More
    KreuLetërsiBotime të rejaBotohet “Kanuni i Skanderbegut”, mbledhë e kodifikue nga Imzot Frano Ilia

    Botohet “Kanuni i Skanderbegut”, mbledhë e kodifikue nga Imzot Frano Ilia

    nga Imzot Angelo Massafra

    Idealet e klerit katolik shqiptar për Fe, Kulturë dhe Atdhe nuk mbetën vetëm në planin teorik, por ndërtuan një mënyrë të mirëfilltë jetë për ripërtëritjen shpirtërore dhe kulturore të vetë popullit. Klerikët katolikë qenë idealistë që nuk u tërhoqën kurrë nga ideali i tyre. Ata nuk bënë asnjë lloj kompromisi me të keqen në dëm të besimit apo të atdheut. Për këtë arsye, mund t’i quajmë edhe yje që ndriçojnë në qiellin e kulturës shqiptare.

    Mbledhja e traditave, e ligjeve dhe e zakoneve ka filluar prej tyre qysh herët. Dallojmë këtu në mënyrë të veçantë Atë Shtjefën Gjeçovin, Atë Bernardin Palajn, Atë Donat Kurtin, Dom Lekë Sirdanin dhe Imzot Frano Ilinë, paraardhësin tim në Arqipeshkvinë e Shkodrës.

    Tradita e shkrimtarëve katolikë të Veriut e kishte kuptuar se për të njohur identitetin e popullit, më parë duhet të njohim historinë e tij. Këtë projekt të mirëfilltë kulturor e shpjegon më së miri Atë Pal Dodaj në ditarin e tij: “Për mue, detyra ma e saktë e atij që merret me literaturën në Shqipni, do t’ishte mos me u shkëputë – sa ma shumë t’i jetë e mujtun – nga shpirti i popullit dhe me iu përmbajtë formave popullore, tue fisnikërue, por pa i shtrembnue. Kjo do të bahet sa herë do të kërkohet nga njena anë të depërtohet e të zbulohen mendime, ndjenja që karakterizojnë popullin tonë; e nga ana tjetër, mos me u largue nga mënyrat e elokuencës popullore. Vetëm kështu, simbas mendimit tem, do të mund të përmbushet dalëngadalë evolucioni ynë letrar në rrugë progresive. Në rast se veprohet ndryshe, procesi ka për t’u krye me hope, me rrezikun që breznitë e ardhshme kanë për t’u shtrëngue me ba hapa mbrapa.”

    Nëse analizojmë këtë pohim të fratit të njohur, dallojmë në të një program të qartë veprimi, të cilin e aktualizuan meshtarët e Kishës Katolike në vendin tonë. Me të drejtë, pas kaq vitesh shohim se këto ishin parime të drejta që udhëhoqën etërit e shquar të Kishës Katolike në Shqipëri për të ruajtur traditën dhe kulturën e popullit e njëkohësisht për të na e transmetuar atë përmes veprave të tyre. Nëse nuk do të kishim sot në dorë thesare, si: Kangët e kreshnikëve mbledhur nga Atë Bernardin Palaj e Atë Donat Kurti, Kangët gegnishte të Imzot Vinçenc Prennushit, Kanunin e Lek Dukagjinit të Atë Shtjefën Gjeçovit, Fjalët e urta dhe Frazeologjitë popullore të Dom Aleksandër Sirdanit, Prrallat Kombtare të Atë Donat Kurtit, Skandërbegun mbas gojëdhanash të Atë Marin Sirdanit e sa e sa vepra të tjera, kultura shqiptare do të ishte shumë e varfër. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë hapa prapa, sepse punën e kanë bërë paraardhësit tanë. Na duhet vetëm t’i vlerësojmë etërit françeskanë, ata jezuitë dhe meshtarët dioqezanë për angazhimin dhe punën e tyre.

    Mendoj se duhet t’i studiojmë pareshtur për të përmirësuar kulturën e sotme. Edhe pse janë kontribute të shkruara para shumë kohëve, ato janë ende shumë të vyera dhe ne jemi të vetëdijshëm se kultura e sotme pa këto tekste do të ishte e mangët.

    Ribotimi i Kanunit të Skanderbegut pas shumë kohësh është një vlerë e shtuar për kulturën juridike, dokesore e historike të popullit shqiptar. Vepra Kanuni i Skanderbegut, sipas parathënies dhe sipas dëshmive gojore të vetë autorit, ka kaluar kalvare të shumta nëpër arkiva, derisa pa dritën e botimit në vitin 1993. 

    Ky ribotim risjell punën e madhe e shumë të çmuar të Imzot Frano Ilisë. Ai qe dënuar me vdekje si spiun i Vatikanit, dënim që ia kthyen në njëzet e pesë vjet burg e punë të detyruar. Kaloi shumë vjet në burgje dhe u persekutua si shumë klerikë të tjerë, por i qëndroi besnik fesë dhe punoi për atdheun edhe në vuajtje, mjerime e skamje. Megjithatë, puna e tij nuk ka shkuar dëm, por është vlerësuar dhe po vlerësohet përmes kësaj vepre.

    Prandaj kam qenë i gatshëm t’i jap leje Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” që ta ribotojë Kanunin e Skanderbegut të Imzot Frano Ilisë, sepse ka kohë që nuk gjendet më për lexuesin shqiptar. Kjo vepër botohet në formë anastatike duke u shërbyer jo vetëm studiuesve të gjuhës shqipe, të ligjeve dhe të traditave shqiptare, por edhe lexuesit të thjeshtë.

    Uroj që leximi i kësaj vepre të shërbejë për të shpalosur edhe më tej historinë dhe mendësinë e popullit shqiptar, si edhe për të vlerësuar edhe më shumë punën dhe mundin e derdhur të autorit, Imzot Frano Ilisë, i cili hyn tashmë në vargun e personaliteteve të shquara të klerit katolik në Shqipëri.

    *Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË