More
    KreuLetërsiBotime të rejaBotim i ri nga Dituria: "Gruaja e Kolonelit" nga Rosa Liksom

    Botim i ri nga Dituria: “Gruaja e Kolonelit” nga Rosa Liksom

    Përkthyer nga Kujtim Ymeri

    Pas romanit Kabina nr. 6, Rosa Liksomi vjen sërish në gjuhën shqipe me një tjetër roman: Gruaja e Kolonelit, një nga krijimet më të mirëpritura dhe më të diskutuara nga lexuesit finlandezë dhe të vendeve të tjera.

    Është rrëfimi retrospektiv i një dashurie dhe marrëdhënieve të ndërlikuara të protagonistes së romanit me partnerin dhe bashkëshortin e saj, në një sfond po aq të ndërlikuar shoqëror dhe historik të Finlandës në vitet para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kjo histori marrëdhëniesh herë të pakuptueshme e jonormale, herë pasionante e të dhimbshme rrjedh përmes portretizimit të dy personazheve të romanit. Prejardhja nga një familje thellësisht konservatore dhe e lidhur me mjediset nacionaliste e progjermane finlandeze është filli që e çon vajzën e re në një lidhje dashurie jo të natyrshme me Kolonelin, siç do të jetë vazhdimisht emri i personazhit, moshatar i të atit dhe i përkushtuar ndaj zanatit të luftës dhe ambicieve nacionaliste të kohës.

    Trajektorja e kësaj dashurie do të ndjekë rrugë dhe kulme pasioni e dhune, nënshtrimi e sundimi, të cilat do të përcaktojnë fatin e saj dhe të heronjve të tjerë.

    Personazhi i Kolonelit është ai që mbizotëron në këtë trajektore, ai që përcakton, në fund të fundit, pikën përfundimtare të saj. Një udhëtim mes ndjenjash kontradiktore, herë-herë ngjethëse, herë-herë pasionante, por gjithnjë intriguese për lexuesin.

    Ai që ndihmon të kuptohen dhe të analizohen kjo marrëdhënie dhe vetë natyra e dy personazheve kryesore është sfondi historik në të cilin zhvillohen ngjarjet. Jemi në Finlandën e dalë si shtet i pavarur pas revolucioni të vitit 1917 në Rusi, një Finlandë që sapo ka kaluar një periudhë konfliktesh të brendshme, një luftë civile mes Gardës së Kuqe dhe Gardës së Bardhë, e kurorëzuar me fitoren e kësaj të fundit, me përndjekje dhe masakra ndaj kundërshtarëve dhe me krijimin e një shteti, që synonte mësymje nacionaliste, të frymëzuar edhe nga lidhjet shpirtërore me nazizmin gjerman.

    Mes të tjerash, qenë këto që afruan dy personazhet, që, përndryshe, shumë gjëra të tjera duhej t’i ndanin.

    Figura e Kolonelit është mishërimi tipik i frymës së kohës. Por edhe i tipareve të një botëkuptimi, morali dhe frymëzimi nacionalist-nazist. Një natyrë e egër edhe në marrëdhëniet me të dashurën e më pas bashkëshorten e tij, që te lufta shikonte njëkohësisht shpresën e realizimit të aspiratave që ushqente regjimi i kohës, si dhe të një impulsi të fuqishëm për karrierën e tij si profesionist i luftës.

    Disfata e Finlandës aleate të Gjermanisë hitleriane shkon paralelisht me degradimin moral e psikologjik të personazhit dhe fundin e një lidhjeje dashurore me partneren e tij, që tashmë do të kërkojë një dashuri në skajin tjetër kohor, me një djalosh që mund të ishte biri i saj, ashtu siç Koloneli mund të ishte i ati.

    Një lidhje pa të ardhme, e megjithatë një stacion qetësues në prag të vetmisë së madhe të protagonistes.

    “Kjo është jeta e saj e katërt. Përpara ka qenë jeta në shtëpinë e fëmijërisë në një qytet verior, më pas vitet nën sundimin e Kolonelit plak dhe pastaj si grua plakë e Kolonelit, bashkëjetesa me Tuomasin e ri. Tani është në fundin e rrugës së saj në këtë shtëpi.”

    Këto rreshta janë pjesë e epilogut të jetës së saj.

    Gruaja e Kolonelit është një roman tërheqës dhe tronditës njëkohësisht, një narrativë plot nerv dhe dinamikë. E gjithashtu një dritare në historinë pak të njohur prej nesh të atij vendi nordik.

     Nga Lynette Reini-Grandell, botuar në The Star Tribune 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË