More
    KreuLetërsiBotime të reja“Buzuku” boton tregimet e autorit Enver S. Morina “Rr’nimi i Arbërit”

    “Buzuku” boton tregimet e autorit Enver S. Morina “Rr’nimi i Arbërit”

    Një stil rrëfimi krejt ndryshe. Miksturë rrymash e drejtimesh kulmuar me postmodernen. Historia është një lajtmotiv por aktualiteti imperativ.

    Libri me tregime “Rr’nimi i Arbërit” i autorit Enver S. Morina ka ardhur për lexuesit nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në fund të marsit të këtij viti. Libri është i përbërë nga dhjetë tregime dhe gjashtë skica, poezi, dialogë e rrëfime që autori i quan biseda në titullin “6 “biseda” të përgjuara me 17 janar”.

    Tregimet: “Mos i humbisni sytë”, “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”, “Dosja e Arbër Varrit”, “Polemikë me ujq”, “Triptiku vendor i ecejakeve nëpër At(ë)dhe”, “Koloneli dhe i çmenduri”, “I vdekur në një aksident”, “Njollat e hirit pas shiut të akullt”, “Dialog i përfunduar” dhe “E moshuara dhe vasha”.

    “Bisedat”: “Populli nuk është 007”, “Frika dhe letra”, “Ditari”, “Kthina”, “Loja” dhe “E nesërmja, kënga dhe liria”.

    Një stil rrëfimi krejt ndryshe. Miksturë rrymash e drejtimesh kulmuar me postmodernen. Historia është një lajtmotiv por aktualiteti imperativ.”, shkruan në ballinë.

    Janë tregime të shkruara përgjatë kapërcimit të mileniumeve në harkun kohor prej 15 vite (1994) nga rrëfimi “Mos i humbisni sytë” e deri të tregimi i gjatë “E Moshuara dhe Vasha” (2009). Pjesë e kësaj përmbledhje është edhe skelet-skenari “Mërgimi i përjetshëm i KëDe-së” i cili shoqërohet me një letër në gjuhën angleze për aktorët Kevin Costner-it e Harrison Ford-it (1998). Tregimi “Njollat e hirit pas shiut të akullt” zuri vendin e tretë në konkursin “Flaka e Janarit 2000”.

    Arbër V. ishte bërë varrmihës i vetvetes. Vetëm tash e kuptoj pse me shekuj familja e tij mbante këtë mbiemër! Mbeti edhe kësaj here e parealizuar porosia e paraardhësve: të varroset në fshatin e etnisë stërgjyshore, në Kushevicë, të Toplicës! … (Fragment nga tregimi “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”)

    Diskursi semantik i titujve “Vetvarrhmihja e Arbër Varrit” (“Ëndrra reale e Arbër Varrit”, “Mërgimi i përjetshëm i KëDe-së” nga Arbër Varri”, “Zgjimi i Arbër Varrit”, “Deshifrimi fiktiv (Ç)Th. e m. a. v. të v. në t. e s-t të n. i Arbër Varrit”, “Letra e Arbër Varrit”, “Mërgimi i përjetshëm i Arbër Varrit”), “Dosja e Arbër Varrit” (“Deklaratë e kotë e Arbër Varrit”) shpjegohet në dialogun e fundit te tregimit “Arbër V.: Njollat e hirit pas shiut të akullt”:

    Po, pse autor Arbër Varri?! – sikur filloj monologu i dialogut të redaktimit.

    Përpjekjet për të ç’thurur bashkëdyzimin e Unit të subjektit të autorit me rrëfimin e realitetit dhe të një autori të vdekur me fuqinë e shkrimit të tij imagjinativ, më binden që autori i tregimit të dal me një emër e mbiemër fictiv. Nuk është pseudonim, por rrëfimtari që është shkëputur nga krijuesi i vetvetes. Autori, në të vërtetë është pjesë e qenies fizike njerëzore, është pjesë që lind e në fund vdes, kurse arketipi personazh jeton. Dostojevski ka vdekur ndërsa Raskolnikovi tashmë ka hyrë si personalitet i ngulitur në literaturën letrare. E njohim Hamletin aq sa Shekspirin, Faustin aq sa Gëten, Anën aq sa Tolstoin, Adsonin aq sa Ekon, Santiagon aq sa Markesin… A mund të themi se Dostojevski jeton apo se Raskolnikovi ka vdekur?! Përderisa e dimë se Dostojevski lindi, jetoj vdiq dhe eshtrat i prehen në varr s’është e vështirë të konstatojmë se Dostojevski nuk ekziston. Apo e kundërta: Raskolnikovi, si arketip personazhi mund të jetoj edhe sot me një emër tjetër! Një Dostojevsk assesi. Prandaj edhe fillimi: E krijoj mendimin autorial Arbër Varri.-sikur përfundoi dialogu i monologut të shpjegimit.


    Autori i librit me tregime “Rr’nimi i Arbërit” Enver S. Morina (1965, Gllarevë e Klinës) ka kryer Fakultetin e Filologjisë, drejtimi Letërsi dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare (1998-2000). Ka punuar profesor në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Disa vite edhe gazetar. Shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza e të tjera botuar në periodikun apo gazetat e kohës, si “Koha-javore”, “Sheshi”, “Zëri-javor”, “Flaka”, “Fjala”, “Jeta e Re”, “Bota Shqiptare”, “Verbi”, “Albanica”, “Shqip” si dhe në “Nacional”, “ResPublica”, “ExLibris”, “MAPO Letrare”, etj. Është autor i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010).
    “Rr’nimi i Arbërit” është vepra e parë e tij në prozë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË