More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBen Andoni: Romani i paradoksit shqiptar

    Ben Andoni: Romani i paradoksit shqiptar

    Romani “Hotel Bahnhof” i autorit Shkëlqim Çela, përveçse vjen si sfidë e re nga autori në zhanrin koral letrar, ka edhe vlerë njohëse sa i përket një periudhe të viteve të fundit të ndërtimit të munguar utopik të socializmit dhe pak vitet e para, kur shqiptarët u përballën me të ashtuquajturën Botë e Lirë. Autori zgjedh vetën e tretë, në mënyrë që narracioni të zbërthejë përmes J.C., një Alter Ego e vetë Çelës, realitetin e fund-viteve ’80 dhe kapërcyellit ‘90, që duket se ka deridiku shumë ngjyresa autobiografike. Në formën e anti-heroit personazhi kryesor, rreth të cilit mblidhen të gjithë fatet e personazheve të tjera, zbulohet një hapësirë interesante sociale, ku vërtitet Homo Albanicus i atyre kohërave.

    Në këtë roman, autori ka ndërtuar një kompozicion interesant dhe disi të ndërlikuar (i pëlqejnë të eksperimentojë), që i shkon stilit të tij, ngarkuar me figuracione dhe me shumë situata paradoksi, ku ironia përzihet me humorin e zi për të dhënë Shqipërinë e asaj kohe, për të cilat ai ka të ngulitur shumë detaje. Për fat, racionaliteti e ndihmon që këtë realitet të mos e çoj në zgrip të errësimit, sepse edhe Bota e Lirë është e mbathur me probleme, që ai i përshfaq përmes situatës së përballjes së personazheve të tij me të huajt në kohë e sisteme të ndryshme, ndërthurur këndshëm në këtë hapësirë kohore gati një dekadike.

    Autori mundohet të shprehë dhe gjendje sociale-psiqike të atdheut të tij, qysh nga provinca, përballja me të huajën dhe tëhuajtjen e individit, kategorinë e vdekjes, konceptin e arratisjes dhe pasojat, nderin, erosin që i shërben disa herë si valvul, por mbi të gjitha dokumenton me fuqinë e dëshmisë Shqipërinë dhe shqiptarët e asaj kohe, që nga rekuizita, mendimet, përballjet por mbi të gjitha mënyrën e jetesës nën një absurd. E quajmë kontribut, sepse është një nga gjërat më të munguara në letërsinë tonë, ku studimet tona antropologjike dhe sidomos etnografia nuk shkon, duke mos dashur të japin detajime të strukturave sociale. Por, bash këtu është një grackë, që e ka kapur pak edhe autorin tonë. Përpjekja për të qenë sa më i detajuar në disa raste e ul ritmin dhe e kthen në stand-by gjendjen e leximit, sidomos për bashkëkohësit, një realitet fare mirë të njohshëm, kur rrëfehen gjëra të njohura. Anipse, është vetë Çela që e di këtë kurth dhe disa herë i shmanget bukur me mënyrën e pasur të regjistrit të shkrimit dhe paradoksit, duke mos e lënë si dokumentim të thatë. Cilësia e ndërtimit të fjalisë dhe përballja me figuracionet te ‘Hotel Bahnhof” e bën letërsi mirëfilli cilësore dhe jo më kot autori Çela është sot një nga më premtuesit e letërsisë së sotme shqipe.

    Duke mos dashur të rrëfejmë fije-për-pe fabulën, duket se autori, ka bërë një shpërndarje shumë të mirë të personazheve në të gjithë strukturës së tij për ta mbajtur rrëfimin e fabulës në gjendjen deridiku të suspansës, pa të cilën një vepër arti e humbet fuqinë e përcjelljes te publiku. Ngjarjet në “Hotelin Barnhof” e hapin dhe e mbyllin romanin. Personazhi ynë, dikur një shqiptar i shkolluar tashmë punë-kërkues ose azilant (i biem shpesh shkurt kësaj fjale), është në të gjithë këtë hapësirë me përpjekjen e madhe për t’u identifikuar. Ndërkohë, jeta sjell në këtë hotel, personazhe të njohur me fatet e tyre dhe me karakteristikat e vendeve të ndryshme në pritje të rrugëtimeve të reja. Sythet e ndryshme në roman, ku spikat në retrospektivë vizita e J.C., me kolegët e tij në Austri dhe sidomos ajo kushtuar Dritanit, që arrin dhe arratiset janë nga më tërheqëset, por duket se i kanë marrë pak peshë specifike dhe sytheve të tjera. Me sa duket, ato janë dhe me lidhjet më të afërta të autorit me fabulën e paraqitur në këtë roman. Veçanërisht, ajo që lidhet me Dritanin dhe, që duket si një etyd shumë i këndshëm.

    Nga ana tjetër, kemi një lloj kujtimi të asaj që ndodhi në fillimvitet ’90, ku Çela na sjell një periudhë me humbje shprese masive, që ngjan si dy pika uji me të sotmen. Duke marrë një koncept anglisht: perforation (vrimë, shpim, burim, dhëmbëzimi i pullave, vijë bira-bira), ai e përcjell në shqip në një formë që të kujton bajagi vendin tonë në ditët e sotme: “Ashtu po bëhej çdo ditë e më shumë Shqipëria, një fletë që grisej për aksionin e radhës, ikjen prej saj (ikje që nuk mund të quhet assesi braktisje në kuptimin e mirëfilltë). Mijëra gishta shqiptarët e grisnin fletën e atdheut në vendimin ndoshta më të madh të jetës së tyre, emigrimin me çdo lloj mënyre. Ndërsa grisnin fletën, ata mbanin kopjen e zbehtë të transaksionit të tyre madhor, të cilin e shikonin herë pas here kur bënin bilancet e jetëve, llogarinë kontraktuale të ekzistencës, koston themelore, shpenzimin kryesor të qenies së tyre”.

    Çela me formimin e tij, kërkesën e pareshtur për të qenë sa më fin në gjuhën e tij letrare ka vendosur tashmë një parametër shumë të lartë në shkrimin e shqipes. Fjalitë e gjata disa herë janë ndihëse e mendimeve, por edhe një çlirim për sintezat që atij i vinë natyrshëm prej formimit të mirë në disa disiplina. Në pak raste gjen në letërsinë tonë kapërcime normale të autorit me kaq lehtësi në fusha të ndryshme të dijes gjatë shkrimit dhe futjen e tyre të natyrshme për forcimin e ideve. Megjithatë disa herë duhet të kufizohen, pasi detajet marrin vëmëndjen drejt fabulës.

    Edhe një galeri e tërë personazhesh në këtë libër e plotësojnë shqiptarin e tranzicionit, ku veç J.C. dhe Dritanit, është trajtuar këndshëm edhe Lindita, Xhemaliu, Dr. Shakl, Mizi, Lola dhe i shoqi piktor, rumunit Mihai, ku autori zbërthen paradoksin e emigrantit por edhe vuajtjen e të gjithë emigrantëve. Dhe, në fund, me gojën e kolegut rumun, e sikur t’i drejtohet thjesht vetes shprehet se: “Mos u perëndimorizo kështu, J.C. Mua më vjen mirë që ndajmë një dhomë azilkërkimi, pasi me ty mund të flas kësi gjërash. Nuk e kupton që gjithë ç’të them është pikërisht rrekja ime për të mos u ngurtësuar, për të mos u bërë ‘një nga këta’?”

    Përpjekja e madhe, që u bë për të ikur të jep përballë modelin e dhimbshëm të cilin e ngritëm ndërkohë për atdheun dhe që sot mban shumë njerëz jashtë. Këtë e zgjedh me një detaj të bukur, në fund, kur një studiues vjen në Shqipëri gati me një avion bosh, ndërkohë kur të gjithë duan të ikin. Po ku duan të ikin shqiptarët? Me sa duket metafora e “Hotel Barnhof”, botuar cilësisht nga “Onufri”,  do të jetë për shumë kohë hapur për njerëzit e popujve, si shqiptarët, që nuk dinë të bëjnë vendet e tyre. Këtë, Shkëlqim Çela e zbërthen në një roman, që është gati një histori sociale për një nga kohërat më paradoksale të jetës sonë, ku ndryshuan dy regjime social-ekonomiko-politike, ndaj të cilave nuk ditëm të qasemi kurrë ashtu si duhet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË