More
    KreuArte pamoreBledar Kurti: "Kërcimi" i Henri Matisse

    Bledar Kurti: “Kërcimi” i Henri Matisse

    Një djalë i ri studioi juridik, e më pas, me të mbaruar shkollën nisi të punonte në gjykatë, por u sëmur nga apendiciti, dhe për të kaluar kohën në shtrat e ëma i bleu një palë bojëra që të pikturonte, dhe djaloshi vendosi të bëhej artist, e me t’u rikuperuar konkurroi në akademinë e arteve, por nuk u pranua, e ai konkurroi përsëri e sërish nuk u pranua, dhe ai priste jashtë portës së akademisë që t’i tregonte punimet e tij profesorëve që hynin në akademi, e kjo vazhdoi gjatë derisa dikush e vuri re talentin e tij, dhe ai u pranua më në fund në akademi dhe ai djalosh u bë artist i madh, por më vonë u sëmurë nga kanceri, dhe pavarësisht se operacioni u krye me sukses ai mbeti i paralizuar duke e detyruar të pikturonte në mure e tavane me shkopinj të gjatë, e më pas i braktisi penelat e vendosi të pikturonte me gërshërë, duke prerë letrat me ngjyra e duke krijuar kompozime me to, e kështu nga artist i madh u bë një ndër artistët më të shquar i shekullit të 20-të. Kjo është historia e Henri Matisse (1869-1954), artisti që ndryshoi një shekull, piktori që nisi një epokë të re në art e në botëkuptimin e njeriut modern.

    “Artisti e sheh të vërtetën e vjetër nën dritën e re,” u shpreh ai, “pasi nuk ka të vërteta të reja.” Ndaj të gjithë artin e shkuar ai e pa nën një dritë të re. Kur Matisse po studionte art me piktorin Gustave Moreau, ky i fundit u shpreh, në mënyrë profetike, “Ti do e thjeshtosh pikturën.” Dhe ashtu ndodhi. “Unë ndiej përmes ngjyrës,” u shpreh më vonë Matisse. Dhe ngjyrat e pastra, të forta e të papërziera karakterizojnë të gjitha veprat e tij. Përmes tyre ai ëndërronte dhe kërkonte të pikturonte parajsën. Edhe studio e tij ishte si parajsa e tij e dëshiruar. Në të ai kishte një kafaz të madh me zogj të llojeve të rralla, përfshirë edhe pëllumba me raca të shartuara. Gjithashtu ai kishte objekte të koleksionuara, zbukurime që i pikturonte vazhdimisht në tablotë e tij, vazo prej bakri, maska afrikane, enë kineze, guaska tropikale, limonë, portokalle, kunguj të tharë, bimë zbukuruese, e lule me gjethe të mëdha e të harlisura.

    Vepra Kërcimi (1910) është një ndër tablotë më të njohura dhe revolucionare të shekullit të 20-të. Në vitin 1909 Matisse mori një porosi të rëndësishme. Një industrialist rus, jashtëzakonisht i pasur, me emrin Sergei Shchukin i kërkoi Matisse tre piktura me përmasa të mëdha për të zbukuruar shkallën spirale të rezidencës së tij, Pallatit Trubetskoy, në Moskë. Motivi i kërcimit u bë një ndër më të preferuarit e artistit në disa tablo të tij, dhe padyshim i dhanë Matisse një famë edhe më të madhe.

    Në këtë tablo ka vetëm tri ngjyra. Rozë, blu, dhe jeshile. Shikoni sesa minimaliste është kjo vepër. Vetëm tri ngjyra. Thjeshtësi absolute e ndërkohë që përmban një botë të tërë: roza për ngjyrën e trupit të njeriut, bluja për qiellin dhe jeshilja për natyrën dhe pjellorinë e saj. Tre elementët kryesorë të jetës.

    Në pikturë ngjyrat ndahen në të ngrohta dhe të ftohta. E kuqja, dhe të gjithë ngjyrat që rrjedhin prej saj janë të ngrohta, në këtë rast roza është ngjyrë e ngrohtë, ndërsa ngjyrat e ftohta nisin me blunë, jeshilen dhe të tjerat që rrjedhin prej tyre. Një paraqitje e tillë e dy ngjyrave të ftohta në sfond, e figura të ngrohta në plan të parë nuk ishte parë kurrë në pikturë. Konflikti i përhershëm i dy koncepteve: zjarr dhe akull, e ngrohtë dhe e ftohtë, pasion dhe racionalizëm, etj., janë pikturuar në harmoni të plotë në këtë vepër. Pavarësisht pamjes, asgjë nuk është e thjeshtë në veprat e Matisse. Ndaj tabloja Kërcimi, në dukje minimaliste, përmban një univers të tërë.         

    Pesë figurat në tablo kërcejnë me gëzim në një rreth. Silueta rrethore e trupit në të majtë përkon saktësisht me anën tjetër të rrethit me siluetën e figurës në të djathtë. Figura e rrethit, aq e studiuar në Greqinë e lashtë, e më vonë nga Vitruvius, Leonardo da Vinci, etj. Rrethi i jetës. Cikli i jetës. E gjitha kjo brenda një tabloje me tri ngjyra. Figurat spërdridhen dhe e kthejnë trupin plot ndjenjë sikur janë të përhumbur në ritmin e kërcimit. Ato duken sikur lëvizin aq shpejt saqë gruaja në qendër të tablosë, ajo në plan të parë, duket sikur e ka humbur ritmin e nuk arrin dot ta kapë dorën e figurës që ka në të majtë. Figurat në tablo nuk kanë hije, që na tregon se ky kompozim nuk ka kohë dhe mund të gjendet kudo në vend dhe hapësirë, pra një vepër simbolike universale.

    Ky kërcim është frymëzuar edhe nga kujtimet rinore të Matisse mbi kërcimin “farandole” që kryhej vazhdimisht në Montmartre, Paris, dhe kërcimin spanjoll “sardanes” që praktikohej në jug të Francës. Në këtë tablo Matisse e ka paraqitur kërcimin si një rit të shenjtë. Figurat zor se dallohen për nga gjinia, por megjithatë ato janë njerëzore, e duket se lodrojnë, spërdridhen, kërcejnë e hidhen, nën ritmin e kërcimit.

    Ky kompozim i përket tematikës së “epokës së artë” të njerëzimit, kësisoj figurat nuk janë njerëz të vërtetë, por simbole imazhi të imagjinuara. Ka një thjeshtësi në këtë tablo e cila i referohet primitivizmit dhe riteve pagane. Kjo tablo shpalos një ndërthurje të fuqishme të tri ngjyrave që bashkojnë njeriun, qiellin dhe tokën. Në të Matisse ka kapur kuptimin e thellë të vallëzimit, duke shprehur ndjesinë e të pandërgjegjshmes së njeriut në përfshirjen e ritmeve të natyrës dhe kozmosit! Në të ai përshkruan një harmoni çlodhëse të cilën ai e ëndërroi gjatë të gjithë jetës së tij:

    Unë ëndërroj për një art plot ekuilibër, të pastër dhe të qetë, të lirë prej shqetësimeve apo tematikave depresive, një art që mund të jetë për çdo njeri që mendon, si për njeriun e biznesit ashtu edhe për njeriun e librave … një ndikim qetësues e zbutës për mendjen, diçka porsi një kolltuk i mirë që siguron çlodhje nga lodhja fizike.

    Të pesë figurat kanë linja të forta, dhe deformimi i siluetave të tyre shpreh eksitim, përndezje e shprehi të pasionit dhe fuqisë së ritmit gjithëpërfshirës. Lëvizja e shpejtë dhe e përbashkët mbush trupat me forcë jete të pandërprerë, dhe ngjyra e kuqe e siluetave bëhet simbol i nxehtësisë së brendshme. Instinkti dhe ndërgjegjja janë bashkuar në një tërësi harmonike. Trupat nuk kanë një përshkrim realist por bazik dhe primitiv. Përmes ngjyrës së sheshtë linjat e theksuara trupore shpalosin thelbin dhe kuptimin e qenies njerëzore. Ja si e përshkruan vetë Matisse pikturimin e trupit:

    Kur unë pikturoj trupin e një gruaje; së pari i jap hir, bukuri, dhe pastaj duhet t’i jap diçka më shumë. Unë duhet ta përmbledh kuptimin e trupit përmes linjave thelbësore. Bukuria do të jetë më pak e dukshme në shikim të parë, por në fund do të shfaqet përmes imazhit të ri që kam arritur, që ka kuptim më të madh dhe ka një plotësi më të madhe njerëzore. Bukuria do të jetë më pak e dukshme, duke mos qenë karakteristika e vetme, por gjithsesi do të jetë aty, në konceptimin e përgjithshëm të figurës sime.

    Kjo tablo, sikurse edhe disa të tjera që u blenë nga Shchukin, u konsiderua tronditëse nga shoqëria bashkëkohore ruse mbi përdorimin e figurave nudo. Porosia e kësaj pikture erdhi fill pas vdekjes së gruas së rreptë e disi puritane të Shchukin, dhe sinjalizoi një fazë të re në jetën e Shchukin dhe një besim të plotë tek Matisse si piktori më i rëndësishëm i kohës. Pesë figurat nudo nuk janë të bukura, por ato janë një imazh i ri i një jete të vjetër, e njeriut primitiv, i cili e ka origjinën tek thjeshtësia dhe harmonia me qiellin dhe tokën. Figurat janë dinamike dhe të egra. Ka dinamikë lëvizje në to por edhe një egërsi tribale. Dhe kjo nuk është aspak rastësi, pasi Matisse ishte babai i Fovizmit. Dhe Fovizmi rridhte nga fjala frëngjisht “fauves” që do të thotë “bishat e egra.”

    Vetë Matisse vinte nga një familje e mbajtur dhe vetë ishte njeri i qetë, i zgjuar dhe i respektuar, dhe nuk kishte asgjë të çmendur në jetën dhe personalitetin e tij, por pikturat që bënte ishin të egra, dhe e shtynin shikuesin të mendonte se artisti ishte një bishë e egër, një kafshë e tërbuar që promovonte instinktin primitiv dhe kafshëror të njeriut.       

    Gjatë një ekspozite në Salon d’Automne në vitin 1905, ku ekspozoheshin veprat e Mattise e shumë piktorëve të tjerë, kritiku Louis Vauxcelles, duke parë vetëm një skulpturë të stilit të mesjetës ndër piktura që të vrisnin sytë me ngjyrat e forta, i përçmoi artistët, duke thënë  ‘Donatello au milieu des fauves!’ (Donatello në mes të bishave të egra). Dhe sikurse Impresionizmi mori emrin prej nga një tallje e një kritiku, dhe Claude Monet u quajt menjëherë babai i asaj lëvizje, kështu ndodhi edhe me Fovizmin, një lëvizje që u drejtua nga Henri Matisse. Fovizmi ishte tejet kalimtar në fillim të shekullit të 20-të, por reputacioni dhe ndikimi i Matisse u forcua edhe më shumë duke e mbartur Fovizmin në veprat e tij pa qenë nevoja të ekzistonte më si një lëvizje artistike. Ai ishte njeriu i thjeshtë dhe i vetëpërmbajtur por ishte artisti që i përdorte ngjyrat me një furi dhe egërsi të jashtëzakonshme.

    Ngjyrat e Matisse janë të forta dhe të sheshta, ndaj tablotë e tij duket se janë një-dimensionale, por në fakt ai përdor perspektivën përmes dredhive të linjave dhe planeve. Thjeshtësia që ai i bëri ngjyrave dhe vetë pikturës ndikoi tek të gjithë artistët e tjerë. Primitivizmi në artin e Matisse e frymëzoi Pablo Picasso-n të drejtohej për nga Kubizmi. Matisse i rekomandoi mikut të tij Picasso të njihej me l’art nègre (arti afrikan) dhe kjo këshillë rezultoi në vepra të mrekullueshme kubiste nga Pablo Picasso. Por ndryshe nga artisti spanjoll i cili e shihte artin agresiv dhe si mjet lufte, Matisse, e konsideronte primitivizmin dhe thjeshtësinë jo si egërsi, por si parajsë dhe pafajësi. Asnjë ndërlikim njerëzor nuk ka në veprat e tij, por ngjyrat janë forcat e vetme në çdo tablo. Ngjyra që krijojnë parajsën.

    Ai e arradoi studion e tij me pamjen e një parajse artificiale, dhe e ndërtoi edhe jetën e tij si Kopshti i Edenit. Ai udhëtoi në Marok dhe u kthye, jo vetëm me pllaka qeramike shumëngjyrëshe të dekoruara me motive lulesh e figurash gjeometrike, por edhe me një vizion të ri për stilizimin e figurave dhe sfondit të përshkruar sipas sixhadeve e motiveve orientale. Në Marok ai pa burrat që pinin duhan e që vështronin akuariumet me peshq, ndaj edhe në tablotë e tij nisën të shfaqeshin motive me veshje orientale, qilima e sixhade arabe, dhe akuariume me peshq.

     Por, ashtu siç kishte ndodhur më parë, kur për shkak të një sëmundje nëna i kishte blerë një palë bojëra, dhe ai vendosi të bëhej artist, dyzetë vite më vonë një sëmundje tjetër e bëri të hynte në fazën më të lavdishme të karrierës së tij. Ai u diagnostikua me kancer, dhe pas operacionit, pavarësisht të suksesshëm, ai mbeti i paralizuar. Ndaj u detyrua të pikturonte i shtrirë. Duke e patur të vështirë të përdorte ngjyrat sipas pëlqimit, ai vendosi të pikturonte porsi një fëmijë, duke krijuar imazhe me letra me ngjyra. Kështu që mjeshtri i madh nisi të përdorte ekskluzivisht vetëm prerjen e letrave si mënyrën kryesore për të bërë art, dhe gërshërët si mjetin primar, duke futur në pikturë një mënyrë tërësisht të re. Matisse do të priste me gërshërë fletë të ngjyrosura në forma dhe madhësi të ndryshme, duke formuar si figura lulesh ashtu edhe imazhe abstrakte, të cilat më pas i rregullonte në kompozime të gjalla, të cilat të godisnin me lojën e tyre plot ngjyra dhe kontraste, me shfrytëzimin e strategjive dekorative dhe minimizimin e mjeteve të përdorura. Fillimisht, këto kompozime ishin me përmasa modeste, por me kalimin e kohës, shkalla e tyre u rrit duke u zgjeruar në vepra murale ose vepra që mbulonin dhoma të tëra.

    “Letrat e prera më lejojnë të vizatoj me ngjyrë,” u shpreh ai. “Për mua kjo është çështje thjeshtëzimi. Në vend që të vizatoj konturin dhe pastaj ta mbush me ngjyrë, duke bërë kështu që ngjyra të modifikojë vizatimin, unë vizatoj direkt në ngjyrë…. Ky thjeshtëzim garanton saktësi në bashkimin e dy mënyrave të shprehjes, të cilat shndërrohen në një. Dhe me ato letra me ngjyra, në vitin 1947 ai krijoi katalogun e mrekullueshëm me ilustrime, të titulluar Jazz. Me gërshërët në dorë, Matisse ndihej sikur fluturonte, dhe me ngjyra të sheshta të prera ai krijoi imazhet më të paharrueshme të shekullit të 20-të, si gjethe shumëngjyrëshe ashtu edhe nudo blu, të cilat tronditën shikuesit por edhe kritikët e artit. Artistët dhe kritikët profesionistë u hutuan prej atyre imazheve. Ata po haseshin me një rast të paprecedentë. Ata nuk e lidhnin dot atë teknikë të re me ndonjë formë artistike të mëparshme ndaj nuk dinin si të shpreheshin. Ajo ishte një teknikë tërësisht e re. Nuk ishte provuar kurrë më parë. Sëmundjen paralizuese, Matisse e shndërroi në periudhën më krijuese të jetës së tij.

    Në fund të viteve të tij, arti i Matisse do prezantohej si një kishë. Dhe në këtë periudhë, në fakt mesi i luftës së dytë botërore, ndodh historia e mjeshtrit me një murgeshë dhe një kishë, e cila do rezultonte në një nga veprat më madhështore të shekullit.  “Nevojitet një infermiere nate – Duhet të jetë e re dhe e bukur.” Ky ishte njoftimi që Henri Matisse vendosi në shkollën e infermierisë në Nisë të Francës në vitin 1942. Ai ishte shtatëdhjetë e dy vjeç dhe po rehabilitohej nga një operacion serioz. Ai kërkonte kujdes të vazhdueshëm dhe kishte nevojë për dikë që të përkujdesej për të, ndërkohë që infermierja e tij e zakonshme ishte larguar për pak kohë.

    Një vajzë njëzetë e një vjeçare, studente infermierie me emrin Monique Bourgeois, e pa njoftimin. Për të siguruar ca para për familjen ajo aplikoi dhe Matisse e pranoi. Monique dhe mjeshtri u miqësuan menjëherë. Ata u bënë shpirtra binjakë, dhe vajza nisi ta donte artistin si gjyshin e saj. Ata u bënë miq të mirë, por infermierja e rregullt e Matisse u kthye dhe jeta e tyre mori drejtime të ndryshme. Por, më vonë, në vitin 1943, ata u gjendën rastësisht shumë pranë njëri-tjetri në Vence, një komunë e vogël në juglindje të Francës. Matisse kishte shkuar aty për t’i shpëtuar kërcënimit të bombardimeve, ndërsa Monique kishte ardhur në manastirin e domenikanëve pranë shtëpisë së tij për t’u shëruar nga tuberkulozi. Pasi u shërua ajo vendosi të qëndrojë në manastir e të bëhej murgeshë dhe mori emrin Jacques-Marie. Motrat domenikane kërkonin të ndërtonin një faltore ndaj Jacques-Marie ia prezantoi mjeshtrin priftit përgjegjës për kishën dhe kështu Matisse, në moshë të thyer nisi dekorimin e faltores. Ai krijoi çdo detaj: dritaret e qelqit, altarin, dyshemenë, dekorimin e mureve, ndriçimin, madje edhe rrobat e priftit. Faltorja Chapelle Du Rosaire, sot e njohur si Faltorja e Matisse është një ndër veprat më të mrekullueshme të mjeshtrit, në të cilën shpaloset një ndërthurje e ngjyrave të ndezura foviste, linjave të dinamikës së tablosë Kërcimi, kolazhet me letra të prera, dhe një ilustrim i parajsës që Matisse kishte ëndërruar gjatë të gjithë jetës së tij.

    Pablo Picasso u inatos shumë që Matisse po punonte për një kishë. “Përse nuk zbukuron një treg futa perimesh? Do pikturoje fruta dhe perime?” Por Mattise u shpreh, “Nuk dua t’ia di se çfarë mendon. Unë kam jeshile që janë më jeshile sesa dardhat dhe portokallet, e ngjyrë portokalli më të ndezura sesa kungujt e verdhë. Ndaj nuk ka rëndësi që është inatosur Picasso.” Por ky i fundit ende vazhdonte me inatin e tij, “Nuk do isha kundër nëse ti do ishe besimtar. Duke qenë se nuk je, atëherë nuk besoj se ke moralin e duhur.” Por, Mattise iu përgjigj, “Po, unë lutem, edhe ti lutesh, dhe ti e di fare mirë këtë. Kur çdo gjë shkon keq, ne sulemi tek lutja për të rizbuluar atmosferën e kungimit tonë të parë… Unë po eci sërish në një tokë të pastër.”

    Matisse e përdori këtë faltore për të harmonizuar të gjitha stilet e tij të pikturës dhe për të përmbledhur gjysmë shekulli përvojë të suksesshme në art.        “Dua që ata vizitorë që hyjnë në faltore të ndihen të pastruar dhe të çliruar nga barra e tyre,” u shpreh ai. I gjithë interiori i kishës është krijuar në varësi të dritës. Vetratat janë të zbukuruara me ngjyra të verdhë, blu dhe jeshile. Mjeshtri na shpjegoi edhe se kur është moment më i mirë për ta vizituar atë:

    Stina më e favorshme është dimri – Dhe pastaj, ora më e mirë është ora njëmbëdhjetë në mëngjes.

    E përse atëherë?

    Sepse dritaret janë pikturuar në mënyrë të atillë për të transfiguruar të zezën dhe të bardhën që mbizotëron brenda faltores domenikane, duke e bërë të ndriçojë me të gjitha ngjyrat e ylberit.

    I pyetur sesi mund të krahasohej faltorja e tij me Notre Dame, Matisse u përgjigj: “Është një lule. Është thjeshtë një lule, por është një lule.” Mjeshtri e dinte se fytyra e artit mund të shpaloset përmes thjeshtësisë, duke e mahnitur njerëzimin me gjëra të vogla si lulet, ndaj edhe ai shërbeu si një pasqyrë apo enë për ta përçuar këtë mesazh që arti i jep njerëzimit.

    Ne sot shohim veprat e Matisse dhe ndihemi sikur kërcejmë me ritmin e ngjyrave të thjeshta e të fuqishme. Jeta është një kërcim, e disa prej nesh arrijnë ta kapin ritmin e saj, e disa të tjerë nuk arrijnë dot, por për Henri Mattise, nuk mund të thuhet gjë tjetër veçse ai jo vetëm e kërceu bukur jetën e tij, por vazhdon ta kryesojë atë kërcim duke na ftuar edhe ne t’i bashkohemi valles së jetës dhe të shijojmë ritmin e saj, e cila, pavarësisht ndërlikimeve që na duket se mund të ketë, është e thjeshtë, e bukur, e ndezur, dhe padyshim, plot ngjyrë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË