More
    KreuLetërsiBotime të rejaDëshmia romaneske për një dashuri shekspiriane (parathënie nga Luan Starova) - Botohet...

    Dëshmia romaneske për një dashuri shekspiriane (parathënie nga Luan Starova) – Botohet në maqedonisht romani “Dashuria e nëmur në Maligrad” i shkrimtarit Luan Rama

    Për popujt që jetojnë afër njëri-tjetrit me kufij të pandryshuar dhe që të tjerët i kanë vendosur të bashkëjetojnë në histori, letërsia paraqet një prej sfidave më të arsyeshme, që ta relativizojë qenien e tyre dhe vendin ku ndërtojnë urat midis tyre. Me shekuj, shqiptarët dhe maqedonasit kanë jetuar pranë njëri-tjetrit dhe kanë ndarë mes tyre kufirin që e kanë vendosur të tjerët. Periudha të errëta distancimi ka patur mes tyre, gjer në armiqësi. Sot, për fat të dy popujve, ky kufi e ka humbur kuptimin e mëparshëm dhe paraqet një portë të hapur për të dy popujt. Mes këtyre dy shteteve miqësore, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë të njëjtat synime para integrimit europian, letërsia ka qenë dhe mbetet si një nga urat më të forta. Një plejadë e rëndësishme shkrimtarësh shqiptarë si Lasgush Poradeci, Ismail Kadare (me shumë vepra), Fatos Arapi, fitues i Kurorës së Artë në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë,  Xhevair Spahiu, Visar Zhiti, Azem Shkreli, Ali Podrimja Dritëro Agolli (me poezi dhe prozë), Anton Pashku, Arian Leka, Agron Tufa, Sterio Spasse, Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Mira Meksi edhe shumë të tjerë, me veprat dhe antologjitë e ndryshme me poezi dhe prozë, janë të përkthyer dhe botuar në gjuhën maqedonase. Për t’u theksuar janë edhe autorët maqedonas që janë botuar në shqip, si Koço Racini, Bllazhe Konevski, Mateja Matevski, Gane Todorovski, Petre M. Andreevski, Ante Popovski, i riu Goce Smilevdki etj. Ekziston një marrëdhënie e vlefshme në të dy kahet, pra i veprave letrare në të gjitha periudhat kohore, madje edhe kur marëdhëniet politike në mes këtyre dy shteteve ishin të rënduara. Një përpjekje shumë e vlefshme ekziston në tematikat historike për mbështetjen e identitetit maqedonas sidomos te autorët e vjetër dhe bashkëkohorë shqiptarë. Në këtë vazhdë të botimit të veprave të përkthyera në gjuhën maqedonase është dhe romani i shkrimtarit të njohur shqiptar Luan Rama. Një erudit brilant letrar që e mban në një nivel të lartë interesin dhe lexuesin e vet. Autor i katër skenareve filmike, i mbi gjashtëdhjetë veprave letrare dhe i dhjetra përkthimeve, në pak kohë Luan Rama i ka kushtuar krijimeve të mirëfillta letrare, d.m.th «zhanreve kryesore». Kjo mund të theksohet për romanin e ri të shkurtër «Dashuri e nëmur në Maligrad»( një përkthim i suksesshëm në maqedonisht prej Daut Dautit), në botimin e «Jon Media». Në një hapësirë të vogël narrative, autori vë në lëvizje veprime shumështresore: ngjarje rreth fazave të ndryshme të një punonjësi në drejtorinë e trashëgimisë kulturore të qytetit të Korçës, i quajtur Edi, i cili dashurohet me një mësuese të re maqedone nga Pusteci, buzë liqenit të Prespës. Rrjedha e dytë narative që konsiderohet edhe si më e rëndësishmja, është dashuria e një ushtari çek të ushtrisë austro-hungareze në kohën e Luftës së Parë Botërore, i cili është dashuruar me një vajzë të fshatit Pustec, në frontin shqiptaro-maqedonas. Por të dashuruarit janë zhdukur në mënyrë misterioze dhe trupat e të dyve asnjëherë nuk janë gjendur.

    Faza e tretë në roman është po ashtu e rëndësishme. Ngjarjet janë të lidhura me farmacistin Stavri nga Korça, i cili në vitet e 60-të shekullit të kaluar, gjatë studimeve të tij në Pragë, ishte dashuruar me një vajzë çeke, me të cilën më pas krijoi familjen e tij në Korçë. Mirëpo kur marëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u prishën, gruaja e Stavrit sikurse edhe gratë e tjera të huaja të ardhura në Shqipëri nga kampi socialist, u detyruan të kthehen në shtetet e tyre.

    Zhvillimi fillestar në roman nis në vitin 1990, kur në gjendjen kaotike të vendit, të rinjtë duke mërguar jashtë vendit drejt Italisë, Greqisë e në vendet e tjera të Europës perëndimore, kërkonin lumturinë. Në këto ngjarje të paparashikuara dëmtohen edhe kishat. Edit i duhej të inspektonte kishën e Maligradit, ku ka dhe rastin të ngjitet në Shpellën e Eremitëve në shkëmbenjtë e liqenit. Këtu ai do të gjejë një aparat të e vjetër fotografik dhe sende të tjera ku përmes një ditari, shpejt do të zbulohet se kanë qenë të një ushtari të huaj të Luftës së Madhe. Ngjarjet reale përzihen me legjenda: në realitet, në bregun e liqenit egziston një gur i madh i zi, që ka lidhje me vrasjen e një ushtari të huaj, i dashuruar në një vajzë vendase të ndonjë shtëpie të bregut të liqenit. Edi nis të hulumtojë: ai shkon të takojë një fotograf në Korçë ku do të zhvillojë filmin e vjetër të aparatit të gjetur. Kështu nisin të zbulohen personazhet e vërtetë të ngjarjes së dikurshme misterioze: në një prej fotografive, zbulohet Jaromiri, ushtari çek, flautist dhe vajza fshatare nga Pusteci. Me ndihmën e Stavrit që njeh gjuhën çeke, ai deshifron se çfarë është shkruar në ditarin e ushtarit dhe shpreson të kontaktojë njerëzit e familjes së tij. Edi vazhdon të kërkojë: me këmbëngulje do të zbulojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me ushtarin dhe vajzën fshatare. Në një nga fotografitë e aparatit të vjetër, shihet dera e madhe e familjes Shtëmbaçi. Edi takohet me plakun e familjes i cili e mban të fshehtë dhe nuk e tregon historinë e asaj ngjarje së hershme. Më në fund, pas shumë mundimeve dhe ballafaqimeve, e vërteta del në shesh: të dashuruarit, ushtari çek dhe vajza prej Pusteci rezulton se janë vrarë dhe se vajza është varrosur tek Guri i Zi. Vrasja qenka kryer prej një fqinji të tyre, të cilit i ishte premtuar vajza që në vogëli nga babai i saj se do martohej me të, por në ditën kur të dashuruarit po përgatiteshin për të ikur, ata janë vrarë nga xhelozia, dhe vrasësi ishte mbyllur në shpellën e eremitit. Në fund, edhe familja e ushtarit Jaromir do ta njohë të vërtetën, një dramë që prindërit e tij asnjëherë nuk e morën vesh. Për ta, zhdukja e djalit të tyre në kohën e Luftës e Madhe, kishte mbetur një mister. Romani mbaron me absurdin e luftës që vret një dashuri shekspiriane mes një ushtari çek dhe bukuroshes nga Pusteci. Lexuesi ka përshtypjen se autori Luan Rama në romanin e vet «Dashuria e nëmur në Maligrad», i mbetet besnik narrativës së vet romaneske. Në një rrëfim tregimtar të më shumë se njëqind faqeve, ai arrin të lidhë me sukses periudhën historike të Luftës së Parë Botërore me vitet ‘90 të shekullit të kaluar në Shqipëri, pas rënies së komunizmit stalinist dhe me Shqipërinë bashkohore duke gërshetuar një tregim të besueshëm, atë të dashurisë me ngjarje reale dhe mistike. Rama është autor me erudicion të fortë, njohës i shkëlqyer i ngjarjeve historike që e lidhin Shqipërinë me Francën edhe me Perëndimin. Duke e lexuar romanin «Dashuria e nëmur në Maligrad», fitohet përshtypja sikur lexojmë «disa romane të shkruara në një». Ky fakt sigurisht i jep vlerë romanit, i cili ka forcë koherente në tërësinë e vet romaneske, ku veprimi i ngjarjes mbahet homogjen. Në këtë roman, shkrimtari Rama mban një baraspeshë të suksesshme në mes të rëfimit historik dhe atij fiktiv. Romani është shumë joshës edhe për shumë nga ngjarjet e ndryshme historike, sidomos për periudhën e Luftës së Madhe, specialitet i veçantë i autorit. Botimi i romanit «Dashuri e nëmur në Maligrad» në gjuhën maqedonase, me materien e vet shumëngjyrëshe, domethënëse për të kaluarën historike të përbashkët në periudhën gjatë Luftës së Parë Borërore, me qëndrueshmërinë e vet estetike, përvijon me sukses traditën e deritanishme të romaneve të botuara të shkrimtarëve shqiptarë (Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj). Dhe jo vetëm ajo: Rama sjell një botë të re joshëse që sigurisht do të jetë me interes të veçantë për lexuesit maqedonas…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË