More
    KreuKinematografiArben Bajraktaraj për rrënjët, bjeshkët dhe retë…

    Arben Bajraktaraj për rrënjët, bjeshkët dhe retë…

    Nga Suadela Balliu

    Një studim shkencor ka zbuluar se dhitë arrijnë ta ndiejnë kur një njeri është i lumtur dhe tërhiqen drejt fytyrave të qeshura. “Kur interpretoja Besnikun ato kohë, isha njëmend i lumtur”, – thotë duke qeshur, duke iu referuar bariut të dhive krijuar nga regjisori Robert Budina në filmin Streha mes reve, i cili erdhi premierë për publikun shqiptar në mes të muajit dhjetor. I gjendur sërish në Tiranë në ditët e para të vitit për xhirimet e një filmi me metrazh të shkurtër, me portretin e skalitur, vështrimin e thellë nga sytë blu, mjekrën gjysmë të pluhuruar me fije të argjendta, Arben Bajraktaraj duket sikur është brenda rolit, me thellësinë dhe peshën që u jep fjalëve, por pa e trazuar rehatinë e ngrohtë të një bisede të çlirët, përpara një kapuçinoje.
    “A e di se dhitë lidhen shumë pas prijësit?!” – më thotë, ndërsa kryefjala është akoma tek ato kafshë alpine me një inteligjencë të pazakontë (lexojnë portretet dhe gjendjet shpirtërore të njerëzve!) dhe me një organizim të rrallë. “Njerëzit mendojnë se kreu i tufës është një cjap, por jo. Zakonisht janë femrat. Ma tha Besniku”, – vijon Bajraktaraj, ndërsa kësaj here nuk e ka fjalën për personazhin të cilit i dha jetë në filmin artistik me metrazh të gjatë, por për një bari të vërtetë të bjeshkëve që e shoqëroi gjatë ditëve para se të niste puna në sheshxhirim dhe i tregoi një a dy gjëra që duhet t’i dinte rreth dhive. Shpejt dhitë u mësuan me zërin dhe fërshëllimat e Besnikut tjetër, pjellë e fantazisë kinematografike, i cili në atë botën e tij magjike, mes reve, të shtrirë mes Dragobisë dhe Valbonës, fëmijët dhe dhitë i ka miqtë më të mirë. “Në skenën e parë, pasi Besniku kryen lutjen, çohet dhe thërret dhitë. E provova njëherë, por kur më erdhën të gjitha pas, jam habitë. Lumni mà t’madhe nuk kam pas’ ndonjëherë!”, – rrëfen aktori, i cili në karrierën e tij ka interpretuar në prodhime gjigante në Europën ishullore, si saga e filmave Harry Potter apo ato kontinentale si filmi Taken që e bëri të njohur si “Marko from Tropoja”.
    Ngjitjet në skena xhirimi në male i sjellin thuajse kurdoherë ndjesinë e shtëpisë e aq më shumë bjeshkët, që i ndërmendën fëmijërinë dhe kohët idilike kur nxirrte lopët në kullotë. Ia kishte thënë këtë hollësi menjëherë regjisorit Robert Budina, kur ky i fundit i dha skenarin dhe i propozoi rolin. “Ishte fshehtësia e tij, – thotë, – që e bëri t’i thoshte ‘po’ rolit të bariut. Kishte shumë të fshehta, mistere… Dhe për një aktor nuk ka sfidë më të madhe sesa të përballet me fshehtësinë”. Besniku është një bari dhish, i ndrojtur dhe fjalëpakë, i zhytur në botën e tij që lëviz nga magjia e alpeve te diç e përtejme, mistike, gati-gati e shenjtë. I lënduar nga një dashuri e prerë në mes, me një vajzë që vinte nga një familje e persekutuar prej regjimit komunist, ai jeton vetëm me të atin, i cili qe edhe shkaku i moskurorëzimit të dashurisë, për shkak të besnikërisë që kishte ndaj ideologjisë së Partisë, por kjo nuk e ka penguar të gjejë prehje në besimin islam. Besniku është besimtar i devotshëm dhe frekuentues i rregullt i xhamisë së fshatit. “Por nuk do të thotë se ai mister duhet treguar krejt”, – shton Bajraktaraj, duke shtuar se aktori hyn në një lidhje intime me personazhin. – “Po u shpalosën të gjitha, ç’ngeli pastaj?!” Besniku, mendon aktori, sillte me vete një lloj poezie: “Për një aktor, nuk ka sfidë më të madhe sesa të përballet me fshehtësinë.”
    Filmi i Budinës shtrihet në tri linja kryesore: marrëdhënien e komunitetit mes vetes dhe religjioneve, lidhjen e familjes si një nga strukturat kryesore të shoqërisë shqiptare dhe botën e brendshme të një individi, i cili duket se ka krijuar një strehë brenda vetes, një mburojë prej të tjerëve dhe që duket i vetëmjaftueshëm në atë botën e tij. “Ai beson në diçka dhe kjo ishte e fshehta e tij. Beson diçka që tejkalon atë që shihet në pamje të parë. Sheh pak mà tutje. Ata që i quajmë shenjtorë apo profetë, në jetën e tyne nuk kanë kenë shumë të vlerësuem, ose i kanë marrë për budallenj, ose për keqbërës”, – thotë aktori. Në atë rrugëtim introspektiv që Besniku e fton shikuesin e kinemasë, të krijohet përshtypja se ai vetë vjen nga një tjetër kohë, e largët, e lashtë, e pacenuar nga moderniteti. Ndjesia përforcohet mbase edhe prej gunës së leshtë mbi supe, bastunit prej druri në të cilin ai gdhend në ato kohët e vetmisë së gjatë hiret e një gruaje. “Element qendror në ndërtimin e personazhit, i cili duket sikur nuk jeton në të njëjtën kohë me njerëzit e tjerë, është edhe gjuha. Ndoshta është ruajtur tek unë, sepse jam nisë 14 vjeç nga fshati dhe më kujtohej ajo gjuhë që flitej përpara. Për mua është interesante të prodhohet pikërisht ajo gjuhë që e kanë përdor’ të parët e mi, nana, gjyshja… Ishte ajo që flisnin edhe banorët e Dragobisë dhe Valbonës”.

    Të kujtosh nga vjen

    Kur ishte 14 vjeç, Arben Bajraktaraj largohet nga Kosova drejt Sllovenisë, te dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. I ati u nda herët nga jeta duke lënë pas nëntë fëmijë dhe është kjo arsyeja pse ai u referohet shpesh në kujtimet e tij gjyshes dhe mamasë. Pasi kreu shkollën e mesme, në moshën 20-vjeçare vendosi të ndiqte një shkollë teatri. Ishte pikërisht atje, në Slloveni, kur hodhi hapat e parë të aktrimit, fillimisht në një film televiziv e më pas në teatër. Do të shpërngulej drejt Parisit, për t’i thelluar studimet në aktrim e ku do të ndërtonte karrierën e tij ndërkombëtare, tashmë si qytetar francez. Pas disa filmave të realizuar brenda dhe jashtë Francës, herën e parë që interpretoi në një film shqiptar Bajraktaraj do ta shihte si një përvojë që i ndryshoi jo vetëm mënyrën e aktrimit, por që e bëri të rizbulonte veten. Kështu do të përgjigjej ai në një intervistë telefonike, ndërsa fliste në një anglishte të rrjedhshme mbi rolet e tij. “Gjuha e ka një trup, – thotë ai, – por në shqip, ngaqë është gjuhë e vjetër, theksohet edhe më shumë”. Pa dashur të bjerë në atë që e cilëson si “patriotizëm lokal”, duke shtuar se njëlloj e do edhe labërishten e rrallë që flitet në malet e Jugut, thotë: “Personazhi duhet të kishte gjuhën e një kohe të caktuar. Ai ka mbetë në çastin kur iu pre dashnia.” Nuk ia cenon rendin e kohëve të tij as trazimi seksual që i sjell restauratorja që, me shpengimin e një metropolitaneje, nuk ia frenon vetes kënaqësinë e flirtit me një bari në një fshat të vogël, në alpe, ku komuniteti e ka të vështirë të ndajë punët e tjetrit me të vetat. Besniku e shpreh shumë bukur këtë: “Njerëzit po e duen Zotin, por nuk po e dojkan njâni-tjetrin.” Nga ajo kohë e pakohë, nga ku buron poezia e alpeve dhe e malësorëve, Besniku rreket të ruajë të pacenuar edhe strukturën familjare, edhe bashkëjetesën në fshat, edhe harmoninë mes feve. “Bashkëjetesa është një çast që mund të prishet. Nuk e kemi të mirëqenë. Mjafton një grindje… Kjo që kemi sot në Shqipëri është shumë e rrallë dhe nuk ekziston askund në botë. Mbase edhe te ne nuk ka qenë gjithnjë kështu. Duke qenë mes kufijve t’dreqit, kemi pasë fatin e keq që na vinin thika, nga të gjitha anët”, – thotë Bajraktaraj. Kujton se ishin duke xhiruar në kohë pashkësh dhe ndërsa banorët e fshatrave të vegjël bëjnë gjithnjë pyetje kureshtare për të ditur nga ç’fis apo vise vjen, ai u kishte thënë se me prejardhje qe nga lugina e Shalës, do të dëgjonte nga banorët “më të afërt jemi me shalianët sesa me ata që vijnë nga Arabia apo nga Roma. Nuk kemi punë me ta, por mes vedi”, duke sjellë përmes kësaj metafore shqiptarizmin, që ka nxjerrë krye gjithnjë mbi religjionet. Besniku e shpreh shumë bukur këtë: “Njerëzit po e duen Zotin, por nuk po e dojkan njâni-tjetrin.” Në Perëndim, shton aktori, një lloj islamizmi si ai në Shqipëri nuk e konceptojnë. “Kjo është çështja e paragjykimeve dhe stereotipave”, – thotë ai.

    Lidhjet e gjakut më të forta se fetë

    Besniku, tashmë një nga rolet më të dashura të repertorit të Bajraktarajt, është nga ata personazhe të pasur e me shumë shtresa. “E gjitha ishte që një shtresë të mos e mbulonte më tepër tjetrën apo të mos e fundoste me një lloj sforcimi. Ky është çelësi”, – rrëfen aktori duke shtuar se, përtej punës aktoriale, thellësia e personazhit vjen përmes kamerës dhe syrit regjisorial. “Tri gjëra janë themelore: kamera, aktori dhe regjisori. Pa këta nuk bëhet filmi.” Thotë se gjatë procesit të punës nuk i parapëlqen ta shohë veten, duke lënë besim të plotë te regjisori. “Kam memorie fotografike dhe kjo më pengon. Si i thonë Mos me t’hy vetja n’qejf!”, – thotë duke qeshur. Edhe ato detaje teknike që aktorët i kontrollojnë herë pas here, janë mprehur me përvojën dhe pastaj është besimi i ndërsjellë me regjisorin. “Bashkë e vendosim deri ku e çojmë personazhin, në ç’ftohtësi e mbajmë apo ç’fizikalitet i japim”. Përpara se të hyjë brenda një roli të ri, kujdeset të përgatisë edhe trupin. Për një aktor si Bajraktaraj fiziku është aspekt i rëndësishëm i aktrimit. Ndërtimin e karakterit e sheh si trungu i një peme dhe çdo zhvillim i lojës filmike i ngjet një fenomeni klimaterik mbi të; a kërruset nga dëbora e rëndë, a gjallërohet nga një shi i imët që e përkëdhel? Nuk e konsideron veten si Stanislavskian, në shkollën e aktrimit, përmes vetanalizave dhe reflektimit artistik, si performuesi dhe teoricieni rus i teatrit. “Mendja vjen më vonë në përgatitjen e një roli, ndonjëherë do të ishte mirë të mos e kishe fare, sepse të menduarit e tepërt ndonjëherë bllokon”, – do të thoshte në një intervistë të mëhershme Bajraktaraj. Premiera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Tallin Black Nights”, në Talin të Estonisë, një ngjarje e rëndësishme kulturore, bëri që filmi të marrë komente pozitive nga audienca dhe kritika. “Është një film që do të zgjasë në kohë, për mënyrën që është filmuar dhe çfarë kalon personazhi. Ka vend për diskutim më të gjatë. Është një film që mund të flejë te njerëzit”. Strehën mes reve e sheh si ata filma që kanë mbërthyer shpirtin e maleve. “Është vërtetësi, jo promovim. Filmi ka qenë propagandë nga regjimi, por kjo që kemi bërë, do të ngelet në kohë”, – thotë Bajraktaraj. – “Do të mbesë në kohë dhe do të ketë njerëz që nuk do të munden ta konceptojnë pa e parë me sy. Ne e dimë, por edhe kjo mund të jetë e brishtë”. Linja tjetër, po aq e rëndësishme, e zbërthyer në gjuhë filmike nga regjisori Robert Budina, është struktura familjare. Për t’i qëndruar fabulës kryesore të bashkëjetesës fetare, në një lloj grotesku, brenda një familjeje vijnë të përfaqësuara të gjitha besimet fetare dhe dogmat ideologjike. “Berti (Budina) e kishte studiuar gjatë dhe e shpjegonte se më e rëndësishme ishte struktura familjare. Mund ta ndryshoje fenë, ama gjakun mos e harro! Lidhja farefisnore ishte më e fortë se lidhja e besimit. Jemi fisnorë, ngado të shkosh të pyesin I çfarë fisit je? Në një mënyrë, kjo na ka mbrojtur”, – mendon aktori.

    2018 – Viti i bariut dhe astronautit

    Viti i shkuar ka qenë i ngarkuar, ku rrëfen se i është dashur të jetë paralelisht edhe në tre projekte. Mes punëve më interesante, veçon rolin te filmi Tri ditë dhe një jetë, një përshtatje e romanit me të njëjtin titull i autorit Pierre Lemaitre. “Personazh shumë i prekshëm i cili drejton gishtin nga fajtorët, por vetë e di të vërtetën dhe nuk e tregon, sepse ai që kishte vrarë djalin, ishte i biri i ish-të dashurës së tij”. Subjekti sillet rreth enigmës së një vrasjeje në vitin 1999 në qytezën Beauval të Francës. Dymbëdhjetëvjeçari Antoine Courtin vret aksidentalisht djalin e fqinjit në pyllin pranë shtëpisë. I tmerruar, e fsheh trupin dhe nuk dyshohet kurrë se ka lidhje me zhdukjen e djalit të mitur. Një tjetër rol do ta kishte në filmin spanjoll El Desentierro, edhe ai një triller i vendosur në kohët e Spanjës Frankiste. Zhvillimi i ngjarjeve përfshin edhe personazhe nga Shqipëria, një prej të cilit e luan Bajraktaraj. “Është një triler rreth memories”, – thotë ai, ndërsa shton se kasta e aktorëve ishte ndërkombëtare, ku veç regjisorit spanjoll kishte aktorë nga Argjentina e Turqia. Në një tjetër kastë të përzier u gjend edhe në xhirimet e serialit Besa, me regji të britanikut Tony Jordan. “Bashkëpunimi i parë ndoshta në Ballkan me një kastë të përbërë nga serbë, kroatë, boshnjakë, shqiptarë e sllovenë”. Megjithëse thotë se ia kaluan mirë së bashku, nuk u shmangën as problemet organizative e as ato të egos. “E pastruam skenarin maksimalisht nga ideologjia, megjithatë nuk e di çfarë mund të bëjnë në montazh”. Thotë se personazhi që interpretoi, ai i Dardan Berishës, iu duk sikur të kishte dalë nga një tragjedi e Esklit. “Edhe pse ishte i përzier me banda e vrasje, personazhi dukej eskilian. Për këtë pranova”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË