veprën e tyre. Thuhet gjithashtu se Emily në ditët e saj të fundit nuk kishte fuqi për të ecur dhe vdiq te divani i kësaj dhome. Pasi vdiq Anne, kjo dhomë u bë pronë e Charlotte-ës, aty ajo redaktoi veprën letrare të motrave dhe u takua me zonjën Gaskell për të diskutuar biografinë e saj.

    KAFENEJA E J. K. ROWLING

    Kur J. K. Rowling ishte nënë e re e cila jetonte në gjendje mirëqenieje, kur filloi të shkruajë librat Harry Potter në kafenenë “Elephant House” në Edinburg ndërsa fëmija i saj dremiste. Duke mos mundur të vijonte e qetë shkrimin e librit të fundit të serisë vite më vonë, e shpërqendruar pareshtur dhe e paaftë për të punuar, ajo u regjistrua në Hotel Balmoral, gjithashtu në Edinburg, dhe, pas një dite jashtëzakonisht produktive  u zhvendos aty për një muaj të tërë për ta përfunduar librin.  

    Shkëputur nga libri “Zakone letrare: Gra që shkruan atë që hyri në histori” nga Lauren Marino, ilustruar nga Alexandra Kilburn. Botuar nga Abrams Image, 2021.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË