More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Proza lakonike që “asgjëson” autoren

    Behar Gjoka: Proza lakonike që “asgjëson” autoren

    Qasje studimore mbi librin “Tregimet e një personazhi”, të autores Esmeralda Shpata

    Përmbledhja e prozës “Tregimet e një personazhi”, e autores Esmeralda Shpata, qysh me titullin krijon gjasat e një keqkuptimi, mbase diçka më tepër të një marrëdhënie tjetërsoj si ligjërim letrar. Nga njëra anë, sugjerohet se kemi të bëjmë me shkrimin e prozës së shkurtër, me lëvrimin e tregimit, në tjetrën anë shpallet se kemi një prozë të “endur” nga personazhi. Prania e teksteve të shkurtra, mjaft të shkurtra, të sendërtimit të një proze lakonike, në ndonjë rast me pak rreshta, gati e bjerr mundësinë e përcaktimit si tregime, nëse bazohemi në parimësinë teorike dhe praktikën e shkrimit të tregimit si zhanër. Megjithatë, materia e teksteve, të shkurtra, mbeten në hemisferën e prozës së treguar, endur përmes dinamikës së narrativës, që nga vetja, përçon pikësynimet autoriale, për tek Tjetri, te lexuesi. Titulli i plotë “Tregimet e një personazhi”, ndërkaq sugjeron një kërkim dhe implikim të pazakontë, një ikje nga personalja, klasike apo moderne, e cila ndërkohë më tepër është fiktive, si me thënë është fshehje, mburojë për të përcjellë shumëçka, me dritat dhe hijet, me shenjën dhe mungesën e pashmangshme të estetikes. Rrekja shkrimore e sipërmarrë, që tanimë teksti është thelbësor, si një tregues i pranimit të “vdekjes së autorit”,  një koncept metaforik i R. Barthes, për të krijuar gjithsesi distancën për lexim real, ndonëse kemi proza riformuese, madje tregues përmbysës të marrëdhënies së ndërlikuar të tekstit, autorit, kur në këtë faze të ekzistencës së shenjave letrare, duket se gara është në mes tekstit dhe lexuesit, si dy elementet kryesore, të cilat gjallojnë në dhëniemarrje të ndërsjellë.

    ​Çështje të zhanërit të prozës së shkurtër

    Titulli i librit “Tregimet e një personazhi”, pra personazhi emërtohet hapur si “krijues”, kinse paska realizuar tregimin, si zhanëri më i shkurtër i prozës. Optika teorike e zhanërit të tregimit, të një çasti, të një personazhi, si dhe të një kulminacioni emocional estetik, formalisht është i përmbushur. Materia letrare e pranishme në libër, një bashkëlidhje e çasteve reale, me përçimin imagjinar, të anësuara nga parashtrimi logjik, krjon premisa dhe hapësirë, që tregimet e kësaj përmbledhjeje, të shihen pak më ndryshe. Me shumë mundësi, tekstet e prozës së shkurtër, të lexohen dhe trajtohen si një rruginë vetjake, e një formë tregimtarie ndryshe, madje gati të shformësuar të tregimit si zhanër i shkurtër i prozëshkrimit, klasik dhe modern. Hullia e çelur, gjithnjë për të ndeshur në atë preklën autoriale, të ligjërimit të tregimit, jo siç e kemi parë në prozën e sotme shqipe, por disi më ndryshe, me shumë mundësi të rikonceptimit të pashpallur të zhanërit. Lënda e tregimeve të librit, e prozës së shkurtër, koncize gjer në përllogaritje të limituar, dëshmon papraninë e tipareve të zhanërit, jo si mungesë, por si një shteg shprehimor personal. Në mesin e elementëve, si shenjë papranie, që rroket në prozën e shkurtër të autores, veçohen:

    A – Mungesa e fabulës, e rrjedhës subjektore, lineare apo të përthyer, është një tipar shkrimor i prozës lakonike, gjë që preket në materien e teksteve, e cila në një kuptim, kompensohet nga denduria e mendimeve, ideve, që përgjithësisht shpalohen përmes një kundërvënie logjike ndaj shenjave irracionale, që e qarkëzojnë qenien.

    B – Një aspekt tjetër, që vihet re në shkrimin e prozës, në faqet e librit “Tregimet e një personazhi”, është dinamika narrative, që shpesh ndërrohet në referencë komunikimi letrar dhe më përtej saj. Larmia narrative, në prozën e shkurtër, si botëperceptim dhe shpalim, të krijon ndjesinë e një ekulibri të çekulibruar, formësuar enkas kështu, për të depërtuar në skutat e mendjes dhe shpirtit njerëzor. Narrativa e shqiptuar në libër, end realitetin letrar, si dhe zbulon enigmën: “…na mbyll në kufijtë e një bote dhe na udhëheq, në një farë mënyre, kah imponimi që këtë ta marrim seriozisht…”, një sugjerim për të hyrë në marrëdhënie me realitetin e trilluar. Narratorja e prozës së shkurtër të këtij libri, shpesh të fanitet si një kronikane e qetë, madje e akullt, vetëm për të ndriçuar humbellat e qenies, e cila nëpërmjet distancës qëllimore estetike, e sendërgjon rebusin letrar, kryesisht nën darën e arsyes, që gjithsesi buron nga piketat e frymëzimit. Në prozën “Atëherë, kur dinim të duheshim”, në atë hapësirë të ngjeshur, për çudi ndeshim në dy rrëfimtarë, posaçërisht: “Nuk e di se si ndodhi, por, kur i humba nga sytë, u ndjeva shumë i mërzitur, më dogji malli për atë dhe qytetin tim…”., kemi rrëfimtarin mashkull, e në pjesën tjetër të prozës, shfaqet rrëfimtarja femër, teksa ndeshim frazën qartësuese: “…ato ditë që hapat e tij harmonizoheshin me rrokjen e zemrës sime…”

    C – Në prozën e librit “Tregimet e një personazhi”, dëshmohen dhe tregohen çaste të shumta, mbase kemi të derdhur një pentagram momentesh, që konturon botën e laryshisë së teksteve, që zë fill nga bota e brendshme autoriale dhe, i drejtohet botës së tjetrit, lexuesit.

    Pra, mungesa e tipareve të tregimit, mbase më tepër shkrimi autorial, në rrugina të përveçme, na shpie të gjasat që të kemi situimin e tregimeve-gjendje, që ceket në parathënien e librit, kur shkruan: “Tregimet e Aldës janë të lindura nga gjendja, prandaj kanë më shumë tension se vijë rrëfimi…”, që hedh dritë në mundësitë e rrokjes së botës së prozës së autores, me një pamje të tregimit-skicë, pra gjithsesi janë tregime, tejet lakonike në strukturë, narrativë dhe kumte.

    ​Proza  telegrafike dhe hermetike

    Substanca letrare e librit “Tregimet e një personazhi, të ofron mbi njëqind “copa” proze, të prezantuara si tregime, ndonëse konciziteti dhe dendësia shprehëse, i sugjeron si tregimthe, rrëfime (lëvruar nga Mitrush Kuteli në disa proza), skica tregimtare, shkruar në vitet ’30 nga Migjeni, Nonda Bulka dhe Petro Marko. Nuk është qëllimi këtu që të bëjmë përqasje, aq më pak të hetojmë rrënjët e shkrimit të prozës prej atutores, por pikësynimi i vetëm është të vëmë re dhe të theksojmë se proza lakonike është shkruar edhe më herët, në letrat shqipe. Proza lakonike, e ngjeshur me densitet mendimesh, idesh dhe ligjërimi letrar, në shijen e leximit, krijon parakushte për ta parë në dy akse tipolgjinë e shkrimit të prozës së shkurtër:

    Së pari: Prozë telegafike, e cila shqiptohet me një ritëm të përshpejtuar, ku thënia dhe mënyra e thënies, tharmi estetik, ngjishen dhe bashkëlidhen në struktuara ligjërimi, herë të befta, herë të paracaktuara, duke patur si emblemë përfaqësimi, thellësisht koncize, ku asgjë nuk është tepër, që vjen në prozën “Aktualitet”.

    Së dyti: Shkrimi lakonik, me gjasë telgrafik, ndërkaq krijon parakushtin për të zbuluar dhe fshehur kumtin. Pra, vende-vende, magjia e realitetit letrar, anësohet nga proza hermetike, jo si aspiratë, por që dëshmohet në materien e tekstit, që më së shumti buron nga logjika, ndonëse zemra është aty, frymëzimi është burimor, nga arsyetimi, nga lartësynimi për ta zgjuar nga përgjumja, lexuesin e mbetur në udhëkryq.

    Së treti: Proza hermetike, ku mendimi më tepër fshihet, duke përplasur mendimet, ndjesitë me të holla, siç ngjet në prozën “Saktësi iriqësh”, që përplas personifikimin dhe ngjyresat simbolike. Proza “Sipas rregullit, bosh”, ku kemi të shpallur paradoks ligjërimi, kurse në prozën “Betejë”, ku kemi kapërcim gjendjesh dhe gërshetohet shkrimi telegrafik dhe hermetik. Te proza “Grifshë”, ligjërim sentecash, që sendërtojnë një kalambur të beftë.

    ​Endja e lojës letrare

    Materia e librit “Tregimet e një personazhi”, qysh në titull paraqitet si një lojë, madje si një kërkim i shtigjeve të tjera letrare, me gjurmë autoriale të theksuara. Duke paralajmëruar, me shumë mundësi, duke e nënkuptuar si një lojë të pashmangshme, ku të mendosh hartografinë e përmbushur, mbase të përfunduar të vlerave estetike, e vetmja hapësirë që është e lirë, është mëtimi personal, padiskutim mëtimi për të zbuluar shenja të reja, të cilat nuk janë vënë re, që pamëdyshje do të duhen mbushur me vepra ëndërrore, siç e përcaktoi më herët Faik Konica letërsinë. Autorja, e kredhur totalisht në këtë “lojë letrare”, në ferrin e përçimit të shenjave estetike, për ta ftuar lexuesin të endet në copat e prozës së shkurtër, që e nxorën autoren në limanin e letërsisë, të harkut të letërsisë së sotme shqipe, si një akt që fakton shkrimin e prozës së shkurtër. Loja letrare, shtegu i mëtimit për të zgjeruar komunikimin me lexuesin, shpalon vetëdijen letrare, për t’u marrë më tekstin, narrativën, shprehësinë gjuhësore dhe letrare, madje duke u “fshehur” prapa personazhit/personazheve, ndonëse sërish nuk shpëton nga “mëkati” i ëndrrës personale letrare. Tekembramja, personazhi është edhe alteregoja e autores ose prania e papranishme e tij. Loja letrare e pazakontë, në thurjen e prozës së shkurtër, në këtë tipologji shkrimi, dukshëm shpërfaqet:

    – Në shkrimin e prozave të shkurtra, tregimeve që anojnë nga tregimi-skicë, ku parësore është shqiptimi lakonik, sa më i ngjeshur.

    – Në thurjen e pentagramit narrativ, si rrëfime të rrëfimeve ose tregimthe të rrëfyera vetes, në krye të herës, e mandej të rrëfimit që qartazi adresohet për te lexuesi.

    – Në mungesën e titullit ose të shformësimit të tij. Tregimet (pa titull), ku hiqet një paralele, në mes zogjve dhe avionëve. Po ashtu në tregimin tjetër, ku forma e shformësimit është një dukuri më e gjerë.

    Tregimi “Flutura mbi prozë”, emërtohet me një titull që gati e përmbys marrëdhënien me shkrimin e prozës. Prania e lojës letrare, pra e rrugës vetjake për te lexuesi, dëshmohet edhe në tregimin “Titulli mungon”, që e shenjon lojën si të shpallur, tashmë. Kurse në tregimin “Tri në tre”, kemi të shqiptuar lojën me fjalën, që madje ka endur mozaikun, jetësor dhe narrativ. Po ashtu, titulli i tregimit “Ema nuk i bindet më autorit”, e rizbulon titullin e librit,  “Tregimet e një personazhi”, që gati sugjeron “asgjesimin” e autores, sepse ndërkaq teksti dhe lexuesi zotërojnë hapësirën kryesore. Proza me titull “Mefistofeli ka veshur xhinse”, si përkujtesë e rimarrë, pra si riaktualizim i figurës, mënyrës së marrëdhënies si një prani e pashmangshme. Në faqet e librit, ndeshim edhe prozën me titull “Tregim me hyrje”, ku lakonizmi i prozës së autores, e shenjon edhe këtë rast si një lojë e shpallur letrare. Logjika e lojës letrare, dëshmohet edhe me tregimin “Më duhet një personazh”, ku autorja zbulohet, duke parodizuar titullin e librit “Tregimet e një personazhi”. Materia letrare e përmbledhjes “Tregimet e një personazhi”, e mishëron përkujtesën e autores, ndërkaq përkujdesja në titull, maksimalizon mëtimin e autores, për ta prezantuar prozën e shkurtër, thelbësisht koncize, në nivelin e përgjegjësisë maksimlae, jo vetëm për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, por më së shumti, për ta lajmëruar që të zbulojë rebusin letrar, endur në këto tekste.

    ​Dialogu me vetveten

    Proza e shkurtër, e përmbledhur në faqet e librit “Tregimet e një personazhi”, pavarësisht faktit që autorja, pothuajse “vetasgjesohet”, në hapësirën e teksteve, si një truk i gjetur narrativ, ndërkohë që materia letrare, e shpërfaq të plotë autoren – narrator, në thënie dhe artthënie, në strukturë dhe shprehësinë e artikuluar në këto tekste. E shpërfaq në problematikat e larmisë që sjellë në tekstet e paraqitura në këtë vëllim me tregime, në motivet e pranishme, në shtjellimet dhe kapërcimet, ku narratorja-autorja, anipse përpiqet me u fsheh, si një akt riformulues. Fillimi i tregimit “Trigjethësh jeshil me bojëra uji”. krijon një rrethanë të beftë sepse nis kështu: “Ndodhem në një ëndërr”, thotë autorja-narratore. Situata ligjërimore pasohet nga thënia e së njëjtës autore – narratore: “Jo në ëndrrën time!”, si prani e rrokshme e dialogut të hapur me veten. Vetëm disa rreshta më poshtë autorja – narratore, përpos tjerash, me një kuntrapunkt të papritur, shkruan: “Unë s’dua të jem një kotele”, si një pohim që evidenton qartësisht praninë e personazhit, që duket se ka një jetë të vetën, gjithnjë në semantikën imagjinare. Situata e prozës “Shpërfaqem”, ndërkaq hapet me shprehjen: “Unë e dua atë!”, ku narrativa i përkon vërtet personazhit, që nga teoritë letrare, dihet se mishëron alteregon e autores, e cila ndërkaq përplotësohet nga stilema e shprehur nga personazhi: “Unë mbledh boronica natën.”, ku sërish ndeshim një dialog të brendshëm, gati të fshehur, të autores me personazhin gjithsesi e “përlindur” nga vetë autorja. Më qartë se gjithkund, dialogu me veten, si një narrativë e shpallur, dëshmohet me prozën “Unë dhe unë”, që njëherit sugjeron dyzim dhe tjetërsim, duke kuptimësuar kështu dialogun e brendshëm të autores me vetveten, si matricë e narrativës sendërtuese të prozës së shkurtër. Për të ardhur gjer te situata e dialogut me tjetrin, me lexuesin sidomos. Shprehja: “Thelbin e ëndrrave tani e kiishte në dorë, si një farë kungulli të pjekur”, për të ardhur te stilema e dilaloguar: “Ti je djall, i tha ajo. Me durim me ke gllabëruar gjithë hapësirën.”, si një mëtim thelbësor, i dialogut të nënkuptuar me lexuesin, me gjasë i rrëfimit të brendësuar.

    ​Teksti dhe nënteksti

    Natyra lakonike e prozës, së paraqitur në librin “Tregimet e një personazhi”, krijon një marrëdhënie jo pak të ndërlikuar me lexuesin. Teksti, realisht i shkurtër, që në disa raste anësohet nga proza telegrafike, e komunikimit të domosdoshëm, madje e komunikimit të atypëratyshëm, ndonëse buron nga logjika, kryesisht e ftohtë dhe, gati-gati milimetrike. Të kuptohemi, milimetrike në shkasin për të zgjedhur atë që duhet thënë, mbase edhe të menduar, pse jo të stërmenduar, çka i ka dhënë prozës së shkurtër të autores, një tis etik dhe filozofik, si shenjë e parapëlqimit të honeve të vetëdijes dhe pavetëdijes së qenies. Në situatën kur teksti, sendërgjuar me koncizitetin tiplogjik, të shtrirë në pjesën dërrmuese të prozave, teksti si strukturë lineare, pothuajse ta pamundëson dekodimin, me gjasë edhe mëdyshjen për t’u kthyer në rilexim, atëherë hetimi i vlerës, dritëhijeve, mungesave dhe kulmimeve, zakonisht gjendet “i fshehur” te nënteksti. Ky i fundit, pra nënteksti, në fakt është dëshmia më qenësore e pranisë së letrares. Nënteksti në prozën e shkurtër të autores, është ana tjetër e medaljes, që varësisht energjisë së fjalës, figurimit kontekstual, mund të zbërthehet, duke përmbysur tekstin, madje deri në asgjesim të plotë, ose duke verifikuar dhe interpretuar, ecjen paralele të nëntekstit.

    Proza e shkurtër, tepër lakonike, e librit “Tregimet e një personazhi”, kuptohet se i përket tipit të dytë të shkrimit të prozës, ku teksti dhe nënteksti janë vetëmse në bashkëlidhje të ndërsjellë, jo të lehtë për ta prekur dhe shijuar simbiozën e kësaj ndërthurje qëllimore autorale. Marrëdhënia e ndërlikuar, në mes tekstit dhe nëntekstit, si dhëniemarrje e pashmangshme, për çudi të fanit edhe hijet e një dialogu, le të themi sokratik, me veten dhe botën. Pra, sipas shijes së leximit, kemi të bëjmë me hije e jo me ngjashmëri, si një aureolë e domosdoshme që mundëson hetimin e nëntekstit. Kështu, proza me titull “Me të madhe, pa rregull”, përplas dritën me terrin, çastin sa një shekull, të cilat narratorja-autorja, përgjithësisht i kundron me ftohtësinë e akullt të qetësisë olimpike. Proza “Saktësi iriqësh”, është ngritur si parashtrim, kryesisht mbi marrëdhënie simbolike, ku nënteksti është thelbi i shenjimit estetik. Në tekstin tjetër “Këpucët”, përpos sendëzimit të qenies, kemi një nëntekst të beftë, ku tradhtia të lë pa fjalë. Proza e shkurtër “Titulli mungon”, ku përveç lojës së hapur me titullin, ndërkaq realizohet një provokim etik dhe estetik. Te proza me titull “Betejë”, ndeshim në kapërcim gjendjesh, si dhe në rastin më të qartë të shkrimit telegrafik dhe hermetik. Proza tjetër “Si manaferrë”, shpërfaq metamorfozën e qenies në manaferrë, situatë që e sublimon dhe parakupton nëntekstin. Për të ardhur, madje tek proza “Grifshë”, ku prekim një ligjërim të befasishëm të formësuar si i tillë, përmes disa sentecash. Proza “Era”, konturon personazhin ëndërr, përballë qytetit fantazmë, si një pranëvënie e paimagjinueshme. Në një kuptim më të gjerë, proza e shkurtër e librit “Tregimet e një personazhi”, si ngrehinë letrare ngrihet mbi praninë dhe shumëkuptimësinë e nëntekstit, pra të thënies së nënkuptuar. Nënteksti, në prozën e këtij libri, shpërfaqet me një larmi formash, në titujt e prozave, në kundërvënie brenda hapësirës tekstologjike, e mbi të gjitha në lojën e shumëngjyrtë të letrares, që përftohet nën rrathët e një proze koncize, lakonike gjer në befasi estetike.

    ​Zgjerimi i kontureve të prozës

    Libri “Tregimet e një personazhi”, ku autorja duket sikur ikën nga skena, ndërkohë për t’u ngujuar në brendësi të teksteve. Gjithnjë me një vetëdije letrare të shpallur, te struktura e rrëfimit, me thyerjet dhe kapërthimet e befasishme, te konturimi i protagonistëve të pranishëm, megjithëse shkurtësia, pra karakteri lakonik i stilit të autores, në hapësirën e morisë së teksteve të prozës së shkurtër, gati ua pamundëson skicimin, struktura kompozicionale e prozave, e copave të shkurtra, që kanë si fill të brendshëm, përlindjen e tyre nga bota e autores, diku në thellësitë e dijes dhe nënvetëdijes, si një udhëtim për tek tjetri, pra te lexuesi. Këto elemente të pranishme në shkrimin e prozës, tregojnë se autorja e ka kryer me sukses “shkollën” e parë të prozës, të thurjes së magjisë së tregimit, ky stad i shenjuar në materien e tregimeve të librit, krijon gjasa hemisferave të gjera letrare. Pohimi: “Tregimet si gjini anojnë nga e pathëna, ato e ngucin lexuesin të bëhet aktiv, në mënyrë të tillë që të kërkojnë dhe arrijnë vetë në shpjegime që vetë autori i shmang.”, thekson marrëdhënien e ndërlikuar në mes autorit dhe lexuesit, me gjasë të paritetit të hapësirës së teksteve. Materia letrare, një sprovë eksperimentale, e përfunduar, është një stad që lajmëton hedhjen e vështrimit nga lëvrimi i prozës së gjatë, si prova e pjekurisë së prozatorit, si një rruginë vetanake e shtruar nga lënda e librit “Tregimet e një personazhi”, si trokitja e parë, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, kritikës dhe studimeve letrare, për freskinë e mesazheve, shpalimin e shestimeve, e sidomos për laryshinë e narrativës që përçon magjinë e tekstit si prani e nënteksteve kumtuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË